Ndal falsifikimit të historisë (I) Romanet ”Zgjimi” e ”Pishtarë”, të autorit Sterjo Spasse dhe e vërteta historike. / Shkrim sesancional i gjetur nga arkivat e Skënder Luarasit nga i biri i tij, Petro S. Luarasi.

 

 

Ndal falsifikimit të historisë (I)

 

Romanet ”Zgjimi” e ”Pishtarë” të autorit Sterjo Spasse  dhe e vërteta historike.

 

 Shkrim sesancional i gjetur nga arkivat e  Skënder Luarasit nga i biri i tij,  Petro S. Luarasi.  

 

 

u3_u1_skender_luarasi

    

           Skënder Luarasi

 

 

 (Shënim sqarues)

 

Ilinden Spasse në librin ‘’Im atë Sterjo’’ dhe  miku i  tij Xhemal Veizaj në një shkrim përkujtimor për  shkrimtarin Sterjo Spasse  (gazeta Telegraf, 3- 4- 6 tetor 2014) kanë akuzuar dhe përgojuar  Dritëro Agollin, Gazmend Shpuzën dhe Skënder Luarasin se kanë kritikuar pa të drejtë  romanet  ‘’Zgjimi ‘’ e ‘’Pishtarë‘’ të Sterjo Spasses.

Ky diskutim nuk ka karakter personal, por përmban çështje parimore që po të gjykohen me objektivitet zbulojnë skandal letrar e politik.

 

Flitet e shkruhet shumë për rishikimin e historisë së popullit dhe kombit shqiptar, padrejtësitë që janë kryer në të shkuarën nga rrethana dhe faktorë të ndryshëm, si dhe pasqyrimin sa më të saktë të saj në tekstet shkollore dhe botimet akademike. Dihen edhe interesat e presionet e shteteve të huaja dhe grupimeve të caktuara për t’ia përshtatur identitetin shqiptar interesave të tyre.

 

Pak  dokumenta  e diskutime  janë publikuar, analizuar  e debatuar  mbi pasqyrimin e së vërtetës historike në letërsi dhe pasojat e shtrembërimit të saj.

Materiali i përzgjedhur nga kujtimet e studjuesit Skënder Luarasi, me një gjuhë të ashpër që i përgjigjet situatës dhe  ndërgjegjësimit atdhetar, ndihmon ndriçimin e   çështjes me shembuj konkretë.

 

Lexuesi le të gjykojë me përgjegjësi atdhetari situatën, fenomenin Spasse, rolin e kritikës  letrare dhe të politikës shtetërore.  Shprehet keqardhja që, në zbulim të së vërtetës, publikohen  fakte që nuk ia shtojnë vezullimin dekorit përkujtimor të shkrimtarit të talentuar Sterjo Spasse në 100- vjetorin e ndarjes nga jeta.

 

 

 

images

 

Petro S. Luarasi

 

 

 

Kur mbrojta ‘’Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’’ të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit. Ndaj nxitoj të kritikoj veprat e Sterjo Spasses (‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit.

 

Plumbin do t’ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!…

E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet ‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’ nuk patën nge t’i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t’u lexuar e studjuar!     (S.Luarasi, Kujtime, 1976)

 

‘’…U botuan dy volume, ”Zgjimi” dhe ”Pishtarë” nga Sterjo Spasse, dy të parët nga cikli i romaneve ”Rilindasit”. Barra që mori përsipër autori qe e rëndë, interesimi i publikut shqiptar se qysh ia ka paraqitur autori botës Rilindjen e kombit tonë është i madh.

 

Nga mënyra qysh e ka trajtuar temën autori, kuptohet se Spassja dashur-padashur nuk ka shumë simpati për Rilindjen shqiptare.

Por Rilindja është aq fort e shtrenjtë për ne, sa që nuk mund të mos prekemi kur në letërsinë tonë bëhen shtrembërime të rënda rreth luftrave të popullit tonë për liri në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Është për të ardhur keq që në romanet e Spasses ka të tilla shtrembërime që nuk pajtohen me fjalën e drejtë që kanë dhënë shkencat albanologjike për këtë epokë të lavdishme të historisë sonë.

Këtu nuk dua të flas për dobësitë artistike të këtyre romaneve, për atë material tërkuzë të gjatë e të vjelur e të përvjelur andej-këndej pa kriter, e të zhdërjendur në njëmijë e njëqind faqe, nëpërmjet të cilave autori kërkon të na paraqesë Rilindjen. Megjithëse nuk duhet t’i falet mungesa e përgjegjësisë dhe shkelja e misionit shoqëror-patriotik shkrimtarit që rend pas faqeve.

 

Porse dua të flas për ato shtrembërime që errësojnë madhështinë e përpjekjeve të popullit tonë për liri në epokën e Rilindjes e që fshehin të vërtetën historike.

 

 

 

Pasi lexova me vëmendje romanet në fjalë, unë personalisht arrita në këto përfundime:

 

  1. Ndonëse S. Spassja na premtoi të na rrëfejë për Rilindjen e rilindasit tanë, ai në romanet e tij u cakton lëvizjeve maqedone një shesh aq të gjerë saqë Rilindja jonë përdoret si preteks për të folur për hallet e dy-tri fshatrave maqedone në skaj të Korçës, fati i të cilave, sado i hidhur pastë qenë, nuk mund të zerë atë vend që u cakton autori në romanet për rilindasit tanë.

 

Sterjo Spasses i është bërë psikozë të ballancojë hallet e fshatit të tij me hallet e Shqipërisë. ”Halli hallit nuk i ngjan”, thotë populli ynë. Dhe hallet e Shqipërisë qenë shumë më të mëdha se hallet e Bullgarisë, Greqisë e Sërbisë bashkë; sepse këto të tria e gëzonin ndihmën e gjashtë pushteteve të Europës, sidomos të Rusisë, kurse populli shqiptar i kishte armiq për vdekje të shtatë Fuqitë e Mëdha, sidomos Carin, tok me Sulltanin e Kralët e Ballkanit.

