ANDREADHE HELENA (Kreu i XI) – roman  / Nga: Resmi Osmani  

 ANDREADHE HELENA (Roman)   

 

Nga:  Resmi Osmani         

Kreu i XI

Për udhëtimin u përgatitën ditë me radhë.Përgatitën dhurata për mbretin Robert dhe mbretëreshën Sança. Porositën për vete në Durrës veshje të kostueshme veneciane e raguzane, stoli dhe gjithë ç’duheshin për ta bërë pamjen dhe bukurinë e një gruaje të fisme  edhe më të pashme edhe më të bukur, me gjithë shkëlqimin rrëzëllitës dhe magjinë tërheqëse.Helena e dinte se mëndafshi, diamantet, safiri, smeraldet, rubini, ari, nuk e shtojnë bukurinë, por i japin asaj shkëlqim dhe dëshmojnë pasuri e pushtet, shkallën që zë në shoqëri ajo që i mban. E dinte se bukuria dhe hijeshija e saj, s’kishin nevojë për të tilla stoli, por atje ku po shkonte, u jepnin vlerë, shpërfillnin njeriun dhe vlerësonin sendet dhe shkëlqimin e rremë , kotësinë e dukjes dhe jo fisnikërinë e ndjenjave dhe virtytin .

Nisja u bë nga skela e vogël e Kepit të Rodonit. Aty i priste veliera e re “Kruja”, që kishin përuruar muajin e shkuar. Çifti princor me shpurën e vogël, që i përcillte arriti para mesditës. Andrean e përcolli që nga Kruja një çetë e kalorësve të gardës dhe  për më tej do ta shoqëronte truproja e vet, kurse princeshën Helena dy  nga kujdestaret e saj.

Detarët ngritën çengelin dhe hapën velat, hodhën urën dhe pasagjerët  u ngjitën në kuvertë.Dita ishte e qetë, shkëlqimtare. Kupa e qiellit e kaltër dhe era për lundrim e mbarë.Velat u frynë, direkët kërcitën anija u trand dhe  u nis në det të hapët. Nga bregu i përshëndesnin duke valëvitur shamitë dhe uronin lundrim të mbarë.Anija mori udhën e ujshme për nga jugu, duke u larguar gjithnjë  e më shumë nga bregu. Andrea dhe Helena, u ulën nën një strehë të përgatitur për ta  më parë, nën hije, që i mbronte nga rrezet përvëluese të diellit. Që aty hapej pamja  magjepsëse e shkëlqimtare e detit pa anë e fund, që çuditërisht, ndryshe nga dhjetë vite më parë, ishte i qetë, i paqtë e miqësor. Anija e lehtë çante ujrat ,duke lënë pas një hulli të shkumëzuar. Kishin për të bërë udhë të gjatë: do të zbrisnin nga Adriatiku në Jon për të arritur në brigjet e Siçilisë, nga ngushtica e Mesinës do hynin në detin Tirren dhe pastaj, duke u drejtuar nga veriu, do të mbërrinin në gjirin e Napolit.

Bukuria e natës në det ishte e paparë.Hëna e plotë derdhte arin e zbehtë të dritës së saj. Qielli i mbushur me yje vezullues. Syprina e gjelbër e ujit të dallgëzuar ngrinte valë të lehta fosforeshente, që e bënin qilimin e ujtë të stolisur me zbehtësinë e mugët të ndriçimit yjor. Deti merrte frymë dhe psherëtinte  me gjithë gjoksin . Peshqit fluturues, në ndjekje të gjahut,  ngriheshin dhe binin në ujë me vërtik. Të dy sodisnin këto bukuri dhe të përqafuar e pa fjalë, se heshtja nganjëherë flet më shumë, i rrëfenin shoshoqit se sa shumë duheshin. Kishin kohë të mendoheshin. Sillnin ndërmend të shkuarën.Jetonin të tashmen, por dyshonin në të nesërmen.

