Poezi nga Ekrem Ajruli

Poezi nga Ekrem Ajruli

 

FALJE MOS KËRKO…

Majëbuzë plasaritur shoh degë trëndafili
Melodi e përvajshme vërshëllon pa fjalë
Vjen pëshpërimë e ngjir erëshkrum hiri
E ytja dallgëdeti vjen si e molisur stërkalë

Syri yt i lodhur seç më flet përgjumur
Mezi lëviz qerpikun vrarë pagjumësie
Nga hon tersëndërrash vjen i përhumbur
Mbytur pabesisht në baltë djalldjallëzie

Le të çmallet malli i mbledhur ndër vite
I lartësuar si pirg e i shtrirë si bjeshkë
Nebuloze sonte është kjo puthja yte
I ka mehur prushi s’po digjet si eshkë

Sapo shtrijë dorën të prek faqet tua
Me gisht të ta prek atë buzë t’mavijosur
Bën t’ikësh nga unë s’di pse merr në thua
Kush t’vrau shpirtin o mjellmë e plagosur

Më vjen vargu yt djegur prej vetëtimash
Më troket në gjoks përplot dhembshuri
Pritja ime sfidon të ftohëtat netbrimash
E një zeherkamë më godet nën bri

Fytyra yte qumësht goja yte mjaltë
Amë e pashtershme ku buron dashuria
Unë digjem si eshkë me mallin e zjarrtë
Në ëndrrat nebuloze që m’i sjell Jermia

Digjesh marrëzisht ti për puthjen time
Digjem çmendurisht unë për buzët tua
Humbe e u trete më le një det kujtime
N’pirgvite pritjesh mbet fjala – të dua –

Unë mbi urë të lumit ti mbi të lumit urë
Ti ike me vjeshtën pa u përshëndet
Buzëqeshja më ngriu fjalës i vara gur
E fundosa thellë në të shpirtit det.

 

UNË THITH DUHANIN ERA SHPUZËN SHKUND!

Mbi qytezën Wohlen frynë era lozonjare
Ja! Makinat u ndalën kush më nuk bredh
Sonte jam vet me verën “Stella Lunare”
Brima pëlhurëbardhë stolis lëndinat përreth

Le të dehem sonte me kët lëng lunar
E t’harroj dhembjen t’mbledhur ndër vite
Durova se të desha, jo se isha i marrë
Dije se s’më gjunjëzon fare vonesa yte

Ah! Prush digjet shpirti, sonte etje kam
Ndaj e hap dritaren ftohti t’më tund
Nga brendia trazohet Uni im cunam
Unë thith duhanin era shpuzën shkund!

Përkulur n’dritare përhumbur në natë
Ndjek mortvajin e erës si gjethet shkund
Dëgjoj rrënkim t’lisit që dergjet n’lëngatë
Psherëtinë: Mik vjen çasti kur durimi ka fund!

 

KUDO KËRKOJ TËNDIN T’BUKUR SY
 
Sapo bie muzgu TI vjen më trazon mallin
Nuk ka natë vjeshtake që nuk më tundon
Vjen si erë e harlisur e më freskon ballin
Pranverën në mua vetëtimthi e zgjon
 
Nuk ka skëterrënet që nuk të përmend
S’ka çast që s’e kërkoj tëndin të bukur sy
Si skifter krahapur askund nuk zë vend
T’kërkoj lart mbi korb-re në shtatën yjësi
 
Me duf thith cigaren dhe buza më dridhet
Një ndjenjë përvëluese seç më turbullon
Gufon prushmalli n’grykë vjen e mblidhet
Kur m’fanitesh TI mbi të pafundmin hon
 
Këto dallgë tunduese nuk i përballoj dot
Ndaj zbraz gastaren mbush me rekëtima
Tundohem në heshtje si vera M e r l o t
Tek rrjedh kraharorit e trazon gjekëtima
 
Në sy m’digjen yjet dhe zjarri nuk mehet
Kërkoj dritën tënde po s’e shoh askund
Zbraz t’bekuarën gotë e shpirti nuk dehet
Ma mbush me erën tënde e ta pi me fund
 
Ç’pate në këto net kush ta theu qetësinë
Ç’u ngryse në skëterrë ndër ato abuze
Eja sonte s’bashku korbnatën ta gdhimë
Mua sot m’trazuan vargjet e një muze
 
Sonte Ballëhënë kridhu në tuat tundime
Rrëgjoi ëndrrat tona posi gjethe vjeshte
Me kafenikotinë unë vras ca terskujtime
Si skifter syzgjuar t’pres në majë kreshte.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s