Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Zemra ime

Erdhëm bashkë në këtë botë.Ish janar e kishim ftohtë.
Pa më thuaj pas kaq vjetësh, a nuk ndjen ndopak të ngrohtë?
Zemra ime, vogëlushe, varkë në detrat me tufan,
Rreze dielli në mes pyjesh, zjarr mes dimrave kallkan.

Gjuha ime, ora ime, shpesh të ndjej, kur godet fort.
Zogëza ime, drita ime, tërë këtë kohë qershi mbi tortë.
Si plakushe , dhimbja ime, në s’tërhiqem, ti më ndjen.
Të më mbrosh e rrallon hapin e kështu asgjë s’më gjen.

Kur vogëlushe, kur plakushe, s’u dorëzove asnjëherë.
Po të lagesh, s’e bëjnë lotët, është shi, vazhdon të bjerë.
Kur shërohem, kur sëmurem, ti je mjekja ime,xhan.
Shoqja ime, mikja ime, bashkë me ty ndjehem titan.

Erdhëm bashkë në këtë botë. Bashkë do ikim përsëri.
Mos më thuaj pas kaq vjetësh se nuk mbetëm prapë të rinj.
Besa ime, shpresa ime, dhe pse natë që sjell mëngjes,
M’u zoto, të dua fort, mos më le kurrë të pashpresë.

 

E humbëm Atdhenë

E humbëm Atdhenë
Dhe gjetëm kohën-refugjat duke kërkuar dashurinë,
Netëve, moteleve misteriozë duke pirë kotësinë.
Rastis që grahma frymësh në heshtje të dëgjojmë,
Ku vetëm seks dhe dashuri kurrë nuk bashkjetojnë.

E humbëm Atdhenë
E prapë s’do t’doja kurrë të ngjanim me një Makbeth,
Që bredh, me vdekjen në kurriz dhe vetëm bredh.
Mbyllur përgjithnjë brenda muresh të bërë pis me krim,
Që koha e bie rrotull gjumëvrarë, më kot, pa një pendim.

Ja… E humbëm Atdhenë.
Na e morën derbederët dhe e lozën në kumar.
Na bënë të qajmë, me njerëzit më të shtrenjtë, të ndarë.
Vallë, do të thithim pak nga ajri i tij, qoftë edhe një ditë?
A do t’ia puthim një grusht dhè, kur do na lënë fuqitë?

E humbëm Atdhenë, e humbëm…
Po s’ ishim ne,… janë ata pa shpirt…

 

Një SOS

Një SOS poeti besoj se ia vlen,
Është i sinqertë, nga ankthi shpërthen,
Kur dashuria nga shpirtrat nis-del,
Kur shkon kuturu, si varka pa vel
Atëherë dhe poeti s’arrin ta përmbajë,
Ndaj kërkon SOS-in tek ju ta shpërndajë.

Nuk jam asgjë e nuk jam askush,
Por gjithçka dua me zemrën prush.
Një lot dhe i vetëm, më robëron.
Një dritë pas hekurash gjumin ma zgjon.
Era me retë ka burgosur një qiell,
Ndaj SOS-in tim ju sjell e risjell.

Po s’qenka thënë të jem anonim,
Se një poet i ngjan yllit në agim.
Dhe në luftofsha si Don Kishot
Dhe për armk, vet boshllëku më qoftë,
Do të kthehem prapë si një ylldritë
E nesër mëngjeset do t’jua përndritë.

Është SOS poeti, ndaj dhe ia vlen.
S’e ndjeni, miq? Nga ankthi shpërthen!…
Se dashurinë çdo ditë që kalon,
Si varkë mes detit tufani largon.
Nga bregu ynë, nga ky djep i shenjtë,
E me vete po merr gjer dhe shpërgenjtë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s