Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
MIQ TË VJETËR
 
Këmbëkryq
     ulur dëshpërimi
                   mbi hijen time,
            herë e mbart mbi shpinë,
                      herë më tërheq zvarrë.
Siamez të ishim
           aq shumë s’do ngjanim!
 
Miq hallesh
          këmbejmë rrudha mendimi,
                                  herë shtigjet i hap unë,
                                                  herë dëshpërimi.
 
Eh,
  dhe në kohët e reja
                 mbetëm miq të vjetër
                        dëshpërimi s’gjen dot si unë,
                   por dhe unë s’gjej dot tjetër!…
 
Ecim nëpër rrugë
     krrusur nga trishtimi,
          shtigjet që mbyll unë,
                       i hap dëshpërimi!
 
 
DËGJOJ NJË TROK
 
Dëgjoj një trok të largët, larg
Si jehonë orteku vjen e afrohet
Të jet ylber!? Ylberi është fat
Ç’të jet ky trok që po vonohet?
 
Dëgjoj një këngë, këngë zemre
Bashkë me ortekun në rropamë
Ngjyrosur e tëra me bojë ëndrre
Siç ndodh në dashurin e parë.
 
Dëgjoj një lutje, një lutje shpirti
Do ngre për të një tempull me lot
S’do më mjaftonin muajt e një viti
Ndoshta gjithë vitet të ikin me trok.
 
Dëgjoj dhe veten të flas me vete
Kujtoj zjarrin e psherëtimave të tua
E vogël zemra dhe mban kaq tërmete!
Ndodh kudo, apo vetëm mua?
 
***
Dëgjoj një trok që s’di të ndalet
Do dal ta pres tek porta e diellit
Tek tempulli i lotit, atje do falem
Derisa të ndizen dy urat e ylberit.
 
 
 
KORBA KËNGËTARË
 
Sa pak dritë në syt’e yjeve,
Sa shumë akull në buzë të hënës!
Sa shumë frikë në gjoks të pyjeve,
Sa pak shpresë në qiell të ëndrrës!
 
Sa shumë helm në mjalt të bletës,
Sa pak besë në fjalë të burrit!
Sa shumë blozë mbi të vërtetën,
Sa pak forcë në palcë të gurit!
 
Sa shumë gjak kërkon nata,
Sa pak tokë ka mbet për varret!
Sa shumë lotë po pikon bota,
Polet po tkurren nga hallet!
 
Sa pak muzë në rimë të vargut,
Sa shumë vargje pa nektar!
Sa pak diell në prag të agut,
Sa shumë korba këngëtarë!
 
Sa shumë fjalë, fjalë, fjalë,
Sa pak djersë me kristal djerse!
Sa shumë baltë për të sharë,
Sa pak faj mbajmë për vete!
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s