Lotët e kohës së gabuar (Shënime gjatë leximit të vëllimit poetik “Ujvara e syrit’’ të Zenepe A. Rexhepi ) / nga Zeno Gjika

kp zejnepe

 

 

Lotët e kohës së gabuar

 

(Shënime gjatë leximit të vëllimit poetik  “Ujvara e syrit’’ të Zenepe A. Rexhepi  )

 

nga Zeno Gjika.

 

 

Nuk e di pse ju riktheva leximit të vëllimit poetik “Ujvara e syrit” të Zenepe A. Rexhepit këto ditë dimri. Jo vetëm që ju riktheva leximit, por përtejë zakonit tim të “shkaravitjes” të librit me vijëzime të vargjeve e shënime anash fletëve, ritual që e kisha kryer qysh në leximin e parë, këtë herë vura mbi skrivani edhe një bllok shënimesh. 1-Vërtet që nuk e di saktë përse ju riktheva këtij vëllimi. Sepse të jem i sinqertë, nuk jam familjarizuar ende me stilin e të shkruarit që përdor, jo vetëm kjo poete. Një stil të shkruari, që mbart nëpër petalet e vargjeve, jo vesën e mëngjesit, por “flokë të dëborës së vjetëshme”. Duke u shndruar poezia vetë në njëfarë “manushaqe e prillit në mes të dëborës”. Realisht, këtë stil e kam hasur te shumë autorë të trevave veriore e verilindore , përkatësisht në Kosovë e Maqedoni. Por vetëm stili, gjithsesi nuk e shpjegon rileximin. Edhe fakti se ndoshta e kam ndjerë aromën e manushaqes së prillit tek shpërthen nëpër flokë bore, për të mbritur tek unë, përsëri është pak. Po për këtë do të flasim dhe më von. Ndoshta arsyeja e rikthimit për rilexim mund të ishte edhe fakti që më kishin mbetur në kujtesë vargjet e mrekullueshme…Të prita mes letrash të padërguara /mes fjalësh të pathëna/…Si mall i pashuar të prita/si prekja e mëngjezit, si drita/ si ëndra e bukur plot shpresa/ si vetë dashuria, si jeta., vargje që më vezullonin në kujtesë, herë si lotë shpirti e herë si margaritarë ëndrash. Vargje që , të lexuara pas vargut…U mplak dita në pritjen tënde … të mehin frymarjen e të çpojnë si teh thike, për të të ngurtësuar, si nën shikimin e Meduzës, te vargu…I heshtur si varr qindravjeçar….(je ti). Majakovski kishte një metaforë…I heshtur, si pulsi i të vdekurit…, por metafora e varrit qindra vjeçar është gati e përtej kësaj bote, dhe këtë figurë veç një dhimbje e madhe mund ta krijojë. Një dhimbje që s’mund të jetë thjeshtë dhimbje e një dashurie të një vajze. Ajo mund të burojë te ujvara e syrit të saj, por faktikisht është grumbulluar nëpër shekuj në shpirtin e një kombi, ashtu siç grumbullohen rezervat ujore brenda malit nga shkrirja e borërave apo depërtimet e shirave të furrishme… 2- Ndërsa po rilexoja poezitë e vëllimit të “Ujvara e syrit” dhe po endesha nëpër labirinthet e arsyes së rileximit, s’di pse befas mu kujtua shprehja e Salvadore Quazimondo në Essen e tij të famëshme “Fjalë për Poezinë”, se…poezia është njeriu….Me këtë rast, duke menduar se …njeriu është jeta e tij…atëherë themi se …poezia është jeta e njeriut… Po kush është njeriu poet, autor i këtij libri.

 

zejnepe

Dr  Zejnepe A Rexhepi

 

