Poezi nga Bilall Maliqi

bilall

 

Poezi nga Bilall Maliqi

 

 

LOTI LOTOI

 

Sot përsëri
ma gërvishe plagën e vjetër

gjaku ma rinoi dhembjen
veç ofet tani më janë lodhur

brenda ëndrrës nuk e dëgjova
as më të voglen psherëtimë

se ka kohë që isha djersitur
në pritje të fjalës ndjesë

medet…edhe sot sikur dje
loti lotoi faqeve të nxira të kohës.

 

 

 

NË ATË PIKË

 

Ti më pret diku në cakun e harrruar
Unë e humba fillin duke të kërkuar

Çdo gjë ngatërrohet në atë pikë
Kur e keçja përherë të zë në pritë

Po u veshe e tëra me timin shikim
Do të rrezatosh kudo me shkëlqim.

 

 

 

MI PËRKUNDE NDJENJAT

 

Si në djep m’i përkunde ndjenjat
Ashtu të përziera para portës së gjumit
Ëndërrimthi pëshpërisnin fjalën dashuri

Ranë kufijtë çoroditës, u shembën kullat
Durimi u fry brenda kallëpeve të dhembjes

Lot si shi ridhnin nëpër dy faqe të ndara
E pikonin mbi gjethin e lules së vetmuar

Kur ndjenjat fshiheshin pas vrimave të mallit
Mendime të hallakatura gufonin në mua
Si kasnece në betejë të dashurisë së munguar.

 

 

 

DASHURISË SË PARË

 

Sa lot derdhe si gurrë për mua
Timen zemër ma bëre përrua

Sa ardhje shpesh t’u ndaluan
Mal drithërimash të kapluan

Sa dhembje hënës ia shpalove
Para të ziut kurrë s’u dorëzove

Dashuri e gravuar në timen zemër
S’ka vend tjetër pos tëndit emër.

 

 

 

PAMJE LAKURIQËSIE

 

Nëpër sa porta ëndrrash kalove këtë natë
Nën përcjellje të rojeve gati të përgjumura

Në një kthinë të natës marimanga bën punën e vet
E ti i numëroje vitet e ikura vijëzave të rrjetit të ri

Një dallgë malli mezi u fut në brendinë tënde
Si një hije u palua në lëpizën krejt të shkaravitur

Kohës në qafë ia vare kujtimet posi një gushore
Poshtë gjoksit si stoli shkëlqimi në mes të errësirës

Ç’pamje lakuriqësie në shtrat mbrëmë të pikturoi hëna
Dritarës së zhveshur nga perdja e përhirtë e natës

E agimi i ri t’i zbuloi ca djersë hullive të holla të ballit
Që lagur kishin nënkresën e bardhë tok me bardhësinë.

 

 

 

ORIENTI I DASHURISË

 

Zbrite një trohë mall më dorën time të zbrazur
Se moti kohë shuplakës sime i ka humbur ngrohtësia

I harruar dhe i braktisur ishte diku udhëve të labirintit
Herë i gufuar, herë i humbur nëpër kthina të harrimit

Zbrite veç një shikim kah pika e orientit të dashurisë
Ta heq pak mall të trazuar brenda shpirtit tim të djegur

Dhe lërmë të shkrihem i tëri para syve të tu të përlotur
E të ofshaj pa pra për kohët e tretura diku në errësirë.

 

 

 

E ÇASTIT…

 

Sa dëshira të vjetra sot në gjoks m’u shkrinë
Dhe shumë kujtime barkut të gjethit u shtrinë

Nëpër vrima ëndrrash futet hija ime çdo natë
Zhvesh lëkurën e vetmisë të asaj kohe të ngratë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s