Mihai Eminescu
Kalendari poetik: Mihai Eminescu (1850-1889)
U lind më 15 janar 1850, Mihai Eminescu, poet, gjuhëtar, shkrimtar, gazetar dhe politikan rumun (qe ndër veprimtarët më në zë të Partisë Konservatore Rumune). Konsiderohet si poeti kombtar rumun. Poezitë e para i shkroi në moshën 16 vjeçare. Historiani Nicolae Iorga e cilëson Emineskun si atin dhe themeluesin e gjuhës moderne rumune. Poezitë e tij shënojnë periudhën e fundit të romantizmit dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi 60 gjuhë. Ja një shqipërim nga romantiku i shquar rumun në 172 vjetorin e lindjes:
SADO MË KANË MUNDUAR
Sado më kanë munduar,
vitet e gjatë të kurbetit,
veç ty të kam ëndërruar,
me hënën, mbi valët e detit.
Në detin e egër, të hapur,
të kërkova në brigje të largët,
e ti, përherë më je çfaqur,
në det, me hënën, mbi dallgët.
Fytyra jote përherë,
e ëmbël, pa mend më ka lënë,
më çfaqet beftas e zbehtë,
në valët e detit, me hënë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj