Poezi nga Azem Shkreli

 

azem shkreli

Poezi nga Azem Shkreli

 

 

 

Katër Këshilla Vetes

 

Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
me seicilin varg, të lindësh me seicilën fjalë.

ngrehu mbi veten në dot t’rrokësh frerët e erërave,
të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtrëngatat
e gjakut tënd.

n’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
jo ne sy të kaltër, se bëhesh det i çmendur pendimi.

mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë.

 

 

 

 

E DI NJË FJALË PREJ GURI

 

Kosovës së gjerë valojnë arat e grurit
e u digjet kokrra etit të djersës sate,
Kosovës së gjerë, ballit t’lavruar,
floku i kalliut hidhet si flok vashe.
Ndër logje t’saj, thonë, hapin e ke të erës,
Ndër ara t’saj, thonë, duart i ke të gurit,
ndër suka t’saj, thonë, supet i ke t’Sharrit,
ndaj toka e bukës s’mbetet shterpë.Korriku
shkrep nga syri yt e i merr gjithë fushat
e n’pishë të diellit shkumbon toka shtatzanë
gjithë ditën e lume, derisa një muzgu
s’del një vashë me shtambë nga lulet e gjakut
dhe me dy gishta e ngjyen me të kuq perëndimin
e ta derdh ndër muskuj pak lëng zanash
e t’përbën n’atë benë e lashtë të bukës:
Ngreu, or trim, se plasën kallinjtë e gjinkallat.

 

 

 

KËNGA QË S’DESHI TË SHKRUHET

 

Një ditë prej ditësh
Në shtarë e gjeta,në gjurmë të kalit

I mëkova drithmat
Vesë i mola,qumësht zogu

U rrit e bukur,e zezë
Kënga që s’deshi të shkruhet.

 

 

 

 

LIQENI

 

Flas me ty,
ti hesht e luan me valë.

Ti s’je më syri
im as loti i saj.

Flas me ty,
ti shikon pulëbardhat.

Për Shën-Naumin
paske zemër t’gjerë.

Flas me ty,
ti kotesh mrekullie.

Më vjen të zbres në fund t’fundit,
të vdes i gjelbër me alat.

 

 

 

NË RRUGË

 

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

 

 

 

MOTIVE TË VERDHA

 

Po ikim nga gjaku im motive të verdha
Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
Po lindim mes bimëve tjera

Aty e tej janë poshat
Shtatgjata të vendlindjes janë delet
Të bardhat dele blegërore dhe bari
I njomë i qumështit po ikim
Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
Pupëlvogël zogjt pupëlgjelbër dhe krojet
Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
Janë vashat më të egrat vasha
Të bukurisë që falet dhe vetima
Po ikin nga gjaku im motive të verdha
Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
Na ngjethen dhe gishtat na ngjethen e fjalët
Po ikim nga gjaku im më mirë po ikim
Nga gjaku ose një herë tjetër
Një herë tjetër po lindim mes bimëve tjera.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s