VOGËLUSHI  QË E GJUAJTI GJENERALIN ME GUR / Poezi nga Kolec P. TRABOINI

Poezi nga Kolec P.  TRABOINI

 

VOGËLUSHI 
QË E GJUAJTI GJENERALIN
ME GUR

A e njihni atë njeri
që ecën nëpër shtegun
e ahishtave të diellit
e nëpër vragë të ballit të tij
të purpurtë kalon
që kthen pas e, në ofshamë
hap një portë në kujtesën
e gurit, zhytet në muzgjet
e anktheve të djeshme
ku vritej loti në qërpikun
e burrit – e në brazdat tinzare
të vjeshtës
ekzekutoheshin edhe gjethet.

Ja thanë krahët
e shpirtin ja bënë eshkë
parvazin ku mbështeste kokën
në ëndërrim, ja dogjën
mohit i ranë shkollës, punës
banimit në qytetin e Shkodrës
se baba ju arratis dhe ai
asokohe ferishte
gjuajti një gjeneral me gur
sepse nuk e lejonte Hilmi Seitin
t’ja shante baben “armik”
bash ky burrë!

I lindur në mes malesh
e reflekse ujrash të kristalta
përcjell brenda vehtes edhe erën
e lehtë të korijeve të Shkrelit
e cila e shtyn gjithnjë në largim
besa edhe përtej oqeanike
ku një dashuri e re për jetën
zë fill në tokën e Linkolnit
veç, pa mundun kurrë
ta largojë nga imazhi i brigjeve
shkëmbore prej nga ka ardhun.

Nëse shihni një njeri të mirë
e të urtë përskaj avenjuve
të Nju Jorkut
bën vaki edhe me lokalet
e Dem Balidemës a Gjergj Dedvukajt
tek kuvendon me vllezërit Gojçaj
a Astrit Totën për shtatoren
e Nanë Terezës
një shkodran i gjatë
sykaltër, që në meditim
të kujton Budën e Krishtin
e vargjet i tingëllojnë
me frymëmarrjen e gjoksit
të Uitmanit
ndalojeni, takojeni e flisni me të
si me vetvehten
si burri me burrin.

A e njihni atë njeri që ecën
nëpër shtegun e ahishtave
të diellit e nëpër vragë të ballit
të tij të purpurtë kalon
që kthen pas e, në ofshamë
hap një portë në kujtesën
e gurit?

Ai është poeti Luigj Çekaj
që në fëmininë e përlotun
e gjuajti gjeneralin
me gur.

Nga libri “Trinia ime”, Boston-Tiranë 2006
ISBN 99943-36-70-3

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s