Arqile Gjata
Jeta më vjen si poezi
Tri veçori pikasen lehtë teksa lexon poezitë e A. Gjatës.
Poezi që ndërtohen mes një itinerari logjik të mendjes, gatesë elokuente të shpirtit dhe paraqitjes estetike…
Fatmir Terziu
Arqile Gjata është sot, sipas bindjes sime, modeli i rezervës poetike të pashprehur në vite, modeli i këmbënguljes për të pasuruar fjalën deri në bashkëjetesë artistike me detajin poetik, model i përpjekjes për të shpërthyer digën e moshës deri në daljen ku ndriçojnë format bashkëkohore të të shprehurit poetik.
Novruz Abilekaj
***
Në shpinë mbaj gjurmët e së shkuarës
të rënduara nga koha.
Udhëtar i përjetëshëm i genit tim
e lë veten peng të së ardhmes,
lëkundem në shtratin e shpresës.
****
Me derën e shpresës të lënë hapur
lypa pak buzëqeshje për të shkrirë varfërinë.
Në gjithë kohërat vrapova nëpër skenat e punës
të blija me djersën time
ca të qeshur dhe dashuri.
E shkuara më vjen si poezi
Nesër,nëmajatmëtëlarta
U ndjeva mirë kur Arqile Gjata më besoi të jemi syri i parë në përgatitjen e këtij vëllimi me poezi që “maten sup më sup„ me më të arrirat e ditëve të sotme.
U ndjeva mirë sepse kam qenë rreshtuar në skeptikët e poezive të para, kam paragjykuar daljen e tij me vonesë në mejdanin ku beteja artistike është më e mprehtë se në çdo fushë tjetër të artit.
Tashmë, duke parë ngjitjen e suksesshme vertikale të Gjatës, po e riformuloj hap pas hapi opinionin tim. Ardhja në dorë e tufës së poezive që do të përmblidhen në këtë vëllim ishte rasti më i përshtatshëm për këtë riformulim.
Krejtësisht e paprofetizuar prej meje dhe prej miqve rrotull nesh ky vertikalitet gjatë përjetimeve të fillimit, kur dukej sikur autori sapo filloi bëlbëzimet.
Arqile Gjata është sot, sipas bindjes sime, modeli i rezervës poetike të pashprehur në vite, modeli i këmbënguljes për të pasuruar fjalën deri në bashkëjetesë artistike me detajin poetik, model i përpjekjes për të shpërthyer digën e moshës deri në daljen ku ndriçojnë format bashkëkohore të të shprehurit poetik.
Nuk ndodh asnjë çudi sikur ta shohim nesër në majat më të larta, atje ku shpatojnë vetëtimat …
Novruz Abilekaj
Përfytyrime nëpër vargje…
* * *
Të shikosh dëborën dhe erën
kaq afër nëpër fshat e t‘i ledhatosh me duar cung
në këto vise të veriut,
rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave,
që si muzikë-Pop- bredhërijnë
nëpër shtëpitë e fshatit.
Në ish sheshin e Katundit
grinden të humburat melodi
në skamje për kufoma këngësh,
dhe shëmtitë e tyre shëtisin asfalteve
për të qenë të lumtur një çast.
* * *
Kishte sëmundje të keqe…
Sytë i dridheshin nën mbulesën e qerpikëve të gjatë
me bojë dyshimesh shkruar.
Dikush e ngriti në krah deri te frymëmarrja,
që i përgjigjej peshës së tij të lodhur.
Kështu, përsëri zbriti të ndiqte shtëpinë e vet që lundronte mbi lumë.
* * *
Duke ardhur rreth e qark vetes për të parë,
çfarë kam për të lënë peng,
si një mendim i prishur
rrjedhojë e fërkimit me jetën
m‘u tha qëllimi i vetes,
të shkoj te pragu i një kasolleje,
ku jeta ecën shaluar mbi një mëz
për të gjuajtur lepuj.
* * *
Në kohën e divorcit, sot, kujtimet më të bukura
shkruhen në “bashkëjetesë”
Pëllumbat fluturojnë nëpër aerodromet e shpirtit të mangët,
të patejdukshme, si smog ndër sytë e ngjyrosura,
të thara nga padashuria.
Trembja Poetike
A të mjafton vetmia e trupit tënd…?
* * *
Ta shporrësh jashtë derës atë,
që dikush e pret me trembje.
Ai është misterioz,
struket diku thellë në mendjen tënde…!
* * *
Përkrah mendjes misterioze
mjegulla e qullur nga dhimbjet e gjymtyrëve
vajton intuitën e milingonave,
të tmerrshme.
***
Milingonat…!
Nuk i keni parë rrugëve pafund,
se si tremben nga jeta në globalizëm
edhe pse nuk fluturojnë, ato zhyten thellë
në metrotë e tokës.
* * *
Dhe vjen shiu litar i dhunon,
i mjeron,
i sakaton
milingonat “zuzare”.
Trembeni?!
Trembeni…?!
Të gjithë trembemi,
dhe toka rreth hijes së saj,
dhe yjet atje lart,
rrëzohen në vrimën e zezë nga bukuria e hënës.
* * *
Tremben vargjet nga duart e ndrydhura,
trembet shiu nga barku shtatzan i lumit,
trembet syri nga rrezja e diellit ngjyrë ari.
* * *
Nga heshtja e bukurisë
po tremben vjershëtorët
me sy mbetur te fjala.
* * *
Në qiell po dëgjohet muzikë,
retë e bardha po luajnë balet në ajër,
nga majëmalet fluturojnë hije njerëzish të trembur,
si shpend të flamura.
Të gjithë,
në mënyrën e vetë sodisin heshtjen e bukurisë,
dridhur nga frika si lypsarë.
