BISEDË ME GAZETARIN E DY KOHËVE / Nga Raimonda Moisiu

1-fiqo-dritero

 

BISEDË ME GAZETARIN E DY KOHËVE

 

 

Përveç gazetarisë, Fiqiri SHAHINLLARI është autor i librave: “Jeta ime, disa kujtime”,Studimin shkencor ” Brega dhe shpresa” librat ”Lis ne shkëmb” , “Kushtrimi i gjakut”. “Seriozitet me buzeqeshje”, “gjaku i Trendafilit”, “Brezargjendta dhe Dushklisi i shenjte” dhe i fundit” Dhembi”/

 

 

 

1-raimonda

 

Nga Raimonda MOISIU/

 

 
Ka lindur në fshatin Floq të Korçës, më 14 qershor 1945.Eshtë një fshat i spikatur për traditat atdhetare, intelektuale e patriotike, bashkëfshatar i avokatit e shkrimtari Kristo Floqi . Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shtatëvjecaren në Kamenicë dhe të mesmen në qytetin e
Korçës. Në ato vite, aktivizohet në rrethet kulturore e letrare, duke shkruar në gazetat “Pionieri” e “Zëri i Rinisë”. Më tej, gazetari dhe publicisti Fiqri Shahinllari vazhdon studimet dhe diplomohet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë (sot: Universiteti Bujqësor). Njëkohësisht, në atë kohë, krahas saj ndiqte degën e gazetarisë, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Studimet e larta i mbaroi në vitin 1968. Në vjeshtën e atij viti emërohet redaktor në gazetën e përditshme “Bashkimi” përgjegjës në revistën mujore “Bujqësia Shqiptare”. Me pas transferohet në Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit Gjatë viteve të punës në shtyp, ka lëvruar të gjitha gjinitë e gazetarisë dhe publicistikës. Ka qenë një ndër krijuesit e Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë. Aktualisht, është anëtar IFAJ (International Federation of Agricultural Journalists) Që nga viti 2003, jeton familjarisht në Vashington DC, pranë fëmijëve. Ka botuar libra publicistikë, artikuj të shumtë në shypin e kohës.Eshtë autor i “Jeta ime, disa kujtime”,Studimin shkencor ” Brega dhe shpresa” librat ”Lis ne shkëmb” , “Kushtrimi i gjakut”. “Seriozitet me buzeqeshje”, “gjaku i Trendafilit”, “Brezargjendta dhe Dushklisi i shenjte” dhe i fundit” Dhembi”/

 

-Z.Shahillnari,para së gjithash, ju falënderoj shumë për kohën tuaj të vlefshme që ia kushtoni intervistës . E, pra, pyetja e parë, që unëdëshiroj t’u bëj, është: Jeni publicist dhe intelektual. Çfarë përgjegjësie ndjeni ju, në një vend si Shqipëria?

 
-Oh, qe me pyetjen e parë e nise me “përgjegjësi”… Si të të them?Kam qenë gazetar edhe në sistemin diktatorial edhe në demokraci. Jam përpjekur të bëja detyrën në mënyrën më të mirë të mundshme. Brenda kornizes, që lejonte koha, synoja të prekja “telat e zemrës” te lexuesit e gazetës “Bashkimi”, ku unë punoja. Tani, kur kam marrë rrugën e pleqërisë, përgjegjësia ime si gazetar evidentohet lehtë: Mund të shkruaja më shumë kritika, fejtone, vëzhgime etj, edhe pse kudo te rrethonte ndrydhja e autocensura. Unë e dija se, ashtu si relievi, edhe shoqëria shqiptare është shumë e larmishme.Ka njerëz, që kanë etje për të vërtetën, por ka edhe “roje”, që këtë të vërtetë nuk e lenë të dalë jashtë.
Koha dhe sistemi nuk kthehen prapa, por ama me mendje mund të hysh brenda dhe të gjykosh punën tënde, atë që ke bërë dhe atë që duhej të bëje. Natyrisht, me shkrime gazete nuk mund ta rrëzoje sistemin, por në një formë ose tjetrën mund të sinjlizonje lart udhëheqjen, duke u treguar se, fjala vjen, si mund ta realizonin normën kooperativistët dhe punëtorët e tjerë të bujqësisë, të cilët e bënin tokën qilizëm me bel dhe hanin bukë me sherbet(ujë me sheqer, të përzjerë me narden). Si mund t’u tufëzoheshin delet lumjanëve, kur këto bagëti të imta ata i kishin “fabrika” qumështi e leshi dhe, bile, ata këto bagëti i vlerësonin edhe si “doktorë”?
Si intelektual, përgjegjësia ime vetjake bëhet “pronë” e përbashkët e të gjithë intelektualëve tejërë shqiptarë, të cilët nuk u lodhën kurrë së menduari e punuari për lartësimin e ndërtesës së ëndërruar.Por ajo, tashmë, është rrëzuar tërësisht, duke sjellë njëkohësisht zhgënjime të mëdha.Pra, si intelektual jam edhe unë “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës”.

