Poezi nga Nikolla Spathari

 
Poezi nga Nikolla  Spathari
 
 
ANIJA E MBRËMJES
 
Ne e pamë anijen kur vinte,
Mitologjia e detit mbeti në hije.
Ti rrije e mbështetur në trungun e një pishe,
Që nesër mund të bëhej anije.
 
Ndofta, prandaj, që nga kohë e Noes
Anijet kanë sjellur aq lumturi,
Se kur ishin drunj mes gjelbërimi të pyllit
Mbështeteshin në to të tilla perëndi.
 
 
PARA PORTRETIT TË DANTES
 
Përse e bëre Danten kaq të zemëruar,
O mjeshtër i madh, Rafael?
Mbase e dije se ai s’e deshi kështu këtë botë të mallkuar,
Që e degdisi në Ferr…
 
Por sot s’i përfill kohrat,
Dhe dal të të pyes, në cep të një reje:
Sikur të jetoje në shekullin njëzet,
Portretin tim si do t’a bëje?
 
Sigurisht
Do më bëje po kaq të zemëruar,
Në një sfond të nxirë sterr,
Zemërimi i Dantes, tek unë është qindrafishuar
Pa çka, se s’kam këllqe të bëj një Ferr.
 
 
E BUKUR SI NJË DEZDEMONË
 
Poezinë për ty,
E bëra në një mëngjes prilli
Kur po shkrinte bora,
Ti rrije, e bukur, si një Dezdemonë,
Mbi dy metafora.
 
I përsërisnim vargjet nëpër hije
Dhe kurrë
S’i hodhëm në letër,
Një ditë qershori
Ti i shkrove mbi një gur,
Si Majatë kalendarin e vjetër.
 
Në ç’mur të jetë vënë ai gur,
Mbushur
Me ndjenjat e mia?
Në fund të fundit një gur i humbur është ai,
Dezdemonave u mjafton bukuria…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s