Dy fjalë mbi librin “Gjithçka rreth asgjësë” të autores Flogerta Krypi në prag të Panairit “Tirana 2018” / Nga: Lediona Braho

Dy fjalë mbi librin “Gjithçka rreth asgjësë” të autores Flogerta Krypi në prag të Panairit “Tirana 2018”

“Njerëzit bëjnë pyetjet e gabuara, ndaj marrin përgjigjet e gabuara”. Kjo është fjalia me të cilën Gerta hap librin e saj të ri “Gjithçka rreth asgjësë”, i cili përmbledh novelat “Më blij një kujtim” dhe “Dy një të dytat e humnerës”.
Në prolog, në aktin e parë të një drame me shumë akte, ajo hyn e shqetësuar për fatin e njeriut. “Njerëzit bëjnë pyetjet e gabuara”… dhe këtë mendim e përforcon në rreshtat pasues, gati duke na përplasur në fytyrë të vërtetën e saj: njerëzve iu pëlqen t’i komplikojnë gjërat, duke krijuar kështu një “gjithçka të frikshme” nga “një asgjë” e thjeshtë. “Asgjë” dhe “gjithçka”, dy koncepte-antitezë, të pranëvëna guximshëm që në titull, krijojnë një antitezë edhe më të fuqishme, e cila shpjegon thelbin e jetës sonë.
A është vërtet kështu? A e mpleksim asgjënë me dashje për të krijuar gjithçkanë, duke munduar shpirtin tonë? A jemi të vetëdijshëm për këtë mundim që ia krijojmë vetes? Kjo prirje e mbrapshtë jona ia mundon shpirtin Gertës, sa ajo nuk mundet të heshtë dot. A bëjmë pyetje të gabuara, të dënuara të marrin përgjigje të gabuara? Me një logjikë deduktive, autorja na i zbulon disa nga këto pyetje, për të na shpjeguar si ka arritur në këtë përfundim:
“Kur dikush merr vesh që ka përfunduar një lidhje, askush nuk të pyet si ndihesh. Të gjithë duan të dinë se pse mori fund… Të gjithë të pyesin çfarë shkolle ke bërë, por askush nuk të pyet nëse kjo është ajo çfarë do të doje të kishe studiuar… Të gjithë duan të dinë çfarë pune bën dhe sa paguhesh për të, por askush nuk të pyet nëse të pëlqen puna që bën…”
Me dilemat që e godasin si çekan, Gerta ngre shqetësime ekzistence që në fillim të rrëfimit të saj. Sikur do të na shkundë nga rehatia në të cilën kemi rënë, mbase nga pafuqia, pazotësia apo verbëria jonë… me këmbanën e alarmit të saj: me fjalën e fortë, të vetmin mjet që një shkrimtar ka për të “diagnostikuar” shoqërinë në të cilën jeton e që, me shpresë, dëshiron e synon ta ndreqë sadopak. Gerta nuk është e merakosur vetëm për njerëzit që jetojnë, por edhe për ata që ikin e nuk kthehen më. Në çastin më të hidhur që mund të provohet në këtë jetë, kur dikush dëshmon ikjen e dikujt nga kjo botë, ajo ndihet e pangushëlluar, e pambështetur nga njerëzit, të cilët, në vend që t’i rrinë larg e t’ia kursejnë fjalët e tepërta, e shtyjnë në drejtimin e gabuar: të urrejë Zotin apo ekzistencën. Ajo pikëllohet para finalitetit të vdekjes dhe mbarimit të gjithçkaje bashkë me të; vdekja i ngjan një grabitqari që merr me vete më të shtrenjtën gjë tonën: shpresën për të ëndërruar.
Pse ne njerëzit e komplikojmë jetën kaq shumë, kur mund të silleshim më thjesht, më mirë, më njerëzishëm? Kur mund të bënim pyetjet e duhura për të marrë përgjigjet e duhura? Shqetësimi për fatin tonë të papërcaktuar, shpesh të mbrapshtë dhe pesha e frikës se mund të jetojë e të ikë e pakuptuar nga kjo jetë, e kanë frymëzuar Gertën të shkruajë dy novela të mrekullueshme, pasi ajo e ndien se ka një mision për të kryer, duke na ftuar drejt një jete, të cilën duhet ta jetojmë siç duhet.