 

Problemi maqedon dhe problemi shqiptar nuk kanë patur aspak atë lidhje që përpiqet të na imponojë Spassja në romanet e tij. Unë vetë kam patur rast të shprehem kundër arbitrariteteve të Maliq bej Frashërit qysh në kohën e Zogut (gusht 1929, kur shpërngulën banorët e Prespës) por nuk mund të pranoj se fatkeqësitë e popullsive jo shqiptare të Ballkanit vinin vetëm e vetëm nga arbitraritetet e bejlerëve shqiptarë (madje nga ata bejlerë që luftoheshin edhe nga autoritetet turq) sikundër na paraqiten punët në romane. Në të vërtetë këta bejlerë qenë vegël e pushtetit turk. Por kjo shpikje i duhet Spasses me qëllim që të provojë se, ndërsa popullsia shqiptare s’ka qenë e zonja për protesta sociale, këtë mision e luanin asaj kohe maqedonët.

Një shtrembërim i shëmtuar është fryrja e rolit dhe e influencës së lëvizjes maqedone mbi lëvizjen çlirimtare të popullit tonë. Komitët maqedonë dalin në romanet e përmendur në rolin e një qendre që i frymëzon, i mëson, i komandon patriotët tanë ”të paditur”. Sipas autorit, Themistokli Germenjit i duhet të takohet me një vojvodë maqedon që të marë vesh se ç’janë detyrat e patriotit. Jo! Patriotët tanë të Rilindjes me idealet e tyre të larta ishin aq të mëdhenj, sa u dolën për zot fateve të Atdheut shumë kohë më parë se sa vojvodët e U.M.R.O.-jës t’u shisnin mend a t’i përdornin për shërbëtorë. Do të kishte qenë turp për rilindasit tanë të uleshin në bangon e nxënësve që mësohen të çmojnë lirinë nga ”vëllezërit sllavë”. Sa për Goçe Dellçavët e Damjan Grujevët dhe gjithë UMRO-jët, më mirë do të ishte t’ua linim vetë maqedonëve t’i sqarojnë se sa ”të kulluar” kanë qenë ata në ”socializmin” dhe ”internacionalizmin” e tyre. S.Spassja të mos na marrë për ”të paditur” sa të mos kuptojmë veprimet anarkiste të mjaft përfaqësuesve të këtyre komitaxhive dhe aferat e tyre me bejlerët dhe andartët, terrorin e tyre dhe grabitje grash…

 

Meqë përmendi Negovanin dhe përshkroi vrasjen e Papa Kristo Harallambit (Negovanit) prej andartëve grek, më 12 shkurt 1905, Spassja përsëri harroi të na thotë se qenë komitaxhinjtë maqedonë (apo bullgarë) në luftë me andartët, më 1903, që dogjën një mëhallë të Negovanit dhe varrosën rreth 40-50 veta e 4-5 familje në gërmadhat e shtëpive të tyre sepse nuk deshën të ndërronin kombësinë e tyre shqiptare?! Apo mos e bënë për internacionalizmin e tyre?

S.Spassja thotë se vojvodët maqedonë i kërkuan Themistokliut t’u shpinte armë, do t’ia paguanin sa të donte, se para kishin me bollëk ata. Neve na lindin pyetjet: Ku t’i gjenin armët patriotët tanë dhe ku i gjenin paratë me bollëk ata ”revolucionarët e kulluar” maqedonë?

 

Nuk ka faqe në romanet e Spasses ku të mungojnë shpikjet, shpifjet, anakronizmi, insinuata, denigrimi, lëvdatat dhe sharjet vend e pa vend, zmadhimi i cikërrimave që shpien ujë në mulli të armikut të Shqipërisë, dhe zvogëlimi i ndodhive kryesore ose heshtja e tyre, që do të shtonin nderin e popullit shqiptar.

 

 

Sterjo portret

 

         Sterjo  Spasse

 

Sterjo Spassja fyen rëndë zemrën e Nënës Shqipëri kur, në ciklin e tij, birin e shquar të Korçës, Themistokliun, e bën gënjeshtar, ryshfetçi, frikacak, qole dhe ordinancë të vojvodave bullgarë dhe kërkon të na bindë se, pas kryengritjes së Ilindenit, më 1903, populli shqiptar do të dalë në selamet. Faji i autorit bëhet edhe më i rëndë kur kemi parasysh që ai jo vetëm në romanet për rilindasit, por edhe në shkrimet e mëparshme, shkëndinë e çdo lëvizje çlirimtare në Shqipëri e gjen te Maqedonia dhe Bullgaria ”socialiste”, të cilat i mësojnë shqiptarët një herë ”të çlirohen me forcat e veta” dhe herën tjetër ”të mos harrojnë se nuk qenë vetëm”. Librat e S.Spasses dëshmojnë se ai nuk e ka kapërcyer horizontin e fshatit të tij maqedon të cilin socializmi në Shqipërinë tonë e çliroi, e shëroi dhe i dha bukë e dritë; dhe se ai nuk e ka fituar vetëdijen e atyre shkrimtarëve shqiptarë të cilët në qendër të preokupimeve të tyre venë fatin e Shqipërisë. As në ”Zgjimi” as në ”Pishtarë” nuk na del shumë ”hero pozitiv” ky Mistoja, që trembet t’u dëftejë bashkatdhetarëve se si quhet, që fshihet nëpër hatëj e plevica kur dëgjon që turqit arrestojnë patriotët korçarë. Vërtet, në 500 veta mund të ndodhë ndonjë frikacak, por që në 5000 djem, nipër të Gjolekës e të Rrapo Hekalit, të zvetënohen që të gjithë e të ulërijnë se u rëndojnë armët dhe, si kope nën kërbaçin e xhandarit turk, më mirë shkojnë të ngordhin në Arabistan sesa të vdesin me armë në dorë për Labërinë e dashur – jo këtë nuk e besojmë, sikur të na e thonë edhe 100 Vlladan Gjorgjeviçë!

