In Memoriam, një kaba për Laver Bariun / nga Vladimir Karaj

laver 1

In Memoriam, një kaba për Laver Bariun

nga Vladimir Karaj

 

 

Disa njerëz që nuk janë të kësaj kohe plot tallava e cektësi, e që nuk i mban dot. Ndoshta për këtë u gjendëm në një laver bariumoment të “habitur”, përpos tronditjes kur dëgjuam se Laver Bariu kishte dhënë frymën e fundit. Atë frymën me të cilën i ka dhënë jetë melodive që janë të pavdekshme. Po na dukej sikur të qe e pamundur që ai të kishte jetuar pikërisht në këto kohë. Për Ustain, siç i thërrisnin, kishte kohë që flisnim në të shkuarën, ndoshta sepse ai ishte në listën e atyre njerëzve që e shënojnë kohën dhe bëhen legjenda sa janë të gjallë, duke e bërë të pamundur t’i bashkosh me të tashmen. Legjendat nuk mund të jenë bashkëkohëse.

“Kur kullosja kalin, bëja pizga nga ara, nga gruri dhe punoja (bën me gishta sikur i bie klarinetës) … dua gërnetë i thashë babait”, kështu rrëfehej për Pandi Laçon, mjeshtri duke treguar në një mënyrë se si lindi edhe një pjesë e historisë së muzikës shqiptare. Pak nuk e kanë dëgjuar, pak janë atë që nuk e njohin edhe pse mjaft e ngatërrojnë me personazhin e filmit “Gjeneral Gramafoni”, Halit Beratin. Më i lehtë për të mbajtur mend se sa njeriu që luante në sfond muzikën e filmit e që në fakt i jep këtij jetë përtej kohës së tij e propagandës për të cilën ishte shkruar. Skena kur klarineta ngushëllon fëmijën që qan, do të dukej e kotë e boshe në mos do të kishte në sfond Kabanë që i bën të tjerët për të qarë.

Laver Bariu lindi në Përmet më 2 maj 1929 dhe u nda nga jeta dje, më 26 janar 2014. Plot 85 vjet dhe një pjesë e mirë e tyre e kaluar duke i dhënë jetë muzikës e përmes saj, atyre që e dëgjonin. Ai nuk kishte shkollë muzike, por kishte atë që pak e kanë mundësinë ta bëjnë e të kthejnë mërmëritjet nën zë të së shoqes në muzikë, siç tregon vetë në një dokumentar të TVSH-së “Ustai i fundit” ndërsa përlotet. Përlotet për të shoqen që nuk është, përlotet kur merr të këndojë e zëri nuk i bindet e i ngjiret, përlotet kur i të tjerët u bien kabave që ai krijoi. Në ato pak minuta që mund ta shohim, duke mos pasur fatin ta takonim realisht, duket sikur ai njeri jeton mu në telat që dridhen e sa herë prej tyre dalin tinguj, mallëngjehet.

Gërnetën, siç i thotë klarinetës, nuk e lëshon kurrë. Nuk pranon as për pak t’ia lërë në dorë një nxënësi të liceut, i cili ka shkuar ta takojë në shtëpinë e tij dhe të ketë shans të marrë një leksion prej tij. “Me ty do të vdes”, i thotë veglës muzikore me të cilën në fakt u bë i pavdekshëm. “Laver Bariu iku, ne do të ikim një ditë gjithashtu por ama, Laveri, Ai, do të mbetet!”, shkruante dje ministria e Kulturës Mirela Kumbaro.

Pak gjëra mund të themi ndërkohë përtej këngës me të cilën ai u rrit. Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor.

Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio-Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. Në mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Laver Bariu u shpall “Qytetar Nderi” i Përmetit. Mjeshtri i madh la gjurmët e tij edhe në kinematografi, pasi në vitin 1977 interpretoi dhe regjistroi të gjitha materialet e filmit “Gjeneral Gramafoni”, ndërsa në vitin 1989 u bë protagonist i filmit dokumentar muzikor “Këngët e zemrës”. “Absolutisht nuk merrte guxim kush të fliste…”, i thotë ai gazetares së TVSH-së kur e pyet nëse ndonjëherë e kishin korrigjuar. Ai ishte (është) i padiskutueshmi i Kabasë. Mjeshtri i pazëvendësueshëm. Ustai i fundit.

Mapo.al

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s