Bregu i ferrparajsës / Fragment nga romani i autorit Miltidh Davidhi

 
Bregu i ferrparajsës
 
 
KREU I PARË
 
Me një mikun tim Italian, Antonio Baglivo, le gjurmë të zbathura në rërën ngjyrë ari të bregut të Açarolit(Acciarolit), i cili ndodhet në komunën e Polikës(Pollices). Kjo komunë gjëndet pas shpinës së malit yll, ndërmjet bregut të detit dhe kodrinës së mullirit me erë. Një gjerdan i artë dritash të ndezura mbrëmjeve në shtëpitë për rreth bregut, ngjajnë me temina shumëngjyrëshe në ballin e bukur të kodrës, duke e stolisur e zbukuruar si për festë. Shikoj ndërtesa të bukura e të lashta dhe me kujtohet qyteti i Beratit dhe i Gjirokastrës atje, në Shqipërinë time. Ato janë të ndërtuara shkallë-shkallë e krahë për krahë në vëllazërim të plotë me njëra-tjetrën e me detin. Nuk je në gjëndje të dallosh ku mbaron fshati e ku fillon qyteti, ku mbaron qyteti e ku fillon fshati. Një arkitekturë moderne të shfaqet para syve kudo dhe ndjehesh i mrekulluar. Polika(Pollica) e ndërtuar para njëmijë vjetësh të mahnit edhe sot me pamjen, bukurinë e rezistencën e ndërtimeve antike. Ecim duke lënë gjurmë të zbathura mendimesh unë dhe miku im Italian. Ndoshta, dhe nga ky breg, duke shkelur me këmbë këtë bukuri përrallore, më shtatë prill 1939 u nisën ushtarët italian me kepucët e tyre të rënda dhe pushtuan Shqipërinë time duke shkelur gjurmët e mia të vogla bregut të detit Adriatik.
-Ndoshta ,-thashë ,-se çizmja italiane është e zhytur e gjitha në ujë, dhe brigjet e nisjes i ka të shumta. Ishte përshëndetja :-Buon giorno!- e bërë prej një turisti flokëthinjur e me trup të madh, që më bëri të largohesha përkohësisht prej këtyre ndodhive të largëta,por që dhëmbin si plagë të freskëta edhe sot.
-Buon giorno!-e përshëndetëm dhe ne të dy, thuajse me një gojë duke ecur krahë njëri- tjetrit.
-Turist gjerman,-foli miku im italian, pasi kishte kthyer kokën dhe po shikonte largimin e tij me hapa të mëdhaja duke tërhequr prej zinxhiri të florinjtë një qen të madh e të bukur rrace.
-Po,-iu përgjigja,-e dallova nga theksi si i shqiptoi fjalët.
-Ne,-vazhdoi mendimin e nisur Antonio,-me gjermanët kemi pasur një miqësi të mirë si në kohë lufte dhe tani në kohë paqe.
-E di nga historia e popullit tim,-i thashë i qetë,-ndonëse në shpirt ruaja ende gjurmët e urrejtjes së pushtimit të mësuar në shkollë e të dëgjuara nga luftëtar që kishin marrë pjesë në këto luftime. Dhe, në mëndje kisha sërish gjurmët e lëna nga ushtarët në këtë breg deti të krijuar nga natyra për ta shlodhur e arkëtuar njeriun në këtë perlë mahnitese, e jo për ta nisur në luftëra vëllavrasëse. Si për t’u larguar këtyre ngjarjeve të një kohe tashmë të perënduar, i ngrohur në trup e në shpirt nga kjo, bukuri peisazhi e prej rrezeve të ngrohta të diellit u futëm në ujë. Deti ishte i pastër dhe i kulluar si pikëz loti dhe i ngrohtë si një mikpritje e mirë. U futa me mikun tim, por, jo si pushtues me helmetë në kokë e me armë në dorë, siç kishin ardhur ata në bregun tim, por miqësor e i veshur me rroba banje. Nisa të shijoja një kënaqësi që më ishte ndaluar për dekada me radhè.
-Vija nga një shtet diktatorial. Dallgët, si të kishin kuptuar mendimet e mia të lodhura, dërguan valëzat e bardha e lozanjare, të cilat filluan të më përkëdheleshin ëmbël në fillim nëpër këmbë e më pas, (duke u futur më thellë në ujë), dhe nëpër gjithë trupin, si të ishin duar të dashura e të dhimbshura vajzash. Ndërsa mua, ende nëpër vesh më buçisnin zërat e ushtarëve tretur nëpër dallgët e detit ardhur prej një kohe të largët, Antonio nisi rrëfenjën për jetën e një gruaje të quajtur Melisa dhe të djalit të saj të vetëm,Brunos. Mbase këtë rrëfenjë ia kujtoi deti, bregu i dhimbjes e i lotit, a ndoshta gjermani që kaloi rastësisht. Por, kushdo që t’ia ketë kujtuar, ai mbasi rregulloi me duar flokët verdha e të prishura prej erës, e fshiu xhamat e syzeve të lagura nga stërkalat e ujit,(si të donte të më shikonte më mirë), mendushëm filloi të tregonte me një të folur të ngadalshme e në dukje të qetë,por, që dallova ti shpejtohej frymëmarrja e të bëhej më serioz, në ato ç’ka do tregonte:
-Ishte mbasdite vjeshte e vitit 1943. Qielli ishte i murrmë e deti i zi e me dallgë të egërsuara. Një turmë e vogël njerëzish, të shqetësuar për moskthimin e disa peshkatarëve, rrinin në pritje me shikimin tretur nëpër dallgët e detit. Familjarët i afroheshin gjithmonë e më shumë bregut, pa e ditur, se, një moskthim më i madh e më tragjik po i priste. Më saktë, një kthim me arkivole masive, ose një ikje pa kthim. Kjo do të bënte,që shumë shpejtë shqetësimi për këta peshkatarë të mbetej vetëm tek familjarët e tyre, të cilët i prisnin me ankth. Se, një turmë më e madhe njerëzish, duke zhurmuar si dallgët e detit, po i afrohej gjithnjë e më shumë bregut. Në atë kohë dallova një anije të madhe luftarake. Si përbindëshe e keqe lëshonte një sirenë të frikëshme e ndjellakeqëse. Valëzat e ujit, si vogëlushe të trembura, hidheshin përpjetë në panik. Njerëzit nisën të vraponin duke iu afruar gjithnjë e më shumë. Ata nuk i frikësonte aspak ulurima e frikëshme e sirenës. I trembte e i frikësonte ajo ç’ka po ndodhte në këtë breg. Për ta sirena ishte vetëm ulërima e ujkonjës. Ata i shqetësonte ujkonja me dhëmbët e uritura për kufoma e gjak. Njerëzit vraponin të përcillnin e të shikonin për herë të fundit djemtë e të afërmit, të cilët po niseshin në luftë për në frontin e lindjes. Në mes të turmës ishte dhe një grua me flokët e verdha e të gjata, e fytyrë bukur,e cila me lot në sy e dhimbje në zemër, duke e përqafuar e puthur pambarim, përcolli të shoqin. Dhe mbeti e vetme si statujë dhimbjeje e ngrirë përgjithmonë në bregun e detit, me njerën dorë të ngritur lartë në shënjë lamtumire, dhe me tjetrën tek buzët duke e puthur nga larg. Por, njerëzit se vinin re. Ata e kishin mëndjen tek të afërmit e njerëzit e tyre më të dashur që përcillnin. Anija i ndezi motorrët dhe u nis e Melisës iu duk se ia kishte marrë me vete dhe shpirtin. E tashmë trupi i saj, pa shpirtin,i ngjante një kufome. Anija, si ujkonjë e ngopur me gjahun e mbarë, u nis duke uluritur me gëzim të fshihej në pyllin e pambarim të dallgëve të detit, sikur donte të shqyente sa më parë prenë e vet, duke i ndarë përgjithmonë nga bota e të gjallëve. Shikimi,fytyra dhe duart e saja të ngrira përpjetë si degëza pemësh të çveshura në mënyrë të pamëshirë prej kësaj vjeshte të egër, sa vinin zvogëloheshin e treteshin nëpër sytë e të shoqit, që erdhi një çast e s’u duk më. E anija dukej si njollë e zezë nëpër sytë e njerëzve e në shpirtrat e tyre. Por, ajo s’ia ndante sytë asaj njolle, dhe pse turma, filloi të lëvizte e të largohej nga bregu. Ky vënd kaq i bukur i kishte rrëmbyer njeriun e zemrës , e ajo e vetme në mes të turmës dukej e pa kuptimë dhe e pa shpresë. Nëpër sy iu tretën si pikëza loti njohja,dashuria për të,dasma dhe ky çast tragjik e i pa shpirtë ndarjeje. Ndonëse nëpër buzë ende e ngrohtë ishte puthja e fundit. Ishin dashur kaq shumë,e kishin ndenjur të dy aq pak. Befas, uli duart që i kishte ende lartë të ngrira dhe pse ai si shikonte më, dhe i vèrejti me urrejtje, sikur ta kishin ato fajin që e kishin lënë të ikte.
-Duhet ta kishin shtrënguar fort e të mos e kishin lënë të largohej. Si e lashë të më ikte kaq pa pritur?! Sa afër që janë lumturia me vuajtjen,-mendoi-. Vallë si ndodhi kështu, kaq shpejtë e kaq papritur?! Një mrekulli që kishte dashur vite të shfaqej si e tillë,ishte shuar në një çast të vetëm. Flakërima e lumturisë, befas i ishte tretur. Tani i duhej ti gëzohej e t’i hidhërohej hirit të mbetur të kësaj lumturie,që janë kujtimet e mbetura në mëndje e në shpirt. Mendimet ngadalë nisën ti shuheshin si flakëza të mjera. Befas, ndjeu urrejtje për detin. Iu fiksua se ia kishte rrëmbyar ai.Ndaj, iu duk si helmetë e frikëshme dhe e pa shpirtë në kokën e globit. Dhe, i gjithë globi i veshur me rroba ushtari që ecën drejt frontit të vdekjes. U zgjua prej mendimive dhe pa se kishte mbetur e vetme bregut të detit. U nis të largohej duke tërhequr zvarrë këmbët e shpirtit. Dhe atje,nëpër ujëra,pa u dalluar më prej syve të njerëzve, ikte dhe anija për në frontin e vdekjes. Preku dhe njëherë lehtë,(sikur të kishte frikë se e zhdukte)dorën që ia kishte përkëdhelur për herë të fundit para se të ndaheshin, e nisi të largohej si hije e trishtuar. Kur Melisa la pas detin nisi të frynte nje erë si një dhimbje. Në mes trishtimit të thellë, që nxinte si nata e cila kishte pushtuar gjithë hapësirën e këtij realiteti të dhimbshëm, filloi ti ngjitej malit në një shteg që dredhonte si loti i sapo rënë faqeve të bukura e erëmira. Ecte kuturu rrugë e pa rrugë. Donte të mbërrinte sa më parë në shtëpi të shtrihej e vetme me trishtimin e saj e të qanin tok të dy.
 
vazhdon…
 
 

Miltiadh Davidhi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s