 

Vojvodat maqedonë, po, janë të gjithë ”heronj pozitivë”. Asaj kohe, Maqedonia, vilajet i Manastirit, me turq, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë, çifutë, ciganë – burra, gra, pleq, fëmijë – do të kishte rreth 200.000 banorë. Mirëpo që të shtypte kryengritjen e Ilindenit, sipas romanit ”Pishtarë”, sulltanit iu desh të dërgonte 200.000 asqerë.

 

Autori e fillon ciklin e romaneve ‘’Rilindasit’’ rreth vitit 1880, kur populli shqiptar nga Tivari deri në Prevezë, që nga Shkupi deri në Janinë, është kacafytur në luftë për jetë a vdekje me hordhitë e Sulltanit, që duan ta mbajnë Shqipërinë akoma nën zgjedhë të Turqisë; kacafytur me diplomatët e Kongresit të Berlinit e me knjazët, që ja mohojnë popullit tonë të drejtën të jetojë i lirë në Ballkan; kacafytur me Carin rus, që don t’ia zgjerojë Bullgarisë kufijtë nga Deti i Zi deri në Adriatik. Për këtë luftë titanike të prindërve tanë,  sesa taborë iu deshën Dervish Pashajt të dëbonte shqiptarët nga Shkupi dhe nga Ulqini, apo të shtypte Lidhjen e Prizrenit, nuk na tregon gjë të madhe S.Spassja. Mua më tingëllon si provokim ndaj Themistokli Gërmenit e patriotëve tanë fakti që në ”Pishtarë”, pas këshillave që merr nga komitët maqedonë, Themistokliu, nxjerr këtë përfundim: ”Ja, në një Shqipëri të lirë duhej të kishin liri jo vetëm shqiptarët, por edhe ato pakica të çdo kombësie qofshin, mjafton që të mos ishin shovinistë, si ata shovinistët e tërbuar grekomanë e turkomanë” ( f.13)

 

Kjo do të thotë se autori i paraqet patriotët shqiptarë si njerëz të infektuar nga shovinizmi dhe që ata ëndërronin të krijohej një Shqipëri me pakica kombëtare. Themistokliu dhe patriotët e tjerë të Rilindjes nuk qenë shovinistë; ata kanë luftuar për të çliruar atdhenë e tyre dhe jo për të patur pakica kombëtare; përkundrazi kanë qenë shtete fqinj që shpresonin ta coptonin Shqipërinë midis tyre sa të prishej perandoria osmane.

 

  1. Gabim i dytë, i rëndë, i S.Spasses është se ai i hyri punës për të na ndriçuar historinë e Rilindjes sonë duke qenë vetë i ngarkuar me një barrë opinionesh e paragjykimesh të gatuara rreth shqiptarëve nga armiqtë e historisë së tyre dhe duke patur njohuri të cekta dhe të pamjaftueshme. Për autorin e dy volumeve Shqipëria është vend pa histori, pa kulturë; populli shqiptar është pa kombësi, pa tradita, pa virtute; gjuhën e tyre e quajnë ”vënçe”, ”bastarde”, vetveten me përçmim ”shqipo”; në gjuhën e tyre nuk ka fjalë për ”mbesë”, prandaj gjyshërit i thërrasin ”zuska”. Po, po; autori i vulgarizon me përkëdhelje; por thuaji trimit tri herë ”horr!” dhe gjithë bota do ta thërrasë ashtu. Për autorin rilindasit shqiptarë janë pa aftësi të krijojnë shtet më vehte po të mos kenë ndihmën e ndonjë fuqie të huaj. Autori nuk i njeh dhe s’i përfill fillimet e Rilindjes shqiptare; dhe me keqdashje shtrembëron figurat e mjaft patriotëve të nderuar.

 

Në romanet ”Zgjimi” dhe ”Pishtarë”, edhe patriotët më të dalluar të Korçës nuk kanë ndjenja thjesht  kombëtare: Orhan Çerçiz Pojani, i cili që kësaj kohe ka hyrë në korespondencë me de Radën për hallet e Shqipërisë, herë mendon si efendi, herë si bej, herë si zotni, si ti teket autorit. Fehim Zavalanin, Kryetarin e Komitetit shqiptar të Manastirit që kur jetonte Naim Frashëri, Spassja na e paraqet si puthador të Hysen Hilmi Pashës, ndonse qe ky pasha turk që ia dërgoi, më 1911, duarlidhur, gjyqit ushtarak të Dibrës që të dënohej se qe patriot shqiptar. Të nipin, Menduh Zavalanin, kapedanin e çetës së Dangëllisë, që serbomëdhenjtë e Ohrit e vranë, më 10 korrik 1914, në Shën Naum, krahpërkrah me Telemakun, Spassja e quan ”tradhëtar”, sikundër edhe Qani Ypin, që pat dalë komit që më 1905 kundër Turqisë dhe ra dëshmor në Badër, në maj 1914 në luftë kundër ushtrisë së Kostandinit të Greqisë. Kapedan Kajo Babienin e përshkruan si një kryehajdut që mbante Korçën gjithnjë në frikë se mos e sulmonte për plaçkë. (Madje tani që është dekoruar!)

