Me shpirtin përherë në fluturim. (Referim estetik rreth poezisë së Frederik Rreshpjes) / Nga Agron Shele

Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja

Me shpirtin përherë në fluturim.

(Referim estetik rreth poezisë së Frederi Rreshpjes)

Ndodh shpesh që mungesën e një miku e përjeton trishtshëm, ndërsa atë të një personaliteti e përjeton tronditshëm, të pazakontë dhe absurde për ikjen e beftë, gati të zbrazët për boshllëkun që krijon, por dhe shumë reflektive për gjurmët e ndritshme që ka lënë pas. Shumë vite më përpara vdekjen e poetit të madh Frederik Rreshpja, këtij bohemi që kishte për zemër dhe shpirt lirinë e pakufi njerëzore, këtij disidenti dhe humbësi që lulëzoi mbi gërmadhat e kohezionit më të egër të shqiptarëve, të krijuar nga diktatura, do e përjetoja poetikisht :

Ti ike ashtu, krejt papritur

me mallin vjeshtëror në gji.

Me zemrën mbetur peng atje

tek i shenjti,

liqen turfullim.

Ti humbe rrugëtimës pa kthim,

me të vetmin ëndërrim në shpirt,

me të vetmen pasuri që kishe,

Dorëshkrime

dhe copëza poezish.

Ti ike larg, si era,

në të përjetshmen paqe,

ngadhënjim.

Me sytë e shpresës tek e nesërmja.

Koha dhe pas koha sjell tjetër sugjestion dhe një vështrim estetik do të ishte ndoshta shumë më pranë ndjesisë dhe plotësimit të aspiratës letrare për të depërtuar, lançuar, por dhe kuptuar diafragmën estetike dhe filozofike të këtij modeli dhe inspiruesi të ndryshimeve të mëdha artistike në Ballkan dhe më gjerë. Kaq impresionues dhe kaq tronditës ka trokitur vepra e tij në artin e madh boshkëkohor sa korifenj të kritikës botërore do e cilësonin, si art i një mjeshtërie që u mungon autorëve të mëdhenj botërorë, ose të qënit krenar për këtë Pushkin shqiptar. E gjithë poezia e tij vjen si një flakërimë që përskuq yjet e ndezur të qiellit, vjen si pasthirrmë e ndërgjegjies qytetare për reminishencat e kohëve gri të atdheut , vjen si dhimbje e sublimitetit njeri, vjen si muzë e mbrëmjeve të ngrysura dhe përthyerjeve të agimeve zbardhësi, vjen si meditim dhe fuqi të pakufi shprehëse, vjen si konfiguracion i pakrahasueshëm dhe metaforikë deri në magji. Ndërthurja e elementëve figurativë me mesazhin filozofik janë komponentët bazë të poezisë së këtij autori, i cili krejt natyrshëm ideon dhe percepeton si individualitet i përmasave dhe hapësirës universale të mendimit, si mëshirues i aspiratave etike dhe përparimtare, si ndjesi përjetuse dhe tronditje shpirti. Kaq ngjyruse është telajua e penalatës së tij poetike sa befasohesh dhe inspirohesh, prekesh dhe hyjnizohesh dhe kështu si në majat e olimpit letrar shqiptar ndjek fluturimin e muzave dhe zotave të tij të frymëzimit, ndjek largësitë kryqëzuese të mistizmit, ndjek vezullimin e dritës që tejçon nga përtej kozmosi i areolës krijuese.
” Duke ecur në ajër, atëherë kur vdesin ngjyrat
Mbi gjunjtë e muzgut;
Duke ecur mbi retë atëherë kur vdesin shirat,
Duke ecur mbi ujëra kur vdes anija e bardhë.”

Vargje tronditëse, vargje që shkelin nëpër rrugëtimin eremi poeti, aty ku prizmat nuk përthyejnë më kolorite ngjyrash, por kuadratojnë gjysëmdritën e përftuar nga syprina e tavolinës së heshtur, mendime haluçionalë, re dhe shira të vdekur, pa ndjesi, pa sëmbimin e xhamave kristalinë ku bulëzat jetë shtrijnë gjymtyrët përmallim, pa vela të bardha, por si në humbëtirën e pamatë të ngjirizeve thellësi ku qënësia humbet shkëlqim dhe kuptimësi. Diçka ka ndodhur atje mes qiellit dhe ngjyrimeve, mes reve dhe shiut, mes ujërave dhe anijeve të bardha. Zemra e poetit është krisur por jo thyer, dhe ashtu i endur në zanafillan e gjithë këtij misticizmi, gati si në metamorfozë, ai rend me gjunjë muzgu, për të rrëfyer të pa rrëfyerën, për të drejtuar gishtin e drejtësisë mbi pretorët e komunizmit dhe për të vrarë monstruozitetin e memecërisë.