E gjitha ishte pështjellim, ku sillej në mendje pyetja:”Përse?”.Përse vallë gjithë ai mllef, gjithë ajo mëri që kishte helmuar vitet e shkuara? Për ata të dy, gjërat ishin më të qarta , të thjeshta dhe njerëzore: në lirinë e jetës së tyre, në pranverën e saj, kur çelin lulet e dëshirave ku më e bukura e të cilave ishte ajo e dashurisë, u kishin dhënë vrull ndjenjave, në një formë më të lartë, më shpirtërore, më të gjallë sesa ajo e jetës reale. Ata i falën njëri –tjetrit një zemër të virgjër të zjarrtë, lanë të shpërthente  pasionin e ndrydhur, me një turr dhe vrull rinor, ndryshe nga jeta e rëndomtë, e llogaritur dhe e peshuar e oborreve mbretërore.Të dy zgjodhën, që ndryshe nga ajo jetë e ngurtë dhe e  ngrirë, hipokrite, dyfaqëshe, e mbyllur në kornizat e rregullave dhe kanuneve të ngurta, të mos i fshehin ndjenjat dhe rrahjet e nxehta të zemrave të tyre rinore, pa mohuar ëndërrimet dhe pa mbuluar me velin e pavërtetësisë dhe gënjeshtrës, veten e tyre të vërtetë. U dashuruan, ashtu siç mund të dashurohet vetëm një herë në jetë. A mos është mëkat të duash dhe të të duan? Por gjithë ky vrull, u përplas dhe u coptua përballë murit të kështjellës mbretërore. Kjo dashuri u pa si turpërim, e papranueshme, e pafalshme, e dënueshme, nga ata që i lejojnë vetes gjithçka, e të tjerëve asgjë. A nuk ishte vetë Helena një e lindur jashtmartese e një aventure rinore të mbretit Robert? Ndoshta s’kanë dashuruar kurrë me dashuri të vërtetë, por ja që kanë në dorë jetën dhe fatet e botës.

Dhe ja vinte falja, ftesa për pajtim. A thua që zëmërata të ketë kaluar ashtu siç kalon stuhia  dhe pas saj ndrit dielli,ajri pastrohet, qielli kaltëron? Që zemra e plakur të jetë zbutur dhe gjaku të jetë pastruar nga vreri i zemërimit dhe turpërimit ? Që në vorbullën e ngjarjeve të stuhishme të dhjetë viteve, e tyrja të jetë harruar, por ka mbetur si një kujtim i zbehtë, që duhet fshirë e hedhur pas krahëve? Ku ta dish

Ditën e tretë të lundrimit, kur dielli ishte ngritur në zenith, në horizont u shfaq gjiri i Napolit, konturet e qytetit dhe siluetat e kambanoreve të kishave që lartësoheshin drejt qiellit. Kishin mbërritur. Helena ndjehej e emocionuar dhe nuk nginjej me soditjen e atij qyteti, ku kish kaluar fëmijërinë e lumtur dhe rininë ëndërrimtare të saj. Pas manevrimit të kujdesshëm, duke dredhuar midis galerave dhe anijeve të shumta ,”Kruja” u afrua në bankinën e portit. Kapiteneria kishte dijeni dhe ishte në pritje të mbërritjes së Kont Andreas dhe princeshës Helena dhe dërguan një lajmës në pallat. Nuk mënoi dhe u duk shambellani i mbretit me shërbenjësit e veshur me livre plot stoli. Shambellani,trupmadh, me paruke të thinjur, fytyrë të pudrosur, me favorite të plota, hundë të spikatur dhe sytë e ftohtë e tinzarë të futur thellë në zgavra, me fjalë të zgjedhura, sjellje të rafinuara e tërë oborrësi, u urojë mirëseardhjen, teksa shërbenjësit morën sepetet dhe baulet e mysafirëve.Rruga nga porti për në pallat ishte e shkurtër. Njerëzit , që gëlonin në port, shihnin me kërshëri dhe përcillnin me sy të sapoardhurit, që nga pamja dhe përcjellësit ,  duhet të ishin nga familje mbretërore. Andrea, Helena dhe shpura e tyre e vogël, ndiqte shambellanin , që i printe drejt pallatit të mbretit.

Për ta ishte përgatitur një apartament në anën lindore të pallatit. Mbi dritaret binte bollshëm drita diellore, aq sa perdet kadife ngjyrë alle, ngjanin si  të përgjakura. Shtrati i madh ishte i qarkuar nga kurtina mëndafshi të kaltër. Mobiljet që ormisnin dhomat ishin nga dru mogani të zi e të kuq dhe të ngallmuara me lule argjendi. Gjithandej pasqyra dhe shandanë argjendi me shumë llambadha. Në qilimat e trashë e të kuq, të fundosej këmba. Luks e begati mbretërore! Helena hapi perdet dhe doli në ballkkon, nga ku dukej  deti dhe në largësi Vezuvi. Asaj iu bashkua edhe Andrea. Ai i hodhi dorën në bel dhe në heshtje po sodisnin pamjen që u hapej para. Për të ishte një botë e panjohur, e ndryshme nga ajo e tija: me male të lartë e qytete me mure të lartë kështjellash. Helena hyri brenda ,hapi sepetet dhe nisi të verë në dollap veshjet, që kishin  sjellë me vete. Pastaj pas atij lundimi të gjatë,  banja e ngrohtë, në vaskë mermeri, me ujë të merëm lavande, që ia hoqi lodhjen si me dorë, e i solli prehje. Drekën ua shërbyen në dhomë.