 

– Mund të na tregoni diçka rreth vetes suaj, arsimimit, për interesat dhe përvojat e punës, në të kaluarën?

 
-Kam lindur në fshatin Floq të Korçës, më 14 qershor 1945. Shkollën fillore e kreva në vendlindje, kurse shtatëvjecaren në Kamenicë dhe të mesmen në qytetin e Korçës. Në ato vite, jam aktivizuar në rrethet kulturore e letrare, duke shkruar në gazetat “Pionieri” e “Zëri i Rinisë”. Më tej, i vazhdova studimet në Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë (sot: Universiteti Bujqësor), për katër vjet e gjysëm. Njëkohësisht, në atë kohë, ndiqja pasditeve, në dy vjet radhazi, degën e gazetarisë, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Studimet e larta i kreva në vitin 1968.Në vjeshtën e atij viti u emërova redaktor në gazetën e përditshme “Bashkimi”.Aty isha i ngarkuar me çështjet e fshatit e të bujqësisë dhe bëja pjesë në kolegjiumin e redaksisë.
Në këtë gazetë e vazhdova punën deri në vitin 1985, kur më caktuan përgjegjës në revistën mujore “Bujqësia Shqiptare”.Pas dhjetë vjetësh, pra kur në Shqipëri përjetonim proceset demokratike, më transferuan në Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit.Me nismën time, ai dikaster botoi “Buletinin Informativ” për shoqatat e përdorimit të ujit.
Gjatë viteve të punës në shtyp, kam lëvruar të gjitha gjinitë e gazetarisë dhe të publicistikës.Po kështu, kam qenë një ndër krijuesit e Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë.Aktualisht, jam anëtar IFAJ (International Federation of Agricultural Journalists).
Që nga viti 2003, jetoj familjarisht në Vashington DC, ku janë me punë dhe djali e vajza jonë.

 

– Nga jetëshkrimi tuaj kuptojmë se kini botuar disa libra. Ç’mund të na thoni përkitazi me tematikën dhe ngjarjet e figurat, që jupërshkruani, për të publikuar punën dhe veprën e tyre?