Në kopertinë ka një foto, ca data, tituj e vepra, por ky nuk është njeriu e ca më pak poeti. Unë nuk ja di fëmijërinë poetes, por unë di fatin e popullit në moshën e fëmijërisë së saj. Unë e di fatin e mëhershëm të popullit për të kuptuar gjithë këtë dhimbje, edhe në ato krijime që duhej të ishin plot dritë . Unë e kuptoj atë mplakje të ditës në pritje, e cila nuk vjen nga ndroja e vonesës së njeriut të dashur në takim, ndroje që do ta kishte çdo vajzë e kësaj bote. Unë e di se ajo është ndroja dhe ankthi i vajzës shqiptare në pritje, që e ndjen se i dashuri, për të mbritur te ajo, do të kalojë shumë prita. Që nga pritat kanunore, nacionaliste, sociale e shoqërore, njëra më e rezikëshme se tjetra. Prandaj dita mplaket në pritje…Lumi,eh lumi/ rrjedh si jetë e trazuar/../si balli i rudhur i Lokes /lodhur pritjeve /për birin,nipin/..ftesa për varin e panjohur/…ku tretet dashuria… 3-Prandaj ka aqë shumë…lot e pritje amshimi/në kohën e gabuar… Mendo pak, të jetosh a të dashurosh në kohën e gabuar. Ç’gjëmë më vete që është! Dhe gjëmë më vete ka qënë fati e jeta e kombit. Në këtë gjëmë, shpirti i kombit farkëtoi armët e rezistencës dhe të egzistencës. E mes tyre edhe poezinë. Kjo, poezia, ishte ndoshta shpikja më efikase, sepse ajo ishte bedena ballore e kështjellës të identitetit dhe gjuhës sonë, por njëherësh edhe sterna ujëmbajtëse në stinën e nxehtë të përplasjeve. Historia e popullit u shkrua në vargjet e rapsodëve, gjuha e kombit u mpreh nëpër bedenat e këngës … Fryu murlani e ra shumë bore, madje edhe nëpër vargjet e këngës… tuj fry er e tuj ra bor/ mu ka ngri martina n’dor… , prandaj ato u mpakën, u mblodhën në vetvete. Madje..dhe koha të ngriu si vështrim i acartë.. Dhe erdhën pranë kohës sonë…, në çastin kur u shua kometa…me borë mbi supe dhe me …vaj në shpirt, sepse …Në historinë tonë të gjakosur/ pakicë e privilegjuar do thiremi…dhe trishtueshëm do…vëzhgojnë lumturinë/e jetës që si përkasin.. (…Pakicë e privilegjuar…Të vjen të ulërish nga dhimbja kur lexon këtë varg gjëmëmadh, që flet më shumë se faqe të tëra historie. Dhe lot amëshimi diçka për shënjtërimin dëshmon) 4-Kështu erdhi me stilin e saj (gati të përafërt me…sa fort po ndrin ai diell…) edhe poetja Zejnepe A.Rexhepi pranë nesh, duke na treguar me ndroje “Ujvarën e syrit” të saj. Sa shumë lot. …Një lot bie nga syri/si nga qielli ylli i mëngjezit… Lot e shi bashkë që rjedh teposhtë faqeve me një dënesë shpirti. Dhe të vjen ti përkëdhelësh kokën, me dhimshuri, si një fëmije që loton në shi, për një arsye të madhe për moshën e saj.. Sepse shiu është loti i qiellit. Është loti i zotit vetë. …Dhe të duket se sheh tek qan, një vajzë e zotin bashkë. Dhimbje e madhe duhet të jetë. Loti vetëm sa derdhet nga sytë, burimin e ka në shpirt. Ndoshta nga vetmia, (jo vetëm personale)… …Në vetminë e jetës/loti djeg me përdëllime… Dhe duhet të jetë e madhe dhimbja që shpirti të burojë …lot. Diku bashkohen shiu me lotët…Shiu s’pushoi/as me ty su çmalla dot…S’pushon së rëni ky shi i rebeluar…Dhe një ftohtësi alpine nëpër vargje …dhe koha të ngriu si vështrim i acartë…,…në mungesën tënde/ ftohtësi…, si një flokë bore mbi petale. -Përkundër traditës zakonore, të kultivuar në fëmijërinë e saj dhe të imponuar nga kushtet shoqërore, Zejnepe i këndon pa frikë e ndroje, madje me zë të lartë … dashurisë së saj. Dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se i këndon me mjeshtëri artistike, sa që mund ta quajmë …Safoja e Tetovës. a-Gjithmon femra shqiptare i ka kënduar dashurisë, duke dëshmuar në këtë mënyrë vizionin europian të saj. Qysh nga periudha paraotomane, kur i ka kënduar solo …O lule lule maca maca, se un’ për ty…o djalë plasa… , ashtu dhe në e pas kësaj periudhe, kur dashurisë ju këndua fshehur pas anonimatit të këngëve dhe valleve popullore, të tipit…më zu vesa në lëndinë…tek po mblidhja trëndelinë/t’ja çoja bandillit-o… Por ajo që duhet theksuar në