Skica nga Rudina Muharremi Beja

 
Skica nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Një fjalë më pak
 
Ç’e mundon këtë njeri?!
Këto fjalë i erdhën ndër mend atë fillim të hirtë të ditës kur pa të kalojë si përherë i pirë atë burrë të imët, veshur me ca petka të lërosura.
Gjithmonë mbante kryet ulur e me fytyrën vërenjtur e vështrimin ngrirë.
Çapitej skajit të trotuarit e kur dikush i afrohej pranë qoftë edhe për një përshëndetje, shterej i trembur , si për të ndalur frymën me dufin e rëndomtë të alkolit.
Pija e gërryente përditë, por ai nuk mund të jetonte ndryshe. Ndjehej shpesh fajtor për faktin se nuk mund të hiqte dorë, bile nganjëherë mendonte se ia kishte dalë pasi dehej më rrallë , por fenomeni përsëritej e përsëritej sërish.
Një ditë, një plakë e kurrusur më dysh e shau sa mundi e gati sa nuk e qëlloi me një shuplakë duke u larguar më pas midis rrëmujës së njerëzve kthinës ngjitur. Tingujt e kambanave të kishës e ato të orës së madhe të udhëkryqit shponin qiejt duke lënë pas një ndjesi zbrazëtie të çuditshme ndërsa një tufë të rinjsh që e njihnin filluan të talleshin me të.
Të dridhen leqet e këmbëve – i kish folur njëri, ndërsa të tjerët gajaseshin së qeshuri.
Shtyrë nga një kuriozitet që më tepër ngjante me një keqardhjeje pyes:
-Ç’farë i ka ngjarë këtij njeriu, përse talleni me të?
Ata qeshën duke e vështruar me një neveri të paparë dhe folën njëzëri;
“S’e sheh, tërë ditën tapë rri”
Burri mbylli sytë si për të dashur t’i fshihej rrebelimit të ndërgjegjes së tij e vijoi udhës për në shtëpi,
bëri disa hapa dhe ndjeu dhe më shumë të qeshurat e tyre; si ti shponin trupin për një çast. Vendosi të kthehej pas në atë tavolinë ku nëpërkëmbej përditë dinjiteti i tij.
-Ç’ dini për mua? – foli burri me vrull zemërimi dhe i ra tavolinës.
Mori frymë thellë, duke kërkuar një karrike dhe një pozicion të rehatshëm.
-Pa hë, çdo na thuash, nënqeshën dy bashkëmoshatarë të tij që e kishin parë shpeshherë të cekte fundin.
-Ju keni të drejtë, kishte folur ai me ankthin e gabimit vizatuar në fytyrë që manifestohej me bulëza të ftohta djerse.
I pa drejt në sy dhe duke mbytur fundin e një frymëmarrje përsëriti;
-Keni të drejtë pasi ju nuk dini …
– Si mund ta dini ju që fëjëria ime ka qenë një ferr i vërtetë. Ç’dini ju?! Bërtiti befas ai gjysëm burri, aq sa jehona e zërit të tij vuri një kapak heshtjeje.
Të gjithë u tkurrën.
Kam filluar të punoj që në moshën 14 vjeç me tim atë punëdhënësi im, që më rrihte sa herë që diçka s’shkonte mirë,
ndërsa nëna s’bënte asgjë për ta ndaluar. Vetëm alkoli më shpëtonte nga ulërimat e tyre dhe gjumi i vdekjes.
Rrokullisi dy lot e vijoi;
-Dhimbja që jetova nuk e ka braktisur për asnjë çast kurmin tim, nuk fshihet ajo askund, ka mbetur si një njollë e verbër dhe vetëm një metamorfozë e ngadaltë mund të më ndihmojë ta harroj atje në një sfond të errët, për të jetuar sadopak ditët në vijim pa peshën e atij mundimi. Ajo do të jetë gjithmonë e pranishme, -foli teksa zbriste një vel trishtim në fytyrë, -si një e kaluar e hidhur, si një heshtje që çjerr, por sjellja juaj sigurisht s’më ndihmon, një fjalë më pak, ndoshta…
Të gjithë ulën kokën të turpëruar, pasi ajo çfarë ai rrëfeu tronditi dhe muret.
 