* * *
Aty, nën lëkurën tonë të trembjes,
me përbuzje
shkulim bimët e bukurisë së shkuar
për të shkruar poezi të palumtura.
* * *
Heshtja e bukurisë veshur me rrobat e pikturës
qesh e qan nën frikën e vetmisë
nga tallëzitjet e çmendurisë së kohës
për jetën dhe vdekjen e së ardhmes.
Dhjetor 2009, Athinë
Kali i jetës sime
Hipur mbi kalin e jetës
udhëtoj në hapsirë për të kapur vetveten.
Në shpinë mbaj gjurmët e së shkuarës
të rënduara nga koha.
Udhëtar i përjetëshëm i genit tim
e lë veten peng të së ardhmes,
lëkundem në shtratin e shpresës.
Me brishtësinë e fjalës së sotme
mendimi im jep koncert
për të shkundur këto re të ngarkuara
mbushin një boshllëk
të kësaj moshe që kërkon blerim.
Në konakun e emigrimit
I lodhur…,
ulur në oxhakun e mendimit,
vendosa të rrugëtoja në tokën e kurbetit,
si udhëtar i një emri brigjeve të jetës
të shkoja mik në Konakun e tjetrit.
Me derën e shpresës të lënë hapur
lypa pak buzëqeshje për të shkrirë varfërinë.
Në gjithë kohërat vrapova nëpër skenat e punës
të blija me djersën time
ca të qeshur dhe dashuri.
Kështu,
i shpenguar, me dhembshuri
përqafova rreth vetes njeriun e kurbetit.
Ekziston diçka sot
Tek qetësohesha poshtë qiellit
gjeta një mendim të shkruar nëpër re:
-Ato që ikën s’kanë më frymë!
Ekziston sot diçka që s’e ke parë kurrë.
Afroju!
Ta prekësh krah hapur lulishten njerëzore,
parcelë njomëzake e ndarë në vuajtje
nëpër rrugë dhe kulla të zhurmshme.
Dhe era e këngëve kundërmon aromë sysh,
si motërzim shpërthimesh
nëpër autostradat e mendimeve.
Ku luhet pjesë me fëmijët
për t’i lënë lamtumirën stinëve,
për të sulmuar kështjellën e kohës
drejt majave ku duam të arrijmë.
Si në përrallë
Dje…
Njeriu,
statuj e lashtësisë në shtegtim
të syrit tonë
… si në përrallë.
Luftëtarë të ndritur ,
nga të shenjtat eshtra rrëmbenin
shpirtërat e të vdekurve
… si në përrallë.
* * *
Sot…
I lajthitur,
duke përkëdhelur qenin,
njeriu hamall me flok gri
fle bashkë me njeriun lakuriq,
që ende lundron me varkë
të ndihmojë të marrët
…si në përrallë.
Mbetëm larg …
Sa keq,
që nuk lundruam së bashku në dashuri …!
Eja!
Merrëm një copë herë prej dore
të vizitojmë ato kopshte dashurie
që i kam baritur netëve pagjumë.
Do ta kërkojmë njeri-tjetrin
duke u dalluar nga shija e flokëve,
të pafuqishëm do mbahemi në kujtime,
veç sytë do puthen si dikur.
Janar 2010 Athinë
Ai…
Ai lehtësisht në dorën e majtë
mbanë dëshirën e tij
drejt ngjitjes së një kodre.
Në të djathtë diçka femërore shijon
shumë të virtytshme.
Me të dy krahët luan shpejt
pjesë argëtuese,
mishërim i shijes të ringjallur përsëri
nga jeta e tij ironike,
që ende nuk është e mrekullueshme.
Englantina
Eglantina kalon orë intime
me poezinë.
Këtë e thotë autografi im
për librin që kam në mendje.
Zgjas dorën të mbledh shkronjat,
të josh Englantinën me lotin tim,
t’i them:
-Kjo është fytyra ime…!
Fjalët e Pemëve
Në 45 vjetorin e lindjes së studiuesit dhe krijuesit Fatmir Terziu
Fjalët e pemëve më mbetën në kujtesë…
Zhytur në përfytyrimin e tyre,
Unë, njeriu, loz e qaj,
rrugëtoj në burimin e fjalëve.
Hipur nëpër shpinat e kopshteve,
pyjeve dhe deri në pemët e vetmuara
më trazohet një dëshirë,
të dëgjoj fjalët e pemëve.
Nga goja e pemëve thithim aromë mendimesh
edhe në se u thyejmë krahët nga xhelozia,
apo i gjymtojmë sipas buzëqeshjes sonë,
përsëri erërat s’ua vjedhin dot këngët.
Fjalët e pemëve,
nën këmbët e njerëzve flijuar
hiri i tyre dhe në gjumë na viziton.
* * *
Nëpër qytete dhe larg tyre
shëtisin pemë me pamje fisnike
-Hajt të pimë një gotë
me lëng fjalësh nga jeta e pemëve,
dhe t’ju urojmë:
Jetë të gjatë e paqe…!
Korrik 2009 – Athinë
Njerëzia
Njerëzia …
prej vitesh është novatore e urrejtjes,
si motra e së shkëlqyerës
dhe flakë e barutit poetik,
si përzierje sëmundjesh
ka të bardhën e syve të qytetërimit.
Njerëzia …
dhe dje dhe sot, drejtë rrugës
së “ Perëndisë së Madhe”,
me shpirtin dhe kurmin e saj,
me veten lufton,
pleksur me përzierje identitetesh
botën sundon.
Kur vdesin njerëzia,
nga frika
varrosen thellë,
duke mbyllur thesarin e ëndërrimeve
me fytyrë të akullt.
