Vajzës që i mbetën sytë nga deti ( Shkëputur nga libri me tregime “Rrugica e fëminisë” ) / Nga Skënder Braka

Vajzës që i mbetën sytë nga deti

 

Shkëputur nga libri me tregime “Rrugica e fëminisë”

 

 

Skender Braka

Nga Skënder Braka

 

 

 Ne kishim nja një muaj e ca që kishim filluar klasën e tretë. Një ditë të bukur, mësuesja hyri në klasë jo si zakonisht, por me një lloj qetësie dhe autoriteti, që na bëri të gjithëve të tregonim një vëmëndje krejt ndryshe nga sa kishim treguar herëve të tjera ndaj saj. Hyri me një vajzë të pakët në trup. Çuditërisht unë po ndiqja me sy atë shprehjen e përhumbur që i kishte marrë fytyra e saj, më përpara se mësuesja ta ulte në bangën e parë me Rominën, dhe të na thoshte se; që prej asaj dite ajo do të ishte shoqja jonë e re, me të cilën duhet të silleshim mirë dhe të mos i krijonim as edhe ndonjë lloj problemi. Mua më dukej krejt e habitshme dhe e pa shpjegueshme që e porsaardhura në vënd të ndihej e gëzuar, sepse kishte ca pika loti në sy. Dukej sikur ndihej e zënë në siklet dhe mezi priste që mësuesja të largohej dhe ajo të ngjishej më pas në vëndin e saj, të qëndronte aty, ashtu siç do të qëndronte për ditë e ditë me radhë, pa e zbërthyer fare gojën. Erilda, kështu e quanin vajzën, shoqen tonë më të re të klasës. Ajo kishte një fytyrë të hequr, që hera-herës të dukej gati- gati si një fytyrë prej dylli. Sytë i kishte të mëdhenj, me një të kaltër të errët në të cilët shquheshin qartë njollat e një dëshpërimi të thellë, sa të bënin të mendoje se vështirë se mundet t’i largoheshin një ditë, ndërsa flokët i kishte në ngjyrën e çokollatës dhe i mbante zakonisht të lidhura mbrapa me një fjongo ngjyrë rozë. Gjithçka tek ajo vajzë dukej sikur vinte prej errësirës dhe humbiste po brenda saj, pa as edhe një fije të vogël shprese. Nuk kishte gjasa që ajo të hynte shpejt në bisedë, sidomos me ne djemtë.

Aty e pas ca ditësh mësova se ajo banonte në një pallat jo shumë larg pallatit tim. Kësisoj duke qenë komshiu më i afërt i saj, nuk di përse ndjeja detyrimin për t’i qëndruar më pranë se cilido tjetër. Erilda ishte fjalë pak dhe mundohej të tregohej e ftohtë me të gjithë. Nuk arrija të kuptoja nëse ajo ftohtësi e saj ishte më tepër shprehje e pafajësisë apo e dëshirës së saj për t’iu larguar gjithnjë e më shumë njerëzve. Po ta vështroje me vëmëndje, të krijonte menjëherë përshtypjen e një vajze, shpirti i së cilës prej kaq vitesh ishte i mbushur me mjerim dhe përvuajtje, të cilat ajo vetë mundohej të mos i bënte të dukshme, por përkundër, i mbështillte qëllimshëm me një lloj misteri, përpara të cilit gjithkush nga ne tërhiqej e ngurosej. Po vetë, pas ca kohësh, fare rastësisht zbulova se Erilda ishte një vajzë jetime, që kishte ardhur për të jetuar në shtëpinë e dajës së saj.

Gjithësesi, aty e pas ndonja një muaji ajo nisi pak nga pak të hynte në jetën tonë dhe ne, me po atë hap mundoheshim t’i qaseshim dhe t’i tregonim se përtej botës së saj të mbyllur, të heshtur dhe të trisht, egzistonte dhe një botë tjetër, që ishte bota jonë e veshur me gjithfarë çiltërsish, buzëqeshjesh, gëzimesh dhe lojërash të pafundëme fëminore. Çdo ditë e më shumë po e ndjeja veten të pushtuar prej një ndjenje të madhërishme që më mallëngjente edhe më fort kur nuk e ndjeja aty praninë e Erildës.