 

Për shkak që mund ta dijë vetë, Sterjo Spassja inatin më të madh e ka kundër patriotëve shqiptarë të Manastirit. Ndë pati në Shqipëri një familje e cila për veprimtari patriotike mund të krahasohet me ate te vëllezërve Frashëri – ajo qe familja e Dhimitër Qiriazit nga Manastiri. Në gjithë Maqedoninë Spassja zor se do të gjente një familje  të barabartë në vlerë me të Qiriazëve në patriotizëm dhe kulturë. Në këtë urrejtje, shkrimtari ynë bëhet shok me dhespotin grek: në dukje i dënon Qiriazët se qenkan ”protestantë”; Filotheu i mallkon Qiriazët se japin shqip në shkollën e vajzave në Korçë; Spassja i dënon se japin jo vetëm shqip por edhe më shumë anglisht.

 

Veterani i rilindasve të Korçës është një personazh imagjinar Hamid Efendiu, një ish-hoxhë, që kovaçanën e tij e ktheu në qendër agjitacioni, por që nuk beson se gjuha shqipe mund të shkruhet. Dhe kur ia tregojnë: ”Ç’thua more! Ku ka alfabetare të shqipes! Ne s’dimë të lidhim, me nder oshkuret, jo të…”, thotë.

Mirë por ungjilli provosllav e konizmat e shenjtorëve, dhe korllogret e dhespotit, e dhaskajt e dhaskalicat zenë vend të nderuar në romanet e S.Spasses. Dhe vetë e gjora abetarja shqipe nuk do të kish arritur dot në Korçë pa ndihmën e zonjës Shënmëri!

 

Qytetin e Korçës, një nga qendrat e Rilindjes sonë Kombëtare, autori na e paraqet si çerdhe filogrekësh e turkoshakësh, si një qytet që përdor gati vetëm gjuhën greke, si çerdhe të korrupsionit e të obskurantizmit. Ndërsa na flet gjerë e

gjatë për revolucionarizimin e fshatarëve maqedonas, Sterjo Spassja ka harruar shtyllën vertebrale të Rilindjes sonë, fshatarësinë, atë fshatarësi trime e cila sa herë që rrëzohej prapëseprapë ngrinte krye për liri. Ai na flet se Rilindja përgatitej nëpër skuta të errëta ku vepronin oportunistë politikë, frikacakë, filogrekë e turkoshakë. Ndonjë filogrek, oportunist e frikacak ka patur edhe në Korçë, në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX, porse ne do të dëshironim që letërsia jonë të na paraqesë në radhë të parë Korçën shqiptare, Shqipërinë e pamposhtur, që lufton për liri, dhe të mos na bënte Spassja të endeshim nëpër labirinthin e njëmijë e njëqind faqeve, në të cilat u vesh aq shumë vese, paragjykime, fanatizëm e shovinizëm shqiptarëve të asaj kohe, saqë kombi ynë del i pazoti për t’u vetqeverisur.

 

Një gabim themelor në ciklin e S.Spasses është që përpjekjet për Rilindjen shqiptare i nis rreth vitit 1880. Kjo s’është e drejtë. Dihet historikisht se qe Tepelenasi i Madh me armatolozët, të shumët shqiptarë, që ndezi kryengritjen për indipendencën edhe të  Greqisë.

 

”Po të kish qenë Ali Pasha më pak njeri i kohës së tij, dhe më shumë i paisur me paramendime politike, do të kish organizuar me kohë grushtin kundër Turqisë dhe Shqipëria e Greqia, me gjithë Thesalinë e Maqedoninë, do të kishin bërë një mbretëri indipendente shumë të fuqishme”.

 

Këtë mendim e jep kryerilindasi Ismail Qemal Vlora, të cilit S.Spassja nuk denjon t’i përmendë as emrin në ciklin e tij. Le Bushatllinjtë dhe kryengritjet fshatare që nuk ekzistojnë për S.Spassen në historinë e Shqipërisë e në folklor, por jo, as Bolena, e zeza Bolenë që zuri dyfek me mbrenë!

 

Bashkëluftëtari i tepelenasit Marko Boçari, që fliste shqip në familje, jo vetëm lexonte por edhe shkruante shqip që në atë kohë. Në atë kohë mësohej shqip; në Arbër lulëzonte kultura në gjuhën e Skënderbeut. Rreth motit 1880, kur luftëtarët e Lidhjes akoma s’e kishin zbrazur plumbin e fundit kundër ushtrisë së sulltanit dhe marshonin drejt Shkupit, në Vakëfet e në Kolonjë fshatarët përpiqeshin të shkruanin shqip. Si ndodhi pra që heroi ”pozitiv” i ciklit të rilindasve ”Elinopullosi” i shkëlqyer nuk mundi t’i lexojë s’ëmës letrën shqip që i pati shkruar i ati nga kurbeti? Dhe ndërsa dinte historinë e Greqisë që prej Homerit deri te Marko Boçari, nuk e dinte që pati rrojtur një Skënderbe që ”qenkesh m’i madh se Leonidha”?

 

Autori, ndër të pesë taborët lebër, tregon simpati të veçantë për atë djaloshin gorar, Fehmi Ali Zboqin, i cili duke u nisur radif e përqafon Miston dhe i thotë: ”Sikur të kthehem gjallë, o Misto , sikur…”. Në romanet nuk marrim vesh çë ndodhi me të pesë taborët lebër përtej Urës së Qabesë, por gjatë Luftës Nacionalçlirimtare marrim vesh që Fehmi Ali Zboqi është kthyer shëndoshë e mirë për të keqen e Mistos dhe për dobi të Fazlli Frashërit, të cilin e shoqëroi kur eksponenti i Ballit bënte propagandë nëpër fshatrat e Gorës. Fehmiu u dënua nga gjyqi i popullit, sikundër edhe i biri Abdullah, që u ekzekutua. Kur të shqyrtohen edhe procesverbalet e gjyqit të Themistokliut do të marrim vesh edhe këtë fakt: që ky Fehmi Ali Zboqi është një nga jallan shahitët që ndihmuan gjyqin ushtarak francez ta pushkatonin Themistokli Gërmenjin në Selanik, më 1917. Mund të marrim vesh edhe shkakun përse S.Spassja ka ardhur në këto shtrembërime të së vërtetës historike të Rilindjes, kur autori të na tregojë ”veteranët” prej të cilëve i mblodhi burimet letrare.