këtë rast, është fakti se këto valle dhe këngë ekzekutoheshin kryesisht nëpër ambiente të ngushta familjare dhe fisnore. b-Në kohët e parademokracisë, një plejadë poetesh ndrinin qiellin e letërsisë shqipe, por duhet të theksojmë se poezitë e dashurisë ishin të kufizuara, ose flitej për një dashuri të lindur nëpër …aksione, kantiere..etj. Me një fjalë njëfarë uniformiteti poetik, vargje e fjalë shabllone , të spastruara nga veçantitë njerëzore që, përgjithësisht. asnjë ndjenjë nuk të ndizte në shpirt. Mbi poezinë shqipe qëndronte shpata e Damokleut të Pleniumit të 4. c-Pasvitet ’90 sollën një bum poezish të femrave poete. Thua se shpërtheu një digë dhe jo ujët, por poezitë përmbysën gjithçka gjetën përpara. Por si në çdo përmbytje, uji poetik kishte shumë turbullirë. Vijonin poezitë deklarative që alternonin me zhurmën e ujrave. Por befas, mbi këtë zhurmë ujrash, nisën të dëgjoheshin cicërima zogjsh e të vinin si pëllumba vëllimet e para dinjitoze poetike, si për të na thënë se përmbytja po mbaron, ujrat po tërhiqen dhe jeta poetike po rinis në tokën tonë. Më vjen mirë ta them që, në krye, pëllumbat erdhën edhe nga viset veri-verilindore, nga Kosova dhe Maqedonia. E mes tyre edhe Zejnepe A.Rexhepi. 5-Në leximin e vëllimin poetik “Ujvara e syrit” konstaton lehtësisht se tema mbizotëruese është tema e dashurisë. Si e tillë, normalisht do kishte kufizime idesh dhe ripërsëritje figurash dhe fjalësh. Çuditërisht autorja i ka shpëtuar këtij kurthi “llogjik”. Në qoftë se do shohim numërin e “fjalëve të para” në raport me “fjalët e dyta”, do shohim se prioriteti është numëri i madh i fjalëve të “para” në raport me ato të “dytat”.(Psh fjala “jetë” është fjalë e parë ndërsa folja “jetoj” është fjalë e dytë). Kjo tregon , jo vetëm pasurinë e gjuhës shqipe por në radhë të parë talentin e autores në përdorimin me efikasitet të fjalëve, qoftë edhe brenda një teme. Kjo mospërsëritje fjalësh, kjo larmi shprehjesh e bën poezinë burim kënaqsie gjatë leximit. Të duket se shëtit (hapëron) nëpër një lëndinë prilli, në të cilën admiron shumllojshmërinë e luleve dhe nuk lodhesh me monotoninë e një tip apo lloj luleje, sado e bukur qoftë ajo. 6- I dashur…ndiz një yll t’më zbehë dritën/e syrit të përlotur…./shuaj etjen me puthjen flakë…/Pastaj më ndiz e më pushto/me urrej e më dashuro/më vrit e më ringjall/më shuaj ti yll e më ndriço/ veç mos më haro…nga haresa druaj! I lexon këto vargje të zjarrta, shpërthyer si llavë nga shpirti dhe vetiu rikthehesh ti rilexosh. Nën afshin e tyre do të ngrohesh, nën dritën e tyre do të shohësh, në zjartin e tyrë do të digjesh, vetëm të ndjesh e të kuptosh sa e madhe është zemra e dashuruar. Një dashuri, magmën e të cilës vetëm haresa dhe vetmia e ngurtëson… …Si natë e tmershme është vetmia… …Ti kandil dritamëshimi/ëngjëll i hareshëm përjetësimi/…I lexon këto vargje me admirim dhe me vete thua: Lum kujt ja kushton. Se që të metaforizohet me dritën djali, kjo është e dëgjuar, por që kjo dritë të jetë dritëamëshimi e përcaktuar, kjo flet për një dashuri gati të tejëbotëshme. …Pasqyrohem në lotin tënd/ ujëkulluar/ si loti i pendesës… Tre vargje të thjeshta, dëshmi e një drame dhe e një triumfi . Me siguri që është ajo vajza që rënkonte…Në çaste vetmie pres kthimin tënd/për një puthje… Unë mund të flisja shumë për çdo poezi të këtij vëllimi, duke evidentuar vlerat artistike të tyre. Por, nisur nga mendimi se, kur ke një trëndafil në dorë, nuk është nevoja të deklamosh rrugëve bukurinë e petaleve dhe këndshmërinë e aromës se tyre, unë mendoj se kjo është e tepërt. Një fjalë thotë…admiro, dashuro dhe hesht. Mendo të keshë në dorë, jo një por një tufë trëndafilash. Çdo kalimtar në rrugë do të shohë me shpresë që ti diçka do ti dhurosh, që tja zbukurosh ditën. E pra, si një tufë trëndafilash është ky vëllim poetik, ku mes trëndafilave petaleshtrirë janë edhe jo pak gonxhe të porsaçelura. Lum kush ka sy ti shikojë, lum kush ka shpirt ti shpirtërojë. 