 
-Siç thashë, e gjithë veprimtaria ime është gazetaria. Libra let5rare kam shkruar pak. Ca të botuara, ca të pa botuara. Në vitin 1970 përgatita një vëllim me tregime, me titullin: “Tregimet e Rinisë”. Atë vëllim nuk e çova për botim.Nuk isha i bindur, nëse kisha “qullosur” gjë. Atë vëllim e kam të shkruar me makinë shkrimi” Oliveti”,por kam “frikë” t’i hedh ndonjë sy. E di që e kam shkruar “me zë të ulët”. Them me vete: “Sikur të kenë sy ato fletë të zverdhura nga koha, me siguri, do të shikonin fytyrën time të bërë lulëkuq nga turpi. Kam frikë se do t’i marr tregimet e do t’i hedh në kosh. Pra, le të “flenë” në paqe, atje ku janë, në sirtar!
Shumë kohë më vonë, në vitin 2002 përgatita studimin me titull: “Brenga dhe Shpresa”, ku, siç duket edhe nga titulli, përshkruhet brenga e fshatarësisë, nga që u prishën kooperativat dhe ndermarrjet bujqësore, pas vitit 1990 dhe, gjithashtu, shpresa që u lindi atyre për ndërtimin e kapitalizmit në fshat.
Edhe ky studim ndodhet ne sirtar, për mungesë fondesh për botimin e tij. Nga viti 2005 deri në vitin 2013, kam botuar disa libra: njëri me titullin : “Jeta ime, disa kujtime”, tjetri ”Lis ne shkëmb” deri tek d i fundit “Dhembi””. Tematika e “Lisit…”është malli për vendlindjen.Atje përshkruhen, veç të tjerave, figura të spikatura e atdhetare, si Rushan Beu, i cili ishte mik shtëpie i Qemal Ataturkut, avokati e shkrimtari Kristo Floqi e vëllai i tij Thanas Floqi, ish-firmëtari i aktit historik të Shpalljes së Pavarësisë më vitin 1912, në Vlorë.
“Kushtrimi i gjakut”, në një farë mënyre, mbështet idenë e Xhek Londonit, i cili shkruan se kushtrimi i gjakut është kushtrimi më i fortë.Në qendër të librit është një fis i tërë, ai i Iljazëve, në fshatin Boshanj të Kolonjës, fis patriotësh e të fisshëm, me njerëz krenarë, por edhe fis hallemadh. Një pjesëtar i tij, Muharremi u anatemua dhe u burgos dy herë në sistemin komunist. Pjesa e dytë e këtij libri ka edhe shkrime gazetareske, po edhe nje tregim, që së bashku lidhen organikisht me titullin e librit.Te mos zgjatem per librat e tjere se merzisim lexuesit.

 

– Ju lutem, na tregoni diçka më tepër për punën e botimet tuaja . Si arritët të përuroni dy libra brenda vitit 2010?

 
Jo, e kini gabim.Në shtator të vitit 2010 kam botuar vetëm librin “Kushtrimi I gjakut”, i cili, si ide, lindi befasisht.Në fillim të korrikut 2010, më takoi një i njohuri im dhe më propozoi që të shkruaja një monografi letrare për fisin dhe familjen e tij e sidomos për të atin, Muharremin. Ku më rrihte mua mendja dhe ku e kishte hallin ky, Tekiu. “Hane Shan, hane Bagdat!”-thashë me vete.Sepse unë isha përgatitur të botoja një vëllim me tregime, që i kisha shkruar në Amerikë.Më duhej të hidhja në letër edhe nja dy-tre tregime, që më lëviznin nëpër kthinat e kujtesës sime dhe pastaj, me të parë, me të bërë, mund të gjeja ndonjë sponsor. Fitoi propozimi i mikut tim. Ti e di, Monda, se e provon vetë “histerinë” e krijimit letrar.Kur të kap “amoku” krijues, s’di ku të futesh. O i hedh në letër ato, që të lëvrijnë në tru, o rashë e vdiqa, ndryshe të prishet rehati e s’të kapë as gjumi. Në krye të tre muajve, u shkrua monografia që ze më shumë se gjysmën e librit, prej dyqind e ca faqesh.Kusuri u plotësua me disa shkrime të tjerë, që lidhen, siç e thashë, organikisht me shkrimin kryesor.
Vëllimi me tregime po preiste sponsorin. Po preste edhe titullin përfundimtar I cili me vone u quajt: ” Seriozitet me buzeqeshje” me te cilin lexuesi i interesuar eshte njohor tashme.

 

-Le të kthehemi pas në kohë: Si nisët të publikoni në shyp? Cili ka qenë shkrimi i parë në fushën tuaj të gazetarisë?Po më pas, sie vazhduat këtë udhë të bukur?

 
-Shkrimi im i parë u botua në gazetën “Pionieri”, kur edhe vetë isha pionier në shtatëvjecare. Titulli nuk më kujtohet, por bënte fjalë për vështirësitë e udhëtimit të nxënësve nga një fshat në tjetrin, në dimër e verë, kur nëpër korije ulërinin ujqërit.Më pas, fillova të shkruaja ndonjë shkrim në “Zërin e Rinisë” dhe ende më pas “Bashkimi”, kur isha student dhe ku, me në fund, pas studimeve të larta, u emërova redaktor në këtë gazetë.

