Poezi nga Vëllimi Poetik ” Kurorë me ngjyra ” i autorit Arqile Gjata
Dy fjalë përcjellëse për poezinë e Arqile Gjatës
Kur dikush shkruan në moshë tepër të re, ia lexojnë vargjet me mosbesim dhe duhet të kalojnë vite ta quajnë poet. Kur dikush tjetër fillon në moshë të madhe të hedhë vargje në letër, përsëri ia lexojnë vargjet me mosbesim dhe i thonë se i kanë kaluar vitet për t’u quajtur poet. A ka moshë krijimtaria?
Shumë figura të shquara të letërsisë botërore, pyetjes “përse shkruan?”, i përgjigjen në mënyra krejtësisht të ndryshme. Disa e quajnë sëmundje, të tjerët ethe apo virus, disa shkruajnë sepse nuk mund të rrinë dot pa shkruar, ndonjë e quan letërsinë tempull të shenjtë ku falet e nëpërmjet tempullit të saj rrëfehet… Sidoqoftë të shkruash është gjë e bukur… Nuk përcakton dot moshë si në sporte.
Arqile Gjata
Edhe A. Gjata shkruan sepse e ndjen së brendshmi poezinë e jetës, e cila e thërret ta regjistrojë në letër, thirrje që ndoshta e ka ndjerë që në të ri, por rrethana të tjera nuk e kanë lejuar t’i përgjigjet. Duke lexuar këtë libër të tij, dua ta përshëndes për ndjeshmërinë poetike e cila dëshmohet nëpër vargje të tillë, të cilët vërtetë të emocionojnë e të bëjnë të mendosh: Ringjallja lakmon/ dashurinë e humbur dikur”… ose “/ do të jem legjendë ose qytet i braktisur.- te poezia “Në vitin 3942”.
Po kështu ndjeshmëria thellësisht njerëzore shprehet bukur artistikisht te poezia “Varri i peshkatarit”: “Peshq me sy të përlotur/ shoqërojnë kortezhin nënujor/ të peshkatarit.
Duke i mbyllur këto dy fjalë për librin e ri të Arqilesë, do t’i uroja atij që në të ardhmen të kishte sa më shumë vargje të tillë, si te poezia “Në orën shtatë të mbrëmjes”:
Në orën shtatë të mbrëmjes/ ngjitin shkallët portretet.
Hiqmet Meçaj
PEMËT
Tri herë në fundshekulli
bien gjethet në të çelur
krahë degësh thyheshin me xhelozi.
Trungje pemësh harlisur
gjymtoheshin sipas kanunit.
Heshtnin pemët fytyrëpërcëlluara
me flokët prerë gëzhdallë nga erërat.
Kokrrat e pemëve pa lëng e ngjyrë
Ligështuar nga kolla e ligë e të ftohtit.
Pemët rrënjëdala
vyshkur dhe gjumashe
presin dritë nga vetëtimat
dikur majë maleve,
për të mos rënë në greminën
e gjetheve vjeshtake.
Rruga e kohës së shpatës,
rrugë e gjatë, e gjatë …
shtruar me patkonj kuajsh,
zgjatur deri tej në Stamboll.
Fluturuan shekuj. Kuajt
trokisnin nëpër gurë.
Në rrugën Egnatia
kaloi koha e triumfatorit të madh.
Trupa të veshur me metal
tërhiqnin osh skllevër e qerre.
Akoma gjenden vijat e lëna
nga nxehtësia e shpatave.
Ndër ura dhe nën gurë
shpirti u ka mbetur në këtë udhë,
rreth e rrotull ka mbirë bari,
vetëm pak shenjë nga porta e artë
Se brendësia e rrugës akoma ka zë
Dyrrahu, Skampia, Monastiri,
Selaniku dhe Stambolli …
Shumë e gjatë rruga Egnatia.
Tani që u largove
nuk kam dritë në sy,
kam një re të pluhurosur
Peizazh i natës së fundvjeshtës,
ré e spërkatur nga pendët e pulëbardhave,
kredharakë nëpër valë.
Ike larg,
më larg se retë,
nga nata e ëndrrave.
Mbete e vetme ti,
nëpër ullishte drejt meje
vjen e më kërkon.
