Cikël poetik nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga libri “Një shi prej bryme”

 adem

Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

Shkëputur nga  libri “Një shi prej bryme”

 

 

FANARI I VJETËR

 

Velat e grisura shikojnë

Se si përmbyten anijet e braktisura

Një flamur i vetmuar

Në shpirtin e detit të trazuar

E lëshoi spirancën

 

Dallgët më nuk kishin kohë

Një kep i çmendur midis detit

Dashuronte sirenën e një përralle të vjetër

Anijet fundoseshin

Në shpirtin e dehur të zhurit

 

Dielli kishte ikur larg tokës

Ishte pika më e lartë e zenitit

Megjithatë

Nga uria vuante peshku i artë

 

Sërish një dallgë e fortë

Përplasej shkëmbinjve të egër

Ishte si jehona e thellësisë së detit

Moli i përgjumur akoma po kotet

Fanari i vjetër

Herë i kyçte e herë shkyçte dritat.

 

 

 

 

NGJAJNË PËRMBYTJET E MËDHA

 

Sandalet e mia të vjetra

Si varka të harruara

Përkunden në gjumin e dallgëve

Një natë e mbushur me poezi

I këndon serenatat e saja brigjeve

Këndojnë edhe karkalecat

 

Zëri i shurdhët i ujit

Heshtas depërton

Në ëndrrën e guacës së verbër

Peshqit fluturues kalojnë matanë brigjeve

Shkuma e dendur e kripës

Bisedon me ninullat e fjetura të një varke

 

Një njeri i vetmuar i përqafon brigjet

Detet fshihen në guallin e guacës

Deniku veç i ka shtrirë krahët

Në drejtim të maleve të mira

Dhe i përqafon zanat e malit

 

Në stërkala valësh

Ngjajnë përmbytjet e mëdha

Deti del nga ëndrra e furtunës

Dhe me një njeri sykaltër

U ndihmon anijeve të fundosura.

 

 

 

 

NË AROMËN E LULEVE

 

Sa e sa herë shkelëm

Mbi gjymtyrët e lodhura të tokës

U lodhëm edhe ne

Nga lodhjet e pandërprera

Gjymtyrët na shikojnë me njëfarë ironie

Jashtë në rrugë kollitej druri i sëmurë

 

Dyqanet nuk hapeshin të dielave

Vetëm dyert e kishës rrapëllonin

Prej psalmeve të vjetra

Nuk kishte mbetur asnjë kujtim

Për të cilin mund të diskutonim

 

Dikur vonë kur afrohej muzgu

I mbrëmjes së dërmuar

Dielli fshihej pas maleve të larta

Të Hasit të Gurit

Kurse Drini i Bardhë gjarpëronte i përgjumur

 

Qyteti buzë Lumëbardhit ulej këmbëkryq

Nëpër kopshtet e zambakëve

Dhe shijonte me delikates

Ngjarjet e ditës

Në aromën e luleve

Që nuk fishkeshin asnjëherë.

 

 

 

 

DOMOSDO DUHET TË DËGJOSH

 

Po s’pate arsye shkyçi mendimet

Dhe mbuloje kokën tënde tullace

Me jorganin e trishtimit

Prej njeriut që i mungon arsyeja

Asgjë nuk presin

As mizat e mërzitshme

 

Futi duart e tua të mëdha

Në xhepat e erës

Ose gishtat e gjatë mes buzëve

Dhe fërshëlle si i çmendur

Melodinë e harruar të gjelbërimit

 

Poqë se nuk të kujtohet se si fërshëllehet

Merre një gjethe të akacies

Fryj në të

Derisa të trashen buzët

Domosdo do dëgjosh

Një melodi të lashtë prej gjetheve.

 

 

 

 

SONTE PËR HERË TË PARË KUPTOVA

 

 

Syri im i dehur

Po deshe

Preke me gishtat e tua skelet

Fundin e gotës ose të një tregimi

I cili do gjej vend në ditarin e erës

 

Mos më prek sonte qe dymijë vjet

Po i shikoj yjet se si ngarendin

Prej një ane

Në anën tjetër të hapësirës

Vetëm meteorët me bisht

I përcjellin lëvizjet e mia me xhelozi

 

Sonte për herë të parë kuptova

Se si fundosen yjet

Në shpirtin e zbrazët të detit

Mbase fundosen

Për t’i gjetur anijet e humbura

Sepse në një kep të Oqeanit Atlantik

Për çdo ditë këndon një sirenë e virgjër

 

Syri im i dehur

Po deshe

Preke me gishtat e tua të brishta

Ëndrrën time prej uji.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s