Je suis Lahuta! / Nga: Ermal Lala

Je suis Lahuta!
 
 
Nga: Ermal Lala
 
Ishte Prill i vitit 2011. Atëkohë isha në vit të dytë në universitet kur profesori i kimisë organike, foli rreth produkteve origjinale ushqimore shqiptare se si po përvetësoheshin kulturalisht nga vendet ballkanike. Duke qenë se ishte leksioni i alkool-eve, dhe ndër kapitujt më të parapëlqyer në kiminë organike, më tërhoqi vëmendjen shumë diçka që tha rreth rakisë. Se si rakinë tonë, markën, traditën dhe trashëgiminë unike po na e vidhnin bullgarët dhe se ne nuk po bënim asgjë për ta parandaluar këtë vjedhje të hapur. Zuri në gojë se si Uiski ishte skocez, uzo ishte greke dhe shampanja franceze dhe se shtetet e tjera duhej patjetër që t’i paguanin të drejtën e markës nëse do të donin ta prodhonin! Asokohe këto fjalë më hynë nga njëri vesh e më dolën nga tjetri duke qenë më shumë i fokusuar tek mësimi i ditës!
Por sot kur mendoj se prej kaq vitesh si nxënës, gjimnazist e student kam mësuar se Fishta e shkroi kryeveprën e tij në atë mënyrë që të këndohet vetëm me lahutë dhe se lahuta nga ditët e sotme e në vazhdim nuk do të quhet më Lahutë por Guzle, më bie pika e inatit tim se pse nuk jemi të aftë, pse na vjedhin përpara syve, në ditën me diell kulturën tonë, identitetin tonë kombëtar pse na e përvetësojnë nën siglën e një emri tjetër? Pse nuk reagojmë? Pse lejohet që këto marrëzi të bëhen ligje, autorizime, të kthehen në identitet të tjetërsuar e të falsifikuar ku dalëngadalë provat e vërteta fundosen pa pasur mundësinë të tregojnë në kohë të vërtetën dhe balta e hedhur bëhet vepër. Kështu si e kanë nisur serbët e ardhur në shekullin e 7të në Ballkan, së shpejti do të përvetësojnë pak nga pak edhe qeleshen, që thuhet se edhe Homeri e ka pasur mbi kokën e tij, do të përvetësojnë edhe tirqet e xhamadanet tona dhe Xhamadani vija vija ndoshta do të këndohet në serbisht ku në vend të Drinit do të jetë Leposaviqi e Danubi e në vend të çiftelisë do të jetë Guzle-ja e tyre inekzistente! Është fatkeqësi o motra e vëllezër shqiptarë! Se po na vjedhin krenarinë tonë? Me çfarë do të krenohemi pastaj? Me dolce gabanen, armanin, vutonin? Gërmadhat tona që gërmohen çdo ditë nga arkeologë të huaj që vazhdojnë të nxjerrin koka perëndish të greqizuara dhe arkeologët tanë rrinë pa punë ose punësohen mësues historie nga financimet turke e që na mësojnë fëmijët tanë të kujtojnë se Skënderbeu dhe ushtarët turq qenë si vëllezër!
A e keni vënë re se çfarë po ndodh në Shqipëri? Çdo vit ndërtohen dhjetëra xhami, kisha e objekte kulti e çdo vit pasardhës dyfishohet numri i xhamive ekzistuese, ndërkohë shkollat zhyten në mjerim dhe shkollat e qyteteve janë mbipopulluar saqë e bëjnë mësimin në dy turne! Universitetet nuk kanë asnjë financim shkencor dhe vazhdojnë të prodhojnë studentë analfabetë, studentë që blejnë ose kopjojnë paragrafë online për të mbushur tezat e tyre dhe se kokat drejtuese të këtyre universiteteve bëjnë rokada çdo 2 mandate!
Është mjaft e dhimbshme, por e gjithë kjo është shndërruar në një glaukomë të tmerrshme e cila pak nga pak po na vë perde në shikim dhe ne vazhdojmë të ecim drejt fundit total të civilizimit autokton shqiptar, sa nuk po e kuptojmë se humnera është pranë dhe se vizionet e së shkuarës na paraqesin një lëndinë të bukur plot me lule e gjelbërim në formën e një mirazhi, që na çmend, na tundon, na vë në letargjinë sublime e në fund fatalisht na godet pak nga pak me nga një humbje vlere. Sot është lahuta, nesër qeleshja, një ditë pse jo do të mund të rihapet edhe çështja për polifoninë?! Rakia u mbarua! Tava e kosit ishte për të lëpirë gishtërinjtë, Poturet është turp të vishen sepse ka dalë moda e xhinsit, xhamadani na bie pak ngushtë, le ta flakim, flija ka shumë yndyrë të vel, sheqerparja të bën diabetin, hidhe djepin se kanë dalë do shtretër të rehatshëm që tunden në ajër, fyelli të zëvendësohet me bilbil se është më praktik, Eposit të Kreshnikëve i ka ikur koha, nuk bën të diskutohen vjershat epiko-lirike në shkolla. Karamahmuti i Zi dhe Ali Pashë Tepelena sepse mbrojtën Shqipërinë e tyre u dogjën në kullë dhe u prenë kryet, por sot i djegim dhe ua presim kokat i madh e i vogël me harrimin që u bëjmë në histori apo i damkosim si tradhtar se nuk bashkëpunonin fort me osmanët që administronin Shqipërinë dhe se pashallarët flirtonin me francezët dhe anglezët! Mirë ore po më thoni mua a ka ndonjë turk të madh, ndonjë Pasha turk të ketë shkruar si Bajroni?! A ka ndonjë turkeshë të ketë shkruar si Durhami për malsoret tona burrnesha?
Sepse ata që thonë se na duan shumë, nuk na kanë dashur kurrë në histori! Ai që të do, shkruan për ty dhe të përjetëson në vepra të shkruara! Prandaj sot më shumë se kurrë ka ardhur koha t’i biem rreth e qark botës, bibliotekave kudo për të nxjerrë fakte historike jo në përvetësim kulturash të huaja, por në mbrojtje të identitetit tonë kombëtar!
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s