Në të gdhirë fërkon sytë,
mavijosur si guva shpelle
mbi bregun e thepisur,
ku vala godet
kujtimet e këmbëve të zbathura
Unë e ti-një i vetëm.
Në Qershor 3942 do të lind Unë, përsëri
kështu më thanë një natë në ëndërr.
Dielli do shtyhet në honet qiellore
në një botë tjetër të çuditshme.
Në realitete ëndrrash
do vij si ndonjë shtegtar
me trishtime të begata.
Ringjallja më vjen si një heshtje e bukur,
që nuk e them dot,
vjen si një ikje nga rruga e qiparisave.
Ringjallja lakmon
dashurinë e humbur dikur.
Në vitin 3942
do të jem legjendë ose qytet i braktisur.
Ata që ikën vetë
eshtrat na lanë dhuratë
të një ndërgjegjeje ndërtuar me gurë
Ikën pa këpucë,
kështu do jenë më afër të vërtetës.
Ata s’i përfillën gëzimet e ëndrrave të kota.
Si një violinë që jehon lëngatë
ata ikën të verbuar.
Karkalecat e mashtrimit u vodhën sytë.
I lanë me plagë të shqyera
përballë njeri tjetrit,
me kujtimet e tyre që akoma kanë zi…
Thellë në mesokanal,
nën algat dhe guaskat,
mbretëria e peshqve.
Ka hapur një varr
për peshkatarin,
varr me rërë dhe ujë të kripur.
Peshq me sy të përlotur
shoqërojnë kortezhin nënujor
të peshkatarit.
Delfinë veshur në zi
këndojnë këngë vajtimi
të viteve detare.
Tufa pulëbardhash,
lidhur krah për krah,
qajnë me ligje për mikun e tyre
peshkatar.
Arkivoli mbi spirancë
godet pllakën e funddetit,
rëra kristal ari
mbulon varrin e peshkatarit!
Tek galaktika ANDROMEDA
yje mahnitëse …
Rreth tyre fluturojnë zogj të fjetur.
Dy gurë vezullues
varur mbi një ujëvarë qiellore,
atje janë shpirtrat e pagjumë;
Ferri dhe Parajsa
Kur ANDROMEDA është e uritur
qan si binjake për shpirtin e poetit
shtegtar nëpër yje
Shpirti pa folé
nuk ngopet duke puthur
me gojën e përndezur
erërat e pafundme të dashurisë!
Dielli i mëngjesit
si një fytyrë lebroze
hodhi dritë në lagjen e varreve.
Mbi një rrasë kafka e ardhur nga larg
trokiste varr më varr.
Me dhëmbët e krimbura
kafshon kryqet e emrave të harruar
kafka e motshme dikur gjení
bridhte pas vdekjes.
fantazmë,
e uritur,
e pagjumë,
rrëfen tmerret e vdekjes.
Kafka lutet të jetojë përsëri
jetën e shkuar me kushte moderne.
Kushedi se në ç’fije floku
mbas kaq shekujsh do të thithë dashuri,
në cilën vatër do rikthehet
përsëri kafka gjení …
Edhe pse larg…
shihemi sy më sy
Me kënaqësi unë dhe ti Vlorë.
Për ty Vlorë
gjithmonë më shëtit mendja …
ku klitha dhe putha frymën tënde,
ku shijova bukurinë e parë.
Gjithë kohën përqafova rivierën,
tërë ëndrrat me ty i gëzova
dhe qetësisë i dhamë zë
me këngët tona.
Kur pulëbardhat flinin përmbi valë,
ti dhe unë në kulmin e marrëzisë
mbetesh fotografia më e bukur e shpirtit tim.
Në se një ditë
bregu i detit do të thahet,
unë dhe ti do të qajmë
sa të rimbushet përsëri
Pluhuri i të vdekurve
trazohet
në vite e shekuj…
Mbushur fushat dhe kodrat.
Së afërmi do ngopen edhe malet
me pluhur kufomash,
pluhuri i të vdekurve do të bashkohet me retë.
Do të ketë shi të vdekurish?
Besoj te dyshimi.
Vdekja një rrëmujë për të gjallët,
fenomen i zhurmshëm,
sytë e flakin shpejt.
Vdekja,
luks i kaluar kohe,
si një legjendë e këndshme.
Kërkojmë ta kemi pranë.
Vdekja,
një e mirë
që si emër të tremb.
