Cikël poetik nga Nehat Jahiu

Cikël poetik nga Nehat Jahiu
 
 
 
MOS M´I PREK PLAGËT
 
Mos m`i prek plagët se ende nuk më janë tharë
kur nëna me duart e saj dikur m`i ka larë,
këto janë plagë që i mora në betejat e luftës
duke luftuar për liri me grykë të pushkës.
 
E di nëna kur me lotët e syve plagët m`i ka larë
me sytë e mi vetë unë e kam parë…
më ngadalë pak e mos m`i lëndo plagët e mia
se akoma me shaminë e nënës i kam të lidhura.
 
Mos na i prekni këto plagë se ende gjak kullojnë
Varret e shokëve tanë kurrë nuk do t`i harrojmë,
plagët unë dhe shokët e mi i kemi të pashëruara
deri sa të jemi të gjallë mbeten të paharruara!…
 
 
 
UNË NUK DUA TË MË KËNDOJNË REFERATE
 
Mos më gjuani me gurë në jetë për së gjalli
e pasi të vdes të më këndosh referat tek varri,
unë nuk dua t`i dëgjoj kurrë letrat
që më këndojnë tek varri referate dhelprat .
 
Unë nuk dua as t`ju shoh pranë varrit tim kurrë
juve që gjatë jetës gjithnjë më gjuajtët me gurë
e gjithnjë më punuat fshehurazi me hile
ju që për së gjalli më mëshuat thikë pas shpine.
 
Ju faqezinj, interesaxhinj, hajna… e të pabesë
Doni që mëkatet t`i lani pranë varrit tim kur të vdes,
duke derdhur lotë krokodili pranë varrit tim
e duke thënë sa po më “dhimbsesh”, o miku im…
 
 
 
NATËN TË VRASIN E DITËN TË QAJNË
 
Janë ca kodoshë që ditën të vrasin pas shpine
në ditën e varrimit për ty qajnë e mbajnë fjalime,
janë njerëz që nuk i duron toka e qielli
nuk ka fare shpirt i pabesi, ky delenxhi pisi!
 
Tërë ditën të përkëdhel i pabesi
se e mundon aq shumë të fëlliqurin interesi,
ndaj or vëllaçko për ty unë e bëj namin
e tërë natën pas shpine mendoj si ta bëj varrin!
 
Për çdo ditë të tillë, sytë me ujë t`i shpëlajnë
natën të vrasin dhe ditën të qajnë,
eh, sa shumë janë shtuar të tilla dhelpra
shpirtprishur e koka të qelbura…
 
amaneti i tyre u shkel nga disa ustallarë
nga disa të shitur pushtetarë.
 
Shkelën me dy këmbë për interesa politike
duke shitur parulla demagogjike,
fjalë të mëdha flisnin nëpër tubime
që mbeteshin gjithnjë vetëm premtime.
 
Ku e lanë e ku na mbeti ideali
amanetin që la para se të vdiste atdhetari,
amaneti i dëshmorëve na mbeti
tek politikani, tek hajni, tek interesi…
 
 
 
MOS MË THUAJ …
 
Mos më thuaj, o karrierist
se ti mua më paske punësuar
se as vetë nuk e di sa plagë
në trup gjak më kanë kulluar.
 
Me gjakun tim e të shokëve të mi
ju dhe disa keni marrë frone pozite
dhe bythën tuaj e keni vendosur
nëpër ato të butat karrige.
 
Me gjakun tonë çdoherë bëni politikë
për interesat tuaja idealin tonë,
ju, o njerëz të pacipë dhe zagarë
jeni duke na e shitur edhe në pazar.
 
 
 
LETËR NGA VARRI
 
Këto vargje po ua dërgoj nga thellësia e varrit
një ushtar lirie që ia fala gjakun e jetën vatanit
unë që lirinë e atdheut tim kurrë nuk e prangosa
me shtatë plagë në trup, të përgjakur u varrosa.
 
Kurrë në jetën time dhunës nuk iu dorëzova
plisin tim të përgjakur kurrë armikut nuk ia fala
kurrë nuk pranova të më shkelen ara e livadhe
të na futen gjarpinjtë në konak e në pragje.
 
Para se të vdisja nuk e di sa herë me lot qava
kur më përqafoi e përgjakura tek flamuri shkaba,
besën, unë dhe shokët e mi ia dhamë me gjak e jetë
se mbi amanetin tonë nuk guxon askush të shkelë
 
Kurrë nuk e kam menduar njëherë në jetën time
se dikush me dy këmbë do na shkelë me çizme,
pazare të pista politike do të bëjë me gjakun tonë
për interesat e tyre amanetet tona do t`i harrojnë.
 
Kurrë nuk e kam besuar se gjakun do ma shitni
për një karrige edhe me djallin në lidhje do të hyni
mua dhe shokët edhe në varr do na tradhtoni
për interesat tuaja edhe me dreqin do të bashkëpunoni…
 
 
 
SEÇ PO VUANI E SEÇ PO TRETENI
 
Seç po vuani o “patriotë”e seç po treteni
si një qiri i djegur o “atdhetarë” po mbeteni,
si dëbora e bjeshkës në shpirt po shkriheni
për “atdhe” seç po “vuani” e seç po “digjeni.”
 
Seç po ju mbushet juve me “lot” shamia
po “vuani” për t`i bashkuar trojet e mia,
“lotët” nga sytë asnjëherë nuk janë duke iu tharë
që trojet tona dikur e sot na i kanë ndarë.
 
Zemërdjegur e shpirtkallur seç na keni mbetur
me referate të thata para popullit duke u tretur,
pasi të përfundojnë zgjedhjet ju kalben në letër
premtimet i lini për t`i realizuar në botën tjetër.
 
Eh, trojet e mia ju keni aq shumë vlera
ju bashkojnë ca “atdhetarë” vetëm për tendera,
vaj vatani e mjerë mileti për ca ”atdhetarë”
që për kolltuqe ditë e natë janë duke qarë…
 
Besomëni se nuk mund ta duroj aspak pisin
që të parëve tanë në varr ua shanin plisin,
Oh, si mund të durosh sot këtë pis, o Zot
që del në televizion e thotë unë jam patriot!
 
Po ku na ishe ti dje, o trim, o i vetëshpallur sot
ti që aq shumë po shitesh i madh e patriot,
ti që po vuan aq shumë për gjuhën amtare
që shqip nuk i flisje as edhe nënës tënde.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s