Në kopshtin e dashurisë sonë
Në kopshtin e dashurisë sonë,
po i gëzohem një luleje
të mbjellë në kohë të rinisë…
Flokët e ndritshme të kohës 60 vjeçare
feksin dashuri
nga dashuria jonë.
Ende asaj i lëngëzojnë sytë i qeshin fjalët.
Prej shkëlqimit të vështrimeve
akoma kemi shumë dritë
e tingëllima e jetës na mirëpret.
Dritarja e shtëpisë buzë detit
na buzëqesh të mblidhen brenda saj
buzët e fëmijëve…
E dashur!
Duke parë detin,
do përsërisim dëshirën tonë:
-Të jetojmë
deri sa të bien yjet e mbrëmjes së gjatë…!!
Në 60-vjetorin e lindjes së Xhenit
Vlorë 9-1-2010
Fytyra e fotografisë
Në perëndim të vitit…
i habitur vështroja fytyrën e fotografisë,
nga malli
ajo dëshironte të shkëmbente disa urime.
Kudo dëgjoheshin hapat e rrugëve,
përshëndetje sysh
dhe fytyra në rrugëtim për diku larg.
Të pambaruarat mbrëmjet vlonjate
sodisin nga deti e deri lart
duke prekur ndjeshëm fytyrën e fotografisë.
Fytyra e fotografisë fle
mbi valëvitjet e vargjeve
kundërmuar aromë dëshirash,
që sa po kanë filluar të nanurisin
nën hijen e hënës verdhuese të fillim vitit.
Nën xhamat e hollë të syve
ndizet përsëri agimi i një dite tjetër nga ku;
Shumë gjëra të vogla-a të mëdha,
të harruara-apo të shndritshme,
të fjetura-ose të vërteta
ikin dhe shpërndahen
për të lënë pas
kopshtin tonë të këngëve.
Vlorë 6-1-2010
E kuqjaraki
Dje…
Të nesërmen e darkës së madhe
djem këmishë-bardhë, mustaqe-spic
hedhur mbi sy buzëqeshjen dhuronin të kuqen raki.
Gëzohej djalëria nga rakia e kuqe
rrjedhur nga poshtë këmbëve të trëndafilta
të dashurisë virgjërore.
Sot…
në natën e lodhjes së madhe
muret e virgjërisë thërrasin përmallshëm
gjysëmburrërinë vjeshtore.
Krehur nga erërat, djemuria
mbushin enët e lashtësisë me parfum,
që frymëmarrin të dëshpëruar në qetësinë e natës.
Nesër…
Ata brenda qendrës së tyre
të shpërndarë në qiellin gri, të shkelur e me fytyrë të vetmuar,
do kujtohen të thonë:
E kuqjaraki i përket legjendës njerëzore!
Ps:Kjo poezi është frymëzuar nga një traditë e vjetër(zakonore) që djemtë e fshatrave të jugut të vendit bënin të nesërmen e dasmës së tyre.
Athinë Dhjetor 2009
Ty Shkodër të qoftë e mbarë!
Në prehër të Bunës,
Shkodra luan me hënën të rehatojë Drinin.
Rend qyteti në rrjedhën e ujërave
për të kapur imazhin e përkujdesjes së vetvetes
nga shakatë e zërave të politikës.
Ju u shkritë, u tretët, ende nuk jeni lagur,
por mbytur deri në mes,
deri atje ku arrin këpuca e padrejtësisë.
* * *
Pemët e Shkodrës pse s’kuvendojnë,
ne e dimë ?
Jeni miq me fisnikërinë.
Fytyrën aq të bukur me tualet humori,
pse e keni lagur?
Ne ende e kemi nëpër sy buzëqeshjen shkodrane.
* * *
Ty Shkodër të qoftë e mbarë!
Ndërtuar mes këngëve e qerpikëve të dhimbjes
në çdo kohë,
në zemër të fjalës ke qëndruar Zonjë.
Po tani Shkodër?
Dëgjo Bunën si qanë
dhe Drinin si këlthet nëpër diga!
Kështu,
sot je velë e bardhë ujore në zemrat tona.
Janar 2010
Vendi im Kërkëllin Vajtueshëm
Vendi im, jugë e shi,
qielli prerë nga vetëtimat,
Ishull shpërndarë nëpër ujë,
i bukuri, vendi im.
Drejt tij gjithçka fluturuese
kërkëllinë vajtueshëm virgjërinë.
Era dhunshëm loz
për gjatë ditës,
gri, i qulltë qielli, ajri, toka.
Mbrëmjeve
vendi pikëllimë ngjyrash
si mendim në fluturim,
shpend të gjalla firuar nga uria.
Nëpër rrugë të shkara
vendi im
ecën me mushka e xhipa drejt tokave të vjetra
e nëpër det,
njeriu luan monologun e shishes
veshur me gjethe greke a romake.
I lajthitur
nëpër sheshet e fshat-qyteteve
vendi im përtyp i verbër,
ato çka i kanë mbetur nga torba e gjyshërve,
me dëshirë t’i vërë zjarrin pranverës vyshkur nëpër pyje,
ku fëmijë topbore heqin vallen
e Lek Dukagjinit.
20-2-2010 Athinë
Shkronjat e Prillit
Triptik
Në Mëngjes
Në sheshin me qiparisa
mes të vdekurve
lëkunden kryqet nga era e lehtë.
Aty nëna dhe ime mbesë
nga avllia e tyre kundrojnë kalimtarët.
Më poshtë, mes barit dhe luleve
pi kafe me raki im at.
Ata ikën në të kaltërtën pjesë të qiellit
në prag të shpërthimit të sytheve.
Në orët e ditës
Lypësi i butë…
me të brendshmen e dorës fshin mermerin
e vendbanimit të tim eti.
