Vështrim analitik dhe përmbajtësor i dy përmbledhjeve me poezi të poetes Behare Daja Kasa  / Nga: Naim Nuredini

 
Behare Daja Kasa
 
 
Vështrim analitik dhe përmbajtësor i dy përmbledhjeve me poezi të poetes Behare Daja Kasa 
 
 
Preludi i buzëqeshjeve në poezitë e poetes BEHARE DAJA KASA
 
Hapësira krijuese shqiptare po pasurohet çdo ditë me krijime të llojllojshme letrare dhe krijues e krijuese të reja që po e pasurojnë, po e freskojnë dhe po ia shtojnë vlerën, jo vetëm numerikisht, por edhe artistikisht letërsisë në përgjithësi dhe poezisë në veçanti.
Një kontribut të tillë me vlera letraro-artistike është duke dhënë poetja e talentuar dhe e dëshmuar Behare Daja Kasa gati çdo ditë me postimet e veta në rrjetet sociale, por edhe me veprat e saj, që para një viti panë dritën e botimit dhe u bën pjesë e ushqimit tonë shpirtëror: “PRELUD” dhe “BUZËESHJE”, të cilat ndritën krijimtarinë tonë artistike.
Për këto dy vepra letrare do të flas, më mirë të them do të shkruaj në këtë vështrim timin modest.
Vepra e parë “PRELUD”, (PRELUD,-i m.-sh.-E,-ET. 1. muz. Pjesa hyrëse në një vepër muzikore; pjesë e vogël muzikore, që qëndron më vete: Preludi i simfonisë.
2. fig. libr. Diçka që i paraprin një ngjarjeje, një veprimtarie etj. ose që shërben si fillim i diçkaje tjetër. Preludi i revolucioni.),-Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, fq. 1539. Ky libër paralajmëron dhe i paraprin një veprimtarie të tërë krijuese të poetes Behare, që pasohet edhe me veprën “BUZËQESHJE”, (BUZËQESHJ/E, -A f, sh. –E, -ET.
 
1. Veprimi sipas foljes Buzëqesh.
 
2. lëvizje e lehtëe buzëve, që shpreh ndjenja të ndryshme, gjendje të ndryshme shpirtërore(gëzim, kënaqësi, qesëndi, tallje etj.) – Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, fq. 206.
 