Ai vit, kaloi shpejt pa ndonjë ngjarje të zakonshme dhe të bujshme. Gjatë pushimeve të verës nuk e pash kërkundi Erildën. Dikush më tha se kishte ikur për të kaluar pushimet në fshat tek gjyshja e saj, por nga sa mësuam më pas, Erida ishte ngjitur malit për të mbledhur sherebelë. Me të ardhurat që do të mblidhte nga shitja e tij do të blinte librat e shkollës dhe me do të vishej për dimrin e ardhshëm. Ndrysha nga herët e tjera, unë mezi e kisha pritur shtatorin dhe fillimin e vitit shkollor. Ditëve të para, kur ajo nuk u duk gjëkundi, mua nuk më zinte vendi vend. Një mend, kur mendova se ajo nuk do të kthehej më kurrë në klasën tonë, më erdhi të bërtisja, të ulërisja dhe të mallkoja gruan e dajës së saj, pasi në qëndrimin dhe sjelljen e saj prej një gruaje të pashpirt dhe të egër, gjeja të vetmen pikë mospërputhjeje, që i imponohej Erildës të mos kthehej. Muajve të fundit të shkollës, nxënëse të klasës tonë, por edhe nga ato të klasave paralele, murmurisnin se ajo e keqtrajtonte Eridën, ia bënte ditët e mërzitshme me qëllim që ta detyronte t’i largohej nga shtëpia. Por kur Erilda erdhi në klasë pas nja një jave, mua m’u duk sikur në klasën tonë, prej qiejve të botës kishte zbritur një ëngjëllore me të gjitha ëndërrat më të bukura të saj. Përditë mundohesha të gjendesha sa më pranë saj dhe përpiqesha të gjeja rastin që ajo të ishte e vetme në rrugën nga shkolla për në shtëpinë e dajës, por ndonse raste të tilla m’u paraqitën me dhjetra herë, asnjëherë nuk e mora guximin t’i afrohesha e të bëja vetëm për vetëm me të qoftë edhe një copë udhë. Rastisi një ditë në përfundim të orës së fizkulturës, kur ajo po kthehej nga palestra. E kisha sajuar edhe unë që të dilja fill pas saj dhe ai rast më funksionoi mirë.