7-Sepse dashurinë poetja e sheh në hapësira më të mëdha se dashuria e një vajze për djalin. Është dashuria e vajzës shqiptare për djalin shqiptar e lidhur ngushtë me: – fatet e kombit….Në Kodrën e Diellit mbi Tetovë/ ku do mbinin 2001 shpresa dashurie (ndërkohë në Tiranë shiu shplau në ’97 gjurmët e të djeshmes, në Prishtinë shiu rrëmbeu më ’99 plagët e pashëruara ndër mote), kurora lirie thurin vashat – dhe fatet e botës…shtatori….kaherë qe kënduar në këngë/por jo dhe shtatori 2001. – me fatet e gjuhës shqipe…Të falem ty o gjuhë – me traditën…thura imazhin e jetës/mbi të ardhmen/me treqint dasmorë… – me familjen, si rallë vajza në botë…Eh, sa e fortë ishte kulla… dhe mund të vijonim edhe më tejë, me një besim e bindje të fortë…sepse…kemi gjak të bekuar perëndish.. dhe me urimin bekim…një kopësht i tërë luledashurish …Mbetesh vargu që nuk ndrydhet/për tja behur në parajs a në ëndër… 8-Por në thelb duhet të pranojmë se, si rallë në botë, dashuria e vajzës shqiptare kushtëzohet jo vetëm nga pëlqimi dy palësh i të dashuruarve. Kanuni, nacionaliteti, feja, gjëndja shoqërore etj etj zgjatin duart e tyre të “pista” mbi “tortën e dashurisë”. Kur në vitin 2010 vizitova Tetovën, i ftuar në një manifestim poetik, u trishtova duke parë revanshin obskurantist fetar mbi shoqërinë civile. Vajza të reja, mbuluar me shami dhe që dukeshin si të future në thes, brenda një veshjeje, që asgjë femërorë nuk kishte , mundoheshin më kot të fshihnin sytë, ku në dritaret e tyre, ëndrat e moshës sodisnin plot alarm kohën që ikte, pa ato. As në rrugët e Stambollit nuk kam parë kaq shumë vajza me veshje fetare, sa ç’kam parë në Tetovë. Një trishtim më mbuloi ato ditë, çuditërisht me shi, si në vargjet e këtij libri. Por kur në sallën e qëndrës së kulturës u ngritën në skenë e recituan vargjet e tyre poeteshat e Tetovës, mu duk se hoqa një peshë të madhe nga shpirti. Më të bukura mu dukën rrugët e Tetovës të nesërmen. Ato vajza nuk bënë gjë tjetër, veçse deklamuan ëndrën e tyre të dashurisë, që mua mu duk si një sfidë publike, si një flamur i shpalosur përballë revanshit obskurantist fetar që përpiqej ti imponohej Tetovës, duke synuar viktimë të parë, botën dhe lirinë e femrës. Dhe vajzat e Tetovës ju kundërvunë këtij revanshi me …poezi dashurie… Le të vërshohet bota në dashuri…ftuan poeteshat e Tetovës. …Bekuar qoftë dashuria…deklamon poetja duke u renditur në vijën e parë të këtij fronti emacipues të luftës kundër revanshit fetar. Dhe unë s’di pse e lexova këtë varg…rroftë liria… 9- Ngjyra e dashurisë është e kuqja. Dhe dashuria e vajzave tetovare është si ajo bezja e kuqe që i tundet para syve demit të obskurantizmit fetar dhe e tërbon atë. Zëri i poeteve që deklamojnë publikisht vargjet e dashurisë është si që shpata që i ngulet në qafë këtij demi, duke e plandosur në tokë, të ngordhur. Dhe s’di pse mu kujtua Safo në Greqinë e lashtë, që me vargjet e saj të dashurisë tërboi aristokracinë e kohës, aqë sa u shkruan dhe akte dëbimi e u hartuan edhe plane vrasjeje për të. Por Safo nuk rreshti së deklamuari vargjet e saj, dhe sot, askush nuk i di emrat e aktedëbimishkruesve, ashtu siç nuk dimë sot, emrat e mjekëroshëve të avangardës fondamentaliste në Tetovë. Ndërsa vargjet e Safos dhe sot lexohen me admirim. Ashtu siç lexohen e rilexohen dhe poezitë e këtij vëllimi të Zejnepe A.Rexhepit. Në qoftë se është koha e gabuar për t’ju gëzuar triumfit (vetiak) të dashurisë, është koha e duhur për të luftuar për ‘të. Dhe në radhët e para të kësaj armate luftëtare, unë shoh dhe autoren e këtij vëllimi. Që di si flet, që di si prin, që duhet ta ndjekin e ta dëgjojnë, jo vetëm vajzat e Tetovës. Kështu e rilexova unë librin “Ujvara e syve” të Zejnepe A. Rexhepit dhe ndoshta, kjo ishte dhe arsyeja e rikthimit tim, për të lexuar përtejë vargjeve të poetes.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s