 
 
Rituali i përkundjes së shilarësit
 
Ditët udhëtonin me ritmin e tyre të ngadaltë të mbushura me monotoninë e përhershme ndërsa mëngjeset dhe mbrëmjet vazhdonin të ishin ende të freskëta.
Një drithërimë i përshkoi tërë trupin dhe i kujtoi të mbërthente zinxhirin e xhaketës deri në fund.
Mbrëmjeve ndërtesat kyçnin portat e drunjta, kurse fenerët e hekurt të udhës mbuloheshin nga një vel mjegulle që i bënte të dukeshin ende më të zbehtë. Kambana e qytetit shponte qiejt me tingujt e saj të mprehtë . Retë luanin duke pikturuar forma të ndryshme dhe here – herë çelnin ndonjë frëngji prarimit të verbër të Hënës, kurse kreshta e malit ruante shtresën e bardhë të dëborës.
Mureve të vjetër të ndërtesave tek tuk çilte ndonjë lule kokëfortë, ndërsa trëndafilat e majit ngrinin kryet mbi avllitë e larta.
Një zotëri shtatlartë e i shëndoshë në fytyrën e të cilit gjithnjë shfaqej një nënqeshje shpotitëse, tashmë në pension vinte qark vilës së tij madhështore. E kishte mbushur me vazo lulesh të mëdha e rrethuar me kangjella të çuditshme, ngjyrosur në mënyrë maniakale e me maja të mprehta që dukej sikur thernin ajrin. Sa herë kalonte andej, zotëria me buzëqeshjen pothuaj të stamposur përshëndeste duke ngritur dorën.
-Hej, je mirë, ditë të bukur!
Një ditë kishte zbritur në rrugë e kishte folur me një trishtim të theksuar në fytyrë:
-Oborri s’më pëlqen shumë, do ta shkul e do të vë pllaka porfiri.
– Për këtë je mërzitur – i tha dikush?
-Do të krijoj dekoracione e forma të ndryshme e më pas të mbjell sërish lule, kishte vijuar të fliste gjithë pasion ai. – Do të shikoni sa bukur do të jetë.
Dy ditë më vonë një skavator i madh shkulte gjithë betonin e oborrit, ndërsa ai me një zetor të kuq largonte materialet. Nuk ndalonte së lyeri kangjellat e krahut tjetër, ndonëse koha ishte gati për shi.
-U fliste të gjithë kalimtarëve e u tregonte I ngazëllyer për pamjen që vila e tij e madhe do të merrte më pas. U fliste edhe punëtorëve për një punë më të shpejtë, pasi shtëpia ishte në cep të rrugës dhe pengonte qarkullimin e zakonshëm. Për një ulje të mundshme çmimi, u fliste në mbrëmje.
Herë herë merrte ndonjë picë e para se të largohej nga aty, numëronte me skrupolozitet të madh qindarkat e kusurit. Sistematikisht pyeste nëse ato qindarka i mjaftonin për një akullore, ndonëse, jo, por pronarët e lokalit ia ofronin gjithësesi. Përditë e njëjta skenë.
Burri jetonte i vetëm në atë ngrehinë 4 katëshe. S’ kishte dashur kurrë të martohej pasi kishte patur frikë se gratë mund t’i mernin pasurinë, shtëpinë, gjithçka.
Në atë rrëmujë materialesh diçka i kishte shpuar këmbën, por s’i kishte dhënë rëndësi.
S’kishte vajtur në farmaci e as në spital. Këmba u përkeqësua derisa nuk lëvizte më dot.
Telefonoi që t’i dërgonin ushqimin në shtëpi duke u kujtuar se nuk duhet të kalonte koston e stabilizuar…
Në mëngjes herët ambulanca me drita të ndezura ndaloi në oborrin e tij të zhbërë. E dërguan me urgjencë në spital.
Pak orë më vonë u mor vesh se kishte përfunduar në sallën e operacionit, ku i kishin prerë këmbën.
Punëtorët vijuan punimet edhe pa prezencën e tij, ndërruan oborrin ndërsa nipërit u përkujdesën për lulet e pastrimin e ndërtesës së trishtë.
Asnjëherë s’u ulen në shilarësen e tij, ia kishin frikë dhe hijen…
Kur doli nga spitali, kërkoi ta shoqëronin me karrocë rreth e qark shtëpisë e të kontrollonte.
Nuk reshti asnjë çast së foluri për punimet në oborr, për shkallët e mermerta, për vazot moderrne e për kangjellat e punuara nga vetë ai.
Ashtu i zbehtë e i lodhur ngriti telefonin dhe kërkoi t’i dërgohej mundësisht ushqimi në shtëpi.
Nuk harroi të bënte të njejtat rakomandime mbi çmiminn, masën e porcioneve dhe akulloren, ndërsa
shilarësi vazhdonte rituialin e përkundjes së boshatisur në ajër.
 