– Gjithkujt i pëlqen të tregoj diçka nga vetja e tij, ti përse nuk dëshiron të na tregosh diçka nga jeta jote?- e pyeta  me sy të ngulitur kilotave të zeza në kryqëzimin mes shalëve të saj të holla. Prita një çast, duke menduar se zemra po më ndalte,por pas pak, ajo nisi të më rrihte më me force. E bërë e tëra flak e kuqe në fytyrë, me një nervozizëm që kurrë ndonjëherë më parë nuk e kisha vërejtur tek ajo, Erilda, si trazoi flokët që i derdheshin mbi supe, bëri një gjysmë rrotullimi të trupit dhe nxitoi hapat. Mbajta frymën, duke i ngulur sytë e zgurdulluar tutje andej nga kreu i oborrit të shkollës ku ajo po humbiste gjithnjë e më shumë për t’u futur më pas në derën e shkollës. “Idiot!”, thash me vete. ”Sa idiot i madh u tregova”, e sakaq hodha sytë rreth e rrotull se mos më kishte parë njeri, por as atë ditë dhe as në ditët e tjera askush nuk m’a zuri ngoje atë veprim. Kjo sikur më krijoi një ndjenjë lehtësie. Po fundja aq më bënte se çfarë do të mendonin të tjerët. Qëlloi një ditë, kur dikush solli në klasën tonë një panoramë të bukur e të madheme pamje deti, të cilën ne e varëm në njërën prej faqeve anësore të murit të klasës, ngjitur me tabelën e nxënësve më të dalluar. Ndryshe nga sa më parë, që fotografia e Erildës, e vendosur e para në rreshtin e më të dalluarve na dukej shumë e madhe, panorama me pamjen e detit, sikur ia zvogëlonte madhësinë dhe ia zbehte rëndësinë. E vetmja që nuk iu afrua dhe nuk ia hodhi sytë në atë moment entuziast, kur të gjithë po shprehnim kënaqësinë tonë, ishte Erilda. E pashë që na u përvodh dhe e ndoqa pas. E gjeta të përlotur në fund të shkallëve, por edhe atij çasti nuk di përse nuk guxova ti qasem dhe ta pyesja. Kureshtja më bëri të ndiqja lëvizjet e saj pas orëve të mësimit dhe, pas ca ditësh, arrita të zbuloja se ajo shkonte çdo ditë tek zyra e postës dhe për minuta të tëra priste përpara derës së saj, pa i folur dhe pa i kërkuar kërkujt ndonjë ndihmë. Largohej e fundit, pasi postjeri shqiptonte me zërin e tij të lodhur e monoton; mbaruam edhe për sot.  Po kalonin ditët, javët, muajt dhe mua më dukej  se sa herë që e shikoja, nuk e di përse ndihesha i përfshirë brenda qendrës së gravitacionit të shikimit të saj, çdo ndryshim i të cilit më bënte të topitesha, të rrëzohesha, të largohesha e përsëri t’i afrohesha, sikur të mos e kisha njohur kurrë më parë. I mësuar se këmbëngulja të çon në mënyrë të patjetërsueshme tek e vërteta, i kërkova mësueses që të përfshihesha në grupin e vogël të Erit në pastrimin e klasës.U ndjeva i lumtur që ajo nuk më kundërshtoi. Klasa kishte mbetur e zbarzët dhe për herë të parë e pash Erin që qëndronte gati si e ngrirë përpara detit të panoramës. Sytë e saj ishin të mbërthyera aq fortë atje sa të dukej sikur ajo kërkonte të thithte në ninëzat e saj çdo pikë prej atij uji të kaltër dhe të atij qielli të kthjellët që zhytej brënda tij.E kisha të pamundur të kuptoja përse asaj vajze i mbeteshin sytë nga deti. Aty e nja tri vite më pas kur shtati i saj i hollë zuri të bënte përpjetë, edhe pse ishte gjithë kockë, përsëri të ngjallte ndjenjën e një bukurie të fshehur. Eri u bë njëra prej vajzave më tërheqëse të lagjes. Flokët e zinjë i derdheshin mbi supe, ndërsa goja e vogël me ato buzët e holla të dukej sikur ruanin ende atë akullsi prej mermeri dhe sytë i xixëllonin  posht atyre vetullave të zeza. Ecte duke lënë pas manifestimin e një hiri dhe të një mrekullie te përvuajtur dhe mua më dukej, sikur në të gjithë shpirtin e saj mbreteronte vetem heshtja. Por megjithëse tek ajo ishte e mbyllur, prapëseprapë seç ishte një forcë që më grishte dhe më tërhiqte që të hyja e të depërtoja në çdo qelizë dhe ind të trupit të saj. Disa ditë, por mbase edhe ndo nja një javë, nuk i dola përpara dhe as e mora guximin që t’i afrohesha. I qëndroja larg me drojen se mos më fyente përpara shokëve të klasës. Po aq sa e ndjeja se gjëndja mes nesh ishte e nderë, po aq edhe e kuptoja se nuk isha asnjë fuqi apo mundësi tjetër për të ndryshuar diçka në mardhëniet tona.Të gjitha veprimet e mia të pa kontrolluara përpara Erildës, nuk kishin kaluar pa u rënë në sy shokëve të klasës.E vetmja që mori guximin të m’a thoshte haptazi mendimin e saj, ashtu siç e mendonte dhe ndjente për mua në lidhje me Erildën ishte Romina.

