MONUMENT LETRAR PËR POETIN DISIDENT HAVZI NELA – Vështrim analitik për veprën “Dënimi i dytë i Havzi Nelës”(Ose njëri prej 5 dënimeve), të Petrit Palushit, botoi SHB “OMBRA GVG”, Tiranë, 2017 / Nga: Hajdin MORINA

MONUMENT LETRAR PËR POETIN DISIDENT HAVZI NELA

– Vështrim analitik për veprën “Dënimi i dytë i Havzi Nelës”(Ose njëri prej 5 dënimeve), të Petrit Palushit, botoi SHB “OMBRA GVG”, Tiranë, 2017 

Në kontekstin historik, letrar dhe stilistik të letërsisë shqiptare shkrimtarët e burgosur, të persekutuar dhe të vrarë nga regjimi komunist përbëjnë një kaptinë të veçantë, një anë të dhimbshme të rritës sonë të vështirë në aspektin kulturor, qytetar dhe kombëtar. Dënimi dhe anatemimi i tyre nga qarqet shtetërore, por edhe heshtja dhe mosngritja sa duhet e zërit të protestës sot nga ana e shoqërisë civile, të komuniteteve joshtetërore dhe jopolitike kundër aktorëve urdhërdhënës, të vdekur e të gjallë, të këtyre mynxyrave të tmerrshme kundër racës fisnike të shkrimtarëve, në shekullin 20, në zemër të Europës, pra të gjitha këto janë shenja dhe tregues të përkushtimit tonë të mangët shtetëror, kulturor e qytetar ndaj vlerave tona kombëtare dhe ndaj vlerave të lirisë dhe të drejtësisë me të cilat mbruhet dhe promovohet sot qytetaria demokratike evropiane.
E gjatë është lista dhe të shumtë janë emrat e shkrimtarëve shqiptarë të vrarë, të burgosur, të persekutuar, të përndjekur e të përjashtuar nga puna e nga shoqëria me aktakuza, me aktvendime e me procese të montuara politike, vetëm pse ishin njerëz të fjalës, të fjalës letrare dhe të fjalës qytetare, vetëm pse ishin të dashuruar në Shqipërinë, në Njeriun, në Lirinë dhe në Drejtësinë.
Në këtë listë bën pjesë edhe emri i poetit disident Havzi Nela nga Kollovozi i Kukësit, i vetmi poet i varur në Shqipëri, ekzekutimi i të cilit është pushkatimi i fundit i një poeti disident në Europën Lindore.

1.

Shkrimtari ynë i mirënjohur Petrit Palushi është i vetmi krijues dhe i vetmi intelektual shqiptar që ka hedhur deri më sot më së shumti dritë në ndriçimin e jetës së vështirë dhe të veprës letrare të poetit Havzi Nela, duke botuar deri më tash dy vepra letrare kushtuar këtij martiri të Shqipërisë: “Kryqëzimi i Havzi Nelës” (2008) dhe “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” (2017). Të dy këto vepra përbëjnë material të bollshëm artistik, faktografik dhe arkivor në shërbim të përsosmërisë faktike të personazhit Havzi Nela. “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” sikur ka kurorëzuar dëshirën, përkushtimin dhe mjeshtërinë artistike rrëfimore të autorit Palushi për ta skalitur në letërsi dhe në kujtesën e lexuesve figurën madhështore të poetit disident.
Pa e lexuar veprën “Kryqëzimi i Havzi Nelës”, mendoj, nuk ke si e kupton këtë të dytën “Dënimi i dytë i Havzi Nelës”, por pa e lexuar këtë të fundit dhe sidomos pa e pasë shkruar këtë vepër Petrit Palushi nuk do të të jepej mundësia për të menduar, për të reflektuar më shumë për figurën e Havzi Nelës, nuk do ta njihje mirë këtë poet disident, këtë shpirt lirie dhe nuk do të ndieje më shumë dhimbje dhe më shumë krenari për të dhe më shumë urrejtje për autorët e krimit makabër mbi poetin dhe mësuesin Havzi Nela.

2.