Që në leximin e vargjeve të para të poezive kupton, se të ke të bësh më një poete që ka një hartë të gjerë krijuese me tematika të llojllojshme dhe me vargje të nduarnduarshme të brumosura nga ngjarje jetësore dhe të frymëzuara nga përditshmëria jonë, të cilat janë strukturuar mjeshtërisht në përmbajtje dhe në brendi kanë ndjenja të thella shpirtërore.
Në të dy veprat temë e pakalueshme dhe e lëvruar më ndjenja të thella emocionale është ajo familjare, në të cilën ajo derdh në vargje gëzimin për fëmijët: “DASHURI –sime bijë”: “Buzëmbrëmje e përflakur je,/Si diell kur kuqëlon në perëndim,/Me të praruarat shkëndija fle,/E mira ime, ti, e imja bijë.” dhe “DASHURI –tim biri”,: “Për mua ngelesh drita e syve të ballit,/Ndërsa bekimet nuk do të rreshtin kurrë…/Biri im,/Njëqind vjeç dashuria ime e jetës!”.
Bashkudhëtarit të jetës së saj, i thur vargje me të gjitha mirëkuptimet dhe zënkat ndonjëherë “AROMË DASHURIE”, ”DITËT TONA” – tim shoqi: “Nëse një ditë në Parajsë kam për të fjetur,/Ti aromëmiri im do më skalitësh në përjetësi,/Për ty do të ngelem një gonxhe e posa çelur,/Që më mbështolle me të madhen dashuri.”.
Vetes “VJESHTA IME” – si për ditëlindje: “Por vjeshtën jo, s’dua ta lëndoj kurrë,/Me hapa të lehta tek eci, të mos i lëndoj,/me vështrime e buzëqeshje lavde i thur,/Me zërat e natyrës bashkohen, ninulla i këndoj”.
Me vargje melankolie, dhimbje dhe kujtimi për dy prindërit e saj “KUJTIMI YT”, “Mall”,”MUNGESË” –nënës sime dhe babait: “Ashtu, rrudhafisnike mbi ballin e artë,/Me zemrën plot, sa një oqean,/Të zhutem në hijeshinë tënde pa skaj,/Ndonëse edhe vetë nënë sot jam.” ose “Shumë herë për nënën kam shkruar,/Por e di se mëri nuk më mban,/Tani nuk më thua si dikur:/”Po ti nënën e do më shumë, moj vajzë?”.
Poezitë familjare janë ndjeshmëria, frymëzimi për jetë, dashuria prindërore dhe mallëngjimi i autores.
Edhe gjendja shpirtërore është thur mjeshtërisht dhe emocionalisht në poezitë e strukturuara shkëlqyeshëm si në përmbajtje ashtu edhe në formë: “HESHTJE”: “Ashtu qetësisht para heshtjes qëndroj,/E shoh në sy dhe i flas ngadalë,/Sepse pa njëra-tjetrën s’bëjmë dot,/Unë dhe heshtja ime hiqemi zvarrë.). “BUKURIA PA FJALË”: “Bururia të flet, të thërret më zjarr,/Dhe ti me endje i shkon pranë,/Dallgëtrazuar petlat shpërndan,/Thjeshtësi bukurie, pa fjalë…veç mall.”.
Si çdo krijues dhe krijuese edhe poetja Behare Daja Kasa nuk mund të lë anash temën e atdheut, atdhedashurinë, vendlindjes, gjendjen ekonomike e politike të atdheut dhe si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike të atdheut, të punësimit dhe mangësive të tjera, largimin e të rinjve nga atdheu dhe marrjen e rrugës së mërgimit, për një jetë më të mirë, por që shpeshherë është një rrugë plot sakrifica, të papritura dhe vështirësi dhe si pasojë e kësaj më i madh është zhgënjimi sesa pritja e atyre që marrin rrugën e mërgimit, si në poezinë: “VENDLINDJE”: “Dashuri të kam ty, shtëpi e gurtë,/Me trarë të nxirë nga bloza e tymi,/Ku zjarri flakëron nën oxhakun e murrmë,/Ku më lumturon e më ngroh shpirtin”
Autoren e tmerron largimi i të rinjve nga atdheu këmbëzbathur, zemërvrarë, të brengosur nga vendi i tyre fisnik dhe shtegtimi i tyre drejt të panjohurës dhe të papriturave: “KOHË IKJESH” “Porsi zogjtë që shtegtojnë ngahera,/Po lë vatrat zbrazur e bukura rini.)
Dashurisë për gjuhën e ëmbël shqipe i këndon me ndjenja të pastërta të një arsimtareje që me vite ua ligjëron nxënësve të saj. Nuk i këndon jo vetëm gjuhës, por çdo gjëje shqiptare, na kujton me emocione, që nga veshja e deri te ushqimi, duke na kujtuar kohën kur flisnim, hanim, pinim, fitonim, deheshim, martoheshim, mbillnim, korrnim, këndonim, vallëzonim, pleqëronim, vdisnim e varroseshim shqiptarisht, ndërsa sot në emër të modernizimit me “perëndizëm” dhe “evropianizëm”, flasin e përdorin fjalë të huaja edhe kur s’është nevoja, si në poezinë: ”SHQIPARISHTJA E VRARË”: “Hanin dhe pinim shqiptarisht,/Shqiptarisht u dehem,/Dhe dasmat i bëmë,/Dhe tokën e tundëm me valle,/Shqiparisht…”.
Edhe humanizmi, mirësia dhe mjerimi janë tema, në të cilat autorja derdh ndjenja dhe emocione prej nëne, profesoreshe dhe gruaje. Në poezinë ”VETËM NJË ÇAST”, ajo thotë: “Veç një çast dëshirova një lule të isha,/Aroma ime të mbushte gjithë fushën,/Mijëra flutura mbi trupin tim të kisha,/Një lule maji të më zbukuroj gushën.” ose në poezinë: “ZOTI TË DHASHTË” na kujton shprehjen e dhimbshme të Migjenit, që për fat të keq është ende e gjallë dhe frymon në rrugët e qyteteve, të fshatrave dhe të skutave të ndryshme: “Me vështimin e akullt e të ftohtë,/Ku edhe gjakun ta ngrin në damarë,/Mjerani dhe mjerimi duart zgjat:/”Më jep një qindarkë, zoti të faltë!”.