 

Letërsia duhet të tregojë se Rilindja qe një epokë e ndritur, kur populli ynë, i vetëdishëm, ish i sigurtë dhe i vendosur për pavarësinë e Shqipërisë; të shpjegojë  përse shpallja e pavarësisë u shty gjer më 28 Nëntor 1912, që vonesa nuk ndodhi për faj të shqiptarëve se s’kishin ndërgjegje kombëtare, por ndodhi për shkak të politikës antishqiptare të fuqive të mëdha dhe të shteteve fqinj. Nga letërsia jonë do të kërkonim demaskimin e kësaj politike, gjë që nuk e gjejmë në romanet ”Zgjimi” e ”Pishtarë”.

 

Dikush mund të thotë që romanet e S.Spasses kanë edhe gjëra të mira. Unë nuk do të pranoja t’i vija në peshë këto ”të mira” po të pranohet që romanet e tij i kanë gabimet dhe të këqijat e përmendura më sipër. Dikush mund të thotë gjithashtu që romanet janë letërsi, ku nuk bëhet pa invercione dhe ku autori është i lirë të trillojë. Por unë mendoj se trillimi nuk duhet përdorur kundër së vërtetës historike.

Historia e kombit tonë na dhimbset më shumë se sa delli i shkrimtarit për shpikje e shpifje që errësojnë madhështinë e epokës së Rilindjes. Letërsia duhet të edukojë njësoj si historia.

 

Skënder Luarasi

 

7 Mars 1976

 

 

 

Skënder Luarasi

Ndal falsifikimit të historisë (II)

 

Skënder Luarasi gjykon ‘’Rilindasit’’ e Sterjo Spasses

 

Romani  historik – Pasaporta e kombit

 

Romani  historik është  për kombin siç është pasaporta për individin, i vlen për të provuar identitetin e tij.  Cdo  pasaktësi  prish anën autentike ndërsa  falsifikimin e dënon ligji.

Romani historik për  kombin shqiptar u tregon të tjerëve edhe  se në ç’mënyrë e ka çarë udhën e historisë së tij – me lajkat e një puthadori, apo si trimi me shpatë në dorë?

 

Skënder Luarasi për  Sterjo Spassen

 

E njoha Sterjo Spassen së afërmi  më 1946, kur punonim në Komisionin Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit.  Ai dhe jo vetëm ai, por  shumica nga  të dymbëdhjetë anëtarët e   Komisionit Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit, beharin e motit 1946,  pranoi tezën  se qenë bejlerët e  feudalët që e shkëputën Shqipërinë nga Turqia për të shpëtuar pronat e tyre.

 

Në atmosferën e romaneve të Sterjo Spasses ndihet ky ndikim  që e helmoi  për disa vjet edukimin kombëtar  në shkollat shqipe. Unë besoj se Sterjo Spasse, që është prej shokëve tanë më të ditur e më të ngritur, ka gabuar ndaj Rilindasve sepse ka jetuar nën frikën e dy forcave: të atij që s’lë vend pa e përmendur në romane, Maliq bej Frashërit, dhe të F. P., i cili mësuesve u kishte futur datën për njëzet e tetë vjet me radhë. Dhe kjo frikë Spasses ende s’i ka dalë as sot…

 

Por e gjykova më shumë  në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve kur ai tok me kolegët shkrimtarë  të yshtur nga lart,  na përjashtuan së bashku me S.Malëshovën e Y.Dishnicën pse mbronim parimet demokratike  dhe fjalën e lirë…

 

Megjithatë, Sterjo Spassen e kam simpatizuar e përkrahur si koleg,  edhe  pse mbeti në vatrën tonë  ku  ka qëndruar  në anën e vegjëlisë.  Sojin e tij e kam  mbrojtur publikisht, edhe kur  qeveria e  Zogut  i shpërnguli nga Gllomboçi, edhe në gusht 1929   kur rinia korçare i ftoi të demostronim së bashku, por  ata  kërkuan mbrojtjen e konsullit jugosllav dhe shkuan në Jugosllavi. Mëma Shqipëri e rriti jetimin me qumështin e saj, e veshi, e mbathi dhe e arsimoi në shkollë pedagogjike me bursë. Ai, ndonëse i lindur e rritur në skaj të largët të Atdheut tonë, e nxuri gjuhën tonë amtare më shpejt e më mirë se disa intelektualë a kryeintelektualë të lindur e rritur  në kërthizë të Shqipërisë. Dhe me zellin e një bujku të fortë e punëtor zuri vend në kopshtin letrar të Arbrit ku vlerësohet e ndihet  ndër  më të privilegjuarit.

 

Po pse fidanët  që mbolli e  lulëzuan, frutin na e japin të hidhur?

Ç’ka Sterjo Spasse që popullit shqiptar ia  ha bukën dhe  përmbys kupën?

 

Letër  dërguar shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli,

 

Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,

 

I dashur Dritëro,

 

Lexova romanet   Zgjimi e Pishtarë …

 

Populli shqiptar gjithmonë ka luftuar për lirinë e vet dhe ka ndihmuar edhe popujt e tjerë fqinjë të fitojnë lirinë e tyre, sidomos Greqinë, Italinë dhe Egjyptin. Shqiptari edhe mercenar gjithmonë ka ëndërruar lirinë:

 

Si shqeratë kur kërkojnë

Mëmatë me blegërimë

Ashtu edhe Shqipëria

Po e kërkonte lirinë.

