Ura e Kulturave – Aktivitet Letrar në Bruksel
Me rastin e veprimtarisë kulturore ndërkombëtare “Ura e Kulturave”, të organizuar më 30 tetor 2026 në Bruksel, në zemër të Evropës, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të përzemërt për organizatorët, miqtë dhe krijuesit që u bënë pjesë e kësaj veprimtarie të bukur e dinjitoze.
Një falënderim i veçantë për poeten Leonora Canja Allajbeu dhe poetin Agron Shele, të cilët, me përkushtimin, dashurinë për letërsinë dhe vizionin e tyre, krijuan një hapësirë të ngrohtë takimi mes autorëve dhe kulturave të ndryshme.
Ishte kënaqësi të takoja krijues të ardhur nga Shqipëria, Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane, të dëgjoja zërat e tyre poetikë, të ndaja me ta mendime dhe përjetime letrare, si dhe të përcillja edhe unë përshëndetjen time në këtë bashkim miqësor të fjalës dhe artit.
Një dimension të veçantë kësaj veprimtarie i dha përkthimi im paraprak në gjuhën greke i poezive nga krijimtaria e gati gjysmës së autorëve pjesëmarrës. Ishte një gjest i vogël në dukje, por me një domethënie të madhe: një përpjekje për ta bërë fjalën poetike të kapërcejë kufijtë gjuhësorë dhe të shndërrohet në mesazh miqësie e afrimi mes kulturave. Prezantimi dhe recitimi i këtyre poezive u realizua nga studentë shqiptarë, pjesëtarë të shoqatës “Vlera”, të krijuar në Bruksel. I falënderoj përzemërsisht këta të rinj, të cilët me zërat, emocionin dhe përkushtimin e tyre i dhanë poezisë një jetë të re, duke dëshmuar se ura e kulturës ndërtohet edhe nga brezat që vijnë.
Gjatë takimit pata gjithashtu kënaqësinë të prezantoj librin e ri poetik dygjuhësh të Leonora Canjës, librin e saj të dhjetë, me titull “Όταν ανθίζει η σιωπή” – “Kur lulëzon heshtja”, të cilin e kam përkthyer dhe botuar në gjuhën greke. Një vepër që bashkon dy gjuhë dhe dy hapësira kulturore, duke dëshmuar se poezia nuk njeh kufij dhe se heshtja, ndonjëherë, mund të lulëzojë më bukur se çdo fjalë.
Një emocion dhe nder i veçantë për mua ishte akordimi i titullit “Ambasador për Paqen” (Ambassador for Peace) nga Federata Universale e Paqes, me propozimin e zonjës Leonora Canja Allajbeu. Shprej mirënjohjen time të sinqertë për këtë vlerësim, duke e konsideruar jo vetëm si një nder personal, por edhe si një përgjegjësi për të vazhduar të kontribuoj, përmes krijimtarisë, përkthimit, dialogut kulturor dhe vlerave njerëzore, në shërbim të shoqërisë dhe paqes.
Faleminderit nga zemra të gjithë organizatorëve dhe pjesëmarrësve për ftesën, mikpritjen, vlerësimin dhe atmosferën e ngrohtë që krijuan. Faleminderit për miqësinë që lind përmes fjalës, për emocionet që ndamë dhe për kujtimet e bukura që morëm me vete nga Brukseli.
Urat e kulturës i afrojnë popujt, poezia u jep zë ndjenjave që flasin të gjitha gjuhët dhe paqja i jep kuptim të ardhmes sonë të përbashkët. Urime dhe suksese të githëve!
Me respekt dhe mirënjohje!
Falenderim nga Petro Çerkezi




























Leave a Reply