 

-Kur e kuptuat se publicistika ishte pasioni juaj? Vetëm se pëlqenit të shkruani?Cilat kanë qenë revistat më të pëlqyerat për tëbashkëpunuar dhe pse?

 
-As që bëhej fjalë të kuptoja unë në moshën e adoleshencës, kur shkrova një poezi, kushtuar fshatit tim te lindjes, të pikasja brenda vetes se pasioni im kishte qenë publicistika. Ajo poezi humbi në kutitnë e postës. Humbi edhe kujtesa ime për vargjet e saj! Hë, po, tani mund të them se, që atëherë, paska lindur pasioni im për të shkruar.Ky pasion ushqehej, doemos, nga leximi. Vitet e fëmijërisë përcaktojnë jetën e mëvonëshme.

 

-Cili është libri i pare, që ke lexuar?

 
-”Udhëtimet e Guliverit”.E lexoja nën dritën e zbehtë të llampës me vajguri në fshat,me padurim ngulmues. Më merrte me zor ime më e më çonte në shtart për të fjetur.

 

-Po filmi i pare, cili ka qënë?

 
-Para se të flas për filmin e pare që kam parë, më lejo ta çoj më tej etjen për lexim. Si në vegjëli, ashtu edhe në rini, leximi më ka sjellë kënaqësi me konture vuajtjeje. Leximi nën dritën e llampës me vajguri, nga padurimi për ta përfunduar librin që ty të pëlqen, ngjet si dy pika uji, me padurimin për ta lexuar sa më shpejt një liber që të rrëmben, edhe pse e lexon nën dritat elektrike ose nën llampat me neon. Po të jap një fakt, që sapo m’u kujtua: Kur isha student, po lexoja “Konti i Monte Kristos”. Sapo kisha përfunduar vëllimin e parë, e fillova të dytin. Në konvikt krevatet i kishim tip marinari. Ushqimin e hanim me lata, që ishte një bllok i vogël me fletë e çdo fletë shënonte: Mëngjes, Drekë, Darkë. Një mëngjes ia dhashë latën një shokut tim dhe iu luta që të ma sillte racionin në dhome, “sepse isha mjaft i sëmurë”. Shoku im e besoi gënjeshtën dhe bëri siç i thashë unë. Kuptohet që edhe në leksion nuk shkova atë ditë. Kështu bëra edhe për drekën edhe për darkën.Rreth orës 10 të mbrëmjes e përfundova leximin e vëllimit të dytë të veprës.Kur më vunë re shokët me sytë pufka e të kuq dhe kur më panë që më merreshin këmbët, kur shkova në tualet, ata u shqetësuan shumë. Kujtuan, të shkretët, se unë vërtet isha i sëmurë…
Ju pyetët nëse e mbaj mend filmin e parë. Po e mbaj mend. Është si dashuria e parë. Ka qenë filmi: “Beu dhe Argati”, një film sovjetik, që u shfaq me kinema ambulante. Ekrani ishte një copë beze e bardhë, varur në një nga faqet e jashtme të murit të shkollës dhe “karriket” ishin tufat e kashtës, shtruar në sheshin e fshatit. U magjepsa me magjinë e kinemasë!
Për të vazhduar përgjigjet e pyetjes, po u them se revistat, që më pëlqenin atëherë ishin:”Ylli”, “Hosteni” dhe “Nëndori”. Dy të parat ishin të ilustruara, kurse “Nëndori” më tërhiqte, sepse atje gjeja tregime e novela nga shkrimtarët tanë, por edhe klasikët e letërsisë botërore.Në këto revista gjeja letërsi të mirëfilltë. Me “Yllin” dhe “Hostenin” kam bashkëpunuar, duke shkruar shkrime, kurse në “Nëndori”, jo. Shkrimet e mija në këto revista ma plotësonin ndonjë boshllëk shpirtëror, që ndieja në gazetën” Bashkimi”, pasi kjo e fundit nuk ishte gazetë latrare. Ajo “kërkonte” nga unë shkrime të shpeshta për të pasqyruar punën, që bëhej në fshat dhe me “boshtin ideologjik” brenda.

