Poezi nga Baki Ymeri

Poezi nga Baki Ymeri
 
 
FLATRIMI I FJALËVE
 
Duke notuar
Drejt brigjeve
Të pavdekësisë
Fluturonte fjala
Në qiellin e mendimit tim
Fëshfërima e fjalëve
Dëgjohej gjatë grebulitjes së tyre
Në lëndinat e Livadhit të Madh
 
Mos qenka çmendur poeti
Pyeste një malësor i harlisur
Që ende s’e dinte
Se në fillim ishte Fjala
Dhe Fjala ishte Zoti
Dhe Zoti ishte Fjala
Mes tyre ishte jeta
Dhe jeta ishte
Drita e njerëzimit
 
 
 
DRITA E FJALËVE
 
Ëndërroj fletoret e bibliotekës sime
Me fjalë të frymëzuara
Që lëvareshin nga qielli
Porsi kalaveshët e rrushit
Me shijen më të ëmbël në botë…
Drita e ngjyrës së fjalëve
Krijonte simfoninë e ylberit
Në livadhet e vendlindjes sime
Një Parajsë e lulëzuar
Që e ëndërrojmë
Së bashku me siluetën
E gruas së dashuruar…
Ajo është krijesa që dhuron
E jo koprraci që grumbullon…
Janë fjalët lule me dritë
Apo lulet janë fjalë
Që natën e bëjnë ditë…
 
 
 
KËNGA E FJALËVE
 
Ëndrrat iluzionet shpresat
Beteja triumfi liria harmonia
Ku janë ata që ishin
Që me këngë luftën e krisnin
Dhe sot e dje dhe pardje
Zhgënjimet dëshpërimet dështimet
Një pjesë e popullatës
Pret nga perëndimi
Përmbushjen e pjatës…
 
Mos është poezia vallë
Thesari i shenjtë që na mbron
Rizbulimi i burimit që na freskon
Mundi i gjumit që na trazon
Kënga e zemrës që na trimëron
Shpirti i shpirtit që fluturon
Mundi e kënga dhe zemra e shpirti
Shndërrohen në pjata fluturuese
Dhe ikin në qiellin e përjetësisë
Duke e plasuar në Univers
Hartën etnike të Shqipërisë…
 
 
 
KAMBANA E FJALËVE
 
Poetët e kultivojnë vetminë në qiell
Qytetarë të ndershëm të melankolisë
Kohën e “humbin” me lexime e meditime
Trishtimi i prek kur e humbin ndonjë mike
Që s’ka kohë t’i nderojë me nga një Like…
 
Kambanat e kishës gjatë natës heshtin
Vetëm zëri i tellallit prish qetësinë e sheshit
Mu në orët e agimit kur engjëjt dremisin
Shpata e ezanit e prish gjumin e Ballkanit
Matrapazët bredhin me gijotinën e fjalëve
Dështakët i mbështesin shkallët në diell
Poetët e kultivojnë vetminë në qiell…
Dhe vjen ajo ditë që të dëshmon
Se suksesi ësht’fryti i së shkuarës
Fjala e urtë – bërthama e ardhmërisë
Poeti përkulet para ndershmërisë
Jeta është lufta për pavdekshmëri
Fjala e pjekur flatron në përjetësi
Fitorja nuk përfitohet me fuqi
Por vetëm me art dhe mençuri…
 
 
 
GJUMI I FJALËVE
 
Dremit nata
Nën pullazin e çatisë së fjalëve
Hija e heshtjes së brengosur
Telefoni i zi
Me të cilin na përgjonin
Kameleonët
E sistemit të stigmatizuar
Dremit në muzeun
E fjalëve pa fjalë
 
Tani tringëllon celulari
Nga mëngjesi në mbrëmje
Dhe shungullon Shkuma
Që zdirgjet brigjeve të Sharrit
Duke i monitorizuar gurët
Duke ua latuar shpinën
Duke i m’veshur
Me myshkun e shekujve
Jemi apo s’jemi
Jemi derisa pemët
Lëndinat e bjeshkët
I zbukuron blerimi
 
Ku janë ata që s’janë
Ku e kam vëllain
Që ma morri Shkuma
Në gështenjishtën e Rrethrekave
Kur mamaja e babai
Prashisnin misrin në pranverë
Çka po ngjet me poezinë
E heshtjes së brengosur
Me vitet që na ikin
E me kohën që vjen e shkon
Si një kusar i pamëshirshëm
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s