Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

PSE VONOHESH

Po ti përse vonohesh kaq shumë,
nuk i dëgjon zilet e orëve të mbrëmjeve?
Natën edhe urat verbohen mbi lum
yjet orkestrojnë uverturat e këngëve.

Në odën e pritjes janë shtruar pikëpyetjet,
vonesa si një dritare e thyer në dimër.
Po ti eja, eja, duhet të nisesh patjetër,
nuk dua të vish siç erdhi Doruntina.

Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma
po ti përse vonohesh kaq shumë?
Eja sa mjegulla nuk ka pushtuar botën
dhe bota s’është përmbytur në gjumë.

Mos pi ujë nëpër burimet shtegëtare,
ku ujqët synxehtë padisin qengjat.
Eja, të pres nën vesën e luleve të majit
bashkë me zjarrin e violinës së bilibilave.

Po ti përse mendohesh kaq gjatë?
Eja se u lodhën akrepat e orëve.
Dhe hënën e zuri nata jashtë
me dritën xheloze të meteorëve.

Eja, siç vijnë dallgët e nxehta drejt bregut
dhe hakmerren duke ndezur zjarre
Eja, se edhe të duam nuk kemi jetë tjetër,
madje, atë tjetrën, unë nuk e besoj fare.

 

NË SHI

Më pëlqejnë ditët me shi dhe erë
Muzika e tyre më ngjan si simfoni
Më pëlqejnë dhe ato që s’kanë diell
Sepse diell i jetës quhet lumturi.

Ka nevojë kjo tokë të pi lotët e saj
Rrënjët e etura duan dimrin e ashpër
Qielli bëhet i bukur kur retë qajnë
Lotët e qiellit mbajnë sytë të pastër.

Më pëlqen të udhëtoj nëpër shi
Trokasin kujtimet mbi lëkurën time
Kaq herë nën një ombrellë unë dhe ti
Kaq herë në shi edhe në ëndërrime!

Më pëlqen të jemi diku, në një mal
Ku edhe shiu e era janë më të pastër
Në një grykëshpelle të ndezim zjarr
Deri sa dhe hiri të tretet në vatër.

Pastaj të dehemi me rrezet e diellit
Krahët t’i nderim në velat e erës
Një tufë lulelutjesh për Zotin e qiellit
Muzika e shiut sjell gazin e pranverës.

 

MOS U ÇUDISNI

Nësë miu bëhet ka’
dhe tërheq një qerre
me plehra të parfumuar, 
mos u çudisni,
është koha e minjëve.

Nëse ujqët bëhen kryepleq
dhe ndrrojnë stemat e vulave
sipas fisit dhe origjinës,
mos u çudisni,
është koha e tyre.

Nëse derrat
harruan baltën
dhe derrosin kolltukët,
është koha e derrave.

Mos u çudisni
pse nuk ka më lule,
është koha e plehrave.

Është koha e çudirave
në pasqyrën e këtij shekulli,
pak frymë e dritë për të gjallët,
më shumë vdekje për të vdekurit.

(nga vëllimi “Nën hijen e një ëndrre”)

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s