HIRI HYJNOR / Fragment nga romani i autores Hasije Selishta Kryeziu

 
HIRI HYJNOR
 
 
***
 
Ndihesha vërtet i lodhur. Qëndrova gjatë gjithë ditës në sheshin “Nënë Tereza”. Turma e njerëzve kishte filluar të shpërndahej, ndërsa unë nuk e kisha idenë nga të shkoja. Shpirti im i çoroditur kishte hyrë në bukurinë e një hapësire të papërfytyrueshme. Ajri i freskët vinte madhërishëm me erën, e cila më përkëdhelte fytyrën shenjtërisht. Ky ajër i pushtueshëm më miklonte teksa shpërndahej në mënyrë të pakontrolluar nga dendësia e tij.
Për një çast më ra në shpirt një vetmi e thellë, e mundimshme. Atëherë ndava me vështirësi gëzimin dhe hidhërimin, ndonëse të dyja i ndjeja pranë shpirtit e trupit tim të lodhur. Më kishte pushtuar një sfidë e re, fillova të dyshoja nëse e njihja veten dhe më dukej se lundroja në një botë përrallore të pazakontë. Ndjeja sikur tek unë diçka po fikej fije – fije. Kur llahtaria e vazhdueshme u shpërnda në lëkurëverdhësinë time, atëherë ndryshoi gjithçka…
Fëshfërima e erës së freskët filloi të më largonte përgjumjen e mendimeve të thinjura…
Këmbët më drejtuan tek Restorant “Diti”. Posa hyra brenda, u ula në një kënd. Nga prapa shpine vinte një zë i pazakonshëm, i fuqishëm, i cili filloi të më shponte timpanët e veshëve. Ishte një zë që e dëgjoja për të parën herë.
Më shqetësonte kaq shumë e folura e lartë dhe e çuditshme e vajzës llafazane, saqë mendova të ndërroja vend e të shkoja në ndonjë lokal tjetër. Sakaq, m’u kujtua se e kisha bërë porosinë e kafesë dhe më duhej të qëndroja aty së paku edhe për pak kohë.
Vajzës llafazane ia mësova emrin shpejt. Ishte Jehona, e cila fliste jo vetëm me zë të lartë, por edhe në një mënyrë shumë të pakontrolluar.
Zëri i saj ndryshonte nga çasti në çast. Zakonisht disa njerëz rrëfejnë tërë jetën e tyre për një kohë shumë të shkurtër, dhe kjo më ka bezdisur gjithmonë. Kur më ranë në vesh fjalët: “Qetësia e shpirtit tim është miqësia…”, tek unë u zgjua kureshtja ta dëgjoja.
Një pasion i magjepsur kishte prekur rrëmujën e shpirtit tim, i cili përpiqej të mposhtë të nxehtin përvëlues.
Degëzimi i dhembjeve mori një kahje të vetme për t’u zbehur dhe tjetërsuar dalëngadalë. Frika që kishte kapluar shpirtin, përsëri e bindi vetminë se heshtja po shprishej…
Aq shumë më pëlqeu mendim i saj, saqë ktheva kokën prapa me shpejtësi për të parë si dukej ajo vajzë miqësore, ndërsa sytë u përballën me dy, të cilat të linin të kuptoje se kishin moshë të përafërt.
Vajza që fliste aq shumë, në shikim të parë m’u duk tërheqëse. Ajo nuk e vuri re vështrimin tim, ishte përhumbur në rrëfim, fliste pareshtur. E folura e saj e çrregullt, shumë shpejt më tërhoqi dhe më bëri për vete, ndërsa nga zëri i saj dukej sikur lokali dridhej.
Nganjëherë fliste me dhimbje dhe me zë të lartë. Krijova bindjen sikur herë-herë ngatërrohej me veten dhe harronte fillin e bisedës, herë rikthehej në rrëfimin e parë, herë humbiste kujtimeve të hidhura, pasi gjurmët e luftës ishin të freskëta dhe e drithëronin ende shpirtin e saj të dlirtë.
Me këtë paraqitje shfaqej si kronikë televizive e padeshifruar, ku fantazmat kaplonin memorien e përgjumur.
Kur pashë se ato nuk e kishin vënë re vëmendjen time, ndërrova vend dhe u zhvendosa më pranë tyre. Tash jo vetëm që dëgjoja, po edhe mund t’i shihja më mirë.
Nga biseda kuptova se vajzat ishin mike të ngushta që kishin kohë pa u takuar.
Kureshtja e çastit i nënshtrohej zanafillës së tregimit, zemërdhembshur tretej diku, sikur kjo të ishte shkaktuar nga tronditja.
Oh!… Se ç’mu kujtua ajo era e freskët që më ledhatonte fytyrën, duke lëkundur rreth meje çdo gjë. Nganjëherë, sikur më rrëmbente, më merrte me vete dhe për një kohë më bartte në breg, atje, në ranishten e gjatë që zgjatej drejt detit, sa të mund të mbijetoja dhe sërish më kthente në brendësi të tyre, që të sillesha si ndonjë i marrë…
Vajza tjetër ishte Vila, ajo jetonte në Zvicër. Prindërit e saj vinin në Kosovë pas shumë vitesh. Sot të gjithë festonin në Sheshin e qytetit të Prishtinës, edhe unë isha pjesë e këtij gëzimi.
Fjalët e Jehonës sikur më zgjuan nga agonia dhe kureshtja më shtohej gjithnjë e më shumë. Një ngarkesë shpirtërore kishte pushtuar frymën time. Më kishte lënë në një pasazh të palëvizshëm, befas më përfshiu emocioni i papërmbajtshëm.
Diçka e paparashikuar ishte hijesuar para meje.
Me buzë të dridhur, vështrova gjatë sytë e fikur të Jehonës, derisa po hyja në tërë pushtetin e tyre, një tension i beftë më preku trupin, i cili për momentin dukej si i huaj. Aroma e luleve të sapoçelura filloi të sillej rreth meje. Më dukej se regëtinte vetmia e krisur. Shihja se si çmendia e diçkaje të panjohur kishte origjinën në këtë aromë të përzier.
Drita e saj u shtri në trupin tim dhe valëzonte përballë thellësisë së heshtjes. Një flluskë e pazakontë lundronte midis dendësisë së harresës, zgjohej në ftohtësinë time të kahershme, duke i pëshpëritur pulsit të saj të mësuar nga mëkatet. Megjithatë, tani më dukej sikur po stolisesha me hirin e shenjtë të rebeluar, që futej në thellësinë e shpirtit tim.
 
 

Hasije Selishta Kryeziu

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s