– S’po ta var fare Eni, – më provokoi Romina një ditë duke më shkelur syrin. Unë nuk e mbajta dot të fshehtën time dhe ia tregova fije e për pe. Rominës iu duk ca e tepruar ndjenja e sensibilitetit tim, por nga ana tjetër, nuk ma fshehu as ajo dhimbjen që ndjente, sa herë që e vërente Eridën tek qëndronte për orë të tëra përpara derës së postës pa i thënë kërkujt qoftë edhe një fjalë të vetme. Pohimi i Rominës ishte për mua një arsye më shumë për të zhbiruar në të fshehtat e jetës së saj. Një ditë iu qasa fare pranë, duke bërë sikur nuk e kisha vënë re. Erilda u drodh dhe u mundua të më kthente supet. Dhe pse nuk ma shprehu kurrë, unë e ndjeva që ajo sikur e priste vajtjen time. Atë ditë kisha edhe një arsye më tepër për të qënë pranë saj. Ishim të vetmit që do të përfaqsonim shkollën në konkursin kombëtar të matematikës, në muajët e ardhshëm. Çuditërisht Erilda nuk shprehu ndonjë entuziazëm të madh kur ia dhash këtë lajm, por vetëm më falenderoj dhe me tonin e qetë të zërit të saj të hollë më tepër se për veten e saj më shprehu besimin në fitoren time. Kaq i papritur dhe i pakuptueshëm m’u duk ky qëndrim i saj sa që gjithë ç’kisha pritur të shpërthente me një entuziazëm të paparë,m’u shua përnjëherë si prej një magjie të lig.

– Përse nuk më tregon asgjë nga jeta jote?

Erilda uli sytë si të ishte turbulluar e tëra nga befasia me të cilën i isha afruar dhe ia kisha drejtuar atë pyetje. Mbase nuk e priste. Nuk e përshkruaj dot seç ndjeja kur ajo ngriti kokën dhe më vështroi.

-Do të jeni kurioz të dëgjoni nga unë historinë time të jetës? Unë kam lindur në shenjën e  gjarpërit në horoskopin kinez.

Kishte një ëmbëlsi të madhe në të shprehurit e saj, diçka që të tërhiqte dhe të bënte t’i kushtoje vëmëndje më shumë nga ç’duhej. Ngaqë dëshiroja të vazhdonte të fliste edhe më, ia ngulita sytë duke i hedhur një shikim përgjërues,  por ajo iu shmang heshtjes sime. Edhe herë të tjera më qëlloi ta gjeja të vetme me shikim të gozhduar në detin e kthjellët të panoramës, por kurrë nuk e pyeta. Nuk doja ta ngacmoja më tej. Le t’a lija më mirë në dhimbjen e saj, përderisa ajo nuk donte që edhe ne të bëheshim pjesë e saj. Jo vetëm për mua, por kisha bindjen se për të gjithë Erida  në këtë pikë ishte një krijesë e vështirë për t’u kuptuar. Disa minuta më pas, i kalova pranë, duke bërë sikur nuk e kisha vënë re. Erida bëri një gjysmë rrotullimi të trupit dhe shkoi ca më afër grupit të mbledhur, që të bërë të gjithë sy e vesh, dëgjonin emrat, që thërriste postieri për të marrë postën e ditës. Ditë për ditë e shikoja të qëndronte përpara detit të panoramës dhe përpara derës së postës. Një të shtunë mbas mësimit po dilja i fundit me Rominë nga klasa. Ndërkaq, dëgjuam të rënkuara në kthinën mes dy shkallëve të shkollës, që të çonin për në katin e dytë. Mbajta frymën.Futa me një gjest të shpejtë librat në çantën time prej enkeliti dhe si e mbylla u dhashë me të shpejtë në koridorin e  boshatisur. Po provoja një ndjesi e çuditshme që më bëri të regëtia si i çmëndur. E kisha të pamundur të duroja kur dikush tentonte të kapej me Eridën e jo mandej të grindej me të. Që të dy u afruam pranë kthinës, ku ata, dy djmtë e klasës paralele po talleshin me Erildën, duke i hedhur fjalë të ndryshme, të papëqyeshme. Fjalët e tyre arritën deri tek ne. Kur u afruam pranë kthinës Romina vuri re njërin prej djemëve që po e tërhiqte Erildën prej flokëve. Jo vetëm prej syve të përlotur, por edhe prej shprehjes që i kishte marrë fytyra, e kuptova se sa shumë e kishin poshtëruar.