 

– Si publicist dhe gazetar, a keni ndjerë ndonjëherë shqetësime, ankth apo pasiguri?

 
-Të jesh gazetar, do të thotë t’i provosh të trija ndiesitë. Edhe shqetësimin edhe ankthin edhe pasigurinë.Dhe kjo, sidomos, në diktaturë, por edhe në demokraci.Më lejoni ta ilustroj këtë pohim edhe me ndonjë fakt konkret nga përvoja ime.Shkruhej apo redaktohej shkrimi.Të nesërmen dilte gazeta. Ti rrije tërë sy e veshë: ç’ do të thonë ata lart, në Komitetin Qendror të Partisë? Në një rast, mua më doli “bardho”, në tjetrin rast “zezo”. Në shkrimin me titull: “Dinë të marrin evidenca, por nuk dinë të merren me ato”, kritikoja Komitetin Ekzekutiv të Vlorës. U botua në faqen e parë, në vend të kryeartikullit. Përveç qejfmbetjes së drejtuesve të Vlorës, nuk më thanë gjë “ata lart”. Pas dy muajsh, shkrimi u vlerësua me çmim nga një konkurs gazetarie. Shkrimi tjetër, me titull: “Shkakun, jo pasojën” ishte bërë objekt diskutimi në drejtorinë e shtypit të Komitetit Qendror. Nuk u morën masa ndaj meje, por më thanë që, herë tjetër, të isha më i kujdesshëm!
Në kohën, kur drejtoja revistën “Bujqësia Shqiptare”, udhëzova piktorin që në kopërtinën e parë të vendosej fotoja e një fermeri, duke korruar jonxhë me kosë, në tokën e vet. Ndërsa sipër, në cep të kësaj kopertine, duhej të vendosej fotoja e nje traktori me rrota “John Deere”, të cilët, siç isha informuar, do të vinin së shpejti, dhuratë nga SHBA. Doli revista. Dikush nga drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit kishte thënë: “Fiqiriu duhet të ketë kujdes. Nuk duhet ta nxijë realitetin demokratik!”
Sa e degjova këtë sinjalizim, të këtij “ideatori demokratik”, nuk më mbante vendi. Pa e zgjatur, për dhjetë minuta, arrita në Ministri. I thashë zyrtarit të lartë se çdo punë ka të zotin e vet dhe vazhdova: ”Paraqitja grafike e kopertinës flet qartë: sot me kosë, nesër me mekanikë. Dhe, kjo e nesërme, ja tek është në horizont, po lind në krye të faqes”.
“Nuk e kam thënë me atë qëllim. Të kanë informuar gabim!”,- u mundua të shfajsohej zyrtari dhe, në çast, porositi dy kafe…

 

 

-Kush u ka mbështetur shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme studimore, shkencore ,publicistike dhe letrare?

 

 

-Miqtë e mij. Në fillim, drejtori i shkollës në Kamenicë, Xhuvi Pelteku më nxiti të hartoja një kumtesë për natyralistët e rinj, lidhur me krijimin e kopshtit botanik të shkollës.Ajo kumtesë më solli në Tiranë, në maj të vitit 1959, si përfaqësues i shkollës sonë, në takimin me natyralistët e rinj të Shqipërisë.Ato ditë, kemi mbjellë edhe drurë pyjorë në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës.Po në Kamenicë, Franklin Xega më nxiste të lexoja letërsi. Në shkollën e mesme, Kristaq George, mësuesi i letërsisë dhe, më vonë, pedagoget e mi në gazetari: Fiqiri Vogli, Dritëro Agolli, Marash Hajati, Vangjush Gambeta e Vangjush Zallëmi, Zihni Reso etj. Në fillim, në gazetë më ka mbështetur shumë Kozma Skarco, Fiqiri Vogli, Napoleon Roshi, Milto Ferro etj.

 

-Cilët shokë e shoqe ke patur në shkollën e gazetarisë?

 
-Xhevahir Spahiun, Spiro Deden, Kozeta Mamaqin, Faik Ballancën, Gaqo Bushakën, Astrit Karadakun e plot të tjerë.

