Elham Pasha
Porta
Tek porta e fqinjit varen trëndafilat. Tek porta ime,. lulëzojnë menekshet.
Jam futur, tutje,ku këndojnë bilbilat
E thëllëzat krah, lëshuar ngrehin foletë.
Tek porta e fqinjit është ngritur dollia, Se u martohet vajza, fëmija i tretë.
Tek porta ime, valvitet dhe shamia ,
Se gëzimi i komshiut dhe në na pret.
Tek porta ime: anash ,plot,borziloku …
Amanet nga nëna që e mbante në gji.
Që burri të ketë nam,s’varet nga floku. Duket nga kënga ,pa nurin e zi…
Pa portë,jeta është han i braktisur
E kënga mbetet gjithmonë, elegji.
Pa fqinjë,dhe vdekja duket e vidhisur,
Se jemi shqiptar e të mbetemi, liri!
PËRTEJ PORTËS
Porta, në këtë poezi vjen si një prag simbolik mes dy botëve, një pikëtakim ku jeta e individit bëhet pjesë e jetës së të tjerëve.
Te porta e fqinjit varen trëndafilat, ndërsa te porta tjetër lulëzojnë menekshet.
Dy lule të ndryshme, dy bukuri të ndryshme që i përkasin të njëjtit kopsht njerëzor. Këtu qëndron një mesazh i mrekullueshëm: nuk është e nevojshme të kemi të njëjtën jetë, të njëjtat gëzime, të njëjtat ëndrra apo të njëjtën bukuri për të qenë pranë njëri-tjetrit. Mjafton të dimë ta respektojmë dhe ta duam lulëzimin e tjetrit.
Sa domethënëse vjen pamja e dasmës së fqinjit!
Vajza martohet, ngrihet dollia, dëgjohet gëzimi, ndërsa në portën tjetër valëvitet shamia.
Lumturia e fqinjit nuk shihet si diçka e huaj, as si një ngjarje që ndodh përtej pragut të vet. Përkundrazi, e përvetëson gëzimin duke e bërë pjesë të shpirtit të tij.
Në këtë varg qëndron një e vërtetë e madhe, njeriu bëhet më i pasur jo kur grumbullon vetëm lumturinë e vet, por kur gëzohet edhe për lumturinë e tjetrit.
Kjo pasuri nuk matet me prona, me pasuri materiale apo me madhështi, por me gjerësinë e shpirtit.
Pastaj vjen borziloku, ai simbol aq i dashur i shtëpisë shqiptare, i aromës së nënës, i oborrit të fëmijërisë dhe i kujtimeve që nuk vyshken kurrë. Borziloku vjen si një trashëgimi shpirtërore, një amanet i marrë nga duart e nënës.
Nëpërmjet tij, autori na kujton se njeriu nuk jeton vetëm me të tashmen. Ai mbart brenda vetes rrënjët, zërin e nënës, këshillat e saj dhe vlerat që i janë përcjellë brez pas brezi.
Nëna largohet, koha kalon, por aroma e asaj që ajo mbolli vazhdon të jetojë.
Kështu, kujtimi shndërrohet në prani dhe mungesa në përjetësi.
Vargu që flet për namimin e burrit, i cili nuk varet nga floku, por nga kënga, bart një domethënie të veçantë.
Vlera e njeriut nuk qëndron te pamja e jashtme, te zbukurimet apo te fasada që ndërton përpara të tjerëve. Ajo zbulohet në atë që nxjerr nga shpirti, në fjalën, në sjelljen, në dinjitetin dhe në gjurmën që lë te njerëzit.
Njeriu i mirë nuk ka nevojë të shpallë madhështinë e vet; ajo dëgjohet në këngën e tij, në mënyrën si jeton dhe në dashurinë që fal.
Kulmi i poezisë gjendet në vargjet përmbyllëse. «Pa portë, jeta është han i braktisur». Një metafore e fuqishme!
Një jetë pa porta është një jetë pa pragje takimi, pa trokitje, pa përshëndetje, pa mysafirë, pa njerëz që hyjnë e dalin duke lënë pas një copëz nga vetja.
Një jetë ku mund të kesh gjithçka materiale, por të mungon ngrohtësia njerëzore.
Shtëpia bëhet shtëpi nga zërat që e mbushin, nga hapat që e vizitojnë, nga duart që trokasin, nga zemrat që nuk e harrojnë njëra-tjetrën.
Fqinjësia, në këtë poezi, merr përmasa më të mëdha se një marrëdhënie e zakonshme shoqërore. Ajo bëhet një mënyrë jetese, një kod moral dhe një dëshmi e qytetërimit njerëzor.
Fqinji bëhet pjesë e gëzimit dhe e dhimbjes sonë.
Në një kohë kur njerëzit shpesh jetojnë pranë njëri-tjetrit, por gjithnjë e më pak me njëri-tjetrin, këto vargje na kujtojnë se vetmia më e madhe nuk është të mos kesh njerëz përreth, por të mos kesh më lidhje të vërteta me ta.
Fjala e fundit, «liri», e ngre poezinë nga hapësira e një oborri në hapësirën e identitetit kombëtar. Shqiptarësia këtu paraqitet si një trashëgimi mikpritjeje, solidariteti, nderi dhe bashkëjetese.
Të jesh shqiptar, në kuptimin më të bukur të kësaj poezie, do të thotë të mos e mbyllësh shpirtin pas portës, të mos ia kesh zili gëzimin tjetrit, të mos harrosh nënën, rrënjët dhe këngën, por të mbetesh njeri edhe në kohët kur bota po e humbet gjithnjë e më shumë njerëzoren.
Është një poezi që të kthen te vlerat e dikurshme, por jo për të jetuar në nostalgji. Ajo të fton t’i shpëtosh ato vlera nga harresa dhe t’i marrësh me vete në të ardhmen.
Mund të ndryshojnë shtëpitë, rrugët, kohët dhe brezat, por njeriu do të ketë gjithmonë nevojë për një portë që hapet, një fqinj që buzëqesh, një nënë që kujtohet, një varg që mban shpirtin gjallë.
Njeriu më i pasur është ai që ka vend në zemër edhe për gëzimin e fqinjit.
Nga: Brixhilda R. Dede




























Leave a Reply