Poezi nga Nikollë Loka

 

nikolle loka

Poezi nga Nikollë Loka

 

 

Vjen të më thuash

 

Vjen të më thuash,
kthehu te kjo botë,
gjumi është i rëndë
dhe ëndërra të gënjen.
Unë në sytë e tu
dalloj veç lotë,
një mëngjes me vesë
që më pëlqen.

Vjen të më thuash
dita ndërroi fytyrën,
lulet në kopësht
kanë tjetër ngjyrë.
Më ra ndërmend
se ishte hile,
kur u mbyta
në sytë e tu pasqyrë.

Vjen të më thuash
shihe qiellin,
era fryn
e të lag me pikla vese.
M’u betove
se nuk ishte hile,
ajo buzëmbrëmje
që fshihte të nesërme…

 

 

 

Atje tej, atje përtej

 

Atje tej, atje përtej,
rërë e bardhë rrëzë detit,
atje tej, atje përtej,
dallgë e kaltër rreh bregun.

Atje tej, atje përtej,
shpirti bie në ujë,
atje tej, atje përtej,
dallga kthehet në gur.

Atje tej, atje përtej,
ishulli mbulohet me dallgë,
atje tej, atje përtej,
lumi digjet në flakë.

 

 

 

Vajzë e valëve

 

Vajzë
me këmishë të bardhë,
jelekzbërthyer,
qiellin e bëre me faj.
E dashuruar me veten,
iu largove dritës
e në perëndime të pashkelura,
ndeze zjarr.
Qielli
skuqet prej turpit,
yjet
zverdhen prej pritjes,
del si prej legjendës,
e ndjenjat
i ktheve në valë.

 

 

 

Një rrufe e kaltër

 

Shkripëzohen dallgë të kthyera në ylbere,
shngjyrosen ylbere e bëhen qiej pa ngjyrë.
Diku në mes të detit lind një ishull rëre,
në tokë lind një liqen si një pasqyrë.

U shkrinë shtatë rreze dielli mbledhur bashkë,
në toka të reja dhe në sy të rinj.
Prej kthjelltësisë së një qielli të pafaj,
zbret një rrufe e kaltër mbi lis.

 

 

 

Magjistaret këmbëzbathura

 

Në pasqyra hëne
sheh detin,
lugetërit e natës
përloten.
Ndër flakë mëkatesh
kalojnë pa u djegur,
minutat dhe orët.
Pylli i natës
ende i pashkelur,
shtegu prush e zjarr.
Këmbëzbathura për udhë
po shkojnë magjistaret,
drejt agimit që zbardh.
Në terrin e netëve
një reliev me hije,
ku shuhet epshi i ëndërrave.
Magjistaret këmbëzbathura
vënë duart në zjarr,
para se agimi të zbardhet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s