Askush nuk do ta kujtojë
Vdekja
një ëndërr çudibërëse
amanet i ditëlindjes sonë.
Një mik
më thotë gjithmonë:
Je shumë vagabond!
Po i tillë
më pëlqen të jem,
të shijoj ato
që të tjerët s’i prekin dot.
Vagabond të jem në mbrëmje,
me pëlqen të jenë net me shi,
kështu nuk do t’i ndiej lotët e shtira.
Kur të jem ulur në karrige
dua të dukem më shumë vagabond.
aspak i tillë në shtrat …
Mëngjesi i kthjellët
të më gjejë përsëri vagabond
kudo ku ka poetë …!
Të tria vaktet e ditës
i lagu nga pak
shiu banal.
Pak shi. Pak ftohtë,
pak zhurmë makinash.
Të gjitha nga pak.
Pleqtë e pallatit
nga dritaret kuvendojnë
nga pak me kopshtin
e ndodhur atje pranë.
Banorët e këtij pallati
buzëqeshin nga pak,
kështu bëjnë dhe qentë
kur kalojnë para portës.
Në hyrjen time
porta hapet dhe mbyllet
me pak zhurmë.
Të gjithë përshëndesin nga pak …
(Në 9-vjetorin e ngjarjeve të marsit 1997, Vlorë)
Një mars shumë i dhimbshëm
me fytyrë të ngrysur,
lule shumë për të vrarët.
Deti e shtyu vdekjen
ndër pallate e shtëpi përdhese …
U ngop ajri me klithma shamizeza.
Megjithëse në luftë,
vogëlushë lindën përsëri,
nuk u shua jeta në qytetin tim.
Priti ime bijë
shumë vite
pa u rrit,
u bë nuse.
Muaj e vite shkojnë,
atë mars
e mbushën me lot.
Në një lokal në qendër
ulur për qejf të tyre
kalimtarë …
Të gjithë kishin marrë nga një ngjyrë.
Para banakut rrugaçi,
me llërë përveshur
thyente pjata dhe karrige.
Pijaneci i qetë në botën e tij
pi gotën e parafundit
duke vërshëllyer një melodi.
Më tutje një dyshe
homoseksualësh
shtrëngonin duart me padurim.
Të ulur në gjunjë
dy drogmenë bënin llogarinë.
Qoshen e lokalit
e kishin katërshja e kumarit.
Kërkova dhe unë,
zgjodha një ngjyrë,
ngjyrën e pijanecit të poezisë …
Dikur
ne ishim të rinj,
buqeta lulesh harliseshin kopshtijeve.
Gjethet u jepnin petaleve
qumësht nga gjiri i tyre,
vesonin gonxhet pikë-pikë
nëpër kërcell.
Kudo nëpër rrugë
parmak deri lart në tarracë
putheshin pa turp.
Lule me shumë ngjyra
nga goja e tyre thithnin aromë
kënaqësie …
Në çdo stinë kishim dasmë
çvirgjërohej lulja me aromën,
dielli çlodhej, hëna flinte,
dehur nga aroma…
Sot ndiej ftohtë,
aroma e luleve
nuk derdh lot të nxehtë
mbi buzët e vyshkura
para kohe.
(Kushtuar shokut dhe mikut të paharruar Jani Agari)
Një natë pa yje …
Buçasin përgjatë vdekjes
kambanat e eshtrave.
Tak ajo shtyllë eshtërore
s’jeton më forca, as bukuria,
janë fikur ngjyrat e muskujve,
ndriçimi i lëkurës zverdhon.
Tingujt e eshtrave dalëngadalë
palosën palë-palë tërë trupin
e atij djaloshi
Statujë i një portreti bukurish.
Rrënjët e eshtrave
të ngjeshura në sofrën e jetës
m’i afrojnë kujtimet …
Kemi kohë që s’shihemi!
Dhimbjen për të
e mbyta fort,
ia lexova dhe qytetit ….
Putana nga halli
nuk shkruan poezi as letra dashurie,
nuk ndien të ngrohtë.
Me punë të mundshme,
të josh qejfin
me gjinjtë e varur.
Në hallin e vet
lodron e heshtur.
E lodhur në ëndërrime
puthet gjatë …
Me plumb në shpirt
nuk i shkon mendja për burrë,
muret e dhomës tingëllojnë bosh
në pritje të mëshirës.
