Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
Pjesë e lojës…
 
Përgjimi i vetes gjer në limite është shenjë vetvrasjeje
Çasti kur zemra kthehet në kambanëz argjendi,
Kraharori – në kishë
Dhe dymbëdhjetë brinjët – apostuj lexojnë psallme.
Kur përgjimi i vetes kapërcen kufijtë e paranojës
Ti ndjen se rreth teje ka shumë rrathë
Si rreth një guri të sapo hedhur në suprinën e liqenit të zi
Nga dikush që ka fshehur dorën. Pjesë e lojës.
Nëse ti je pjesë e lojës, ku janë rrathët rreth teje
Apo janë kthyer në hallka të tejdukshme?
Një kishë e mbushur me rrathë, kambana prej argjendi
Dhe nga kryqi vjen një e qeshur e hidhur: thyerje kristali.
 
 
THYERJA E DORËS
 
Unë theva dorën
mjeku popullor zhvoshku shelgun
dora e shelgut qau
parakrahu m’u vesh me lëkurën e shelgut
eshtrat e mia nën shelg ngjiteshin
vetëm pesë gishtërinjtë
të bindur nga një ligj i çuditshëm
vareshin, vareshin, vareshin…
 
Nëna u trondit
mjeku popullor u tremb
gabimisht më kish shartuar me shelg
shelgu varej mbi lumë
puthte Ofelinë e mbytur
lozte me princin e kthyer në Bretk.
 
Unë ndjeja fyej poshtë lëkurës
muzika ime ringjallte Ofelinë
kthehej në puthje për Bretkun princ
pesë gishtërinjtë e mi u bënë rrema
shelgu-varkë…
 
Kam shumë dhembje, nënë…
 
 
TEK E SHKUARA…
 
Vizitova të shkuarën: e kisha lënë të re, m’u shfaq e rrënuar
“Mirëmbrëma”, i them. Ajo më pyet: Mos jeni vjedhës?…
-Jo, i them, kam ardhur të shoh oborrin…
-Oborrit ia vodhën kumbullën e kuqe
E bëmë dru zjarri për dimrin e egër
O Zot, dhe flakët i kish cipëza kumbullash të pjekur!…
Mos kini ardhur për të vjedhur?…
-Oh, jo, erdha të shoh pusin në oborr.
-E mbyllëm. Ishte si një sy i keq
Vajzat e lodhura këtu donin të mbyteshin
Ngaqë qielli valëvitet edhe poshtë.
…Po ç’mund të vidhni në këtë shtëpi të vjetër?
Dyert i morën vjeshtën që shkoi: i duhen Parajsës, më thanë
Dritaret m’i morën se u duheshin mëngjeseve të përplasen zogjtë.
…Nëse s’ke ardhur të vjedhësh dhe je Vdekja: më merr
Më ço te kumbulla e kuqe, te pusi i vajzave me sy nga qielli
Te dyert dhe dritaret e mia… kam ëndërruar Parajsën këtu në Ferr.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s