ËNGJËJT E ISOPOLIFONISË (Engjëjt e Gjirokastrës III) / Nga: Timo Mërkuri

 
Timo Mërkuri
 
 
ENGJËJT E ISOPOLIFONISË
 
Engjëjt e Gjirokastrës III
 
Gjithmon më ka tërhequr vëmëndjen stili i veçantë i këngës isopolifonike gjirokastrite, një stil i shtruar që të bën për vehte me ëmbëlsinë e tij dhe kam vrarë mëndjen: pse ky stil kaq i ndryshëm nga trevat përeth. Realisht Gjirokastra është në mes të Toskërisë dhe trevat fqinjë janë Himara, Skrapari dhe Çamëria, por të kënduarit gjirokastrit është larg stilit isopolifonik të tyre. Trevat fqinje dallohen për një iso dhe hedhës të fuqishëm[1] të këngës, që të duket si krismë pushke. Përkundër këtyre, kënga gjirokastrite ka një elegancë, finesë dhe ëmbëlsi të pa shoqe, që të kujton të biseduarit e këndshëm dhe zë ulët të një vajze. Duke qënë se kemi të bëjmë me të njëjtën këngë, e cila i ka të njëjtët zëra në të gjithë trevat[2], le të shohim historinë e komunitetit gjirokastrit me mendimin e gjetjes së “burimit” të ndryshimit.
I- Gjirokastra përmëndet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336 si qëndër feudi e Zenebishtëve, ndonëse historianë të ndryshëm mendojnë se kështjella është ringritur mbi themelet e një kështjelle më të herëshme[3]. Duke qënë qytet me 200 shtëpi[4] brenda kështjellës, kuptohet që kemin të bëjmë me një komunitet të hersshëm, të konsoliduar, që zhvillonte një jetë sipas dokeve e traditave të herëshme epirote. Ky komunitet së bashku me forcat ushtarake të Gjin Zenevishës e përballoi sulmin e parë osman në verën e vitit 1418, por kur turqit u rikthyen përsëri në vjeshtë, pasi kishte vdekur prijësi, kështjella ra dhe qyteti iu nënshtrua sundimit osman[5].
Filloi jeta e banorëve nën një pushtues të ardhur nga larg, të njohur për herë të parë në sulmin
e egër mbi kështjellë. Banorët gjirokastritë dhe ushtarë apo oficerë turq kur kryqëzozheshin në
rrugët e qytetit shiheshin vëngër sa që E.Çelebiu shkruan: “banorët e Gjirokastrës kanë
përgjithësisht një fizionomi të zymtë e të vrenjtur”[6].
Banorët vijuan të zgjeronin qytetin[7] me ndërtime të stilit bizantin, me mure rrethuese të larta që të kujtonin muret e kështjellës, ndërkohë që turqit ndërtuan me stilin otoman nja dy tri xhami objekte publike, objekte që frekuentoheshin kryesisht nga garnizoni ushtarak i kështjellës. Shumë shpejt numëri i shtëpive ariti në me 483 shtëpi në vitin 1583.
Pas vitit 1650 në Gjirokastër filloi procesi i konvertimit të banorëve në fenë islame[8]. Duhet të themi që Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, ku pushtuesi turk vrau e zhduku gjithë popullsinë e krishterë të qytetit[9], madje disa lagje të qytetit të Gjirokastrës dhe krahinat përballë mbajtën fenë e krishterë dhe vazhduan mardhëniet vllazërore me gjirokastritët që u konvertuan në islam. Këtë fakt e ka konstatuar edhe M. Çelebiu në vitin 1672, kur shkruan në veprën e tij: “Në ditë festash fetare, muhamedane apo të krishtera, gjirokastritët kanë zakon që “të veshur krejt me ar, pasi pinë mirë e mirë dhe e mbushin kokën me verë të kuqe, ..heqin e kërcejnë valle. Ky është një ves i keq i mohuesve të zotit, por… nuk e kanë për turp”, ( f.35) . ..“këtu nuk ekziston kurvëria e pederastia, sepse Gjirokastra është një vend burrërie. Vetëm një herë në vit gratë vizitojnë prindërit e tyre dhe nuk shëtisin fare gjetkë. Ato janë shumë të ndershme”.(f.36).
II-Në qoftë se Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, ajo pagoi pjesën e saj të riskut të dhunës së pushtuesit. Dhe dhuna ka disa mënyra çfaqjeje e përdorimi, që nga dhuna fizike te dhuna ushtarake, dhunë psikologjike dhe dhunë ekonomike apo dhunë indirekte si mosmarje të fëmijëve nizamë etj. Një ngjarje e pas viteve 1680 na dëshmon për dhunën e ushtruar nga pushtuesi. Kjo ngjarje ka ardhur te ne si këngë dhe flet për fatin e një dashurie mes një vajze myslimane nga lagje Cfakë me një djalë të krishterë nga Pazari i vjetër dhe ndërhyrjen mizore të pushtuesit mes të rinjve. Si gjithë të dashuruarit vajza po shkonte në takim me djaloshin në një natë me hënë dhe kur ariti te ura e Zerzebilit, ndoshta nga që pa së largu djaloshin, e hoqi apo e ngriti perçen e syrit. Një roje turk, që patrullonte me shokë, kishte ndjekur me sy vajzën, të cilën fillimisht e kishte pandehur për ndonjë grua plakë që lëviz nëpër natë nga pagjumësia, por kur pa që ngriti perçen e syrit dhe njohu që ishte vajzë, madje edhe kuptoi që po shkonte në takim me një djalë të krishterë, i zemëruar pse vajza kishte shkelur rregullat fetare e qëlloi dhe e vret.