 

Një nga vetitë më të larta të shqiptarit është trimëria: Luftëtarët e Ali Pashë Tepelenës, marshonin kundër rusit e frëngut me këngën ‘’tamburxhi’’ dhe i zbrisnin në tokë, i shtinin në burg, ‘’atje të kuptojnë se ç’janë vargonjt e sa rëndë rëndojnë’’:

 

Silihtar! Çvishe kordhën e të Parit tonë;

Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;

Ju male që shihni si zbresim në zall,

Ja kthehemi mundës, ja nuk vijmë gjallë!

 

Romanet e Sterjo Spasses fillojnë në mbarim të luftës ruso-turke, kur Rusia cariste synonte t’ia shtonte kufirin Bullgarisë nga Deti i Zi gjer buzë Adriatikut. Në këtë çast rreziku të madh shqiptarët provuan që janë, siç e thotë Ismail Qemali: ’’ një racë e fortë që koha nuk mund t’a mposhtë dhe kanë një gjen kombëtar që nuk vyshket nga ngjarjet e ndryshme.’’

 

Dhe shqiptari ia mori luftës:’’As për mua, as për ti, por për gjithë Shqipëri’’.

Populli shqiptar e ka çarë udhën e historisë me shpatë në dorë.  Por Sterjo Spasse nuk beson në këtë të vërtetë. As në njëmijë e treqind dyfeqet te gryka e Kuçit, as në pushkët që krisën n’Urë të Zenicës, faqe flotës së Fuqive të Mëdha, as në betejat e përgjakshme të Shtimbjes e të Stivovës, as të Cernalevës a të Prizrenit. Po si ta besojë Spassja se shqiptarët mund të jenë trima kur nuk kanë në krye vojvodat e Goçe Delçevit, Kokën dhe Dhamjan Grujevin, ‘’Zemra e Komitetit maqedonas UMRO’’?!

 

Në  jetën time kam parë dy marshime bijsh të Nënës Shqipëri: njërin me sytë e mendjes së Sterjo Spasses, të dytën me sytë e ballit tim. Sterjo Spasse e nis romanin ‘’Zgjimi’’ me marshin që këndojnë pesë taborë lebër duke hyrë në sheshin e hyqymetit në Korçë:

 

Festë e kuqe na zi sitë,

Na veshën si arixhitë,

Na dhanë nga tri kacidhe,

Fati inë qiramidhe…

 

Janë katër vargje të marshit vajtimtar që këndojnë pesë taborrë djem të Labërisë. Ata i kanë shërbyer Sulltanit pesë vjet si asqerë. Tani, pasi i kanë lënë të çlodhen një mot në vatrën e tyre, koshadhet turq i kanë shkëputur nga gjiri i nënës dhe nisur me zor për në Anadoll, që t’i shërbejnë Sulltanit edhe pesë vjet të tjerë, kësaj radhe si redifë. Pas tri ditësh udhëtimi, të nisur nga Tepelena,” këta pesë taborë asqerësh të reckosur, këmbëzbathur, me opinga të shqyera, që mezi mbaheshin në këmbë”, arrijnë në Korçë, ku i lenë të marrin frymë në sheshin e hyqymetit e të hapsanës.

 

”Asqerët”, shkruan Spasja, ”si një kope e liruar nga vatha, u përhapën në sheshe; …ndonjë habitej nga muret e hyqymetit e vinte rrotull si pulë e shushatur. Disa grupe-grupe, ranë në lumë dhe turbulluan edhe më keq atë pak ujë që kishte teptisur nga mali i Moravës atë natë me shi. Qytetarët, gojëhapur, shihnin këtë kope redifësh laramane në veshje dhe laramane në sjellje.‘’

 

Marshimin e dytë e pashë një ditë gushti të vitit1912. Katër çeta të kryengritësve shqiptarë marshonin nga katër anë drejt zemrës së Korçës: Gani Butka nga rruga e Kolonjës, Spiro Ballkameni  nga rruga e Follorinës, Qamil Panariti  nga rruga e Pazarit  dhe Menduh Zavalani nga rruga e Pogradecit. Ç’bukuri burrnore më panë sytë atë ditë dhe ç’këngë trimash më dëgjuan veshët, kur u mblodhën gjithë çetat në rrugën e Shëngjergjit përpara shkollës shqipe!

 

Çeta e Ganiu këndonte: ‘’Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!’’

Çeta e Spiros: ‘’Sa të rrojë gjithësia!’’

Çeta e Qamil Panaritit: ‘’O trima luftëtarë‘’

Çeta e Menduh Zavalanit: ‘’Merr uratën bir prej meje.’’

 

E them me veten time: Në qoftë se këta katërqind veta i dhanë Korçës atë madhështi kombëtare, ç’madhështi do t’i kenë dhënë Shkupit, kryeqytetit të Kosovës atëhere, ata dyzet mijë trima shqiptarë të veriut kur marshuan drejt hyqymetit nën udhëheqjen e Isa Boletinit, Bajram Curit e të Idriz Seferit?…

 

Me përshëndetje

Skënder Luarasi

 

 

Sterjo Spasja për Korçën ’’lule’’

 

Si na e paraqet Sterjo Spassja Korçën, sa zë fill cikli i romaneve ”Rilindasit”?

 

Korça lule, Korça e Naum Bredhasit dhe e Themistokliut, sipas Spasses, nuk ka karakter shqiptar; banorët e saj heterogjenë nuk duan t’i shohin me sy bijtë e Labërisë.

 

”Uuu, ç’fytyra të shëmtuara qenkan këta!” thotë njëri nga sehirxhinjtë për radifët labër para Hyqymetit. ”Eh, ç’palikarja janë ata të dhikamas!”- thotë tjetri për të mburrur andartët grekë. ”Mos janë të burgosur?” dyshon një kalama.

