Një haik, mik në bjeshkë ( Mbi librin “Haiku i bjeshkëve” të poetit Gjon Neçaj) / Nga Fatmir Minguli

Posted on March 22, 2014

0


haiku

 

Një haik, mik në bjeshkë

 

( Mbi librin “Haiku i bjeshkëve” të poetit Gjon Neçaj)

Fatmir-Minguli

nga Fatmir Minguli

Kish kohë që Milianov Kallupi në të gjallë të tij, më fliste për poetët e qytetit të Tropojës, për Lulzim Logun e për Gjon Neçaj. Ishte ai dhe promotori që më vuri në lëvizje për të njohur nga afër , veprat e këtyre dy poetëve të Veriut.

Dhe jeta vazhdoi , po kështu dhe poezia , kritika, takimet, promovimet e gjithçka tjetër zbukuruan jetën e shqiptarëve intelektualë. Sot poeti Milianov Kallupi nuk jeton më, por shumë gjurmë njerëzore dhe artisti i la kësaj toke.

gjon

Gjon Neçaj

Librin “Haiku i bjeshkëve “ të poetit Gjon Neçaj e lexova dhe e studjova me kujdes.Janë 41 haiku në këtë libër të vogël , botuar në shqip dhe përkthyer në anglisht nga Kujtim Agalliu. Janë “41 cicërima zogjsh” thotë për haikun e vet , Gjon Neçaj.Dhe e thotë poetikisht, por më tepër me zgjuarsi dhe modesti prej burri të vërtetë.

Haiku , ky vogëlush i poezisë, ashtu vjen si një cicërimë zogu , vjen si një moment i bukur , melodia e të cilit tërheq vëmendjen e të shkëput nga gjërat e rëndomta të ditës.Eshtë zbatim i mirfilltë i teorisë zenbudiste të “ mendjes bosh”. Përfito nga momenti! Harroje për një çast ambjentin për rreth! Çlirohu të paktën për aq kohë sa zgjat cicërima e haikut. Haikut e Gjon Gecajt janë kështu të shkurtëra dhe konçize cicërima zogjsh e përkundje majash të pishave e lisave të lartë, jehona kristalesh të dëborës, e puhizaerërash të lehta në luginat ku” delet kthehen rudinave”.

Gjon Neçaj e bën haikun të thjeshtë dhe rigoroz ndaj parimeve letrare, ndaj një teorie tashmë të mirnjohur por jo të kuptuar nga të gjithë poetët shqiptarë që kultivojnë haikun.

Intersektimi haik- bjeshkë

Të çosh haikun në bjeshkët e veriut shqiptar është një sipërmarrjee mundishme. Jo për ndonjë çudi, por mjafton fakti që haiku lulëzoi këto 22 vjet fillimisht në Elbasan , që pastaj hodhi fidane në Durrës, Tiranë e në qytete të tjerë të Shqipërisë duke mos harruar dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe diasporën.

Prandaj ,unë e shoh të veçantë krijimtarinë e Gjon Neçaj dhe Lulzim Logut në lëmë të poezisë haiku.Eshtë guxim të hysh me haikun në bjeshkë!

Këtu ja vlen të përmendim autorin japonez të ditëve tona Kazuhiko Yamamoto që me esetë e tij bëri përqasje të Kanunit të Lekë Dukagjinit me religjonin japonez.

Haiku është mysafir në bjeshkë:

Hënë e plotë

Bjeshka qetohet

Me mysafirë të rinj.

Apo :

Si gurra e kronit

Rrjedh haiku

Bjeshkëve të vendlindjes.

Pra , intersektimi është i qartë. Por nuk mbaron me kaq; autori respekton dhe Milianovin dhe Martin Camajn duke i ndërthurur me peisazhet e bjeshkëve:

Në bjeshkët e Dukagjinit

Milianovi dhe unë

Kërkojmë Martin Camajn.

Peisazh bjeshkësh brënda haikut

Ndryshe nga disa autorë të tjerë që përzjejnë motivet e haikut natyror dhe atij urban, Gjon Neçaj mbetet deri në fund i peisazhit të bjeshkëve. Kjo besnikëri është çuarja drejt origjinalitetit të tij si poet në përgjithësi e për poezinë e haikut ne veçanti.Bëjnë përjashtim, thjeshtë njerëzit e tij të dashur:

Bjeshkë

Këtu më lindi nëna

Një ditë mesqershori.

Dhe patjetër ajo që i jep lëngun e jetës këtyre poezive, është vetëqenia e poetit brenda bjeshkëve.

Si ta përshkuaj?

Bjeshka

Pjesë e zemrës sime.

Në këto poezi të shkurtëra ndjehet frymëmarrja e bjeshkëve ne sinkron me zemrën e poetit. Ai hyn e del e prap ndodhet midis një stani ku “çukërmon fëmijëria ime”.Një njohje e aftë për një piktor peisazhist e çon poetin drejtë krijimit të këtij haiku:

Erdhi mëngjesi

Shtegut të bjeshkës

Ecën dielli.

Në këto peisazhe me haikun pikturë gjejmë tek tuk luledele e barinjtë që kthehen nga stani; gjejmë herë tërfonjat e herë larat e borës, gurrën e kronit e një mori emrash të bjeshkëve si ajo e Komanit, Dukagjinit, Nikajve etj.

Bjeshkët

shkundin çarçafin e bardhë

dimri iku vonë.

Posted in: ESSE DHE KRITIKA