GOSTIA MODERNE E SHEKSPIRIT / Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
GOSTIA MODERNE E SHEKSPIRIT
 
Shekspiri i qetë ngaqë i ka mundur të gjitha lavditë
stërgjysh që luan me nipër të racave të ndryshme
shtroi gostinë e veprës së tij.
Makbethi erdhi me tërsëllimë: sinonim i mbretërve vrasës
Makbethi Makthbëri në vorbullën tragjike u zhyt i tëri.
Njerëzit në hyrje të kështjellës e qëllonin me gurë, me vezë, me pështyma
thërrisnin: Hilter! Pinoçet! Mabuto!
po Ai veç qeshte hidhur si shi atomik
fshehur pas fustanit të përgjakur të ledit
duke mërmëritur: “Fatkeqsisht historinë e kanë bërë diktaturat”…
 
Emri Hamlet konvertuar në foljen Vuaj.
 
Liri erdhi me një hap të bastuntë duke u tallur me veten
kureshtarët s’e qëlluan madje nisën të qanin
me përpjekjen e mundimshme për t’i kthyer lotët në balsam:
Ai ishte brenda tyre – njëmijë halle me gjymtyrë dhe zemra
azile të trishtë, prindër të vetmuar me vajza dhe djem
që të sigurt s’kanë as emrat.
 
Otello me pamjen e Mandelës
erdhi me avion të posaçëm nga salla e reaminacionit
në grykën e prerë – krater: xhelozitë vazhdonin të vlonin.
Kureshtarët ulnin sytë të kapur në faj
gratë: Desdemona të vockëla, robinja të telenovelave
i zgjasnin shamitë për të lidhur plagën
plagën më të kuqe se trëndafilat në maj.
 
Emri Hamlet konvertuar në foljen Vuaj.
 
Ofelia thuajse e padukshme me pamjen e një mjellme
bënte gati këngën e fundit.
Hyri me vrull. Kureshtarët lotues të kthyer në shelgje
i bënin hije pafajësisë.
Hamleti, ah , Hamleti dukej i droguar
duke rendur pas fantazmës së Ofelisë.
 
Emri Hamlet konvertuar në foljen Vuaj.
 
Pastaj hyjnë me qindra të tjerë: mbretër, oborrtarë, palaço, muzikantë,
të dashuruar, lypës, farmacistë (me viagra dhe kontraceptivë në xhepa)
të helmuar, të vrarë, të plagosur, ushtarë, spiunë, komandantë,
poetë të lodhur si përgjues vullkanesh,
net karnavalesh me pirsin e Hënës në kërthizë
prostituta, klube, hareme, trafikantë antikuaresh,
të sëmurë nga murtaja, mjeshtër marrëzish.
Shekspiri i qetë me gotën e verës në dorën e djathtë
me të majtën firmoste nga një çek për të gjithë
duke u marrë premtimin: Mos ma preknin rrasën e vjetër të varrit
të vjetër sa një gur mulliri
që bluan grurin poetik të njerëzimit.
 
U bë zhurmë. Përplasja e qelqeve krijoi një rrufe që i shkeli syrin Lirit.
Disa i vunë gotat në buzë po nuk shijuan verën nga frika e helmit
Romeo qeshte me të madhe. Zhuljeta e shihte me dyshim tradhëtie
joshur nga sytë magnetik të Princit të Danimarkës.
Papritmas Hamleti
në princi El Fajed u kthye
dhe Zhuljeta: brumi magjik i Ledi Dianës.
 
Emri Hamlet konvertuar në foljen Vuaj.
 
Shekspiri cinik, mbase i lodhur nga përsëritja e njëtrajtshme
duke shkundur krundet e fundit të imagjinatës
duke vrarë mendjen pse bilbilat dhe thëllëzat s’kanë fantazma
gjithnjë me gotën e verës në dorën e djathtë
vendosi të hidhej në lumin Tamiz
ku po mbytej një natë karnavalesh me pirsin e Hënës në kërthizë.
 
(Botuar në vëllimin “Engjëlli me virus H5N1”, 2006. Kjo poezi i dha titullin ribotimit të vëllimit në rumanisht)

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s