(Arvanites)
Një greke shumë të bukur
seç pashë një natë.
U drodha, zemra më shkau.
E bukur si Dea,
kish lindur përsëri
në lagjen time Helena.
Hyjneshat i kishin falur përsosmëri
Vendosa ta fal jetën.
Përse duhet të jetosh ashtu i çalë …!?
Qenkam i mallkuar, i pafat
Iu luta në shqip e greqisht
të më merrte shërbëtor,
i lumtur do isha me të,
t’i shërbeja dhe në varr!
Tani jam vetëm,
marr kurajën të tregoj.
Shumë vite më parë
ishte e kohës të shprehje dashurinë
me një copë letër palosur trekëndësh.
Kështu bëra dhe unë.
S’pata mëshirë …
Si i bukur djalë
për një gjitone kisha merak …
Uaaa, ç’është kjo?
Jam akoma e vogël,
e paputhur as me erën,
belbëzoi Eni
Pasi bota u lag
nga letrat dhe lotët
më e këndshme është
t’ia rrëmbesh vetë buzën
vajzës 20 vjeçe,
a gruas së bukur.
ZONJË
Zonjë!
Mos t’ju gënjejë zemra,
këngëtari këndon bukur,
poeti thur këngë e poezi.
A nuk më thua
ku e ndien më mirë shpirtin?
Në prehrin e këngëtarit
a ndoshta
kërkon një zemër ta copëtosh?
Eja te poeti
të mësosh të këndosh.
Poeti, si një rreze drite,
ngadalë shuhet,
i mallëngjyer,
pa britma!
Qyteti i rrethuar me gurë,
rrugicat ndarë me gurë,
shtëpitë ndërtuar me gurë.
Zakon i lashtë i kohës së gurit…
Nuk tretet guri.
Guri …
Rëndesa e kohës.
MOS QOFSH I NGOPUR NË KËTË JETË
Kur të më lexoni,
mos më mallkoni,
nuk jam unë fajtori.
Është shpirti që drithëron zemrën,
është syri që do dritë,
është buza që digjet prush.
Kur të më lexoni,
mos m’i thoni me ligje
një e nga një prapësitë.
Të dëfrejë dashuria.
i marrë a i mençur
ta do shpirti psherëtimën.
Kur të më lexoni …
Urimi,
qofsh i ngopur në këtë jetë,
nuk është për mua,
më bën plak,
më vë në gjumë …
Një buqetë portretesh
skalitën një fotografi
dimërore.
Aparati u shkrep
mes tingujsh flakërues.
Fotografia ra pjesë-pjesë
u shpërnda në tokë.
Në kalldrëmin e akullt të natës
nëpër vijat e kuqe, të lëngshme
u shfaq një fotografi e gjallë,
e ngrohtë!
Fotografia,
një masakër ngjyrash
me sy të përlotur.
11.12.2005
Fytyra e saj qumështore…
… çdo mbrëmje prindërit
e lanin me bulmet bagëtie.
Kështu thoshte hëna
kur kalonte nëpër natë
të çlodhej disa orë nëpër stane.
Vajza qumështore,
rritur në shpërgënj leshi,
Lozte me erën e malit.
Vajza e stanit …
Të parat shoqe njohu lulet
rreth e rrotull stanit
17.12.2005
Në orën shtatë të mbrëmjes
ngjitin shkallët portretet.
Piktura fytyrash plot rrudha,
me mjekër pa flokë.
Pleq të sëmurë,
fytyra të ulura në çdo karrige
u shfaqën.
Në buzë
për secilin
copëza fjalësh.
Tkurren dhe hollohen fjalët
në dobi të mashtrimit,
e fërkojnë me pështymë mashtrimin e tyre.
Ndodh, ndonjërit t’i kapet
mashtrimi…
Përsëri … një më i vogël!
Çdo të premte në orën shtatë
në ato fytyra
shkurtohet dhe trashet
mashtrimi!
Tani që yjet plaken
Kujtesa më ndihmon
Të kem pranë një hapësirë dashurie;
Vajzën ngjyrë pranvere,
Shoqen e ëndrrave të mia.
Zemra jote kaq e kthjellët
Nuk dinte të kërkonte,
Me sy e afronim ëndrrën.