Papritmas m’u bë sikur gjithçka imja sikur ishte thyer, dhe ishte bërë copë e thërrime. Kur vërejta djalin që qëndronte përpara saj si një tel i tendosur, nuk e pëmbajta më veten.Nuk mbaj mend asgjë seç ndodhi më pas me të, vetëm dëgjoja që djali ulëriste dhe bërtiste prej dhimbjeve dhe thoshte se Erilda duhet të ishte e atija. Sakaq Rudina u drodh për një çast dhe si u vërsul përpara e shtrëngoi fort Erildën dhe e ngriti në këmbë.

– Largohu flliqësirë! Largohu! – zuri t’u bërtisja djemëve dhe u ula për të gjetur ndonjë send tjetër për t’i goditur.

– Maks! Maks,mos! Ruaj gjakftohtësinë Maks! Mos bjer edhe ti prehë e rrugaçërisë së tyre! Ikni ju! Largohuni që këndej, të pacipë! Ra heshtja. Erilda u ngrit me mundim dhe Romina nxitoi t’i vinte dorën në sqetull. Mua më vinte më tepër inat përse Erida nuk më kishte thënë më parë qoftë edhe një fjalë të vetme për ta, pa do të dija se çdo ti punoja më parë se ata t’a keqtrajtonin. Romina si ta kishte kapur në ajër mendimin tim, më tha :

– Të dy janë djem rrugacë që nuk lënë vajzë pa ngacmuar. I hodha një sy gjithë përçmim dhe dolëm në oborr. Nuk e ndihmova të ngrihej, por e lash të vazhdonte të qëndronte ende aty mes  heshtes së zymtë dhe të rëndë dhe plazmave të gjakut që i kishte rrjedhur prej hundëve. – Përse e ke atë tendencën për tu dukur ca i dhunshëm përpara të tjerëve?, – më pyeti Romima duke nënqeshur paksa me djallëzi,kur po merrnim rrugën për në shtëpi.Pas kësaj ngjarje mardhëniet e mia të mira me Eridën njohën kulmin e tyre.

Hera –herës më bëhej të besoja se ajo derdhte mbi mua gjithë çiltërsinë dhe pastërtinë e shpirtit të saj… kur nisi të rritej dhe t’i formohej gjoksi, të gjithë djemtë e fshatit çmëndeshin për të qëndruar qoftë edhe për disa minuta në shoqërinë e saj të padjallëzuar. Isha i sigurtë se po të ishte ndonjë vajzë  nga ato që se kanë për gjë të rrihen dhe me djemtë, Erilda gjithë ditën e perëndisë mundet të më vinte në lojë e të gajasej me mua si të donte e kur të donte. Një ditë në intervalin mes dy orëve të mësimit me pretekstin e zgjidhjes së një ushtrimi matematikës, që ishte pjesë e programit të olimpiadës që do të bëhej pas ca ditësh, i’u afrova edhe ca më shumë dhe me një ngathtësi prej mamuthi, e ndërsa ajo e ulur siç ishte në bangën e saj vazhdonte të shkruante dhe të më shpjegonte, i rrëshqita dorën ngadalë në pjesën e pasme të qafës, fare hehtaz, madje vetëm me mollëzat e gishtërinjëve, mjaft që ajo të ndjente se ishte dora ime. Ishte hera e për në jetën time që prekja ashtu një vajzë. Nuk kisha ndjerë kurrë ndonjëherë më parë një rrënqethje dhe një ngrohtësi të tillë në trup dhe mënd mendova se vetëm trupi i Erildës mund të emetonte të tillë energjie.