Shambellani i vuri në dijeni se madhëria e tij, mbreti Robert, i priste në mbrëmje. Do të vinte t’i merrte vetë ai.  Pas pritjes do të darkonin së bashku. Ai nënqeshi dhe tha se  ky nder nuk i bëhej kujtdo.

Mbreti Robert dhe mbretëresha Sança e pritën çiftin arbëror në sallën e armëve, të ndriçuar sa të merreshin sytë, nga qirinj dhe llambadha. Në ballë binte në sy portreti i mbretit Karl, stema anzhuine me zambakë, armë trofe dhe harta të mbretërisë. Çifti mbretëror ishte ulur në fronat e rëndë të stolisur me kurorat mbretërore. Maxhordomi, hapi kanatat e derës, trokiti tri herë në dysheme me skeptrin  që mbante në dorë  dhe tha:

-Konti Andrea Topia dhe kontesha Helena Topia d’Anzhu !

Shambellani, u priu me çap të ngadaltë e madhështi prej oborrtari.  Andrea dhe Helena i shkuan pas. Andreas nuk i shpëtoi që shambellani e quajti Helenën “konteshë” e jo princeshë,një mënyrë e rafinuar, për të rrëfyer se nga ajo martesë kishte zbritur një shkallë më poshtë në sërën e shoqërisë së lartë.

-Madhëria juaj mbret! Madhëria juaj mbretëreshë!-

Një përkulje e lehtë e kokës dhe pritje në heshtje.

-Afrohuni bijt e mi-

Mbreti e mbretëresha zgjatën duart e djathta, mbushur me unaza, ku fekste reflektimi i dritës nga diamantet.

Andrea dhe Helena bënë ca çape përpara dhe i puthën duart e sovranëve.

Qëndronin më këmbë.  Ende s’i kishin grishur të uleshin. Mbreti foli:

-Helenë, bija ime! Kanë kaluar dhjetë vjet pa të pare. Më ka pikur malli dhe zemra ime e plakur nuk e duroi dot më ndarjen. Vitet kanë shkuar, por ta kanë shtuar bukurinë. Ke mbi krye dhe në pamje breroren e dritës dhe  hirit mbretëror.

Këto thonte gjuha, të tjera mendja. Ai nuk mund të harronte ndodhinë  e dhjetë viteve të shkuara. Kujtimi i asaj dite, turpërimi dhe poshtërimi në sytë e sovranëve të Evropës, i turrej si nje tufë qensh të tërbuar, i kafshonte zemrën dhe ngrinte dallgën e zemërimit.Ajo plagë nuk shërohej.

-Mbret dhe Atë. Këto vite ndarjeje, edhe pse larg, ke qënë përherë në zemrën dhe mendjen time. Më ka munguar pranija juaj, fjala e mençur dhe kujdesi atëror. Më lumturuat me ato që thatë. Kjo është një ditë e gëzuar dhe lus Zotin , t’u   japë jetë të gjatë e pleqëri të bardhë! Edhe juve, atë, u gjej siç u lashë dhjetë vjet të shkuar, asnjë ndryshim!- i tha për t’i bërë qejfin, po mbreti ishte plakur e rënduar, krejt i thinjur, balli brazduar nga rrudha të thella dhe me qeska dhjami nën sy.

-Ashtu të duket. E jashtmja të mashtron.Jam si molla, e kuqe nga jashtë, por e bren krimbi nga Brenda. Zemra ka nisur nga xanxat. Pastaj, kalorësit, po ju rënd që t’i hipë kalit, është bërë për të qarë hallin. Akoma më këmbë? Uluni!  Eja pranë meje Helenë.

Mbretin e ngau kolla dhe e kapi gulçi. Kur u qetësua iu kthye Andreas:

-Kont Andrea Topia! Nuk u kisha përfytyruar kështu si jeni: me këtë shtat atletik dhe pamje kaq të hijshme, që i bën nder racës arbërore. Tashmë që të pashë, i jap të drejtë sime bije. Edhe unë, po të isha vajzë, do më ishte prishur mendja dhe do të isha dashuruar me këtë djalë! Apo jo Sança?

Sança me një buzëqeshje enigmatike, miratoi me një ulje të kokës dhe vazhdoi të ledhatonte qenushin e saj që e mbante në gjunjë.

– Sa për vetitë e tjera, nipi Luixhi që u ka njohur nga afër, më ka thënë se janë po aq të arrira, sa edhe pamja!

