Poezi nga Sinan Vaka
Nimfa e Vjosës
Ngjyra e agut , varet e zbehur
tej valës dhe gjurmës së kumit,
në ecjen ujore valltare e qeshur,
lot nimfa shkumore e lumit.
Vallen vazhdon, kantilenën e mallit
dhe hidhet, tërhidhet drejt tokës ;
Oh , qofsha ky shkëmb që tretet tej zallit,
nga buza e etur e Vjosës.
SHKËMBI I QYTETIT TIM
Shikoj këtë shkëmb
dhe kundroj vjetërsinë e moshës,
vërej heshtjen gjigante të tejkohës
e këlthas me dhimbje nostalgjike.
Dhimbjet më kthehen në mendime
dhe mendimet në sinjale frike.
I flas dhe s’ përgjigjet.
I rikujtoj mbrëmjet e mia
dhe eternet fantazi që mashtrojnë…
Heshtja e tij përligjet .
Nuk është dëshpërimi që më dhemb,
as shqetësimi për fundin e një jete që ikën,
harresa është tmerri që më tremb !
Për buzët e vajzës e kam frikën.
AKUAREL POETIK
* * *
Nuk më trembin bukuritë e paprekshme .
Je kaq e brishtë…
Si ato vazot e vjetra antike, të hershme…
Dhe unë kaq i mishtë !
* * *
Largësitë janë vetëm imagjinacione,
pamundësi të një shpirti të përqarë.
Në takime ëndrrash,
sa herë jemi parë ?
KATEDRALJA
Një zonjë që rastësisht hedh shikimin
Përçmon aksentin tim të huaj.
Në kryqëzimin proçesual të së vërtetës
nuk di ç’të bëj, të qesh apo të vuaj .
Rrugët gjithmonë ndahen fatalitetit civil.
Zonja hyn në kishë për rrëfim të ndergjegjshëm
dhe pyes heretik nëse ky mashtrim i lirë,
dikur vjetërohet apo ngelet i përjetshëm.