Poezi nga Marjeta Shatro Rrapaj


ANKTH PANDEMIE

Nata nxin,
gjithçka fshihet në errësirë
ne heshtim të shurdhuar mes ngjarjesh,
pa ëndrra, pa asnjë iluzion si vdekja.

Ankthi i së nesërmes na mbyt
Bota do të vazhdojë të rrotullohet
në Universin e zi,
e vetmuar, pa shoqëri…

Na dhimbset vetja,
na dhimbset ajo
lutemi për të, për ne
kërkojmë mëshirë
për ditët që do të vijnë,
për shpëtim shpirtrash e rrahje zemrash,
kobi të mos vijë asnjëherë pa lajmëruar.


NËPËR MJEGULLËN BOTË

Symbyllurazi ecim rrugës së jetës,
rrëzuar jemi sa herë,
gjakosur e ngritur sërish
për të ecur
shtigjeve tona të përvuajtjes
mbushur lot dhimbje
fatit tonë përherë në kryqëzim.

Vrapojmë për të arritur s’di ku,
ndoshta pavetëdijes sonë që na tërheq si lak
vëmendjeve të shurdhëta
për të paguar pafajësinë.

Mendësisë së të parëve tanë
që i faleshin dhe një gur të vetëm,
harruar mes erës e furtunës
që brente nga pak e thërrmohej
bashkë me shekujt tanë plot plagë.
Tashmë autostradat prekin vragat e tokës,
shkojnë Lindje – Perëndim
me sy mbyllur kërkojmë burimin e dritës.

Drejt rrezeve të reja,
ato nuk përflakin ngrohtësinë diell,
zemërimi ynë vlon në gjak,
mendime të trazuara
nëpër mjegullën botë
labirinteve të së panjohurës.


DETI

Në breg të detit luaj si fëmijë
mbi kokë qielli, kurorë dielli,
gjatësi valësh prehur shpirtit tim
në pafundësi humbet shikimi.

Paqe në kufijtë e horizontit,
gjelbërim i shenjtë ishullit,
era ngatërrestare trazon flokët,
deti shpërthen në stërkala të bardha,
harruar pas teje, magjisë së thellë blu

dëshira e heshtur, pragu i fundvjeshtës.


TË LUTEM

Të lutem, mos ma shkul zemrën,
mos ma përgjak ëndrrën,
mos ma pre gjuhën e heshtjes,
ndihem pranë zotit
mbrojtur në guaska deti.

Nuk gënjehem me fjalë nanuritëse,
besoj vetëm në peshën e fjalës,
kuptoj aq mirë mashtrimin optik të botës virtuale.

Jam e pafuqishme si qenie,
zhgënjehem nga natyrat egoiste,
preferoj më mirë vetminë e madhe.


HARRIMI

Harrohet shpejt
rastësia e pakuptimtë,
e pafajësisë së padëshiruar
në dimrin e nëmur
me braktisje si ndëshkim.

Mos më pyet,
mos më pyet si ndihem
kur më fyejnë me fjalë?

Më mbyt dëshpërimi,
më pushtojnë mendime të errëta,
më humb shpresa,
tretem prej ankthit.

Harroj të jetoj,
zbehem,
venitem dalëngadalë
nga pesha e rëndë e fjalës.


DIELLI I DASHURISË

Ecim rrugëve të jetës
në kërkim të shpresës së fshehur,
mes njerëzve të shtirur
të kësaj kohe të ftohtë,
ku frika fle nën lëkurë,
shpërfillur nga indiferenca.

Të vetëdijshme qeniet plot mllef,
ku mendimet ankuese
përkunden vështrimeve
të shoqërisë së vetmuar.

Mban gjallë frymëzimin
te lulet e pafajshme të stinës,
kur zhdukin përkohësisht dhimbjet
varura shikimit si në mjegull.

Në kurthin e kujtimeve
drejt të panjohurave,
në heshtjen e trilltë
të jetës së shprishur.

Në pritje të dritës
dielli i dashurisë
ndrin fatin tonë
përgjithmonë…


SI PUHIZË YJESH

Si fllad vij te ti
të të puth me sytë e qiellit,
që pikojnë vesë
të njomin zjarrin e mungesës.

T’i përpij sytë e shpirtit
për të shuar mallin që djeg,
për ty ëndrra ime e bukur.

Dhembje e ëmbël që kafshon zemrën,
ti dëshirim i ndrojtur,
ti dritë dielli,
që ndez vezullim sytë e mi.

Me buzëqeshjen e ndritshme
largon vuajtjet e mia
duke më dashur në heshtje
më ngjall ngjyrat e pranverës.

Ato më dehin në dalldi
me frymëzim poetik,
me dashurinë për fjalën hyjnore
unë përjetësisht mbetem peng tek ti –

i fal jetë jetës në shenjtëri,
Ti – muza ime!


LUFTËTARE APO ENGJËLL?!

