Cikël poetik nga Xhemile Adili

 

xhemile Adili

Cikël poetik nga Xhemile Adili

 

 

 

TAKIM ME ZEMRËN

 

Asnjë dhimbje
Nuk dhemb më shumë,
Sesa dhimbja kur më mungon ti.

Atëherë dimrin takoj
Dhe në ditë behari,
E mërzitur,
E vuajtur,
E përlotur
Kaloj ditët,
E netët më bëhen shekuj,
Qepallat nuk i mbylle dot,
Si i vdekuri që vdes me mall.

Nga larg një rrahje zemre
E dëgjoj që vjen drejt meje,
Hedh shikimin në të gjitha anët,
E dija që zemra jote ishte.

U afrua e më zgjati dorën,
Më gjeti mbuluar me lot,
Tek dridhesha si purteka në ujë,
Po me puthjet e mjaltëzuara
Dhe hënën zbriti në tokë.

Dehem kur jam në përqafimin e zemrës,
Harroj se bota ekziston,
Jetoj momentin si e vdekur të isha,
Nën pushtetin e përjetshëm të saj
Mbuluar me puthje të mjaltëzuara.

 

 

 

SHTEGTIMI NGA ZEMRAT E FTOHTA

 

Në qiellin tim
Mbrëmë gjithë natën ra shi,
Ka lagur dhe zogjtë e mi,
Ashtu në gjumë tek flinin,
Të lodhur nga shtegu i gjatë,
Për herë të parë ma panë sherrin,
Filloi të dridhej dhe vera,
Kaq i ftohtë ishte ai shi,
Shi që nuk rrit
As barin,
As vargun e poetit,
As flokët e gocave,
Po rrit vetëm trishtimin tim,
Pas asaj ëndrre të keqe,
Ku vetëm shi akull binte
E më ngriu zogjtë e mi,
Prandaj do te shtegtoj unë në vend të tyre,
Sa herë ik nga zemrat e ftohta,
që të mos dridhem si vera.

 

 

 

LULAK ME RRËNJËT E MIA

 

Jam në shoqëri me rrënjët e mia,
Jo një çast,
Jo një orë,
Tërë jetën jam.

Me ato rrënjë jam e lidhur lulak,
Atje ku përherë të parë kam qarë,
Në një shtëpi ndërtuar me gurë e baltë,
Aty belbëzova,
Mësova fjalën e parë,
Atje mora frymë lirshëm,
Fola fjalën fjalë,
Me shije,
Me gjak,
Me shpresë.

Jam vetë Prometheu,
E lidhur lulak me rrënjët e mia
Edhe kur ka urrejtje,
Edhe kur ka vuajtje,
Edhe kur ka dhimbje.

Janë rrënjët mia
Edhe në fyt kur i kam,
Edhe kur ushqej frutat e pemës sime,
T’i ha bashkë me rrënjët.

 

 

 

 

ËNDRRA E ZGJUAR NË NJË BULEVARD

 

Një ëndërr e bukur ma prishi gjumin,
Ishe ti, ëndrra ime!
Ishim ne,
Të përqafuar deri në dhembje.

U ngrita pa pritur agun të vinte,
Në dritë të hënës
Shihja gjilpërën e humbur,
Një lot lehtë më njomi fytyrën,
Desha që ajo ëndërr të zgjaste shumë.

Jashtë një fllad i lehtë,
Përzier me aromë bliri,
Jo vetëm që ëndrrën e përkëdhelte lehtë,
Por e bënte edhe më të bukur,
Kurse ti nuk më besoje,
Se unë edhe në ëndërr të trajtoj mirë.

Ëndrra nuk ua prishi gjumin edhe zogjve,
Edhe barit,
Edhe luleve,
Madje as tymit në oxhaqe.

Ecte me hapa të mi bulevardit,
Si ajo rripka e fustanit lidhur shkujdesur,
E kur i shkelja skajin në tokë,
Më mbante të kthyer prapa,
Tek kërkoja dorën që më tërhiqte.

Kur po shkruaja për ëndrrën tonë,
Më ra ndërmend se ishte qershori,
Prandaj ëndrra u bë ëndërr qershori,
E pjekur bashkë me qershitë,
Mes gishtërinjve të mi,
Me hapa të lidhur
Nga ajo rripkë kryeneçe,
Në atë bulevard,
Poshtë një shtëpie shtypi,
Ku shtypeshin vargjet e qershive,
Tek pëlcisnin nga ëndrra brenda,
Pa ua prishur gjumin
As zogjve,
As barit,
As luleve,
Madje as tymit në oxhaqe,
Vetëm vetë donte të ishte e zgjuar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s