Mendimin e ëndrrave e kalonim në mendje,
E qeshura i rrotullonte larg.
Buzëqeshja zgjatej në çdo zgjim,
Të vërtetat e ëndrrave i lexonte
Dita e nesërme …
Shoqja qeshte me habi
Me ëndrrat e padukshme.
Ndoshta …
Kurrë s’do të vinin!
01.01.2006
Ulur para televizorit,
me gojë hapur gëlltit vizionet,
flet me vete,
Pleqëria.
Në poltronin para sobës
i lodhur tund tespihet,
endet në gjumë
Pleqëria.
Kur moti ngrohet, në kafene,
e humbur brenda vetes
mendon …
Pleqëria.
05.01.2006
Në lashtësi dashuria
çeli sythe.
Mes gjelbërimit të drurëve
nëpër livadhet e virgjëra
thureshin kurora …
Ndër shpella bëhej gjumi
i veshur me gjethe
e fryt pemësh.
Ngrohtësia e flokëve
zbuste buzët lakuriqe.
Dashuria shkonte te liqeni
i pyllëzuar
mbushur me sy e buzë.
Dashuria nga lashtësia
deri tani në darkë
gjendet e varur te pasqyra
e dhomës së gjumit.
Kështu dashuria mori rrugë
deri tek unë!
Xhaketa e bardhë
ardhur prej Gjithësie,
me këmishën e kuqe
si në kohën e ciceronëve.
Ky është kostumi i poetit.
Në pyllin e pafund,
shtruar me gjethe e fije bari,
mbi një degë ulliri.
Poeti me kostum
thur kurora flokësh,
qepur me rrënjë drurësh.
Kur rrezja e dritës
thyen agimin
e natës së virgjër
nusja me kurorën e poetit
shalon muzën
nëpër reliktet magjike,
copëton kafka poetësh.
Ngjit shkallët e kupës qiellore
shtrënguar për gjiri
një grusht me yje
të porsaçelura
për sytë e poetit
me xhaketë të bardhë
e këmishë të kuqe.
12.01.2006
Hapi sytë e dashur,
të më ndezësh dritat e shpirtit,
të thith avullin e buzëve,
duke kërkuar verbërinë.
Qorrollisem me gjinjtë e tu
e nëpër arteriet e gjakut
le të përpëlitet
ardhja e aventurës së bukur,
e dashur …!
(kushtuar aktores vlonjate L. Bisha)
Lehtë-lehtë
si fllad pranvere
kalon rrugës
flokëbardha
e pafjetur.
E vogël, e butë
si sorkadhe fushe
me fjalë të reja jeton e tëra.
Zëri i saj psherëtin erë,
trup me shpirt aktoreje,
çdo ditë zgjohet mes gjelbërimit.
Kur të tjerat plaken,
aktorja,
me buzë thith kaltërsi.
Në ekran gdhendet një emër,
loz e qesh pulëbardha
si dikur mes ngjyrave.
Puthet me lotin e jetës,
sy hedhur përmbi valë.
Nuk ka jetë të vetmuar
Flokëbardha.
18.02.2006
Atë mbrëmje shqote dëbore
me shoqen për krahu,
rrugën e gjatë
e matën dallëndyshet me çap,
Me duart përqafuar në xhepin e xhakaventos.
Veç dritat e rrugëve
dhe unë s’kishim ftohtë.
E ngrohëm erën e akullt
me avullin e fjalëve.
Sy të panumërta makinash
na vështronin me mospërfillje,
fanari i kuq na shtangu për vendi
me sy e buzë nga njeri-tjetri.
Te porta burri i saj,
si dru i tharë,
kurdoherë gardh për zemrat tona.
Shoqja ime me burrë … por e ve
nxiton hapin drejt heshtjes.
Nata e mbylli puthjen
me qelinë
e ëndrrës!
(me rastin e 25-vjetorit të vdekjes)
Të gjithë janë pranë nesh …
Ne nuk i kujtojmë, veç
kur venitet pritja.
Njëzet e pesë vjet më parë …
Im atë lindi dhe vdiq në po atë ditë
në mes të pranverës.
Atë ditë e kish trashëgim si i ati …
Jeta e tij s’ish shumë e dëgjuar.
