Poezi nga Arqile V. Gjata

arqile

 

Poezi  nga Arqile V.  Gjata

 

 

 

POEZI PËR FJALËN

 

    Cikël poetik

 

 

 

Nata e Dhimbjes

 

Fjalët

Kur fjalët bëhen re të zeza
e vijnë me pickama
në dritaren e shpirtit,
ato bëhen gra të përdala…

 

* * *
Buzë rrugëve të mjera
nuk jam unë mendimi yt,
është poezia shëmbëlltyra
e fjalëve
ardhur nga thellësia e syrit
a nga një botë tjetër.

 

 

 

Poetë të Harlisur

 

Poetë të harlisur brigjeve të fjalës,
dhëndurë të poezisë syshkruar,
mos ma vrisni buzëqeshjen e varrit të nënës!
Nga cepat e vargjeve rrëshqasin lotë dhe shpresë,
jo copëra litari për fjalën e lirë.

 

 

 

Pagjumësia

 

Midis rrugëve të fjalës
sonte çapitem në pagjumësi.
E nesërmja do jetë e gjatë,
e gjatë është vetvetja.
Unë jam një hije
mbështjell me grimca drite,
me ngjyrë,
me shi.
Era e vjeshtës rend drejt meje,
më lëkund nëpër terrin e përçmimit,
ngritur mbi gërma të zeza mallkimi
duke më çukitur mbi kokë
me sqepin e fjalëve.

 

 

 

Skeletet e fjalës

 

Mërmërimat treten diku…
Por unë rrugëtoj mendueshëm mbi to.
Kaluar mbi skelete fjalësh
trokas nëpër dyerët e pyllit
t’më shtrohet sofra
të ushqej skeletet e fjalëve
dhe syrin e uritur të poezisë.

Ajo

Ajo vuan e lumturuar,
rënkon e përçmuar,
e pabindur
e babëzitur
nën thundrën e mendimit.
E tillë shpupurishet nëpër ajër…
E ngrata,
e mjera fjalë!

 

 

 

SHQERKA

 

“Shqerka” mbetur aty,
si më parë
shkruar mbi një fletëz.

 

***


E bukur si një lule,
me fustan të bardhë.
E mallëngjyer
i gëzohej vështrimeve…

Luleshqerka me sy të njomë
si deti,
me buzë qumështore,
nxitonte…
me gjoksin rritur nëpër ëndërra.

Sytë e saj
luanin me ngjyrat e dëshirave
dhe ca rënkime nxirte dita-ditës.

Shqerka,
si era e detit
iku
e larguan….!

 

shkruar në vitet rinore, më 1966 kur isha vullentar me rininë në Pusin Qëndrot në minierën e bitumit në Selenicë të Vlorës!

 

 

 

DUA TË FLAS ME TY VLORË

 

Po mendoj…
Dua të flas me ty Vlorë!
Të ngjisë shkallët e rivierës
të t’vi pranë përsëri me puthjen e kujtimeve
të pështillem me erën e detit,
syri i diellit të më shuaj mallin
për fëmijët e lagjeve ku kam fjetur.

Shfletojeni Vlorën…
do gjeni madhështi, emra stërgjyshërish
e shumë varre të dashuruarish që nuk vdesin!

Shekujve t’u përkulemi,
t’i pikturojmë!
Ato shpesh marrinë flakë
e sytë kureshtarë të kohës
pëshpërijnë nëpër ullishte
dhe rrugët këndojnë këngët e agrumeve.

Për ty Vlorë po plakem,
në çdo fjalë shikoj gjurmët e ecjes
po vij nëpër freskin e reve…
të përtërihem me ty Vlorë!

Vajzat e djemtë e tu mbajnë bukurinë
tënde nëpër duar.
Nga pikëllimi poetët
harruar ullishtave të moçme
po mbjellin pisha,
të mposhtin druvarët
dhe unë në udhëtim
po i shkruaj letrën e dashurisë
qytetit tim…!

 

 

 

NJË DITË FESTE ME TË ÇMENDURIT
“Kush jeton pa çmenduri nuk është aq i urtë sa e pandehim’’
La Roshefuko

 

Unë e di…
ku e kanë derën e mendjes të çmendurit.
Ata,
janë kalimtarë të ëndrrave
shtratin e kanë të thyer
brohorasin,
si epshor tundin mendjen e tyre!

Janë apo nuk janë të dhunshëm…
me kokë poshtë i shikojnë kohën dhe kalimtarët,
kujtesën e kanë të ngujuar në nervin ireal!

Të çmendurit numërojnë kokrrizat e rërës,
nuk ndjejnë uri, as ngopje
festë kanë çdo çast në mendjen e tyre.

Një ditë…
më ftuan, më gostitën me fjalë çmendurisht
të bukura…
Ju betohem, kanë fantazi e trillime reale!
Janë të besueshëm
e kanë njohur botën pa mëkate e dëshira seksuale!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s