 

-Takoheni shpesh?

 
-Shpesh jo, por me raste takohemi e çmallemi. Tani jemi bërë pothuaj të gjithë gjyshër.Meqë erdhi fjala, dua të veçoj një takim të rastësishëm me Kozeta Mamaqin.I kujtova asaj se, kur lindi djalin e parë, unë i shkova për ta uruar në Durrës, në redaksinë e gazetës lokale “Adriatiku”, ku ajo punonte.

 

– Si një intelektual dhe publicist, çfarë përgjegjësie ndjeni ju ndaj mërgimit të inteligjencis shqiptare?

 
-Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje paksa të zorshme, un dua të sjell në vëmendjen tuaj një bisedë, që kam bërë para disa ditëve. Isha unë dhe dy miqtë e mij: Inxhinieri hidroteknik Avni Dervishi, aktualisht kryetar i Entit Rregullator të Ujit dhe inxhinieri i pyjeve Haki Kola, që punon në Prishtinë, në një projekt të SNV-së. Fjala nxori fjalën dhe si përfundim të asaj bisede, në përgjigje te pyetjes që më bëtë, po u them se, në këtë rast, nuk është fjala për përgjegjësinë, që duhet të mbajnë intelktualët dhe publicistët shqipëtarë, lidhur me mërgimin e inteligjecës shqiptare ose, e thënë ndryshe, me rrjedhjen e trurit.Shumë, shumë mund të them se ndiej keqardhje.Thuhet se, nëse Francës i ikin njëmijë njerëzit më të mënçur, ajo nuk mund të quhet Francë.Edhe pse kjo shprehje ka domethënjen e vet për Francën, ne në Shqipëri duhet të jemi optimistë dhe unë jam një nga ata, që e shikoj “gotën” gjysëm plot edhe në këtë drejtim. Se, në fund të fundit, intelektualët shqipëtarë janë përballë një sfide,që duhet ta kapërxejnë. Shkaku duhet kërkuar te gjendja e veshtirë ekonomike e vendit, e trashëguar nga rregjimet e mëparshme. Sepse, me barkun bosh, nuk mund të punojë truri i intelektualit.Se shqipëtarët kanë një inteligjencë të mrekullueshme që, kur u jepet rasti, qoftë edhe jashtë Atdheut, kanë treguar prova, që krijojnë surpriza.Ata e dinë se Amerika, Anglia, Italia, Greqia e tjerë, nuk është se janë vende më të mira, por janë thjeshtë vende të ndryshme, nga i yni.Shqipëria sot ka kushte të vështira ekonomike, por nga ana kulturore dhe historike ajo është një nga më të pasurat në Europe. Vërtet kanë ikur intelektualë, por edhe janë kthyer e do te kthehen. Gjithashtu, po pergatitet dhe një brez i ri intelektualesh, nëpër universitet tona.
Sa për përgjegjësinë, që më pyete në fillim, po ju kujtoj se ajo, sikundër edhe faji, bëhet qyrk dhe nuk e vesh njeri! Nuk e veshin as ata, që duhet ta veshin, as klasa politike, në veçanti.Ti, si person, mund të kesh përgjegjësi vetëm për votën, që hedh në kutinë e votimit.

 

– Jeni nga Korca, Floqi, me tradita intelektuale dhe patriotike jetuat në Tiranë e tani ne USA. Çfarë nënkupton vendlindja për ju?

