ËNDRRA E JETËS SË NESËRME QË E DESHA SOT ( Premierë mesnate …) / Poezi nga Sabit Rrustemi

Poezi nga Sabit Rrustemi

 

ËNDRRA E JETËS SË NESËRME QË E DESHA SOT

Premierë mesnate …

Luginave ku prehet në dysh 
Kurrizi i k’tij Mali t’Moçëm
shprushet Etna
nga vullkane të fjetuna trubullohet Kroi

Një Mjellmë e Bardhë e Ujërave të Kaltra
më përfton syve e m’trazon n’Rrajë t’Çepurit

Dallgë të furtunta zjarresh
përplasen mbi Trojën e Lashtë
e mbi mua
sa herë të kujtoj e nuk të kam

Fat a Kob ishte ai Çast që u njohëm
në një fund mali e një fund stine
skaj Jonit të përtërishëm

Nuk ish ai Yll i largët
me mijëra vite drite që më digjte
as ai zjarr i pashuar luftërash
që ende flakëron nëpër kohë

Shikimi yt prej Mona Lize ish
ndezës e flakërues si tash
që m’i zjarrmon ndjenjat deri në hi

Kot thej udhën kah Syri i Kaltër
a gjarpëroj Jonit për dritë hëne

Vetëm ndizem e përndizem më shumë
asaj floknaje ngjyrë qumshti
hapësirës së mëndafshtë të qenies sate

Cila je ti
Prina
Dafina
a Dea

Kush tha Helena
Sirena

Kërthizës sime u përbirove
gjete strehë
e dole në këtë kopsht deti

Mjellmë e bardhë ujërash
erërash e valësh
dashuri e pashterrur nëpër kohë

Në qiell të ngritën prej epshesh
thellë shtresave të nëndheut të shtypën
barbarë të përdalë e bukëshkalë

Sa Troja u luajt e u reprizua në ty
s’ma thua dot

M’u katrithe dhe sysh si ëndërr e përnatshme
pas mijëra e mijëra vitesh
zgavrave të thella të Priamit
erdhe deri tek unë

Në Teatrin e rilindur të Butrintit
si në profil
poshtë ujërave fytyrën Tënde shoh
e tinëz pas Teje lëshohem

Në vend të Perit të Ariadnës
vargnoj fjalën
liqenit që lanë trupin e ujtë në çdo gjashtë orë
të kërkoj

Dal në Maje të Lëkursit e të Çepurit
si n’pëllëmbë dore të shoh e nuk të prekë

Më ikë duarsh si ujtë e Jonit
nuk të zë mësa ëndrrën
as kur shtrij rrjetën

Zgjohem para agut
dal te bregu
stinëve
moteve që ikin

Ti mbetesh këtu
ëndërr e jetës së nesërme
që e desha sot

( Rrajë Çepurit, 18 – 19 dhjetor 2018 )

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s