Tek ne ka ardhur kënga e saj, që me siguri është teksti i vajtimit të vajzës: “Mu tek ura e
Zerzebilit/ Hanushe bil e Bakirit/Të vrau plumb i qafirit/ Pse hoqe perçen e sirit”. Teksti edhe si këngë kullon dhimbje, por dhe mes dhimbjes, si mes reve ne mund të shohim se:
-Fakti që ky tekst vajtimi na vjen si këngë dëshmon funksionimin e laboratorit krijues të popullit në procesin e shndrimit të vajtimit në këngë.
-Fakti që një vajzë myslimane dashurohet me një djalë të krishterë në kohën e konvertimit të banorëve të qytetit në islam dhe sidomos fakti që kjo vajzë shkon natën në takim me djaloshin , dëshmon një civilizim të spikatur femrës gjirokastrite mbi nivelin kulturor të kohës si dhe faktin që mardhëniet qytetare midis dy komuniteteve fetare ishin normale. Pikërisht këtij normalizimi të mardhënieve të dy komuniteteve u friksoheshin turqit.
-Fakti që kjo këngë mbriti në kohën tonë shpjegon se kjo këngë fillimisht ka jetuar si vajtim, pastaj u shndrua në logatje dhe shumë kohë më pas u shndrua në një këngë prekëse, që vajzat e trasmetojnë përmes lotëve brez pas brezi. Vrasja e një vajze të dashuruar dheb sidomos vrasja e vajzës në momentin që po shkon në takim nuk është një ngjarje që harrohet kollaj. Kjo vrasje ka rënë si një meteor në kujtesën e qytetit dhe mbeti aty për tu parë (dëgjuar) nga brezat që do vijnë.
Ajo që duam të theksojmë është fakti që ushtari turk qëllon dhe vret një vajzë muhamedane që po shkonte në takim me një djalë ortodoks pse ngriti perçen e syrit, akt që tregon se turqit e aplikuan me dhunë instalimin e fesë islame dhe konvertimin e popullsisë qytetare gjirokastrite në këtë fe dhe po me dhunë instaluan dhe autoritetin e fesë islame. Me gjithë këtë dhunë shtetërore dhe ushtarake, banorët e gjirokastrës zgjodhën fenë bektashiane tolerante përballë sekteve të rrepta, ofruar nga pushtuesi.
Ngjarja na tregon se në kohën kur ndodhi, vajzat dhe gratë kishin filluar të visheshin[10] me
stilin muhamedan, por lehtësia me të cilën vajza “e ngriti perçen e sirit” në momentin që pa djaloshin, tregon se ajo veshjen muhamedane (perçen) e përdorte vetëm si “një mbulesë fetare”
për momentet e pakta kur dilte nga shtëpia dhe nuk e kishte veshje të detyrueshme në familje.
Realisht ushtari turk, duke qëlluar mbi dashurinë e dy të rinjve qëlloi mbi botën shpirtërore gjirokastrite.
III-Ushtari turk qëlloi mbi botën shpirtërore gjirokastrite shkruam më sipër dhe ky fakt na shpie larg. Pjesë e botës shpirtërore është dhe arti gojor, mes të cilit më e rëndësishme është kënga isopolifonike. Kënga isopolifonike me atë kolektivitet këngëtarësh dhe dëgjuesish që kishte si në formë ashtu dhe në procesin e këngës dhe sidomos me ato “hedhjet” si thirrje lufte dhe “ison” si brohorimë luftëtarësh në sulm ishin tepër shqetësuese për pushtuesit. Ata vërtet që i mbushën mjediset private dhe publike me këngë dylberësh dhe valle çengish, por ato ndiqeshin vetëm nga ushtarakët dhe nëpunësit turq të qytetit, pasi qytetarët i shpërfillën.
Nëpër festa fetare qytetarëve u “lejoheshin” valle të kënduara, nënkuptimi i të cilave ishte i pazbërthyeshëm për pushtuesit. Ama të këndoje një këngë për komitët (si Shemo hajduti), jo vetëm që nuk lejohej, por ishte e dënueshme. Të këndoje këngë për bukurinë e një vajze qytetare dhe këtë këngë ta dëgjonin ushtarët turq, ishte si ti tundje demit para syve cohën e kuqe. Islamizimi do të thoshte të harroje çdo gjë shqiptare dhe sidomos të kënduarit isopolifonik, ku në çdo tre këngë njera ishte domosdo për heronjtë e luftrave antiturke, e dyta ishte për të ligat që pruri pushtuesi turk dhe e treta ishte për dashurinë e një vajze shqiptare. Njësoj si shkrimi shqip edhe kënga isopolifonike, sidomos në ambientet publike ishte e padëshiruar.