Niveli i lartë i mënyrës së mbarështimit të lëndës faktografike dhe artistike në veprën “Dënimi i dytë i Havzi Nelës”, mjetet shprehëse të nivelit të lartë gjuhësor, stilistika e lartë, shfrytëzimi racional dhe i efektshëm i të dhënave burimore nga lëndët e hetuesisë dhe të gjykatës, krijimi i tablove dhe skenave mjaft emocionale, sidomos nga përshkrimet poetike të autorit dhe nga realizimi mjeshtëror i monologut dhe dialogut të personazheve, pra të gjitha këto bëjnë që vepra “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” të merret dhe të përjetohet nga lexuesi si refleksioni më i mirë për portretin qytetar dhe letrar të poetit disident dhe si motiv për të pasur edhe ti qëndrimin tënd intelektual e qytetar ndaj çështjes “Havzi Nela”.
Përkushtimi dhe mundi i autorit për të ndriçuar jetën dhe veprën e Havzi Nelës reflekton erudicionin e Petrit Palushit dhe nivelin e lartë të ndërgjegjes së tij intelektuale dhe qytetare për t’i dalë borxhit mësuesit dhe poetit disident të vrarë nga regjimi i kohës. Po ashtu në këtë kontekst mund të konstatoj edhe vetëdijesimin e lartë estetik të autorit Palushi për të mos heshtur përballë krimit dhe padrejtësisë, pavarësisht distancave kohore, si dhe për të mos heshtur përballë çfarëdo tendence të sotme shtetërore, politike ose të ndonjë qarku kulturor konformist e oborrtar që heziton të shprehë opinionin e vet në kundërshtim me opinionin dhe disponimin aktual të strukturave të caktuara politike ose shtetërore.
Kjo vepër po ashtu bëhet për lexuesin motiv dhe burim reflektimi për figura të tjera eminente të historisë kombëtare të shqiptarëve. Kështu personazhi i Havzi Nelës, mendoj unë si lexues i kësaj vepre, është një nyjë ku janë lidhur të gjitha vrasjet, burgosjet, poshtërimet dhe baltosjet e sa e sa mjeshtërve të fjalës shqipe, të atyre që u vranë, u zhvarrosën e u hodhën gropave, përrojeve e lumenjve vetëm e vetëm që të harrohen e të mos ndikojnë te të tjerët në zgjimin e dëshirës dhe të idealit për liri e drejtësi. Por harruan autorët e këtyre tragjedive rrëqethëse se lumenjtë vazhdimisht rrjedhin nëpër shtratin e tyre dhe pas shirave të turbullt sërish kthjellohen dhe bëhen pasqyra të akteve të tyre të turpshme.

 

Petrit Palushi

3.

“Dënimi i dytë i Havzi Nelës” është vepër mjeshtërore e mjeshtrit të fjalës shqipe Petrit Palushi, vepër e rrallë që me plotësinë që i ka bërë personazhit Havzi Nela ty si lexues të bën të reflektosh për një histori të tërë, për fate tragjike të poetëve shqiptarë që nga vdekja e dyshimtë e Pjetër Budit tek kapërcente Drinin e Batrdhë. Pastaj të del para sysh zhvarrimi mizor i Pjetër Bogdanit nga turqit dhe hedhja e trupit të tij qenve në tregun e Prishtinës. Të kujtohet zhvarrimi i eshtrave të Gjergj Fishtës nga kisha françeskane e Gjuhadolit më 20 mars 1967 dhe hedhja e tyre në lumin Drin. Po në këtë vit, më 22 maj, Havzi Nela u dënua me 15 vjet burg. Dhe ti mendon se ka ende emra të tjerë të këtij fati të zi, por nuk e di cilin ta përmendësh. Nga leximet dhe nga njohuritë e përgjithshme për kulturën dhe historinë tënde të bie ndër mend emri i një tjetri shkrimtar disident, emri i Adem Demaçit që vuajti afro 30 vjet burg në burgjet e tmerrshme serbe, që nga viti 1958 deri më 1990, kur idetë e tij dhe të Havzi Nelës po triumfonin kudo në Europën Lindore, kur po frynte era e demokracisë, “Fryma e Helsinkit” edhe në Shqipëri e Kosovë, ku ranë përtokë përgjithmonë kështjellat e damkosura të komunizmit. Ty si lexues, pasi tash hyre thellë në histori të ngjarjeve, të kujtohen edhe emra të tjerë të qëndresës shqiptare. Të kujtohet mësuesi dhe poeti Fazli Greiçevci, i vrarë në burgun e Prishtinës më 17 gusht 1964. Të kujtohet edhe një vrasje makabre e 17 korrikut 1977, kur u pushkatuan, të lidhur dorë më dorë, poetët Vilson Blloshmi (1948) dhe Genc Leka (1941) dhe u hodhën në një përrua të vendlindjes së tyre në Bërzeshtë të Librazhdit, vetëm pse ishin poetë, vetëm pse në poezitë e tyre frynte dashuria ndaj Shqipërisë dhe ndaj lirisë, vetëm pse kishin lexuar Khajamin dhe vargjet “dekadente” të Bodlerit. Të kujtohet shkrimtarja e persekutuar Musine Kokalari, të kujtohet shkrimtari i burgosur dhe i përndjekur, Rexhep Elmazi. Dhe ti si lexues nuk ke si të mos përjetosh dhimbje tek shfleton këtë dhimbje të madhe kombëtare, prandaj sikur nuk të bën punë as zemra, as mendja që të kujtosh edhe ndonjë emër tjetër të golgotës së letrave shqipe. Shfleton sërish e sërish, lexon sërish e sërish “dënimin e dytë të Havzi Nelës”, kërkon ndër librat e bibliotekës sate “kryqëzimin e Havzi Nelës” që të mos ndalesh duke lexuar këto vepra të rëndësishme të shkrimtarit Petrit Palushi, i cili figurën e Havzi Nelës e nxori, e shpëtoi si askush tjetër nga thonjtë e harresës dhe nga mendësia e nënçmimit dhe e mosdhënies së meritës që i takon në panteonin e qëndresës dhe të artit tonë kombëtar.
Në veprën “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” autori Petrit Palushi hedh dritë mbi krijimtarinë poetike dhe letrare të Havzi Nelës të shkruar me aq pasion, por në rrethana të tmerrshme brenda birucave të burgjeve. Vërehet një dëshirë e pashpjegueshme e Havzi Nelës për të bërë vargje brenda hapësirave të ngushta të burgjeve: pa laps, pa letër, vetëm me mendjen e tij, duke i përsëritur vazhdimisht që të mos i harronte, duke i rimuar vargjet me ndihmën e gishtave. Poezinë “Fryma e Helsinkit” e kishte shkruar në qelinë e Rrëshenit, kurse vargje të tjera kishte shkruar pothuajse kudo ku kishte bërë jetën e mundimshme të burgut të diktaturës. Në kamp-burgun e Qafë-Barit kishte arritur që shkrimet e mendjes së tij t’i hidhte në gjashtë fletore, të cilat u nxorën prej aty me mundim të madh nga vëllai i tij Sh. Nela, por i humbi romani “Bota e bardhë”, shkruar në burgun e Burrelit. Përkushtimi i Havzi Nelës për të bërë poezi brenda burgjeve reflekton këmbëngulësinë dhe guximin e tij që përmes këtyre krijimeve të dëshmojë për tmerrin e tij dhe të qindra të tjerëve nëpër burgjet e diktaturës.
Në arkitekturën e veprës “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” shtresë të rëndësishme përbën kapitulli “Pjesë nga kallëzimet” ku jepen deklaratat e dëshmitarëve të shokëve të burgosur të Havzi Nelës, si pjesë e procedurave të hetuesisë dhe të aktgjykimit final ndaj tij. Ky kapitull tregon për metodat e moralit të ulët që përdorte pushteti duke keqpërdorur statusin e të burgosurit, duke i bërë ata me dhunë e me kushtëzime dëshmitarë kundër njëri-tjetrit. Autori këta dëshmitarë i quan “kallëzues”: kallëzuesi Sotir D., Petro D., Agustin P., Naim U., Zenel B., Nazmi B.

