Poezi nga Shazim Mehmeti
ULU SOT…
Ulu sot,
merr një laps
të thjeshtë, të hollë,
holloja majën.
Merr edhe një copë
të bardhë letre,
dhe vizato aty
një copë diell.
Bëje rrumbullak,
dhe vëri aty brenda
sytë e tu.
Dhe,
shijoe me ata sy,
ditën tënde.
Një ditë e jotja,
mund të jetë
gjithë jeta.
Gjithë jeta jote
është një ditë.
Secila ditë…
DO ZGJOHEMI, NJË MËNGJES…
Do zgjohemi një mëngjes,
dhe qiellin do ta gjejmë
të ngrirë.
Ngrirë, kapur do ta gjejmë
edhe fytyrën e bardhë
të hënës atje lart.
Ngrirë, do t’i gjejmë
edhe zogjtë e natës,
n’çastin e ngrirjes, kapur.
Do ndalemi,
do ta shikojmë gjatë
atë qiell.
Do ta shikojmë aq gjatë,
derisa të shkrihet i tëri,
prej syve tanë.
Njashtu do dëshmojmë,
se durimin e kemi prej guri,
dhe dhembjet edhe sytë,
i kemi prej zjarri.
(Njashtu do mësojmë
se pritja është poezi
dhe poezia është ëndërr.)
VJERSHË E THJESHTË
(Shqipëria)
Diell i fali Zoti,
këtij vendi t’shenjtë
dhe male dhe dete
dhe fusha
dhe lumenj…
Dhe zogj këndues,
dhe shqiponja i fali,
dhe Gjergjin mbret.
Zogjtë ia fali për ikje,
shqiponjat për të ngrënë gurë,
dhe Gjergjin për mbret të réve…
SI SHPEND I BARDHË ZBRET DRITA…
Si shpend i bardhë
zbret drita.
Drita shtrinë krahët,
ma heq këmishën.
Drita e heq
edhe këmishën e vet,
e ma vesh.
Unë bëhem dritt’ i saj,
ajo bëhet lakuriqja ime…
ERA BËHET DRITË…
Era bëhet dritë.
Era i fshinë, i zbon,
ëndrrat e natës.
Puplat e veta t’bardha
i hedh anëkend,
ai zog i diellit.
Një kolibër vocërrak,
lë shpirtin e vet,
te grykë e mëngjesit.
Teshen qiejt
dhe ky mendim…




























Leave a Reply