Flogerta Krypi

***
Novela “Më blij një kujtim” nis me një pohim të thjeshtë, por tronditës, që fare lehtësisht mund të gjendet në romanet e absurdit: “Ishte një ditë e zakonshme vjeshte kur F.K. vendosi të vriste veten”. Personazhi, që jo rastësisht mbart inicialet e emrit të autores, është një njeri që e ka ndarë mendjen se do të largohet nga kjo botë dhe i vetmi person të cilit i zë besë është sekretarja e tij, të cilës i lë një shënim, ku ndër të tjera thuhet: “Nuk e di as vetë se kur do kthehem, ndaj, përpara se të iki, kam shumë dëshirë të blesh një kujtim për mua… Duhet të gjej veten, se nuk e mbaj mend ku e kam braktisur”. Dhe e porosit atë që t’ua dërgojë në kohë nga një telegram miqve dhe familjarëve të tij.
F.K. është 33 vjeç, një financier i zoti, i plotësuar në rrafshin profesional, por një njeri i palumtur, i frikësuar, bosh dhe pa kuptim për ekzistencën. Kur ishte i vogël, ai ishte tejet i apasionuar pas matematikës dhe pasioni i tij arrinte në gradën e një obsesioni dhe përpjekjeje për t’i ikur realitetit. Duke dashur të rrinte larg të atit, me të cilin kishte marrëdhënie të ndërlikuar, ai kishte zgjedhur të mbyllej në botën e tij katrore: në laboratorin e matematikës, vendi i vetëm ku ndihej i sigurt, i pakërcënuar, brenda atij që e quante “realiteti perfekt”, larg babait dhe botës. Ishte i bindur për drejtimin që do të merrte, por jeta e tij do të pësonte një tronditje të fortë pas djegies së laboratorit. Zjarri do t’i vidhte formulat, por dhe gjënë më të shtrenjtë që një njeri mund të kishte: kujtimet. Nëse dikush apo diçka na fshin kujtimet, jeta jonë merr një tjetër rrjedhë dhe vetja jonë pëson krisje. Me aq pak kujtime sa i kishin mbetur, para vdekjes së zgjedhur me “vullnet të lirë”, ai kishte vendosur t’u kërkonte njerëzve të afërt t’i blinin nga një kujtim.
A do të arrijë ai t’i marrë kujtimet që do para se të ikë nga kjo botë me dashje?

***
Ndërsa novela “Dy një të dytat e humnerës” rrëfen historinë e një dashurie të pamundur mes një shkrimtareje “të pushtuar” nga fantazmat dhe një mjeku të dashuruar gjer në palcë pas saj, të cilët rreken përditë, pak nga pak, me hapa aq të ngadalta e të pështjelluar nga ankthi, të gjejnë rrugën: ajo për te vetja, ai për tek ajo. E shkruar në formën e një ditari, si një dialog imagjinar mes dy personazheve, novela e ndarë në tre pjesë është tejet drithëruese. Tek lexon shkëmbimet e mendimeve dhe ndjesive mes dy njerëzve të dashuruar, që nuk mund të jenë bashkë, për arsyet që do t’i zbuloni gjatë librit, ndien se dashuria, ajo e vërteta, ndonjëherë thjesht nuk mundet ta gjejë rrugën, por përfundon në humnerë. Kjo është një histori e trishtë, që duket sikur bërtet me sa fuqi se i vetmi shpëtim për njeriun është dashuria për vetveten, ndërsa mungesa e saj është baraz me asgjë.
Pjesa e fundit e novelës i ngjan një ulërime që shkulet nga shpirti i burrit në aktin e fundit të braktisjes nga dashuria e jetës së tij: “Nuk të fal. Nuk do të të fal, asnjëherë, që po më braktis. Nuk do të fal, asnjëherë, që ti hoqe dorë nga dashuria jonë, pa asnjë shkak. Nëse hedh dhe një hap të vetëm dhe nuk vjen pranë meje tani, dije që do urrej çdo kujtim që kam krijuar me ty. Do ta lëndoj veten aq thellë, sa nuk do e lejoj kurrë një grua tjetër të më afrohet e jo më të më dashurojë. Nuk do të ta fal, kurrë, që zgjodhe veten përpara nesh. Dije që është në dorën tënde nëse do që unë të jem akoma një njeri normal në këtë botë. Ikja jote nga jeta ime do lërë pas veç një gjysëm humnere, asgjë tjetër. Ndaj, nëse ti ikën dhe pas këtij momenti, do lësh pas një burrë që të do me gjithë qenien e tij, por që ti e braktise.”
Në fund, gruaja që braktis burrin, jo për shkak të mungesës së dashurisë, por për arsye të fatit apo zgjedhjes së vetes, na jep një mesazh të forte, që na zhyt në reflektim: “Ka ardhur çasti të vendos kush jam. Njeriu është qenia që zgjedh të jetë dhe këto zgjedhje e përcaktojnë nëse ne do e drejtojmë sistemin apo ai do të na drejtojë neve. Unë jam F.K. Unë zgjedh që akrepat e jetës time të ndalin tek ½ e humnerës që më bën të lumtur.”

Librin e gjeni në panair te stenda e shtëpisë botuese “Argeta”

 

Nga: Lediona Braho

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s