Poezi nga Xhemile Adili

 

xhemile Adili

 

Poezi nga Xhemile Adili

 

 

 

ËSHTË NJË DITË E RE

 

Çdo ditë
Të pres të të them “mirëmëngjes”,
Çdo ditë të re me ty e nis,
Një puthje të lehtë
Të lë në faqe.

Portat e syve ti lehtë i hap,
Me petale lulesh të përkëdhel trupin,
Ti më buzëqesh si diell
Zgjohu, të them
Është një ditë e re,
Po piqet gruri në ara.

Edhe pse jashtë është vapë,
Akoma pa lindur dielli,
Trupin ta freskoj me puthje,
Kur ti fle gjumë në atë kështjellë,
Si zanat në përralla.

Trupin mbuluar me mëndafsh,
Portat e zemrës hapur m’i lë
Kodin e saj e di vetëm unë,
Prandaj çdo ditë vij e të zgjoj,
Me puthje të lehta në sy e në buzë.

E çdo natë vij te të vë në gjumë,
Me ninulla përkëdheljesh mbi trup,
Çdo natë bëhem jastëku yt,
Mbi rrahje zemre vë kokën,
Çdo ditë e çdo natë,
Me të njëjtin rit,
S’na vjen mërzi, as ty, as mua.

Nëse ditën do ta nisja pa ty,
Muzgun do ta takoja që në agim,
Sytë do të ktheheshin në pellgje,
E diellin s’do të më ngrohte,
As në ëndërr.

 

 

 

ME BUZËMJALTË

 

Lindi një dashuri
E rritet në krahët e kohës,
Rritet nën diellin e shpirtit,
Ushqyer me ndjenja,
Diku në pore të zemrës,
Diku në bebëza të syve,
Diku në buzëmjaltë,
Mbështjellë me kujtime stinësh,
E mbaj në gji,
Aty frymon,
Netëve të vona,
Ku gjithkund pllakos heshtja,
Ajo vjen e troket në zemër,
Hyn në ndjenjë,
Hyn në shpirt,
Më flet me fjalë të ngrohta,
Kurrë s’më lë të kujtoj të kaluarën,
As dhembjen,
As vuajtjen,
As lotin në sy,
Prandaj thesar do ta ruaj ndër shekuj,
Në ëndrra të mia do ta përkund
Përjetë,
Sa ka jetë dashuria.

 

 

 

DHEMBJA KA SY LOTËSH

 

Larg jemi,
Kaq larg!
Na ndajnë male, fusha e lumenj,
Kilometra na ndajnë,
Por unë jam çdo ditë me ty,
Madje dhe netët i kaloj zgjuar me ty.

Ti je në çdo varg timin,
Thuaj se në çdo shkronjë
Shoh sytë e tu,
Edhe pse nuk frymon këtu,
Mbi fletën time të bardhë,
E unë dhe në vargje të përkëdhel,
Me mollëza te gishtave.

Ashtu si në ëndërr,
Jemi në të njëjtën dhomë,
Herë je në raft të librave,
Herë nën jastëkun tim je,
Nga më lut:
Fli se u bë vonë!

E nesërmja të pret gjithë dritë,
Të do të buzëqeshur,
Ashtu si të dua edhe unë.

Shpesh më ik edhe larg,
Bëhesh yll,
Më vështron me mall,
Ditën bëhesh edhe diell,
Më fal ngrohtësi e dritë pa fund.

Kurrë mos lejo të bëhesh dhembje!
Dhembja nuk di të qeshë,
Sytë i ka prej lotësh.

 

 

 

TË VRISTE EDHE NATA, EDHE DITA

 

Para se të lindte dielli,
Ti kishe sy pellgjesh
Nga gjakpirësit,
Prej vitesh torturë,
Ushtruar mbi ty,
Kujtesën ta kishin tretur
E fytyrën buzagaz
Me trishtim të vrisnin gëzimin,
Me mjegullat të zinin diellin,
Me dritën ta zinin terrin
Të të shtonin rrudhat e ballit
Plakur para kohe,
Nga jeta pa jetë,
Ku të vriste si nata, si dita
Të të shtrydhnin lotin,
Të ushqenin shpirtin,
Pasa syve pellgje,
Sy shenjtori
Me shkëlqim vezullues
Në atë fytyrë hyjnore
Tretur në një shpirt foshnjeje
Po aq të pafajshëm.

 

 

 

 

NË STINË QERSHISH

 

Në muajin e qershive,
Për herë të parë u takuam,
Nuk di në cilën ditë,
As në cilin shekull.

Më parë sesa ne,
Me tokën dhe me mallin
Ishin takuar pikat e shiut,
Pikur nga qielli ynë.

Si pikat e shiut pa rënë mbi tokën
Si pikat e shiut pa rënë mbi mallin,
Ishim edhe ne.

Si dy pika në lis,
Si toka e dridhur nga tërmeti,
Të skuqur po ashtu,
Patjetër,
Ishte muaji i qershive.

Të dy pika shiu,
Të dy grimca dheu,
Të dy grimca malli,
Në muajin e qershive.

Qershitë mbinin në buzë
Dhe dimri të ishte,
Shkundeshin pa ashtu
Pa fryrë as fllad fushash,
As krahë fluturash.

Vetëm fletët e qershive frynin,
Me rrënjë nxirrnin
Çdo bimë mbi dhe,
Atë qershor,
Në muajin e qershive,
Në qytetin që prish të gjitha stinët,
Nga i vjen dhe emri,
Prish(s)tinë,
Po stinën e qershive
Nuk mund ta prishte
Kurrsesi.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s