”Si i kini hallet, o vëllezër? pyet një ish-hoxhë tre radifë nga Gora. ”Ju përplasi shqota këndejza kështu të rraskapitur?” dhe ”Si qëlluat që qënki vetëm tanët?”

”Të tre radifët , naa, i hapën sytë”, na thotë Spassja; se qyqarët në fshatrat e Korçës rrojnë, por çuditen që edhe banorët e saj si ata flasin, ”vençe”

 

”Grupi me redifë lëvizi e u shty tutje si një përbindësh i përçudnuar me pesë krerë duke lënë prapa, bashkë me pluhurin, edhe jehonën e këngës labe:

”…çuditem se qish duron,

si s’pëlcet t’ja bëjë bom”.

 

Neve lexuesive, kur mbarojmë të dy romanet na mbyt jehona e këngës së Spasses, me atë refrenin ndjellakeq ogurzi nga fillimi edhe gjer në fund ”Korçë, moj e zeza Korçë”.

 

…Në një kohë me këngën tek ”Zgjimi” por në kundërshtim diametral me njëra-tjetrën, doli nga shtypi kënga e një djali nga Labëria:

 

”Histori e lashtë, histori e vjetër…

çdo pëllëmbë vendi te neve ka sedër,

Armikut i derdhet posi një kuçedër…

Gjithnjë në luftë si rrallë komb tjetër.

 

I përmendim që t’i lexojë kushdo dhe të vendosë se cila nga të dyja shpreh të vërtetën historike të Shqipërisë

 

Ndjenja e miqësisë për të huajt

 

Nuk ka gjë më të bukur se sa të jesh i mirë, i dashur dhe i sjellshëm me të huajt. Porse ji i mirë sa të duash, nuk mund të rrosh në paqe e qetësi kur s’i pëlqen komshiut të keq. Ai ta prish qetësinë, paqen, ta merr të drejtën nëpër këmbë dhe ta shkel nderin. Dhe në kundërshtim e sipër vijnë zemërimi, sharjet, hakmarrjet, ndizen luftra, vriten njerëz, vendi mbytet në gjak e mbulohet nga kufomat. Çdo e mirë që është krijuar në paqe e shkatërron lufta.

 

Miqtë e armiqtë

 

Prej  të huajve me admirim ka shkruar romantiku Lordi Bajron, socialisti Bralsford dhe etnologjistja Miss Edith Durham. Sharjet më të ndyra janë thënë për popullin shqiptar prej kryeministrave të Serbisë, Gjeorgjeviçit dhe Pashiçit. I pari ka shkruar se shqiptarët nuk kanë kulturë, s’kanë as shtëpi as katandi, janë akoma në shkallë prehistorike, rrojnë në pyje të kapur për bishti pas degëve të lisit. Por tek opinioni botëror s’kanë lënë ndonjë mbresë se janë aq të pabesueshme, sa i kanë marrë të huajt për humor, dhe më shumë si sharje për popullin serb që rrugaçë si këta të dy i kishte ngritur gjer në shkallën e një kryeministri. Tek e mbramja, as ne shqiptarët nuk dëshirojmë lëvdata nga armiqtë e Shqipërisë.

 

Kujt t’i jemi mirënjohës

 

Shqiptarët i kanë ndihmuar maqedonasit për kryengritjen e Ilindenit, kjo dihet. Por dihet me siguri edhe se me ç’para komitët maqedonas i blenë armët – në mënyrë shumë të keqe. Janë  ata që më  1902 patën zënë rob amerikanen Miss Stone të shoqëruar me shqiptaren Katerina Cilka që udhëtonte për në Maqedoni për të vizituar prindërit në Samokov. Ata i zunë skllav dhe për lirinë e tyre kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë) që me valutën e sotme bëjnë miliona. Dhe me këto para të mbledhura në Amerikë e me të tilla grabitje filloi kryengritja e Ilindenit. Këta grabitës grash që kanë marrë peng Miston, autori na i paraqet heronj që i mësojnë kapedanit të ardhshëm shqiptar se si të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Ç’ironi!

Unë, si shqiptar, nuk u jam mirënjohës vojvodave por Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Rapo Hekalit, Pashko Vasës, Abdyl Frashërit,  Sulejman Vokshit,  Azis Plakës nga  Ulqini, Ismail Qemalit, Isa Boletinit,  Themistokli Gërmenjit e qindra e mijra atdhetarëve  të tjerë.

 

Morali i shqiptarit

 

Puna qëndron ndryshe me ato që thonë e shkruajnë vetë shqiptarët për atdhenë e tyre. Të shkruash më 1962, për 50-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë se ”në Myzeqe këtu e dyzet vjet më pare (domethënë më 1922) nusja më parë se të shtrihej në rrogos të dhëndrit duhej të shkonte në shtrat të beut” është të shpiesh ujë në mulli të armikut. Dhe as Gjeorgjeviçi nuk ka guxuar të bëjë një insinuatë të tillë dhe t’ia mohojnë popullit shqiptar ndjenjën e lartë të nderit.

 

Po Sterjo Spasse pse,  si e ku e gjeti pjesën pornografike dhe fjalorin e ndyrë?  Korça në atë kohë kur zhvillohen ngjarjet qe një fshat i madh që po rritej shumë shpejt nga banorë të fshatrave përreth: nga Devolli, Kolonja, Opari dhe  jeta ka qenë e pastër prej imoralitetit që na përshkruan  autori…Unë dua t’i them Spasses se Vani Cico Kosturi, të cilin e kam njohur shumë mirë, për njeri shumë serioz e guximtar, nuk i thërriste mbesat e tij ‘’zuska’’ por  me emrat e tyre të nderuara. Dhe në shtëpinë e tij fisnike nuk hynin plakat për t’iu falur Shënmërisë, po patriotë për të biseduar mbi të ardhmen e popullit shqiptar. Mbi karakterin e këtij babai dëshmorësh flet  edhe tragjedia e  17 korrikut 1911, kur ia suallën kufomat e gjashtë dëshmorëve të betejës së Orhan Çifligut, ashtu të copëtuara barbarisht sa nuk njiheshin dhe ai tha krenar: “Të gjithë janë bijtë e mi”…

 

Disa nga portretizimet e gabuara të S.Spasses

 

Thotë për Kajo Babienin se sulmonte për plaçkë. Kajon që shpëtoi Korçën më 1902 nga komitaxhinjtë bullgarë, më 1903 nga bashibozukët turq dhe më 1914 nga andartët grekë.