Mbrëmjes flet me erën,
vështrimit në të thellin sy,
qesh e bisedon në heshtje
me fjalë të ëmbla, të buta,
gris tisin e një nate plot yje
mbështjellë nga dëshirat e zjarrta
lindur si bekim ripërtëritjeje
që ushqejnë qiellin e saj të lirë.

Asgjë mbinjerëzore,
asgjë jonjerëzore,
një shpirt i lirë
një krijesë e adhuruar,
burim jete e mbarësie,
frymëmarrje perëndie prej Olimpi,
zbritur me ëndrrat e së nesërmes
lëmuar lehtë, me dritë mendimi,
rrezëllim lirie, gjuhë dashurie,
pëshpërimë paqeje, diell shprese,
ngritur mbi dhimbjet, grua amazonë.


KËSHTJELLA E ËNDRRËS

Gjithmonë pas Krishtlindjes
mbeten pesë ditë,
projektimi i kështjellës së ëndrrës
për Vitin e Ri,
themelet ia ndërtojmë
me gurët e Hënës.


TRILL

Në odisenë e jetës,
me ndihmën e muzave
pikturoj fytyrën e kohës
e vargjet i nxjerr
nga sytë e përlotur të meduzave…


NJERËZ…

Njerëz ujq –
ka njerëz
që për të mos prishur ekuilibrin,
deformojnë të vërtetën supreme…

…zbukurojnë fjalitë e tyre,
fshihen pas faktit konkret
të shumëkuptimësisë gjuhësore
për të drejtuar më mirë
qëllimet e tyre djallëzore,
digjen dëshirash të fshehta
mbuluar me velin e gjakftohtësisë,
njerëz ujq, maskuar si murgj,

në fushat muzeale të besimeve,
shesin produktin fjalë
për pak minuta lavdie.


URAGAN

Zemëruar, deti turfullon mijëra dallgë
përshkuar në luginat e dhimbjeve
nga fryma e akullt e kohës,
ku re gri mbulojnë sytë,
ndjenjat pikturohen me fjalë,
në pafundësi kombinimesh,
përthyerjes dritë në univers
bërë vetëm për qiejt.

imazh hyjnor i ditës
mbetur pas një uragani…!


BIE SHI

Fshehur numërojmë hapat
në rrugët e jetës plot befasi,
megjithëse në një çast të vetëm
do të donim ta kthenim kohën pas,
atje te përrallat e fëmijërisë sonë,
ku ringjallet sërisht shkëlqimi i syve
e përkulemi butësisht mbi qetësinë e netëve,
te foletë nën gjethe të drurëve të lartë,
ku zogjtë i këndojnë himnit të jetës.
Lotojnë sytë nga malli për atë që s’kthehet
e zemra rikthehet sërish në ato vende
ku malet duken se prekin kupën e qiellit.

Prej dhimbjes së shpirtit
bie pa reshtur shi hyjnish!


PENDESA

Betejë e njohur
dashuria ime,
trazim ndjenjash
përhumbur ngjyrave,
vishen në të kaltër
përcjellë kthjellimeve.

Dhimbjen e mallit
dua ta shkul prej shpirtit,
ta mbjell në një pemë trotuarit
që sa herë të kaloj
të të shikoj ty,
pamjen e syve
ndoshta dhe një pikë loti
imazhit të shfaqur pa zë.

Fluturon çasti,
asgjë nuk përsëritet,
të panjohurën e gjej
brenda shpirtit magjik të kohës.

 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

ATUNIS GALAXY POETRY

atunisgalaktika@gmail.com

https://atunis.albanianforum.net/

Blog Stats

2,302,048 hits

August 2023
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
28293031  

CATEGORIES LIST

BOARD OF DIRECTORS

  • Agron Shele (Albania -Belgium)
    Hasije Selishta – Kryeziu (Kosovo)
    Peter Tase (USA)
    Prof. Dr. Jeton Kelmendi (Albania- Belgium)
    Anna Keiko (China)
    Raimonda Moisiu IWA (Albania -USA)
    Dimitris P. Kraniotis (Greece)
    Sunita Paul (India)
    Isilda Nunes (Portugal)
    Dr. Claudia Piccinno (Italy)
    Susana Roberts (Argentina)
    Pavol Janik (Slovakia)
    Leda García Pérez (Costa Rica)
    Alisa Velaj (Albania)
    Dr. Jernail Singh Anand (India)
    Eden Soriano Trinidad (Philippine)
    Shoshana Vegh (Israel)
    NilavroNill Shoovro (India)
    Gunsel Djemal (UK)
    Võ Thị Như Mai (Vietnam – Australia)
    Luz María López (Puerto Rico)
    Sinan Vaka (Albania)
    Virginia Fernández Collado (Spain)
    Rozalia Aleksandrova (Bulgaria)
    Lumo Kolleshi ( Albania)
    Irina Hysi ( Albania)
    Rami Kamberi ( North Macedonia)
    Bilall Maliqi (Presheve)
    Milica Lilic (Serbia)

CONTACT

← Back

Thank you for your response. ✨

ARCHIVE

Terms List