Poezi nga Myrteza Mara
MËKATET E POETËVE
Të më emëronin mua jurist të qiellit,
Do shkruaja një ligj vetëm me një nen:
T’i falen të gjitha mëkatet poetit,
Shpirtin, dihet, ia dërgojnë në Ferr!
Shpirti rebel ngjan me çmendurinë,
Dhe vetëm Ferri pranon të çmendur;
Sadoqë kjo botë është e tëra çmendinë,
Vetëm poetët janë më të nëmur.
Mëkatet e poetëve: Treten si qiriri!
T’i japin dritë kësaj bote të verbër;
Paçka se paskëtaj s’u mbetet as hiri,
Diku, mbi një varr, ndoshta as emër.
Diku mbi një buzë, ndoshta një këngë,
Diku përthanë lotët, ndoshta,një varg,
Në ndonjë zemër rritet një brengë,
Si fllad i jehonës që fluturon nga larg.
Kjo botë ka më shumë pleh se lule,
Dhe më shumë mure të rrëzuar se gurë.
Kjo botë servile që në pole përkulet,
Vetëm poetët s’ka për t’i kuptuar kurrë.
Ç’PO NDODH?
Ç’janë këto kohë që vrasin kohën
Ç’është kjo natë që përtyp ditë!?
Kush jep bukë i kafshojnë dorën
Llum i fjalëve po nxjerrë sytë!
Ç’ndodh kështu ndënë themele?
Ç’kanë me ne dallgt’e tërmetit?
Shihni monstrat si supermenë
Gjymtyrëshqisat për pushtetin.
Nxijnë të bardhën e bëjnë sterrë
Me dy hëna premtojnë natën
Gjuh’e tyre vjellë veç vrerë
Për poltrona derdhin gjakun.
Nga ç’qiell bjen këta gurë
Nga ç’mal zbresin këta ortek?
Në kë pus ra fjala “burrë”
Në ç’humnerë është fjala “besë”?!
Nga ta ruajmë shpinën më parë
Këtej dallgë, andej furtunë
Varka si ishulli në zjarr
Digat s’mbajnë asnjë pikë ujë.
S’ka kthim pas, e dogjëm urën
Kalbur rrënjët nga pagjumësia
Ndër kështjella lodhur muret
S’mbërrijnë as lutjet tek perëndia!
Ndaj duam qiellin dëshmitar
Dhe durimin si eshtër prove
Koha-kohën të mos e haj
S’ka më keq se mosmirënjohës.
KAM VENDOSUR
Kam vendosur të rrëfehem,
Nuk do shkoj në xhami e në kishë
Do gjej një vend ku të dëfrehem,
Mirë është të kërkoj ndonjë mik!
Miqtë janë shtuar, s’di kë të zgjedh,
Të gjithë më thonë se më kanë mik
Ka rënë shumë bursa e fjalës “besë”
Dhe: “Më mirë një mik se një çiflik!”
Perënduan ata diej si sy fëmije,
Smogu i intrigës e mbyti besimin
Ka mbetur vetëm një diell dashurie
Me gjakun e tij do shkruaj rrëfimin.
Ta lexojnë yjet, hëna dhe planetet
Të përhapet si erë nëpër gjithësi
Tashmë s’ka ç’më duhen sekretet
Jam i lirë në këtë jetëmarrëzi.
Pra, do rrëfehem, e vendosa
Tek qela e ngrohtë e shpirti tënd
Le t’i mësoj tani e gjithë bota
Për plagët e dhimbjes thuren këngë!




























Leave a Reply