Diamanta Zalta
GRUAJA ENIGMA E PËRJETSHME E SHPIRTIT DHE SFIDA E QYTETËRIMIT
“Kërkoj vallë thellë në vetvete?
Ç’të më ketë mbetur më këtu?
Po atje? Aty?
Ç’është e imja e ç’të takon Ty?
Vjen zbatica dhe dallga qetësohet, së fshiri fosilet e fundit të vegimit nëpër sy.
Ç’ka buza që çuditshëm nënqesh edhe qan, nën pjalmin e një pohimi, rrezikshëm harbon dëshirën dhe kokën ia ul çdo dëshpërimi!
Gruaja, është sfida më e ndërlikuar e çdo qytetërimi! “
***
Vargje ku ndihet një kërkim që shkon përtej kufijve të zakonshëm të dashurisë, në thellësi të qenies, aty ku njeriu përballet me pyetjet më të vështira: çfarë ka mbetur nga vetja, çfarë i përket së shkuarës, çfarë është e jona dhe çfarë u përket të tjerëve?
Pyetje të një zemre të trazuar apo pyetje të vetë ekzistencës njerëzore.
Njeriu kalon një jetë të tërë duke kërkuar të kuptojë kufirin mes asaj që është, asaj që ka humbur dhe asaj që nuk ka mundur kurrë ta zotërojë.
Metafora e zbaticës dhe e dallgës është shumë domethënëse.
Jeta, ashtu si deti, nuk qëndron në një gjendje të vetme. Ajo tërhiqet, rikthehet, fshin gjurmë dhe lë pas mbetje të kujtesës.
Edhe vegimet tona, sado të fuqishme të kenë qenë, një ditë zbehen.
Por a zhduken vërtet?
Apo mbeten të ngulitura në një pjesë të padukshme të qenies, si fosile të një kohe që nuk kthehet më?
Ndoshta njeriu nuk është asgjë tjetër veçse një muze e gjallë i përjetimeve të veta, ku disa kujtime marrin dritë, ndërsa të tjera mbeten të varrosura në heshtjen e shpirtit.
Më pas vjen buza, ajo që «çuditshëm nënqesh edhe qan». Këtu poezia prek një nga paradokset më të bukura të natyrës njerëzore: aftësinë për të përjetuar dy të kundërta në të njëjtin çast.
Njeriu mund të buzëqeshë ndërsa brenda tij zhvillohet një stuhi; mund të pohojë me buzë atë që zemra ende e vë në dyshim. Buzëqeshja nuk është gjithmonë shenjë lumturie, as loti domosdoshmërisht shenjë dobësie.
Shpesh, ato janë dy gjuhë të së njëjtës plagë, dy mënyra të shpirtit për të shprehur atë që fjala nuk arrin ta thotë.
Dëshira këtu shfaqet si një forcë e rrezikshme dhe njëkohësisht e domosdoshme, ajo ngre njeriun mbi kufijtë e arsyes, e bën të guxojë, të ëndërrojë, të sfidojë vetveten.
Por dëshira mbart edhe rrezikun e zhgënjimit, jo çdo gjë që kërkojmë mund të bëhet e jona dhe jo çdo gjë që duam është e destinuar të na përkasë.
Në këtë përplasje lind drama njerëzore: mes asaj që zemra kërkon dhe asaj që realiteti lejon.
Dhe në fund, gruaja!
Një pohim që meriton të meditohet.
Gruaja nuk është thjesht figurë e dashurisë, as vetëm një objekt i dëshirës apo i admirimit.
Ajo është një univers më vete, me identitetin, lirinë, kundërshtitë, ëndrrat dhe misteret e saj. Ajo nuk mund të kuptohet përmes skemave të gatshme, as të kufizohet brenda përkufizimeve që ia kanë imponuar epoka të tëra.
Në të pasqyrohen kontradiktat e vetë shoqërisë: dëshira për ta adhuruar dhe prirja për ta kontrolluar, nevoja për ta pasur pranë dhe vështirësia për ta pranuar si qenie plotësisht të lirë.
Këtu qëndron sfida e vërtetë e çdo qytetërimi te mënyra se si e respekton atë. Një qytetërim matet edhe me aftësinë e tij për ta pranuar gruan si personalitet që duhet kuptuar, si liri që duhet respektuar.
Gruaja nuk është sfidë pasi është e pakuptueshme. Ajo është sfidë sepse kërkon që njeriu të dalë përtej kufijve të vet, të braktisë paragjykimet dhe të mësojë se dashuria është njohje është bashkëjetesë e dy lirive.
A kemi ditur ndonjëherë të njohim tjetrin, pa dashur hë bëjmë tonin?
Mbase kjo pyetje që përshkon gjithë vargjet i jep poezisë një dimension njerëzor e universal.
Nga : Brixhilda R. Dede




























Leave a Reply