Në veprën “PRELUD” ka çfarë të lexohet, ndjehet dhe përjetohet, prandaj unë preka vetëm disa poezi e vargje, të cilat do të nxisin dhe do të shtyejnë adhuruesit e poezisë, artdashësit e fjalës së bukur artistike të shkruar ta lexojnë me kurreshtje tërë veprën dhe të ndjejnë vargun e ngohtë të poetes së dëshmuar Behare Daja Kasa dhe të ushqehen me art të vërtetë, ku autorja me pozitivitet, harmoni, optimizëm dhe ndonjëherë edhe me zhgënjim deri në revoltë e plotëson jetën tonë aristike e shpirtërore.
Në veprën e dytë “BUZËQESHJE” poetja na fton të lëmë anash shpifjet, urrejtjet, zilitë dhe të duam, nderojmë e respektojmë njëri-tjetrin dhe me buzëqeshje të hapërojmë drejt agimeve dhe ujësive. Në këtë vepër ka edhe thirrje dhe dëshira, që lumturia të mbizotërojë zemërimin, prandaj në poezinë “DËSHIRË”, ajo thotë: “Një strehëz do t’i qëndis qiellit me dashuri,/Që më të ëmblën shtëpi të më ngjajë.”.
Poetja dashurisë i jep jetë, e paraqet si hyjnore dhe e himnizon. Ndjenjat e dashurisë i shfaq spontanisht, çiltërsisht, fuqishëm në vargjet e poezive të saj, në të cilat çdo lexues gjen diçka nga vetja e tij. Ajo e do njeriun, bashkudhëtarin e jetës së saj duke gatuar vargje zemre e shpirti në poezitë e saj, si një penë e kultivimit të lartë artistik, si në vargjet: “Lermë të dua siç di unë, ngadalë,/Ashtu me thjeshtësinë time, çmendurisht,/Të të jap butësinë time plot me mall,/Me buzëqeshjen time prej perëndish.”.
Revoltohet ndaj padrejtësive, moskujdesjes së pushtetit dhe pushtetarëve për popullit, si në vargjet e poezisë “HIPOKRIZI”: “I rëndë ky ajër, dita është pa ngjyra,/Më vret hipokrizia e kësaj shoqërie,/Këmbët shtrirë nëpër kafenetë e ndyera,/Me fjalët flluska e me gota rakie.” ose me vargjet e poezisë “MARRËZI”: “Në djall të gjithë vafshi!”.
Në të dy veprat e saj autorja vë në qendër të vëmendjes femrën, gruan, të cilën e përshkruan me virtytet më të larta njerëzore, shoqërore dhe humanitare. Shkruan për qytetin e saj, për stinët, për atdheun, për mërgimin, për dashurinë, për ndërrimine motmoteve, për gëzimet e hidhërimet që sjellë jeta.
Në veprat e saj ajo flet, më mirë të them shkruan më gjuhën e shpirtit, me fjalët e zemrës, me shikim, me buzëqeshje, me aromën e luleve, me ëndrrat për hënën duke nxjerrë në pah, që po deshe lule e mirësi ka në çdo stinë dhe ka një peng për veten e saj, të cilin e shpreh bukur emocionalisht dhe artistikisht në poezinë “EPITAF PËR VETEN”: “Kam një peng në zemrën time,/Kam një peng e dot s’e mbaj,/Si do të qajnë në mortën time,/Nga zilia apo nga ndonjë mall.”.
Ndonjëherë poezitë e Behares kanë në brendësinë e tyre trishtimin, sepse edhe jeta nuk është kurdoherë e lumtur, prandaj ajo shkruan për dhimbjen, humbjen e ndonjë të afërmi, mospajtimin etj., të cilat janë strukturuar e mbërthyer mjeshtërisht në vargjet e poezive.
Poezitë e autores në të shumtën e rasteve janë të strukturuara në strofa me katër vargje, me rimë, me muzikalitet, ritëm dhe kolorit figurash letrare, por ajo përdor me mjaft sukses edhe poezi me strofa me tri vargje (Dëlirësi, Rruga ime), me dy vargje (Qyteti im). Por bukurinë artistike poezive të Behares ia shtojnë edhe poezitë me strofa të kombinuara me dy, tri, katër, pesë e më shumë vargje. Poetja përveç vargjeve të arrira metrike përdor edhe vargjet e lira dhe poezitë kolonë, të cilat na dëshmojnë për diapazonin e gjerë krijues të gjithanshëm të poetes.
Po a ka ndonjë lëshim në veprat e Behares?
Përveç ndonjë lëshimi të vogël drejtshkrimor, që mund të jenë lëshime të shtypshkronjës, si: dlirësi,t’a, m’a, vallzuan, zemren, të argjend’të, çelsin, ze etj., veprat kanë një nivel të lartë artistik, përmbajtësor, drejtshkrimor dhe strukturor.
Kurreshtjen dhe interesimin e lexuesit e shtojnë edhe përdorimi i trepikëshit, pikave të heshtjes, në vargjet e poezive të poetes.
Për fund.- Këto dy përmbledhje të poezive të autores Behare Daja Kasa nxjerrin në sipërfaqe një penë të mprehtë krijuese dhe një lëvruese të kujdesshme të vargut shqip, duke i dhënë një kontribut të pamohueshëm krijimtarisë letrare shqiptare në ditët e sotme. Janë përmbledhje poetike, që të rrrëmbejnë dhe nuk të lënë të largohesh pa i lexuar me një frymë, sepse në to gjen përditshmërinë tonë.
Poetes i urojmë suksese me këto dy vepra dhe i urojmë të vazhdojë rrugën e krijimtarisë letrare.
 
Nga: Naim Nuredini
 
 

Prelud

Buzëqeshje

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s