Erilda në fillim lëvizi ca më tej e më pas u kthye nga ana ime dhe më pa me ngulm, pastaj me një gjest pakënaqësie m’a spostoi krahun me dorën e saj, duke më dhënë të kuptuar se një veprim të till nuk duhet ta përsërisja më herë tjetër. Psherëtiva dhe pulita sytë jo më tepër i fyer se sa i dërrmuar prej mos pranimi të saj. “Ç’djallin bëra kështu”, thash me vete. ”E qelba si asnjëherë. Idiot” Mbas mbarimit të orëve të mësimit Erilda qëndroi në klasë dhe unë nga dritarja e pashë kur u ngrit ngadalë dhe qëndroj në këmbë përpara detit të panoramës. Asnjëherë nuk kisha për ta kuptuar këtë rit të sajin, qëndrimin me vështrim të mbërthyer mbi det, përlotjen dhe murmurimën e sasj gati të zëshme. Deri asaj dite që u mbajt olimpiada nuk kisha këmbyer as edhe një fjalë me Erildën.Nuk u hidhërova më shumë për humbjen time se sa u gëzova për fitoren e saj. Ajo u prit si triumfatore në shkollë, por kjo për mua deri atij çasti që si ngaherë qëndroi përpara detit me vështrim të mbërthyer mbi të dallgët e tij, nuk kishte sjell ndonjë ndryshim në rrjedhën e jetës së saj. Dhe pse nuk arrija të kuptoja asgjë prej lëvizjeve të buzëve të saj, përsëri e merrja me mënd se ajo me dikë po komunikonte me zë. Me cilin? Kujt ia zgjaste ato duar të buta dhe gati sa nuk i thoshte se; mbi dhimbjen e përhershme ishte ngitur dhe një premtim i mbajtur, një lloj krenarie qetësuese, që shkonte përtej së përtejshmes. Për herë të parë pas gjashtë vjetësh po e shihja Erildë disi më të qetë e më të shpenguar. Gjithë trupi i saj më dukej sikur ishte çliruar një herë e përgjithmonë prej plogështisë topitëse dhe se kishte fituar një lloj lirshmërie natyrore. E dija që mbasdite ajo do të shkonte tek posta dhe si hënga bukë shpejt e shpejt e mbajta frymën atje. Njerëzit që vinin të për të marrë postën apo lajmëthirrjet prej të afërmve të tyre shtyheshin gjithnjë e më shumë pranë sportelit. Dikush thërriste me zë të lartë emrat e marrësve dhe si mbaronte emër i fundit dhe të gjithë largoheshin, Erilda qëndronte edhe për disa minuta aty me sy të mbërthyer, pastaj më tepër se e lënduar, kthehej dhe merrte rrugën për në shtëpinë e dajës. Dhe kur e vështoja tek merrte përsëri e vetme rrugën për në shtëpi, nuk di përse më ngjasonte me një nimfë deti, që qëndronte e palëvizur, e lidhur dhe e dënuar padrejtësisht, më tepër prej një dore të ligësh, të padukshme se sa prej fatit, në kiçin e një skafi, të lënë aty të vetmuar, e të harruar prej të gjithëve. Nuk më kujtohej se ku e kisha lexuar apo prej kujt e kisha dëgjuar që ; një femër nuk është kurrë ajo që shfaqet, dhe vrisja mëndjen nëse kjo vlente edhe për Eridën apo jo, por edhe nëse vlente për mua nuk kishte kurrëfarë rëndësie. Qëndroja disa metra larg saj me ndjesinë e të qënit i veçuar dhe diç më shtynte të mos ia gërmoja më ato kujtime të hidhura.