Plot dritare dhe baule nusërie
ndërtoi
si dhe ndonjë qivur me porosi.
Si pasuri la shtatë fëmijë.
Tani ne,
me duart e erës
nxitojmë ta sjellim pranë vetes.
Të shtatë e shikojmë nëpërmjet dritareve
dhe portave
të hapura nga vetë Babai.
11.04.2006
Jam i dashuruar me një zezake,
u gëzohem flokëve të saj,
krehur ndryshe nga femrat
me lëkurë të bardhë.
Ajo më jep kënaqësi,
kur nga ngjyra e zezë e lëkurës
shpërthejnë tinguj të çuditshëm.
Lëkura e nxehtë të ndjell
pasion,
keqardhje për ato të uritura
me sy të zinj … xhungël!
Fotografia bardhë e zi
është më e bukura e dashurisë sonë.
Kështu na përzihen ditët e javës,
midis nesh ka shumë lagështirë ….
10.04.2006
Bregu i detit i lagët
në mbrëmje,
dallgët si buzë fëmije
buzëqeshin deri vonë.
Gjurmë këmbësh
të ngjyera në kripë
rrëshqisnin në vallëzim.
Ne mësonim të vallëzonim me gojën
mbyllur nga fëshfërima e zemrave,
zogj ngjyra-ngjyra
na binin mbi supe
netëve.
Bashkë me valën një tango
këndonte Eleonora V.
Hënën kishim pranë.
Retë ishin shpërngulur thellë
në perëndim,
mbrapa kurrizit të hënës.
Ne mësonim të vallëzonim
në rërën e lagur.
Kështu më pëlqen edhe sot;
në një mot
larg nga mjegulla …
Të vallëzoj unë dhe Eleonora V…!
Tek qëmtoja brengat
m’u rishfaq buzëqeshja
e një vajze.
Priste një pikë loti
të tretur
t’i çoja tek qetësohej
thërmuar degëve
ngelur në sirtar këpucët e nusërisë,
që askush nuk ia dhuroi.
***
Dhimbjen e theva
mes coprave të qiellit arnuar
me shpresë për të ndezur
një zjarr…
Tani e shumë vite
vajza po fle
hedhur mbi vete në rërën
e kripur të fshatit
fustanin e bardhë…
Para portës,
nxitoj hapin e viteve,
të kap ditën e largët
të asaj vajze të vrarë,
me grushtin shtrënguar në zemrën time!
Në vjeshtë, gjethet
na ledhatojnë me ngjyra
të lëshuara nga lart të verbuara.
Mes këtij ngjyrimi
gjithçka prej mendjes sonë
qëndron tek ato transplantime
fjalësh memece,
me ngjyra të tretura ndër lentet
e tablove të një piktori…
Unë ndiej zemrën e tij kadife
në përfytyrimet e festës
veshur me kostum të bukur.
Unë i lutem Poezisë
mos ta shesë emrin e gjakosur
nga Hëna,
lodhur nga rruga e pyjeve. Fryrë
si syri i një kau dehur me verë
të vjetër.
Nën këmbët e poezisë
pashë botën të sillej me të
si fëmija,
me një kurorë në dorë
lagur nëpër legjendat
e kalldrëmta
përqafuar me diell.
Atë natë. Në atë shekull
u hapën burgjet zhurmë
argëtuese
në rrugë, armë në duart e pista
ndezin qirinj në kopshtin e qytetit.
era fryn nga krahina në qytete
duke shtypur me duar
këtë qiell pa diell,
pa letërnjoftimi, i ngrysur
si pemë e frikshme
shteti pa emër
nga skaji në skaj fjalë
e shprishur, banorët
krahëthyer e jetim
të vitit ’97.
Mbamani shpirtin!
Të vallëzoj buzë shkallëve
të Irodios,
ku ëngjëj të bekuar,
puthin qiellin në majë të gishtave,
zemrat mbushur me verë të kuqe
e skllaves nazike bri shpatës
këndonin për të vrarët.
Mbrëmjeve, ndër shkallët,
gurgullojnë burime,
ku këmbë kuajsh fluturojnë, në erë
petale e mjellma
nën tingujt e Irodios
vallëzojnë.
Nuk bën dimër në Athinë.
Të ftohta janë shtëpitë e gurta.
Gjiri i nënës nuk i mëkon në shqip.