Dhe fryma ime përpëlitet
duke admiruar fotografinë e qelqtë
mbi kokën e babait të ndjerë.
Natën
Në sheshin me qiparisa
nga hapësira e detit hynë me forcë era,
të strehohet, të dremisë
bashkë me të vdekurit nën gurë
a mermer ngjyrë çokollate…
për tu larguar në orët më të vona.
Për Kohën
Ata flasin për kohën…
Nga mënyra e rrëfimit
e kapërcejnë monotoninë e kthjelltësisë.
E tërheqin me litar
deri te vendi i ngujimit,
tek një shtëpi publike.
Pështjellur nga brishtësia,
digjet koha e virgjërisë
në të ndritshmin ngushëllim
me shirit të zi në gjoks dhe në krah.
Njeriu si qënie
Për njeriun,
si pasuri e mjaftueshme janë varret
e ka dhuratë engjëllore
pak tokë, pak pluhur kujtese.
Pa moshë të caktuar,
njeriu hipotekon veten
në qilarin e historisë.
Të majmur nga trishtimi
njeriun e largon koha
si divorc i pabesueshmërisë.
Nëna
Në 99 vjetorin e lindjes
Kur shkoj në Vlorë,
diçka e shndritshme
dhe një ëndërr magjepsëse
ma ringjallin dashurinë e nënës.
Pres e qaj unë,
të fle pështjellur
me aromën e nënës,
ta puth…
të marr dritë.
Nëpër ëndrra nëna ime
flet me heshtjen,
ende s’më ka harruar.
Nëna ime
u lut pranverës ta merrte,
se kishte punë atje lart,
të mblidhte lulet…
Sa shumë u vonua!
Nëna ime!
Kur të takohemi përsëri…
ballin tim rrudhashumë
do ta mbështes në gjoksin tënd,
të ndjej lumturinë e munguar.
11 mars 20010
Letër shoqes
Nga i largëti kontinenti juaj
kam dëshirë,
në këtë ditë vjeshte të përshëndes
dhe të vizatoj konturet e shpirtit tënd.
Nga goja e bukur e krijimeve të tua
po nisem,
të zaptoj ngjyrën larushe
të syve,
lakuriq si në oqean…
Kënga e thatë e Saharës thërret vajtueshëm
jetën e Uoris Dir
Uoris Dir është një vajzë pesëvjeçare, që për të mbijetuar dhe fituar lirinë jetoi gjashtë ditë e net nëpër shkretëtirën e Saharës… Sipas statistikave të OKB-së, 8000 fëmijë (vajza të moshë 5-10vjeçe) në ditë i nënshtrohen ritit çnjerzor të gjymtimit gjenetik
Unë
i pabanueshëm në kohë,
lindur tani vonë
përball pranverës që nuk bëzanë,
tragjiken Somalezen Uoris
dua të përqafoj!
Gjaku i verdhë i Saharës
jeton në kujtesën e Uorisit
dhe ndjej frymëmarrjen torturuese
të një riti barbar
ndërtuar në primitivizëm dhe në ditët tona.
Kënga e thatë e Saharës
thërret vajtueshëm jetën e Uoris Diri
mbushur me klithma të zeza,
që nuk i njohim.
Loti i saj tretur në degën e një peme
si një foto kohe vrapon…
të zhduk gjytimin gjenetik
Kur mbusha 2000 vjet
Kur mbusha 2000 vjet
Dikushi më tha:
“Ke marrë këngët e mia”,
i them buzëqeshur:
-Ato ishin dhimbjet e frymës sime.
Sa herë e kujtoj atë çast,
aq herë mendohem.
I pasur në varfërinë time
i ri të mbetem dua!
Kur mbusha 2000 e një vite,
i kënaqur i thashë vetes:
“Ia vlen të pranverosh
dëshirëmendimet e tua…”
Ngjyrat e Majit
Kam veshur kujtimet e saj të bardha…
dhe si Ezopi skllav,
hedh gurë në qypin e dashurisë,
etjen që kisha po ma shuan flladi i Majit.
Tani jetën e kam në pëllëmbë të dorës,
dita e re ndizet nga ngjyrat
si në kohë të kaluara.
Majit ja hoqa xhaketën,
i vesha kostum plazhi.
Nga joshja dhe dëshira e luleve,
të gjithë bëhemi gjethe
në buzët e saj,
ndërsa unë një varg më shumë.
Jeta në syrin tim
Një gjysmë pylli në syrin tim
ecën me hapin e mëngjesit
drejt pjesës së ndritshme,
ku rrëzohen drurët nga heshtja e tyre.
*
Në pasdite shoh koka kafshësh
me bishtin ngrehur drejt kthjelltësisë
të ndonjë pike uji,
ku zogj të pa dukshëm lodrojnë
në djepin e tyre të cicërimave. (mes cicërimave)
*
Nata me gjysmën e hënës lëviz
majë pemëve të përgjumura
mbushur me fole fluturuesish,
që krokasin mistershëm.
Ajo
Nata është këtu
dhe pret ta përshëndesë
skajin e saj lakuriq,
si një grua e përdalë,
që mendon të këndojë
deri sa të fshihen yjet
nga gjinjtë e saj.
Më 9 Maj
Në sheshin e madh
skeptikët e luftës thërrasin …
Nga prehri i tokës,
të vrarët,
trembur nga madhështia e harresës
stërviten të vënë në lëvizje botën moderne
me flokë që u lëkunden nëpër re.
Është Maj.
Sot të vrarët e shekullit,
në radhë me rroba të zeza,
ngrenë kryet për të parë në sy
botën e lënë përgjysmë në vuajtje.