Në kushtet e trysnisë turke, banorët brenda qytetit ishin si të rrethuar dhe në pamundësi të këndonin këngët e tyre. Ishte e njëjta situatë me të krishterët në Romën e lashtë, ata s’mundnin të ushtronin publikisht ritet e besimit të tyre të ri. Megjithatë, forca e besimit dhe dashuria për të u dha zgjidhjen, ata i zbatuan ritet e tyre nëpër katakombet, shpellat dhe guvat e Romës duke e mbrojtur krishtërimin dhe të krishterët nga dhuna e pushtetit. Gjirokastritët ishin më fatlumë në këtë drejtim, ata kishin shtëpitë e tyre dhe i shndruan ato në kështjella të privatësisë. Muret e larta që rrethonin oborin pengonin shikimin e kalimtarit të rrugës të depërtonte nëpër ambientet e brendëshme. Realisht shtëpitë gjirokastrite qenë të tipit bizantin, ndonëse mobilimi i odave kishte marrë pjesërisht nga kultura osmane.
Nëpër oboret dhe në odat e shtëpive vajzat dhe gratë vallzonin dhe këndonin vallet dhe këngët e tyre. Burrat nëpër oda këndonin këngët isopolifonike, por gjithsesi droja ndaj dhunës së mundëshme të pushtuesit u imponoi disa modifikime stili dhe tonaliteti. Së pari u bënë më fine tekstet e këngëve duke kënduar për manxuranën e borzilokun, për lulen që “do shkojë krua më krua, të kërkoj gjurmët e tua” apo për një grua që vajton këngën “Laj fustanen e tim zot/Herë më ujë e herë me lot”. etj tekste që nuk përmbanin asgjë të rrezikëshme për dëgjuesin turk.
Po kështu ja përshtatën këngës vijën melodike sipas tekstit dhe situatës. “Marrësi” e uli tonalitetin e këngës, “hedhësi” këndonte gati në të njëjtin tonalitet me “marrësin” dhe i kushtonte rëndësi funksionit të tij si “zë” solo funksional në këngë, duke ruajtur nivelin dhe “ekulibrin” e zërave dhe të këngës, “pritësi” ishte thjeshtë një “kthesë”në rrugën e këngës, ku “marrësi” ngadalsonte këngën për tu rinisur përsëri me tonalitetin e mëparshëm. Ndërkohë tonaliteti i “iso” u fashit si një tallaz deti që nis të bjerë në bunacë.
Ky tonalitet dhe ky stil i të kënduarit nuk ta mbushte shpirtin, për këtë arsye zëri i “marrësit” të këngës ju përshtat të kënduarit në oda nga të kënduarit në natyrë. Ulja e tonalitetit të zërit të tij solli mënyrën e “shtruar”të të kënduarit, por kjo mënyrë kërkonte një vijë melodike fine, të ëmbël, e cila mund të realizohej vetëm nga mjeshtrat e vërtetë të këngës.
Kështu nisën të krijoheshin “shkollat” familjare të të mësuarit të këngës isopolifonike me vijën e re melodike isopolifonike dhe tekstet fine..Familjet Çenko, Çajupi, Çarçani, Çaçoli, Dobi, Koçiu, Abdalli ishin shkolla të përsosjes së këngës isopolifonike gjirokastrite, njëkohësisht edhe fidanishte të këngëtarëve popullorë që e trasmentonin këngën në popull. Gjirokastra e mbrojti këngën isopolifonike dhe këngëtarët në shtëpitë kështjella të tyre, madje e bëri këngën më të bukur, më fine, e stolisi si një nuse ditën e dasmës, për ta nxjerrë ne valle. Është tjetër gjë pse dasma u vonua shumë, por gjithsesi në Gjirokastër ju bë, në sheshin e kalasë, si një dasëm princeshe.
Është normale që të themi se shtëpitë gjirokastrite ishin “kështjella të këngës” po aq sa ishin edhe “shkolla të saj”. Ishin “kështjella të këngës” sepse bedenat e tyre nuk i kaluan kurrë këngët e dylberëve dhe vallet e çengive që ishin të dëshiruara dhe të urdhëruara të futeshin në botën isopolifonike. Ishin “shkolla të këngës” sepse krijuan variantin gjirokastrit të këngës isopolifonike por krijuan edhe një armatë këngëtarësh popullorë të rrafshit të epërm të këngës, të papërsaëritshëm në llojin e tyre. Megjithatë, duke i respektuar këto cilësime, unë mendoj se shtëpitë gjirokastrite më së shumti u shndruan në tempullin e këngës dhe këta këngëtarë ishin ëngjëjt që i dhanë frymë dhe i ruajtën e përsosën formën shqiptare variantit gjirokastrit të isopolifonisë. Nuk e di ku i kanë ikonat këta ëngjëj, por zërin ua dëgjojmë nëpër këngë edhe sot, sidomos te këngët e ëngjëjve të rinj.
 
