Poezi nga Merita Paparisto

 
Poezi nga Merita Paparisto
 
 
Përsëri…
 
Takova zemrën tënde
në një sokak me gurë shtruar.
Erëra të ngrohta
frymonin në brigjet e Bosforit
valët flinin atë natë
 
Ajo… njësoj,
si e çmendur diç kërkonte
bridhte udhëve në errësirë…
Një ofshamë si psherëtimë
mbushte ajrin ku kalonte
 
Gur isha bërë
mbështetur pas një muri
kur pashë zemrën tënde
të më kalonte pranë
………………………..
nuk më njohu!
 
 
Kopështi me mollë
 
Një erë më vjen e lehtë e lehtë
aromë e ngrohtë e bardhë e brydhët
në kopështin me mollë e mbyllur
si krimbi në frutin që nga jashtë ndrin
përbrënda tulin ia ha, ia grin
me dhëmbët e butë në mishin e bardhë
tunelet e vdekjes rrëmon ngadalë
 
“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”
 
Trokitje në derë ngadalë fëshfërimë
gërryeje këmbëngulëse për të hapur
një vrimë… si syri të mprehtë …
një degë me lule molle lulëzuar
nga kopështi i tjetrit përmatanë
këputur e marrë… Trokitje trokitje
mbi drurin e tharë… që një ulli ka qënë më parë
 
“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”
 
Zilepsur lakmia që mollën e bren
si pemë e komshiut që gozhën ia ngul
një gozhdë … dy.. tre.. pesë.. shtatë…
rrjedh limfa mbi bar nga trungu i ngratë
petalet e bardha i bëhen qefin
pemë “e mallkuar “ rrëzim… rënkim.
 
“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”
 
Mollë e artë, frut i praruar
si supi i Evës me diell i ngjyer
kush vallë gënjeu? Cili nga ata?
Adami Evën… apo Eva atë?
vallë gjarpëri ishte apo krimbi në pemë?
apo vallë kush gënjeu, ishte molla vetë,
me lëngun e embël… me të ndritshmet fletë?
 
“Po ti këtu pse je kthyer çfarë do?
Kaq kohë vdekur – tani çfarë kërkon?”
 
Gjarpëri në mollë trungu me gozhdë
Rrënkim i mëkatit që kurrë nuk u krye
dilema të jesh apo të mos jesh
mos dish çfarë të bësh dhe çfarë të mos bësh
rrëzim i kryqëmbajtësit për faj të pabërë
dënuar gjymtuar si druri i pemës
kështu do mbetet siç nuk mund të ketë
as kryq pa mollë… as Krisht pa goxhdë…
 
©M.P. ( shkëputur nga “Përtej…” 2018)
 
 
Ajo tjetra …
 
…Shemra ime, dashuron si e marrë burrin tim
shputat mbars në gjëmba xhelozie,
të pjellat shpërndan në tokat e mia.
 
Ajo tjetra në zjarr ferri i mpreh thonjtë
që të prijë kopenë,
zemrën ia shpon natës me shkëlqimin e syve,
ditës i hakërrohet…
 
Ja …u zgjua, gishtat zhyt në kripë,
sytë e përgjumur njom me to.
Shqep vargonjtë e dritareve,
do dritë… Dritën njëlloj si terrin dashuron.
 
Ajo tjetra… brenda meje!
 
©M.P. ( Vëllimi “Solstice” 2020)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s