“E fortë si vdekja” (Roman) – MOPASAN / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

“E fortë si vdekja” (Roman) – MOPASAN

“… Nëse do të kishte diçka që mund të më ngushëllonte në këtë gjëmë të zezë që më ka gjetur, i dashur mik, kjo do të ishte letra juaj. Dje e varrosëm, dhe qysh nga çasti kur trupi i saj i ngratë e i pajetë doli nga kjo shtëpi, më ngjan sikur kam mbetur fillikat në këtë botë. Nënën e vet njeriu e do thuajse pa e kuptuar, pa e ndier, meqë kjo gjë është diçka po aq e natyrshme sa vetë jeta, dhe vetëm në çastin e lamtumirës së fundit vë re sa të thella i ka rrënjët kjo dashuri. Nuk ka dashuri tjetër që mund të përqaset me të, sepse të gjitha të tjerat janë të rastësishme, kurse kjo është e lindur, të gjitha të tjerat na i sjellin më pas rrethanat e ndryshme të jetës, kurse kjo rron në vetë gjakun tonë qysh nga dita e parë kur vijmë në këtë botë. Dhe pastaj, njeriu s’humbet vetem nenen, bashke me te zhduket edhe gjysma e femijerise sone, sepse jeta jone e shkurter femijerore ruhej ne kujtesen e saj aq sa edhe ne kujtesen tone. Vetëm ajo e njihte njësoj si ne, ajo dinte një mori vogëlimash të largëta, të parëndësishme, por të çmuara, që kanë qenë e mbeten përgjithmonë të parat emocione të ëmbla të zemrës sonë. Vetëm asaj mund t’i thosha akoma: ‘Mama, të kujtohet ajo ditë kur…? Mama, të kujtohet kukulla prej porcelani që më pati dhënë gjyshja?’ Të dyja bashkë sillnim ndër mend një varg të tërë kujtimesh të thjeshta e të hareshme, të cilat tani nuk i di njeri tjetër në këtë botë përveç meje. Ka vdekur, pra, një pjesë e vetes sime, pjesa më e hershme, më e mira. Kam humbur atë zemër të mjerë ku jetoja ende e plotë ashtu siç kam qenë kur isha vajzë e vogël. Tani atë s’e njeh më askush, askujt s’i kujtohet më vogëlushja Anë, askujt s’i kujtohen ato fundet e shkurtra, ato të qeshurat dhe ato ojnat e saj. Dhe do të vijë një ditë, e cila mbase nuk është dhe aq e largët, kur do të iki edhe unë e do ta lë të vetme në këtë botë Anetën time të dashur, ashtu siç më la mua nëna sot. Sa e trishtuar, e rëndë e mizore është e gjithë kjo! E prapëseprapë, njeriu s’mendon kurrë për këtë, nuk vë re se vdekja në çdo çast merr dikë rreth e qark nesh, ashtu siç do të na marrë edhe ne së shpejti. Po ta vinim re këtë, po ta mbanim mendjen aty, po të mos ishim të shkujdesur, të gëzuar e të verbër ndaj gjithçkaje që ndodh para syve tanë, atëherë s’do të ishim në gjendje të jetonim, sepse pamja e kësaj masakre të pafund do të na shkallonte. Jam aq e dërrmuar, aq e trishtuar, sa nuk bëj dot më asgjë. Ditë e natë e kam mendjen te mamaja ime e gjorë, e mbyllur në atë arkë, e kallur në dhe, atje në fushë, në mes të shiut, dhe fytyra e saj e plakur, që e puthja me aq gëzim, tani s’është gjë tjetër veçse një kalbësirë e llahtarshme. Oh, çfarë tmerri, miku im, çfarë tmerri! Qamëni hallin, mendoni për mua, shkruamëni! Tani kam aq shumë nevojë për ju! ANA”

(Guy de Maupassant: “E fortë si vdekja”, titulli i origjinalit: “Fort comme la mort”, Roman, 240 faqe.)

 

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s