 
 
Me gjilpërë në dorë
 
Ngjiti shkallët me ngut, si për ti shpëtuar asaj dite të lodhshme që e njoftonte se java mbaroi dhe të nesëmen e kishte pushim. Kur hyri brenda, vështroi me kënaqësi kotelen e kuqërremtë që priste si përnatë. Buzëqeshi e më pas hodhi sytë nga kati i dytë i banesës, në dhomën e cila shikonte nga kodra e qepur me lisa të gjatë që vishte xhamat me një cohë të hollë mjergulle. Kur hyri në sallon nën dritën e zbehtë të llambës pa të shoqin që dridhej i tëri. Lëshoi një pasthirrmë.
-Bën shumë ftohtë, kishte folur ai teksa shtrëngonte cepin e batanijes, ndërsa dhimbjet e befta i shkaktonin ethe dhe bulëza djerse të ftohta në ballë.
Që kur hapi derën, ajo në fakt pati parandjenjën se diçka nuk shkonte mirë, pasi ai nuk ishte në hyrje për ta pritur si përherë. Pa fytyrën e tij të bardhë si të qe prej allçie, ndërsa sytë i mbante kyçur fort.
Instiktivisht hodhi disa hapa të pakontrolluar dhe e alarmuar ju drejtua:
-Do shkojmë në spital, tani, urgjent…!
I afroi këpucët e i hodhi një mbulesë të ngrohtë krahëve. Më pas zbritën ngadalë shkallët dhe hipën në makinë. Me të mbërritur në spital, një mjek i shoqëroi brenda në sallën e emergjencës. Ai filloi të sqaronte sintomat dhe përkeqësimin e beftë, ndërsa ata merrnin të dhënat e njëkohësisht ofronin ndihmën e parë. Humbi mes tyre në koridorin e gjatë ndërsa ajo shtrëngonte fort çantën e saj të dorës. Ishte një heshtje e shurdhër. Beftas dera kryesore u hap dhe u shfaq një mjek. Ajo brofi në këmbë dhe ju drejtua menjëherë për ta pyetur për gjendjen e tij. Me një buzëqeshje të lehtë, i tha se duhej të priste. U shtrëngua dhe më fort në ndenjësen e sallës së pritjes. Për një çast pati frikë. Nata qe e qetë dhe fatmirësisht nuk kishte shumë urgjenca. Vështronte gjithnjë nga derën e bardhë që hapej e mbyllej me puls të dridhur dhe intesitet, duke shpresuar se i shoqi do shfaqej nga momenti në moment.
Asgjë, vijoi të dëgjonte lajmet, të shfletonte revistat që ishin në një tavolinë të vogël katrore enkas për njerëzit në këtë sallë, ndërsa mendime nga më të çuditshme i pushtonin memorien.
Sakaq pa të shfaqej në portë i shoqi. Bashkë me të dhe një mjek që e shoqëronte me këshillat e rastit.
Asgjë për t’ u shqetësuar, i tha ai, më tëpër për ti hequr shqetësimin asaj. Ajo falenderoi doktorin dhe i hodhi xhaketën supeve. Hipën në makinë dhe u nisën për në shtëpi.
– Ishte një ftohje e zakonshme dhe bëra dhe një serum për temperaturën. Normal jo nga ato serumet që bëjmë në vendin tonë, kur në një rast desh më bëri reaksion dhe ti, sot s’ do kishe mundësinë fare as të më shoqëroje- qeshi ai.
– Ti je i çmendur- i tha jo, dhe u lehtësua plotësisht nga ankthi i mbledhur.
Mbërritën në shtëpi dhe ajo u afrua në guzhinë për të përgatitur ushqimin e çastit.
– Më bëj dhe mua diçka dietike – tha ai teksa u shtri prapë në divan.
-Po ti nuk mund të hash ende, se mund të keqësohesh sërish.
Pas pak i filluan përsëri ethet. Instiktivisht pa recetën mbi tavolinë. E mbuloi me batanije, e këshilloi të mos lëvizte, ndërsa vetë doli prapë në oborr, Mori makinën dhe u vu në kërkim të farmacisë që ishte hapur gjatë natës.
Ishte ftohtë dhe dita dukej se po zbriste ngadalë.
Farmacistja mori recetën e i foli nga ana tjetër e një kangjelle veshur me xham të errët.
-Po shiringa keni në shtëpi zonjë – ju drejtua ajo.
– Shiringat?! Për çfarë?!
– Janë injeksione zonjë në muskul, nuk mund t’i marrë në formë tjetër ilaçet ose dërgoje në spital sërish. Atje ose i bëjnë me serum ose i injektojnë direkt
-Jo, ja priti e hutuar ajo, mi jepni ju lutem. Mund të thërras një infermiere dhe vijoi të paguajë.
Ai qëndronte i shtrirë në divan, ndërsa vështronte dhe më i habitur kur pa atë pako me gjilpëra .
-Gati je. Ke besim ?! Këto të ka dhënë mjeku, ndërsa i rrotullonte para syve shiringën.
Qeshën të dy me zë
-Po po, deri në vdekje, kishte folur ai duke u bërë gati në shenjë aprovimi për injeksionin.
Tashmë mëngjesi kishte zbritur pas asaj nate të gjatë e rraskapitëse ndërsa ajo e vështronte me një gotë çaji në dorë,
si të donte të ngrohte shpirtin.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s