” Këndoi bilbili i vetmuar deri në dhembje,
Por askush nuk e dëgjoi zërin e tij,
Sepse i mungonte kafazi.
Mbi një piedestal heshtjeje
Dergjet profili im që në lindjen e gurit. ”

Shtjellimi i idesë, e cila në mënyrë metaforike profilizon që me epokën e gurit, gati në përjetësi (kuptim shumëdimesional i profilit njerëzor), epiqendërzon qëndrimin e hapur dhe gjithë botën ideore të autorit, i cili i vetmuar (ose i veçuar për mendësinë dhe mentalitetin krejt tjetër nga ai i shoqërisë së tij bashkëudhëtare) shpreh dhimbjen për fatkeqësinë e madhe që përjeton vendi (diktatura), por dhe dëshpërimin nga indoktrinimi i një populli të tërë ( metastazat e të cilit nuk i shërojnë as dekada të tëra) dhe i ngritur mbi piedestalin e heshtjes rrebelon me akcent bilibili zërin e arsyes, si zë i së vërtetës, drejtësisë hyjnore dhe lirisë aq të munguar. Aspekti i këtyre vargjeve nga pikëpamja filozofike por dhe psikologjike mbart një mesazh shumë më të gjerë, atë të referimit dhe funksionimit të qënies si natyrë njerëzore (arsye+ndërgjegjie), i cili është krijuar për të aspiruar dhe manifestuar vlera dhe në thelb të gjithë këtij karakteri qëndron vullneti dhe konseguenca për parashtrimin por dhe mbrojtjen e qëllimeve të shenjta dhe ideve.

” Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin

Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen! ”

Humbjen e nënës poeti e përjeton në mënyrën më drastike, më të prekshme, më të dhimbshme se vetë dhimbja, nën një shi mermeri, të projektuar nga arkeologjia e perëndive mitike gati të paprekshme dhe përjetshme, por që po rrëzohen dhe po shemben, për të ringritur tjetër idhull, tjetër shtatore më e lartë se të gjithë orakujt e mbledhur bashkë, atë të krijueses së jetës, Zotit të vetëm që e ka patur udhërrëfyes në jetë : Ave, nëna ime!

Poezia e Frederik Rreshpjes ka pezm dhe larmi stilistikore, ajo vjen jo vetëm si strukturë e lirë shpërthyese, por dhe me vargje strofike dhe rimime të puthitura, ku njëlloj si Pushkini të beftëson me fuqinë shprehëse, bukurinë dhe kumbimin e fjalës poetike, të mahnit me elokuencën dhe ndjeshmërinë e shpirtit dhe të magjeps me figuracionin e krijuar.

” Noton në përrua me gjethet mbështjellë
Një ditë e vdekur vjeshte
Dhe shtergët e fundit shkuan të ngrirë
Mbi syte e verdhë në heshtje. ”

Harmonizimi perfekt i elementëve natyrë me elementët jetësorë e bën vjeshtën më simbolike, më platonike, më adhuruse për iluzionitetin që sjell kjo stinë në memorien e njeriut, si stinë e shirave të sigmatizuar nga lotët e vajzës, për gjethen dhimbje që humbet nëpër erë, si dhe për ngjyrën e trishtë që përkon me shpirtrat e trazuar.

” Lulëzoi druri i portës së vjetër.
Ah, druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë,
për mua që të prita deri në vdekje. ”

Me të njëjtën stilistikë vjen edhe poezia ” Druri i portës ” , dru i cili kish mbetë i shkretë nga vitet e pritjes së poetit, dhe kur kërcëllima gati e humbur e hapi atë, ai çeli si në profeci lulet më të bukura të jetës.
” O ajër i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të ktherm përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qënë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri. ”

Poezia ” Përgjithmonë ” ka një domethënie dhe kuptim gati universal, e cila ngre paratezat e jetës dhe të vdekjes, dy gjendjeve ekstreme, të cilat nuk maksimilizojnë me dramatizëm por me afektivitetin përjetësues edhe pse kjo vjen e dozuar nga përditësia e tij pesimiste (Unë kam qënë trishtimi i botës). Vdekjen poeti e parafytyron pa kujë dhe bujë, edhe pse deti me gjithe mistizmin dhe madhështinë e tij nuk do të mund të trazojë më me valët shkumëzuese, pa dhimbje, edhe pse lotët e natyrës do kenë ngrirë, por ashtu të thjeshtë, si një çast humbimi të përkohshëm dhe të mbështjellë nga ajri i mbrëmjes së rilindjes së frymimit të muzave të tij.

Frederik Rreshpja është rikthyer edhe më rrëzëllues, ka rilindur edhe më madhërishëm në të katër stinët e vitit, në pranverën e luleve dhe verën mahnitëse të Bunës, në vjeshtën e dhimbjes dhe dimrin e akullnajëzuar, si frymë dhe model, si simbol i dlirësisë dhe shpirtit përherë në fluturim, si poet i gjithë dimesioneve dhe mbret i metaforikës shqiptare, si vlerë që theu tabutë e kohës dhe diell që shkëlqen përmbi qiejtë poetikë, për të sotmen dhe të nesërmen e Letërsisë tonë Kombëtare.

Nga :  Agron Shele

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s