Në Maj
Evropa një ditë në vit
shtron tryezën e këngës së lashtësisë,
në këtë stinë vjen dashuria e tharë nga koha:
-Ta duam veten më shumë se Evropa.
Në këtë ditë zbuten orët, e hijshme
kthehet kënga e prejardhjes,
shtegtojmë si shpendë të egra…
7-10 Maj 2010 Athinë
Një e “marrë”…
Një e “marrë” u hodh nga maja
e një shkëmbi…
Maja e shkëmbit ngriu, u këput.
Nga humbja e peshës u ndjen klithma.
Tej, poshtë, piktura e kufomës e përdjellur,
e qetë, normale,.., e flijuar!
Në fustanin e bardhë
u mblodhën meloditë e kukuvajkave,
ushqim për jetimët.
Qershor 2010
Koha dhe Morali
Koha përkëdhel fytyra morali.
Ato qeshin me sy palarë,
rrugëve pa strehë.
Nga larg diçka prekin,
me barkun plot ushqejnë të porsa lindurit
nga psherëtimat e moralit,
për të recituar të tjera pëshpërima.
Sot,
përmbi ballin rebel shkëlqen dhunshëm
medaljoni i moralit modern
varur mbi shandanin e autostradës,
që si semafor kontrollon kohën e zotëve…
dhe nesër bashkëshortë të ligjit
të pabarabartë në gjatësi.
Qershor 2010
Urdhri Magjik
Në thellësi të mistershme, të dremitur,
njerëzia si kuaj ulur këmbë-kryq
u faleshin varreve.
Në ditët që ikin askush s’ka pyetur;
-Me ngashërim, pse qajnë për të vdekurit?…
Një ndjenjë e kohës,
pështjellur ndër dhuratat e ditë-lindjeve
frymëzon një mesazh magjik.
“Koha e gjatë e varreve skadoi”!
Kështu,
“Urdhri Magjik” varret e kohës sfidoi.
Skalitur në katër cepat e syve,
ai fletë për kohën e re të amshimit
njollosur si lesbike.
-Një varr i vetëm mjafton për të gjithë…
Qershor 2010
Ku shkoni, o të plakur…?
Çapiten nëpër ajër të kohës,
kukurisin me pak zë grumbuj të moshuarish.
-Ku shkoni, o të plakur,
nëpër mjegullën e bardhë?
Jeni hallexhinj
deri në shpirt të thinjur.
* * *
Tani nuk ka lojëra për ata,
veç fjalës që ua dhurojmë
a belbëzimin e një foshnje.
Mbetur me veten,
qeshin me fytyrën plakushe të tyre
dhe ëndërrojnë kujtimet e së djeshmes
varur në kopshtin e lodrave.
Në gramë të shpirtit
ndihen pëshpërima buzësh
që dikur puthën.
Të ecin duan, diçka më tutje, ashtu,
me gjysmë fryme, ecin…!!
Në qytetin ku unë jetoj
Në një ishull, ku unë jetoj
dielli ecën njësoj si këmbësori
dhe tërheq ngadalë gjithë të gjallët.
Në këtë qytet
ndriçojnë eshtrat e fiseve,
të bardha, të ngrira
veshur me këmishën e lavdisë.
I lodhur nga kënga dhe pabesia
qyteti mban emrin e fiseve antike.
Monumentet shpërndarë si kufoma
flasin gjuhën e dashurisë
dhe sot, askush nuk e di,
veç muret e muzeut në qendër të sheshit,
pse ende belbëzojnë si papagall madhështinë…
e tretur nën gurë.
Unë i moshuari
I mbajtur në kërrabën e kohës
ngjisë shkallët e jetës…
Jetën e kam timen, askujt s’ia fal.
Dhe pse i thinjur lojërat më pëlqejnë,
“Valët e Danubit” me elegancë e vallëzoj.
Në këto ditë të jetës time
frymon palosur me fjalën:
-Bukuria dhe loti pikojnë në shpirtin tim!
Bisedë me Migjenin
Migjeni!!
I kanë ngelur veç kockat…
e shpirtit krenar.
* * *
Akoma është dimër…
Ai pareshtur përpëlitet i vetëm, i uritur
mbetur në këngët e rinisë.
Opingat e Lulit të vocërr
i hodhi në makinën larëse të padrejtësisë,
për t’i falur pak dashuri mjerimit
mbështjellë me shpërgënjtë e buzëqeshjes
si fëmija me kukulla
në varrin e porsahapur ku gurgullojnë
idetë rebele të së ardhmes veshur me maska.
Nga duart e Migjenit e kemi urimin:
“Zoti të dhashtë!”
Në stinën e verës
Tani,
në verë
ishuj të futur në rrobat e pushuesve,
lakuriq,
shkrihen e bëhen një pikë ujë
dhe mbrëmjeve ngrihen pezull
mbi dallgë.
Pushues të gllabëruar si një tufë epileptikësh
kërkojnë të ndryshojnë mendimet,
të gjejnë një shteg në bregun e largët,
atje ku bashkohet qielli me ujin
të provojnë ndjesi
sikur kanë humbur gravitetin.
29 Qershor 2010
Zemërdhuruesi
Kushtuar Mjekut kardiolog : Dhimitër Maxuratos
Një ditë vere qava nga gëzimi për kohën…
që mjeku mblidhte për të dhuruar,
shpirtin ndarë si shegë.
Nga sytë e tij zbulova gjurmët e një peme
rënduar nga cicërimat e zogjve
që hedhin hapat e dijes.
Ai noton i qetë, si rreze drite,
të mbledh piktura me motive shprese
për të sëmurët.
Në intimitetin e tij kalojnë rrugët e shpëtimit.