________________________________________
[1] Kujto këngën himariote “Vajz’ e valeve”, këngën skrapariote “Mbeçë more shokë mbeçë” dhe këngën came “Mu te pusi i Sulejmanit”
[2] Zërat e këngës isopolifonike janë :marrësi, pritësi, hedhësi, dhe iso.
[3] ..të shkatëruar nga Paul Emili në vitin 167 p.e.s.
Zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V-II p.e.s,shekujt V-VII e.j., shekujt IX-X dhe shekujt XII – XIII
Sipas kronikanit turk Çelebiu, që vizitoi qytetin më 1672 “ Kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme. Krejt prej guri të gdhendur. Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi…” (Qyteti u zgjerua me 483 shtëpi në vitin 1583. Shën. im.T.M.).
Në librin e tij “Gjirokastra nëpër shekuj”, historiani Dilo, thekson ndër t: “…janë botuar shumë gjëra për themelimin e Gjirokastrës. Është Likofronti, poet grek, i cili në vargun 1117 shkruan se qyteti është homerik.
[4] Foto Malo në “Gjirokastra në sytë e Kadaresë“ thotë se: Qyteti, bërthama e tij ka ekzistuar më përpara kështjellës, ka patur mure e pastaj u ngrit kështjella, që populli i thotë kala. Jashtë kështjellës, në një lagje të veçantë, rrinin martallozët, mirëmbajtësit e saj. Dhe kjo është e besueshme.
[5] Barleti shkruan: “Në kohën e rrethimit të Beratit (1455) prej Skënderbeut, GIROCASTRUM ndodhej në duart e Turqëve
[6], (Evlyia Çelebia, “Shqipëria 350 vjet më parë”, Botimet Horizonti, 2003, f.34)
[7] M.Çelebiu“…Qyteti i hapur është vendosur mbi 8 kodra dhe luginat nga të gjitha anët e kalasë, me shtëpi shumëkatëshe, me çati prej guri dhe të rrethuara nga kopshte dhe hardhi. Secila nga këto shtëpi të ndërtuara mire, ka një kullë. Muret rrethuese të oborreve janë të ndërtuar me një lloj graniti të bardhë, punuar nga mjeshtra gurgdhendës, sikur të ishin tulla Ankaraje prej balte. Mure të tilla kanë si të pasurit ashtu edhe të varfërit”.
[8] Gjirokastriti i parë i konvertuari në islam ishte Yzeit Poshi.(Odise Kote: “Kronika Gjirokastër” 19 korrik 2020”) i cili u caktua nga turqit si regjistrues i pronave dhe familjeve.
[9] sipas kronikës së Evlyia Çelebisë.
[10] Gratë gjirokastrite vishnin tumane, por nuk mbanin perçe me përjashtim të plakave që mbanin shami koke të bardhë ose me ngjyra. Vajzat në mjedise publike mbanin perçe, por këto dalje ishin të rralla ndërsa burrat vishnin veshjet tradicionale të labërisë. M. Çelebiu shkruan: banorët gjirokastritë të asaj kohe “kanë veshje të çuditshme por shumë të pastra”. Realisht pas vitit 1900 në Gjirokastër filloi të fryjë era e perëndimit dhe u hoqën veshjet e stilit fetar muhamedan, fillimisht nga vajzat dhe më pas nga gratë e më von nga plakat. Erën perëndimore në Gjirokastër e sollën bijtë gjirokastritë që kishin shkuar me studime në Europë dhe kur u kthyen, sollën në familjet e tyre stilin europian të jetësës, stil dhe mënyrë jetese që u përhap në gjithë qytetin. Gjirokastra kishte superprodhim intelektual. Në një botim zyrtar përpara Luftës së Dytë Botërοre, përmendet që ishin 450 intelektualët në shkallë vendi, nga të cilët 250 ishin gjirokastritë.
 
…vijon…
 
Sarandë, më shtator 2021
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s