Yjet e qiellit s’m’i shkundin dot
ëndrrat në gjuhën time.
E dërgova shqetësimin
me degët e të ftohtit
të fëmijëve të pamësuar
në shqip.
Shteti po m’i djeg
farërat e bardha
të diturisë.
Jepuni fëmijëve plazhet
të ndiejnë gëzimet
e gjuhës shqipe..!
Këngët e shpirtit
m’i ushqejnë ëndrrat…
asnjë rreze drite s’m’i djeg
ato
me gjuhën e gënjeshtrës.
Gjithë sa kanë thënë
se hëna paska një det
ku poetët bëkan seks.
Para altarit
falen shpirtra
me sy të verbuar.
Qajnë dhe luten
sa vyshken në prehistori
a në Hollivud.
Nëna të shenjta dhe gra pagane
shalojnë kuaj dhe ëndrra
drejt pafundësisë.
lutjet…
një milingonë a kokërr gruri
në gojën e mbretëreshës
e puthur si hyjneshë…
Vejushat e reja dhe ato
të plakurat
të vështrojnë si vezë të qelqta.
Malli për burrat
ua përvëlon sytë,
që ecin të përgjumura.
Duan të ta hapin portën
mbuluar me gjethet e kohës,
duke puthur kafshimet e orëve të vona.
Në shtëpitë e tyre
luhen kartat nën hijen e gishtave
të holluar
nga ai çast lumturia
është kapriçio.
Poet, të urrej..!
Të urrej deri në ngashërim.
Je më i pasuri
në këtë botë që e lamë
të varfër.
Po të lajmëroj, mbahu fort,
do të ta vjedh pasurinë.
Gjakun do të ta thith
si Poet
do të të lë vetëm rrëkenë
e qumështit në pranverë.
Në çdo ditëlindje,
në mëngjes i dal përpara. E pagjumë
gruaja më vesh këmishën e re
dhe këpucët.
I hidhem në krahë,
por nuk e përqafoj dot,
vrapoj deri në mesnatë,
me ditëlindjen. Buzët
s’munda t’i takoj
në këtë ditëlindje të re…
…kam shpresë. Mëngjesin
ta hamë përsëri bashkë…
Heshtja me zogjtë e saj
ma rrethojnë shtëpinë.
ju zogjtë e heshtjes
gjemani rastin,
vritmani shpirtin flakërues
të jetoj dhe unë…
Brenda gjoksit të grave
ndodhet një mister,
një shpatë prerëse e begatë,
ku burrat thyejnë ëndrrat.
Ato shenja binjake,
mermer të forta,
u japin emër gjërave
duke ndjekur me argëtim
sytë e burrave.
Gra që kanë zgjuarsi,
dashuri të kthjelltë si agimi.
Pa fjalë fare
ndezin qiellin
e gjinjve të bardhë,
nga zbresin dalëngadalë
burrat,
si gjethe në krahët e tufanit.
Në psikiatrinë e Vlorës
më i vjetri i mendjes,
skalitur
nga duart e bardha,
flinin
me kokë nën krahë,
Poetë
rebelë krahëthyer
zhgërryer mes dijes,
lot e prush trazuar. Përpëliteshin
netëve të blerta
rrëfenjëza ngopur me tradhti
me dorashka drite.
Do të mbyteshin në ngashërima
shpirtra të dala kohe…
Besa është kolegia ime
flokët shkurt të prera.
Dëshirë e thërrasë.
Është e dashura ime.
Folë e dashur..!
Je ti,
a jam unë i marrë
që e mbajmë dashurinë
në krahë?
Qiririn,
nuk di kush e shpiku.
për Krishtin e gozhduar në kryq
qiri nuk u ndez.
Qiriri ndizet dhe shkrin,
gjysma e botës ndezin qirinj
dhe pastaj shuhen.
Më tmerron qiriri…
Mes flakëve dhe tymit
qiriri
ndërron jetë. Njerëzit
nuk duhet të ndezin qirinj,
qiriri është për ata që vuajnë.
Unë nuk dua si qiriri,
i tymosur të tretem.
Sot…
Në ditëlindjen tënde
është ndezur qielli nga
klithjet e frymëmarrjes,
belbëzuar nga një zë,
që shpejton si mëz i ri
të gjejë sytë e tu, hedhur
krahëve të mi.
