DUAM – S’DUAM KËTU RROJMË (Pjesa 1) / Poemë nga Gjergj Nikolla

 
Poemë nga Gjergj Nikolla
 
 
DUAM – S’DUAM KËTU RROJMË
 
Pjesa 1
 
Këtu e bardha është e zezë
dhe zeza është e bardhë,
Këtu e mbara është e prapë
dhe e prapa është e mbarë.
 
Këtu i drejti është i shtrembër
dhe i shtrembëri del i drejtë,
Këtu jeton dhe del i vdekur
dhe i vdekuri është në jetë.
 
Këtu i miri është më i keq
dhe më i keqi është i mirë,
Këtu ëngjëlli është një dreq,
engjëll-dreq me dy palë brirë.
 
Këtu rrethi është katror
dhe katrorin të bëjnë rreth,
Këtu humani është një hor,
sa vetë qeshja po të ngjesh.
 
Këtu pika është një vijë
dhe vetë vija të del pikë,
Këtu dita është një mijë,
bah, si bërrylat quhen sfidë!
 
Këtu i lidhuri në fije të perit,
e mbledh veten në një lëmsh,
Fati i tij i si fati i drerit,
Gjurma ujqërish, lehje qensh.
 
Këtu premtimi është mashtrim
dhe mashtrimi është detyrë,
Këtu ku fundi është fillim,
dhe vazhdimi rrugë e lirë.
 
Këtu shtyhen, aty ndahen,
Aty lëpihen, sapo puthen,
Buzë greminës e bëjnë kakën,
në një tas e rrastin lugën.
 
Këtu i varuri në çengel,
është fiks po vetë kasapi,
Ngrihet, ulet në karusel,
rreth e rrotull monopatit.
 
Këtu i hurit fsheh litarin
dhe i itarit rrëmben hurin,
Këtu guri të çan ballin,
ia puth dorën që hedh gurin.
 
Këtu dembeli ha, pi, rri…
dhe punëtori përtyp veten,
Këtu di ai që nuk di,
dhe vetë jeta të nxin jetën.
 
Këtu ndjehesh i marrë peng,
nga absurdi vetvetiu!
Ata hanë mish e ti as lëng,
Ha fatbardhë e laj fatziu!
 
Këtu me lot i qajmë të gjallët
dhe të vdekurit lart i ngrejmë,
Dy nga dy i lartësojnë shkallët,
Tri nga tri më pas i kthejmë.
 
Këtu shuhen dhjetëra fshatra
dhe qytetet japin shpirt,
Pyjet vrarë, përzhitur flaka,
këtu e gjelbra është e hirtë.
 
Këtu mbyllen dyer shkollash,
klasat bosh e bangat thatë,
Dhe ku zari dridhet spondash,
dhjetën jep, të merrësh shtatë.
 
Këtu fajkonjtë sipër lehin,
përmbi krye lart i ke,
Sytë te preja sqepin mprehin,
këtu zogjtë janë pa fole.
 
Këtu i ati s’njeh të birin,
as i biri s’njeh të atin,
I pamëshiri bën mëshirin,
ku të rrjepin e të zhvatin.
 
Këtu muret janë vakëfe,
dhe qirinjtë ndez me të parë,
zot të lutem, hiqi mllefet,
tjetri vjedh dhe në altar.
 
Këtu thua çfarë s’do thuash,
vatrat bosh, ku harta i fshin,
Ulërijë gjithë sa të duash,
frymë e gjallë nuk pipëtin.
 
Këtu muret kalavaren,
shqyer dyer e dritare,
Tutje botës shkapërdahen,
me shtatë djem i dalur fare.
 
Këtu ishim jemi – s’jemi,
këtu strukur si në xhungël,
Këtu nisur, po ku vemi,
o të humbur, të përhumbur!
 
Këtu theqafët mbi kurriz,
s’ka burrë nëne që i shporr,
Qe e s’qe, si ish e s’ish….
Bust të gjallësh në oborr.
 
Këtu duhet të durosh
sa guri e druri kthyer trung,
Në s’guxove, do guxosh,
pa kuptuar ç’vjen në fund.
 
Këtu humb e s’lë adresë,
numra bosh e emri bosh,
Këtu teta quhet pesë,
një trepikësh je në kosh.
 
Këtu i zgjuari fort përbuzet,
tutje honit në një skaj,
Ndryshe thua, ndryshe thuhet,
ku promovohet budallai!
 
Këtu i marri merr-jep tituj
grada ari prej një vlere!
Ku putanat paskan idhuj
grricabythët pas çdo ferre.
 
Këtu vishesh me kostum,
pa kacidhe hiç në xhep,
Ku era vjen mut e përfum,
dhe i thua vetes shtet!
 
Këtu mburret injoranti
me fjalë e vepra grindavece,
Ku më i ulëti del më i larti,
dhe vetë dija rri memece.
 
Këtu rend në bulevarde,
po aty ku të kanë vrarë,
Koka me gjashtë thepa dalte,
formë tjetër s’mund të marrë!
 
Këtu ku mbillen lapidarët,
tjetri pshurr në rrëzë pallatit,
Ndrysh të vdekurit për të gjallët,
nga trutharët e mëkatit.
 
Fiks këtu ku koha shtanget,
ku ngren shtangën përmbi ty,
Ku e zeza s’mund të zbardhet,
se e bardha është vetë zi.
 
Këtu llustra mbajnë vitrinat,
dy gisht pluhur përmbi xham,
Thumb më thumb i ngrehin spinat,
Ujk e qen në të njëjtin stan.
 
Këtu preja është i ndershmi,
kurse ujk është krimineli,
I djeshmi sot e sot i nesërmi,
Dy palë dhëmbësh përnjëheri.
 
Këtu ndjehesh i vetes zot,
e zot vetes dot s’i del,
Ku të han qeni me gjithë shkop,
mish për top e pa çengel.
 
Këtu presim ardhacakët
teksa jemi shumë më keq,
Ku e shumta del e paktë,
krejt njësoj si djem e pleq.
 
Këtu jetojmë për një kafshatë,
jeta e vdekja një binom!
Ku çdo ditë mbjellë një plagë,
dhe varrosesh thellë në krom.
 
Këtu tjetri i vë milionat,
pa paguar asnjë qindarkë!
Punojnë hutat, ndukin horat,
tranzicioni ynë i gjatë.
 
Këtu pritja zgjat kërbishten,
mbyllur derën po kaq herë,
Ku e pastra me të pistën,
qelbin bashkë të njëjtën erë.
 
Sherrbudalli të bën namin,
merr në qafë një mijë të tjerë!
Jevgj të bardhë të hedhin fallin,
Koka shterpë e toka djerrë!
 
Këtu lodhesh e sfilitesh
tek sheh mundin të të humbë,
Këtu sytë i mban drejt ikjes,
Koka e rëndë të peshon plumb.
 
Këtu je zog arratie
nga sytë këmbët të të çojnë,
Shkilja vrapit të zësh hijen,
Duam s’duan këtu rrojmë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s