Si një statuje i falen pacientët
duke tërhequr ngadalë secili jetën e tyre
bleruar nga Zemërdhuruesi Dh. Maxoratos.
Korrik 2010
Me sy nga vendlindja
***
Një natë,
ulur mbi një shkëmb të thinjur,
me sy nga vendlindja një burrë,
i heshtur bisedonte me hallet.
Nën qiellin e natës,
në tymin e cigares
ngrohte duart e mardhura.
Deti i trazuar bridhte
dallgëshumë,
në breg ai dëgjonte frymëmarrjen e rëndë
të peshqve,
që flenë deri në agim kur mblidhen rrjetat
e pulëbardhat bien mbi valë.
Nga kënga e tyre,
ai qante si fëmija
e dalëngadalë shkrihej si mjegulla e bardhë
buzë kaltërsisë,
mbi një shkëmb gri me sy nga vendlindja.
Ku jam…?!
I pash gjithë ëndrrat e së shkuarës…
Regjistrin e klasës së parë,
Mësueses Krisanthi dorën i putha.
Kundrova dëftesën e të shtatës klasë,
shpërndava mjegullën ngelur mbi dëftesë…
Paskam dhe unë një emër në shkollën e Skelës!
Ku janë ndjeshmëria dhe koha e viteve??
Në librin e gjendjes civile,
jetojmë të gjithë bashkë me familjen,
këqyrur nga heshtja, zgjohem prej pickimeve të punonjëses
kur shkruan mbi fytyrën time.
Unë jetoj në ambiente inerte,
me dëshira,
të gjithë kanë harruar të luajnë me mua
tek rrugicat e vegjëlisë.
Pyes veten, ku jam…?!
Diku aty,
në kujtime të lodhura e buzëqeshje të humbura,
dhimbje të pa mbledhura nëpër dyer.
Gjithçka tretur në humnerën e jetës.
Athinë 21-9-2010
Dëshira ime
Kur dua të shkruaj poezi
vete të puthë disamuajshen Melita,
mbesën e vogël qumështore.
Më pas shkoj e fle me ëndrrat,
në mëngjes puthjen e diellit
mbi shpatulla hedh.
Dëshirë të madhe kam
të thinjem mbi një varg,
të mbetem një gjethe në pemën e ullirit.
24-27 Korrik 2010
Ma këngëzoni fotografinë…!
Fotografia e saj gjak nuk ka,
veç një hark buzëqeshjesh
brenda së cilës gurgullojnë fjalë…
Me profil gruaje,
ajo ngjan si këngë djepi
përkundur nëpër jetë.
Në trajtën e një engjëlli
të gjithë
duan ta puthin.
Fotografia udhëheq funeralin e dasmës
me fustanin e bardhë vendosur mbi një kurorë,
që mbanë erë trëndelinë.
Gjatë gjithë rrugës me pemë
disa zogj të heshtur çuçurijnë,
këngëzojnë fotografinë
që shkoi e u tretë…
1-3 Gusht 2010
Nën tingujt e jetës
Jetoj në tingujt e jetës
zgjuar, gjithmonë i uritur
në ato tinguj e shuaj etjen.
Tingujt e jetës shkëndi të ndezura
stolisin ballin e ditëve të mia
e fijet e shpresës i bëj gërshetë.
I shkundur nëpër ëndrra
dhe ngjyrat e detit në tinguj shkrirë
me qiellin loz si bajzat.
Në djepin e urimeve të mia,
mes përshëndetjeve
thinjosh siç jam, dua…
Të jetoj me tingujt e së ardhmes
në qytetin tim, atje larg…
14 Gusht 2010 Athinë
Sytë e Kohës po flasin
Nënë hijen e ambicies,
të qullura sytë e kohës
kuturisin sa andej-këndej.
* * *
Nëpër ajrin e kohës
nga poshtërimi i të mundurve
kufomat lëvizin nga vendi
t’u bëjnë vend të porsaardhurave
e kështu me radhë, palë-palë.
Të gjitha janë në përgjumje
buzë vyshkura për një pikë ujë.
Me zemrën copë-copë
kërkojnë të ngrihen, të ecin,
të ecin në oklokracinë * e kohës.
* në qeverisjen e llumit.
Gusht 2010
Dita dhe Nata
Dita në të perënduar jep shpirt …
Mëngjesi e gjen nuse të virgjër,
që e përdhunojnë të gjithë
të mençur e të çmendur…
Andaj e dua natën,
se njerëzia janë të fjetur,
të pushtuar prej ëndrrave,
nga dashuria për njerëzit.
Njeriu…
Njeriut,
nga avullimi i ecjes pas dritës
i sëmurë nga vetmia,
çmenduria
iu përngjit në kokë të vetë.
Mendje prishur nga dashuria
dorën zgjati drejtë hënës
ia rrëmbeu bukurinë.
Shtigjeve pa shteg rrëshqet njeriu,
si bredharak nëpër degët e pemëve
lë gjurmë
nëpër shtratin e tokës
veshur me trimëri të akullt
fushave të mashtrimit.
Athinë 20 Gusht 2010
Të mbledh këngë poetësh
Nëpër fund të dheut
po mbledh këngë poetësh.
Jo si fantazmë
fantazinë e tyre dua ta përkëdhel.
Këto këngë të mbyllura nëpër dru
kanë formën e të gjallave kujtime
e krijesave që ndjenja kanë krijuar.
Ato janë në moshë të re,
në lulëzim,
qajnë mungesën e qeshjeve nëpër viset poetike.
Mbledh vargje poetësh…
t’i kem me vete,
në një çantë qelqi
e t’i mbjell në kopshtin e syve
më të bukura.
T’ia dhuroj me bujari ditës së nesërme
që do gdhihet.