4.

Fjalët e fundit të Havzi Nelës para ekzekutimit, më 10 gusht 1988, janë: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi, nanës.” Një klithmë edhe kjo dhe një guxim. Një dhimbje për fatin e nanës dhe të të afërmve të tjerë të tij.
Pas varjes në litar, kur zbardhi drita, qytetarët e Kukësit panë rojat e pushtetit si e vrisnin për së dyti poetin Havzi Nela. Luanin me trupin e tij. E shqelmonin. Sipas Kanunit, kufoma e njeriut nuk bën të prishet, por tjetër ishte morali i atyre që varën në litar poetin Havzi Nela.
Autori Petrit Palushi e përfundon këtë vepër kushtuar Havzi Nelës duke zgjedhur fjalë artistike të një peshe të veçantë artistike dhe këto fjalë reflektojnë edhe krenarinë e autorit që ka mundur të ndriçojë këtë figurë të rrallë të kombit tonë, krenarinë e autorit që Havzi Nela i ka shpëtuar harresës.

“…N’atë sfond mortor të përgatitur për të krejt hareshëm qysh në gjalljen e trazuar të tij, mbas marrjes së frymës trupi i pajetë nisi të lëkundej ndërmjet tokës e qiellit, ndërsa shpirti i tij filloi t’endej hapësirave si një zog i lirë, sovran dhe i krejtpushtetshëm. Një shpirt që fluturon e s’lodhet, që endet qiellnajës qysh prej afër tri dekadash dhe që s’mund të zbresë më kurrsesi prej asaj lartësie…”

Kështu përfundon teksti i veprës “Dënimi i dytë i Havzi Nelës”.
“Dënimi i dytë i Havzi Nelës” me përmbajtjen e lëndës dokumentare dhe gjuhësore ta imponon një interpretim të tillë, pra një interpretim dhe një analizë ndryshe dhe në përqasje me ngjarje, fenomene e figura të tjera të historisë dhe të letërsisë sonë kombëtare. Kjo prozë e bukur e një procedeu të veçantë gjuhësor dhe e një stili po ashtu të veçantë të të rrëfyerit artistik, e thurur dhe e gërshetuar me elemente zhanresh të ndryshme si tregimi, proza poetike, publicistika dhe eseja, pra ky tekst i një gjuhe të lartë ty si lexues të ndihmon që të kesh, të formosh dhe të pasurosh më shumë qëndrimin tënd ndaj shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë, të burgosur, të përndjekur e të përjashtuar. Kjo vepër po ashtu të ndihmon të kesh dhe ta mbash në çdo situatë edhe qëndrimin tënd ndaj atyre që në çfarëdo mënyre hezitojnë t’i vlerësojnë si e sa duhet ata që patën fatin e poetit disident Havzi Nela, të cilit shkrimtari Petrit Palushi i ngriti monument të përjetshëm letrar.

Nga: Hajdin MORINA

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s