Kalendari poetik: Heinrich Heine (1797-1856) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 Heinrich Heine (1797-1856) 

 

Kalendari poetik: Heinrich Heine (1797-1856)

Poeti i shquar gjerman Hajnrih Hajne u lind 221 vite më parë, si sot, më 13 dhjetor 1797 në Düsseldorf. Ishte një nga përfaqësuesit e periudhës së ndërmjetme mes romantizmit dhe realizmit. Rridhte nga një familje bankierësh dhe tregtarësh çifutë. Hajne nuk mundi të ndiqte të njëjtë rrugë si të parët e tij. E ardhmja e tij qe poezia, jo bankat. Në vitin 1825 braktisi fenë çifute dhe u konvertua në fenë e krishterë protestane luterane. Ndrroi edhe emrin nga Harry në emrin gjerman Heinrich. Po atë vit mbaroi studimet për drejtësi. Udhëtoi në Angli dhe më pas në Itali, në Lucca dhe rrethinat. Pas vitit 1832 shkoi në Francë (atje u bë mason) ku takohej shpesh me mërgimtarët gjermanë si Ferdinand Lassalle, Richard Wagner ose me francezë të shquar si Balzak, Hygo, dë Myse dhe Zhorzh Sand. Atje dhe u martua. Vdiq në shkurt të vitit 1856 dhe u varros në Paris, në Montmartre. Fjalët e tij të fundit qenë në frëngjisht: “Zoti do të më falë. Është profesioni i tij.”
Sot përzgjodha këtë shqipërim nga ç’kam prej poetit gjerman:

SONET
(Im tollen Wahn hatt ich…)

Më braktise ti, mbeta i zhgënjyer,
Sa u nisa ashtu, pa mënt’ e kokës,
Dashuri të lypja në fund të botës
Dhe ta përqafoja i ngashëryer.

Dashuri kërkova, rrugë më rrugë,
Në çdo derë trokita, zgjata duart
Për pak dashuri, fort i dëshiruar,
Por kudo më tallën dhe më përbuzën.

Vetëm dashurinë, kurrë s’e gjeta,
S’e dalloja dot, kush qe e vërteta,
Hyja në shtëpi fare i dërmuar.

Kur përballë meje të pashë ty
Me dritën e dashurisë ndër sy,
T’ëmblën dashuri, që pata kërkuar.

 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s