 

Papa Kristo Negovani nuk qe vrasës e presës, terrorist, por mësues i gjuhës shqipe. Aureolën e shenjtit të Shqipërisë ia ka vendosur populli shqiptar me elegjinë e Loni Llogorit ”Papa Kriston na e vranë!’’ S’ka se si ta kthejmë në komitaxhi.

Themistokli Gërmenji  na shfaqet se jep ryshfete! Një njeri që është i zoti të japë ryshfet është i zoti edhe të marrë ryshfet. Ryshfeti është mikrobi që moralisht vdes njerëz dhe përmbys  pushtete. Bakshishi groposi Perandorinë Osmane. Themistokli Gërmenji  ka qenë njeri i mendimit e i veprimit dhe fjalëpak. Themistokliu qe  më shumë një sintezë e karakterit të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe jo si na thotë: e Fan Nolit dhe e Mihal Gramenos. Ai prirej nga një natyrë sedentare dhe posi i vëllai Telemaku, qe i mbrujtur me një patriotizëm që e bënte të jepte edhe jetën për atdhenë;  por në dallim nga ai, kishte aftësinë të merrte vendime të forta në momente të vështira.

 

Me këtë dua të tregoj se ai nuk qe llafazan, nuk qe njeri i ecejakeve, si e paraqet Spassja. Në një skenë si ajo e taborëve lebër përpara Hyqymetit të Korçës, Mistos, djaloshit flokëkaçurrel, nuk do t’i ngjethej trupi; por do t’i ndizej flaka e zemërimit kombëtar, do të përpiqej të shpërthente burgun dhe tok me të pesë taborët të çlironte Korçën.

 

Maliq bej Frashëri, qe bashkëpunëtor me andartët grekë e komitaxhinjtë bullgarë, në shpalljen e Hyrietit qe kaçak dhe nuk u bë kurrë ofiqar turk. Ai e kishte jatak fshatin e S.Spasses. Sojin e Spasses e përzuri qeveria e Zogut se strehonin agjentët maqedonas, jo ai. Pse ata shulet  nuk ia dogjën kullën pra?  Apo, ia dogjën në roman.

 

Romanet ‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë‘’

 

Autori romanin ‘’Zgjimi’’ e nis me zvetënim të rinisë labe dhe e mbaron me ardhjen e lejes turke nga Stambolli për të çelur një shkollë shqipe edhe në Korçë.

Romanin ‘’Pishtarë’’ e nis me një brohoritje të  Ilindenit dhe vijon me insinuata të urryera  për Rilindjen e rilindasit, për heroin e ciklit dhe për ardhmërinë e fatit të Shqipërisë.

 

‘’Pishtarë‘’, duke qenë më afër kohës, ka më pak trillime, po ka më shumë ambiguitete, dyanshmërira.  Të dy romanet e parë të ciklit përfshijnë aq faqe sa përrallat arabe të 1001 netëve. Dhe me të vërtetë, një e treta e lëndës së tyre janë përralla.

 

Pse kaq të çmuara qenkan përrallat e Sterjo Spasses sa t’ia blejmë me lekët e nderin tonë sharjet që i bën Shqipërisë? Edhe sa romane do të shkruajë dhe e populli ynë t’ia paguajë që të na poshtërojë rilindasit tanë!

 

Quaje tri herë ”shqipo” dhe bota do ta thërrasë ”doç”

 

Kur lexova dhe dëgjova lavdërime të porositura m’u kujtuan fjalët e urta të  popullit: ‘’Kush dhjet në det, e ha në kripë.’’ Me  romanet ”Zgjimi” e ‘’Pishtarë’’ u  pëgër i  gjithë populli shqiptar.

 

Më shkroi një gjerman:  ‘’I njoha shqipot nga romanet e Sterjo Spasses’’

Mendova:  thuaj për shqiptarin tri herë ”shqipo” dhe bota do ta thërrasë ”doç”

 

“ Është i padenjë ai  popull që nuk bën  gjithçka për të mbrojtur lirinë  dhe dinjitetin e tij”.

 

Përmbyllje:

 

Kur mbrojta ‘’Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’’ të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit.

 

Ndaj nxitoj të  kritikoj veprat e Sterjo Spasses (‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit.

Plumbin do t’ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!…

 

E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet ’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’nuk patën nge t’i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t’u lexuar e studjuar!

 

 (Skënder Luarasi, Kujtime, 1976)

 

 

 

 

(Shënim nga  Petro S. Luarasi)

 

Në një mbledhje me temë: ‘’Thellimi i karakterit kombëtar të letërsisë – problem i rëndësishëm aktual’’ Sterjo Spasse u kritikua paq. Sulmoi si luan, bishtoi si dhelpër dhe u struk si iriq.  Kolë Jakova e pyeti Skënder Luarasin se si guxonte të shkruante  kështu Sterjo Spasse. Ai iu përgjigj që të shihte mirë se kush e përkrahte.

Enver Hoxha qe mbrojtësi kryesor i Sterjo Spasses në Shqipëri. Me‘’indulgjencat’’ e Udhëhesësit mbi kokë e nisi edhe   familja në Botën e Përjetshme, si të ishin mesazhe qiellore nga Krishti!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s