 
-Vendlindja nënkupton gjithëçka. Malli për vendlindjen, dashuria për të shumëfishohet dhe sidomos, kur je larg saj.Ismail Kadare ka një poezi, ku përafërsisht thotë, se ai që ka zbuluar shpejtësinë reaktive, me siguri, ka qenë larg atdheut. Faik Konica ka vërejtur se “Duhet te jesh jashtë atdheut, larg tij, për të kuptuar se ç’bukuri të ëmbël ka për veshët fjala “Shqipëri”” . Ishte pikërisht vendlindja, që më detyroi të shkruaja librin “Lis në shkëmb”. Ideja fillestare lindi një ditë, kur unë, duke qendruar buzë lumit “Potomak” në Vashington DC e po shikoja ketrat, që lëvrinin nëpër drurët dekorativë, befas më fluturoi mendja në vendlindjen Floq, në Korçë, Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, të cilën e kam bredhur pëllëmbë për pëllëmbë. Ndjeva mall të pashoq. Çudi, sa emocione ndjeva! Ku ta kenë, vallë, “selinë” këto emocione?Në zemër?Në stomak?Përjetova një “deja vu” të jashtëzakonshme.Më duket se ndjenja e malli për vendlidjen nuk është thjesht ndjenjë e kaq. Me sa duket, ajo ka të bëjë edhe me genet, me gjakun, me biologjinë, madje edhe me fiziologjinë.

 

– A urren gazetari e shkrimtari Shahinllari? Po, a jeni zhgënjyer ndonjëherë?

 
-Nuk urrej asnjeri. Inatosem, zemërohem se prej gjaku jemi, të shkretën dhe në gjak kemi genin kapricioz ballkanas, i cili edhe me një fshikullimë fare të lehtë, kërcen pupthi përpjetë.Por shpejt më bie shkuma e zemërimit. Përvoja shekullore e njerëzimit ka treguar se tjetrit, përballë teje që ta bën borxh, “me të mirë, ia ha kokën; me të keq, i ha m…!”
Sa për zhgenjimet, ehuuu..! Sa herë, por nuk qederosem shumë. Kështu është bota, me dritëhije.Miq të vërtetë janë ata, që vijnë, kur të tjerët ikin.

 

– Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndien një burrë se ai është i dashuruar?

 
-Dashuria është pjesë e dlirësisë së saj. Dashuria edhe fajin e ka të çiltër.Ajo i kupton gjërat, para se të fliten me fjalë. Të duket, se shpirti është një frymë-marrje e trupit. Dashuria është një “fantazmë” e këndshme dhe e padukshme, sepse e kemi brenda vetes. Por, dashuria, mendoj, është një koncept më i gjerë, se sa ndjenja e marrëdhënia midis një çifti. Ka edhe një dashuri tjetër, që s’ka të krahasuar.Është ajo e prindërve për fëmijët, e gjyshërve për nipkat e mbeskat.A mund të më tregosh, e dashur Monda, nëse vërtet ka shkruar mjeshtri i madh, Viktor Hygo, diçka për gjyshërit?Nëse po, si dhe ku ta gjej?

 

– Ç ’kuptojmë me shprehjet “ vetëgjymtim” dhe “vetëvrasje intelektuale”?

 
-Kjo është pyetje psikologjike, që kërkon përceptim të tillë. Mund të vetëvritesh ose vetëgjymtohesh intelektualisht, kur je servil ndaj eprorit, kur bëhesh “shoku Zylo”, kur i nënshtrohesh çdo sistemi dhe force politike; kur bëhesh altorpolant i së keqes dhe kështu ushqen gjeneratën, që vjen pas; kur s’do të thuash atë, që mendon ose kur je i “tredhur” dhe synon drejt interesave të vogla meskine e nuk thua atë, që duhet të deklamosh me forcë e pa t’u dridhur qerpiku.

 

– Çfarë është modestia për ju? Po vetëmburrja dhe vetëbuja?

 
-Modestia për mua është behari i jetës. Vetëmburrja dhe vetëbuja është skuqja e faqeve para të tjerëve, me ndërgjegje bëhesh fajtor para vetes e pastaj para të tjerëve.

 

– Çfarë dëshironi të shtoni?

 
-Do të shtoja një këshillë miqësore për ty, Monda. Mblidhi të gjitha tregimet dhe poezitë “e zjarrta” dhe botoji në një vëllim të vetëm. Besoj se shitja do të jetë e sigurtë.
Së dyti, kam dëshirë të gjej ndonjë prej atyre “natyralistëve të rinj”, që tok me mua të kërkojmë ata drurët pyjorë, që kemi mbjellë në maj të vitit 1959, në kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë. Plasa dhe nuk po i gjej dot, sa herë dal shëtitje aty kodrave.

 

Ju faleminderit e suksese!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s