Ps: Kjo poezi është ndërtuar mbi motivin e poezisë “Këtu shiten kocka poetësh” të poetit Myslim Maska.
Ajo kodër ka një emër
Ka vite që ajo kodër merr frymë…
Me diell, ujë e qiell jeton përditë,
nata i jep ngjyrën e ëndrrës,
mëngjesi e gjen djersitur, llërëpërveshur.
Në atë kodër flenë shpirtra
të porsa lindura
me fytyrë, sy e flokë,
prej andej dalin në fluturim.
Ajo kodër ka një emër.
Shtator 2010
Familja në ëndërrime
Dita dhe nata rendin të sfilitura
të zgjidhin çështjen në kolaps
të familjes në univers.
E pa zgjidhur loja prind-fëmijë
si materie e re.
* * *
Në ëndërrime,
familja pret rilindjen,
melodi fëmijësh të flakura
qëndisur me akte bashkëjetese.
* * *
Pyjet po firojnë, dru nuk ka
të ndezin zjarrin…
Burra e gra figura të ftohta
nuk dinë ku i çojnë këmbët,
fikin vështrimet në kujtimet e tyre.
* * *
Nata dhe dita pyesin:
-Do ketë akoma frymë familja…?
Athinë, 12.09.2010
Pulëbardhat
Pulëbardhat,
përjetësisht e shijojnë lirinë,
pa pasaporta e viza lundrojnë brigjeve
në thellësi të zbrazëtive, shkëlqimtare
dëgjojnë këngët e kohëve…
stampuar në hartat e vjetra detare.
Sytë e tyre foto-teka e jetës lundërtare
mbushur me horizonte, të malluara
për stuhi dhe të mbytur.
Ato,
si shpezë detare të pakufishme
mbi valët e serta i thurin meloditë
e dhimbjes njerëzore.
20- Shtator 20101
Pisha Flamur
Lart, mbi Llogora
jeton e thinjur Pisha Flamur…
Mbi të ngjiten e zbresin shikimet
dhe më pas vetëtimat.
Atje është pylli i reve,
zogj kuvendues të erërave
thërrasin mjegullën, kaltërsinë.
E virgjër gjelbëron,
me rrënjë në gurë Pisha Flamur…
E kërkojnë, e duan ëndrrat e gabuara,
që shpërthejnë në delir.
Ti
Ti dashuron një vetmi…
Unë e urrej,
e përkund në gjumë,
të bëj pak dashuri.
Atje,
mbyllur nëpër dorëshkrime.
Duke pritur miqtë
Meshkuj e femra rrinin të ulur cepave të trapezave
në kafe “Evropa”.
Nëpër rrugë makinat u binin borive
aq sa të mërzisnin dhe ato pak çaste
dashurie që mund të bëje.
Disa metra përtej rrugës sodisja hijet
e atyre njerëzve që janë brenda historisë
(Monumentin e Partizanit të panjohur)
rreth e qark njerëzit më dukeshin të mirë
dhe unë prisja një zonjë të tillë,
ndoshta shumë të bukur.
Pas disa çasteve pashë një fustan elegant,
qepur bukur pas trupit.
i them vetes:
Kjo është Majlinda…!
Unë
Unë shkruaj poezi
por …
Megjithatë, dhe unë dhe poezitë
hapojmë në rrafshnalta,
nuk ngjitemi dot drejt qiellit.
Librat
Në një dhomë me libra
ndihem i dehur.
.
Ato grinden për gjithçka,
u ngjajnë krijuesve
pijanecë e kokëkrisur.
Librat flasin gjuhën e tyre
dhe kanë një mënyrë të fjeturi të veçantë,
prej gojës shpërndajnë tinguj të çuditshëm
nga xhelozia për kohën,
të dehura, librat kalërojnë kuajt e kokëkrisurve…
Poetët
Poetë të malluar,
si zogj prilli ardhur nga qiej të largët,
shihen sy më sy në folenë e tyre.
Duke u mbajtur e lozur me veten,
flasin me përgjërime për poezinë,
nga dekolteja e gjerë e shpirtit
derdhet shtrati i urimeve.
Veshur me lëkurën tonë,
si shkëmbinj nëndetarë jetojmë ne
të munduarit e poezisë
që nesër do të na mbjellin anës rrugës
në vend të shelgjeve vajtues
nga ku do ndihen trokamat e shpirtrave tanë.
Vlerësime mbi Krijimtarinë Poetike të bëra nga kritikë dhe krijues
Tredimesionaliteti i poezisë së A.Gjatës
… Me këto vargje:
” Të shikosh dëborën
dhe erën kaq afër nëpër fshat e t’i ledhatosh me duar cung”
Je në atë lartësi që prek Majat e Poezisë Shqiptare.
*
Gjata është një poet i fjalës së natyrshme. Një poet që meriton, respekt, përkushtim dhe impenjim për ta lexuar.
Ai është jo thjesht një zë poetik. ËSHTË një POET i MIRËFORMUAR.
*
Tri veçori pikasen lehtë teksa lexon poezitë e A. Gjatës. Poezi që ndërtohen mes një itinerari logjik të mendjes, gatesë elokuente të shpirtit dhe paraqitjes estetike…
Gjata pa dyshim është një poet i mirëfilltë, një mjeshtër vargu, një prurës i këndshëm e merakli i fjalës së bukur artistike.
…Të tre veçoritë në poezinë e A.Gjatës, nuk janë rastësi, apo një krijimtari e ngjeshur dhe e rëndomtë, por një logjikë tredimensionale që duhet vënë në interes të vëmendjes kritike. Duhet respektuar si poezi me vlerat e saja në rritje.