Për të ndjekur rrugën
e urimit, që loz si dielli
mbi kopshtin e madh,
nuk lodhet së shpresuari.
Të lutem, jeto
dhe për mua..!
25.09.2006
Kur më ulet pranë,
zhurrmat rrotullohen mbi veshin tim.
Midis nesh, një ré,
sa një frymë ajri. Pështjellon
mendimet…
Nga dritarja e hapur
nuk bëjmë tjetër gjë
e çojmë fantazinë larg…
Tek gjethet e plepit, mbi
rrudhat e hënës a mbi
pasqyrat e kohës.
Lëkundet fjala nëpër sheshe,
fluturojmë, fluturojmë,
të kapim ç’ka ka mbetur
nga mençuria e mbidheut.
Njeriu është kafsha jetëgjatë
e pemës, me shumë durim,
njeriu nuk ngopet me njeriun
vizatuar në letër,
me sy kau, vesh lepuri e forcë ariu.
Ah, o Njeri..!
U bëre dhe Zot,
ti përsëri mbete kafsha
më e mençur e tokës,
përvëluar nga gjethet
e pyllit.
Rreth e qark zemra të tretura
murosur përgjatë shkallëve,
përgjumur nga jeta e ngopur,
nën Syrin e Kaltër
meloditë e mençura
rrotullohen në pafundësi. Në
thellësitë e gurëve mbishkruar
me thinja të bardha,
me aq shumë gjethe.
Dëgjojmë sot fjalë të humbura
në lëndinat e Butrintit me mjekër,
ngjyer në të gjelbër, freskojnë bukurinë
nimfat e Syrit të Kaltër,
Perëndeshat e bukurisë.
Një krah peme e gjelbëruar
më qëndron si fasadë
e kujtimeve në dhomën e gjumit,
ku dora e së kaluarës
ma prek gjithësinë
e dallgëve të detit
shndërruar në mur betoni
s’e njoha Skelën
larë me ujë pluhuri.
Këtë verë porta e madhe
e shëtitores
përplaset midis mureve
dhe kërthizës së femrave
gjysmëlakuriqe.
Kafeja, smogu dhe policët e qetësisë
refreni i qytetit tim.
Vërej me ngulm detin nga Kuzbabaja,
deri sa të vrapoj thellë në mesokanal.
kam kohë të hidhem njëherë nga
Shkëmbi i Doktorit,
të mbledh tavolinën e zemrës,
që ma poqën lëkurën e viteve,
buzë shkëmbinjve murosur
dashuria.
Nga dallgët dhe dielli
jam harruar i tëri,
s’kanë lënë pjesë për mua…
19.08.2006, Vlorë
Ejani ditëve verdhoshe të vjeshtës,
tërbuar nga xhelozia e hakmarrjes
Çimkat,
mbi ujra, pyje e shpirtra
harbojnë si bushtra që lënë në dorë
të fatit
shkëlqimet e rreme
dhe fjalët e shprishura.
Më pas shtatzanohen nëpër sfilata
mode
për t’u harruar.
Krijuesit e parë nudo…
Të lindur për paqe të bardhë
ngjitur një gjethe në trupin
nudo.
Prunë buzëqeshjen e trupit
rrethuar me degë pemësh
hedhin valle nën ritmin
e tamburit.
Me sy perdeakulli
fotografi nudo gjallohen
nëpër plazhe.
Turma bardhë e zi, pa gjethe
si në origjinë
shpejtojnë për t’u kthyer në mitologji
të kafshojnë mollën
e ndaluar.
Në vjeshtë kopshti
do të kacaviret nëpër degë
duke shkëlqyer si pasqyrë
e rezeve të bardha.
Do ta tregojnë fytyrën e ngadaltë,
që si biçikletë do nisë muzikë.
Dhe më pas me dhunë
do të t’i shkulin paragjykimet
e viteve të shkuara.
Vetëm kështu do shpëtosh nga ethet
e vdekjes.
Ta veshësh sa më shpejt
(Në lagjen Palorto) qilimin e Anesë,
të shuash lumin e blertë
të pyllit.
Këtu do e kalojnë natën
duke llomotitur
beqarët e letërsisë.





























Leave a Reply