– Ikim!,- i thashë si të isha i bindur në pritshmërinë e përhershme të saj. I shihja me ngulm supet mbi të cilat i derdhej tufa e flokëve. – Po të përcjell deri tek hyrja e pallatit, – shtova me një gjysmë zëri pas një heshtjeje të shkurtër dhe i priva përpara në rrugën e boshatisur. Sapo kapërcyem tretuarin, ajo u kthye dhe më vështroi me ngulm.

– Nuk bën, të na shikoj dadaja, – tha për gruan e dajës, duke më hedhur një shikim të shqetësuar. Tunda kokën dhe i buzëqesha me mirënjohje. Pastaj si i zënë ngusht, duke iu bindur vullnetit dhe arsyes sime, ula vështrimin dhe ika si një fëmijë më shumë se i bindur, i urtë. Në shpirt ndjeja një lloj lehtësimi që më vinte prej të kuptuarit se ajo nuk m’i kishte thënë ato fjalë e shtyrë prej bezdis së pranis sime, më tepër se prej frikës dhe gjestit të mirëkuptimit që kisha demonstruar ndaj sjelljes së imponuar të saj. Kur u ndodha në gjysmë errësirë e në vetmi, i ngadalësova hapat dhe e lash të shkonte pa dashur të bëhesha shkaktari i ndonjë ndodhie të padëshirueshme.

Po afronin provimet e lirimit, kur një ditë e zura Eridën me shikimin e mbërthyer përpara detit të panoramës.

– Kam shtatë vjetë – më tha ajo e mbytur nga dënesat, – Kam shtatë vjetë që pres dhe shpresoje të marrë një lajm nga im at dhe im vëlla. Nuk dua ta besoj Maks….nuk dua ta besoj që edhe ata, shpresa  ime e vetme në këtë botë të jenë mbytur në det ashtu si mijëra e mijëra të tjerë. Nesër unë do të iki. Kam shtatë vjet që pres dhe shpresoj. Shtatë vjetë në pritje të një lajmi prej tyre…..

Të nesërmen në mëngjes e vura re që kishte zënë vënd në njërë prej sediljeve të para  dhe kishte mbështetur ballin në xham. Autobuzi e shtoi shpejtësinë e tij dhe atij çasti, unë vetëm sa ngrita dorën time të vogël dhe, e si e tunda nja dya a tri herë në ajër, u kthyeva duke u munduar të përmbaja lotët që kishin nisur të më rrëshqisnin nëpër faqet e ndezuara dhe po më mblidheshin në cepat e buzëve, të cilat vazhdonin ende të më dridheshin. Hamburgeri që kisha blerë për Erildën, të cilin e mbante në dorën tjetër, gati sa nuk  m’u shkëput nga dora. Nuk e ktheva më kokën pas, por eca edhe disa metra më tutje, duke marrë me vete imazhin dhe manifestimin e një hiri dhe të një mrekullie të përvuajtur, derisa mbrrita tek stacioni i urbanit. Aty prita i mbushur me dëshpërim derisa mbrriti autobuzi i linjës. Kur arrita në shtëpi, u plasa në shtrat duke qarë pa zë. Nuk kisha të ndaluar, vazhdoja të dënesja papushim. Vagëllimthi dëgjova diçka që gërvëliste dhe trokiste në dritare. Ngrita shikimin e rënduar nga lotët dhe pashë jashtë. Vetëm lart në qiell ca re të zeza dukeshin sikur lëshoheshin drejt meje për të shpërndarë tisin e mërzitshëm që  kishte rënë gjithandej dhe përhumbshëm dorën e Erildë që zgjatej drejt meje….

Kurrë nuk e mësove se ku shkoj ajo vajzë që priste me orë të tëra përpara postës derisa postjeri thoshte; mbaruam edhe për sot dhe po aq gjatë qëndronte me shikim mbërthyer mbi dallgët e detit. I bindur isha vetëm për një gjë; se ajo kishte triumfuar mbi dhimbjen dhe brengën që i kishte shkaktuar koha.

One thought on “Vajzës që i mbetën sytë nga deti ( Shkëputur nga libri me tregime “Rrugica e fëminisë” ) / Nga Skënder Braka

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s