Fatmir Terziu
Alush Avduli
Poezia e Arqilesë është si melodia e bukur që na vjen para natës së thellë. Poezia e tij – fllad përkëdhelës që shfleton ditarin e zemrës e cila trokon drejt artit
Fatime Kulli
“Të shikosh dëborën dhe erën kaq afër nëpër fshat e ti ledhatosh me duar cung
Në këto vise të veriut rrezikon të trembesh nga ulërima e egërsirave që si muzikë pop
bredhërijnë nëpër fshat.”
Mjafton të analizosh këto vargje dhe gjen të gjithë elementët e një poezie të mirë,
e një poezie metaforike e filozofike.
22-12-2009
Prof.Dr Zeqir Kadria (Shkup)
Z.Arqile !
Janë të rallë ata njerëz që unë i çmoj!
Por njëri nga atë je ti. Këtë nuk ta them që të bëj qejfin, po ti e meriton.
Nga ato që pash e lexova.
Je i mrekullueshëm!::
Cikli i fundit…(cikli poetik i Nëntorit) më bëri të mendoj e të gjykoj se e ardhmja yte do jetë me perspektivë.
Petraq Kote
Je në qiell i dashur Arqile,
Je dhe diell i dashur Arqile.
Dhe erë,
Je dhe pyll,
Je dhe pemë e vetmuar,
Je dhe fjalë e hidhur!
30 Nëtor 2010
Beatriçe Balliu
E lexova librin tënd me poezi Arqile dhe ishte një suprizë e bukur për mua, të gjej në vargje aq shumë dëshira njerëzore e gati rinore, që më bëjnë të mendoj, se poezia për ty është diçka shumë e rëndësishme. Të krijohet përshtypja se je në miqësi të vjetër me të dhe komunikon lirshëm e me sinqeritet. Në një poezi shkruan se ‘’lëkundesh në shtratin e shpresës, por unë mendoj se ti më tepër’’sulmon kështellën e kohës drejt majave, ku do arrish’’
Nëntor 2010 -Elbasan
Iliriana Sulkuqi
Librin tuaj (të A. Gjatës) e lexova me një frymë… shumë nga poezitë i kisha lexuar … dhe më kishin lënë mbresa për gjetjet dhe stilin tuaj të veçantë … Kam hedhur diçka në letër që e kam titulluar “Ah, sikur të isha gruaja e poetit …!
Koço Mërtiri (Kosta)
… në qoftë se në poezi ka Ben Xhohsi e Karl Luis, Arqile Gjata në mes të rrugës realizon një sprint të fuqishëm, iu afrohet atyre që udhëheqin garën.
28 Mars 2010
Luan Xhuli
…”Dikush, e ngriti në krah deri te frymëmarrja që i përgjigjej peshës së tij të lodhur…”
Një poetizim sa metaforik, aq meditativ dhe filozofik… një frymëmarrje.
Poeti, që di të zgjedh ozonin poetik mes atmosferës krijuese.
… Arqilea, di të magazinojë të tilla frymëzime!
27-12-2009
Odise Goro
A. Gjata ndihet poet i ditëve të sotme dhe si i tillë, ai nuk pranon të mbetet në kohërat e shkuara poetike. Veten e mbanë rob të ndryshimeve të vazhdueshme…
Gazeta “Tribuna” Janar 2010
Raimonda Moisiu
Te poezia “Gratë e poetëve … poeti Gjata ka dhënë gjithë esencën e një krijimi, i cili përmban në brendësi cilësinë e të gjitha krahasimeve dhe shoqërimet, që krijojnë botën e poetëve, që sjellin frymëzimet e tyre
Shtator 2009 (Fjala e Lirë)
Roland Gjoza
I uroj sukses të mëtejshme mikut tonë (Arqile Gjatës) për poezitë e veçanta që shkruan, për atë vështrim metaforik të botës, për vështrimet meditativo-lirike me një ngjyrim të spikatur ….
Spiro Xhavara
… në krijimtarinë e Arqile Gjatës impulsivi i talentit pas akumulimit të gjatë ndër vite është i dukshëm.
… ka një këndvështrim të vetin në ambientin krijues apo vizual që e rrethon.
02-04-2010
Thanas Boçi
Vëllimi poetik”Gratë e poetëve” i Arqile Gjatës përshkohet nga metafora e kujtesës që konverton në një entusiazëm tepër rinor e romantik që burojnë nga dallgët e shpirtit dhe bjerrin fuqinë e tyre deri sa shuhen ngadalë-ngadalë
si puhiza të lehta.
Dhjetor 2009 “Fjala e Lirë”
Thodhori Baba
Autori (A. Gjata) di të përdorë figuracionin letrar. Ai di njëkohësisht të gërshetoj vargun metrik, me atë të lirë, apo ta thyej pa humbur muzikalitetin…
Gazeta “Tribuna” 26 Shtator 2008
Gëzim Uruçi
I nderuar Arqile!
Ju lexova me shumë endje i dashtun mik!
Keni bërë goxha punë të arrirë, që më kënaqën.
…gjeta shpirtin tuaj elokuent dhe plotë figura e fantazi poetike të cilat po i jetoj dhe tek libri juaj që më dhuruat ‘’Gratë e Poetëve’’, jeni realist, emocionues e plotë energji, si tek ‘’Valsi i Diellit’’
Vullnet Mato
… Në vargjet e tu ndjenjat pleksen bukur me element të natyrës dhe detaje të gjetura me kujdes, të cilat shprehin nëntekstin e tyre në harmoni me fjalën e fuqishme poetike
… Je një poet i pjekur, që e kërkon të bukurën gjithandej dhe e stolis mirë brenda vargjeve.
13-3-2010



























Leave a Reply