-Madhëri! Më nderuat me ato që thatë për personin tim. Ardhja në oborrin tuaj, për të paraqitur nderimet tona, ka qenë një dëshirë e kahershme, por jo në vullnetin tonë. Tashmë, që bujaria e madhërisë suaj e bëri të mundur, pranoni ju lutem respektin dhe stimën më të lartë për personin tuaj mbretëror dhe shërbimet tona të devotshme  në mbarëvajtjen e Mbretërisë së Arbërisë.

Mbreti e dëgjoi me kujdes. Kontit të Arbërit nuk i mungonte shkathësia e mendjes dhe gojëtaria.

-Sillmini të dy djemtë! Dua të njoh Karlin ,që mbanë emrin e atit tim!- i tha oficerit të shërbimit.Ai u vu në zor, desh diç të thonte, por Andrea foli para tij:

-Madhëri ! Djemtë i lam në qytetin tone të Krujës. Gjykuam se janë ende të parritur dhe nuk i durojnë dot mundimet e detit, por tashmë që rruga u hap, shpresojmë se do të ketë një rast tjetër.

Mbretëresha Sança, nuk merrte pjesë në bisedë. Kqyrte si me keqardhje thjeshtrën, sytë e saj të ftohtë, ajo perde si e hirtë në fytyrë, njëfarë mëshire dhe keqardhje e mezidukshme, e bënin të pamundur të kuptoje se ç’mendonte.

Më pas ca pyetje të zakonshme: se si ishin me shëndet, si u kishte shkuar udhëtimi, si i kishin punët në principatë, a ishin rritur djemtë, kush kujdesej për arsimimin e tyre, si kishin qënë të korrat e vogëlima të tjera për të mbushur kohën. Andrea pyeti për të ungjin dom Dominikun. Mbreti i tha se fort të diturin dhe të nderuarin dom Dominik, që për mendjemprehtësinë dhe përkushtimin në besim si të një shenjti, e kishte zgjedhur këshilltar dhe kapelan, i kishte besuar  një mision në selinë apostolike në Dizhon dhe se pritej që këto ditë, ai  të kthehej dhe se  mund të takoheshin.

Pritja e mirëseardhjes kishte përfunduar. Shambellani njoftoi se darka ishte shtruar.

Ishte një darkë familjare. Mbreti ishte kujdesur që të kishte më pak sy për të parë e më pak veshë për të dëgjuar: admirali i flotës, fytyrëngushtë e hundëkrrut e mjekër  pykë, stolisur gjoksin  me shirita urdhëra e dekorata, ministri i oborrit dhe dukesha e Kalabrisë, trashëgimtarja Xhovana, me ca sy kuriozë e fytyrë të trëndafiltë, çupëlikë që s’i kishte mbushur të trembëdhjetat. Andrea vuri re se vështrimet e tyre ishin ngulur mbi të dhe e shihnin si  të kishte ardhur nga tjetër botë. Mbreti u paraqiti të pranishmëve kontin Topia, ngjëroi pak verë të bardhë dhe i grishi të pranishmit të shijonin gatesat e pasura të kuzhinës napolitane, rregulluar në enët e argjendta, që ndrinin nën flakën e qirinjve. Pastaj iu kthye Andreas:

– Kont! Këto dy vite të qeverisjes suaj, nga mëkëmbësi ynë në mbretërinë tonë të Arbërisë, na kanë ardhur ankesa për një ndërkryerje, mosbindje e rebelim  të personit tuaj, që kanë ngjallur pakënaqësinë time. Ministri i Oborrit, Markezi Kolombo, ankohet se po shterr burimi që ushqen thesarin nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve. Vendosja e monopolit të kripës dhe grurit, ka pështjelluar tregëtinë. Admirali shqetësohet se rrethimi i Durrësit me dy porte në veri dhe jug të tij, sido që të vegjël dhe garnizonin e gardës në prapatokë, ngjan me synimin e vjetër për ta pushtuar dhe zotëruar atë. Kantieri i ndërtimit të anijeve në Rodon, shtimi i piraterisë dhe grabitjet në rrugën Egnatia, e plot zullume të tjera. Këto nuk i përgjigjen vasalitetit dhe bindjes ndaj mbretërisë sonë, sipas traktatit te nënshkruar nga ati juaj i ndjerë dhe princ Luigjit në vitin

  1. Ndonjë spjegim do të ndihmonte që të davaritej kjo mjegull midis dy brigjeve të deteve tona…

Mbretit ia nderpreu ligjëratën kolla e keqe dhe gulçi, që i vështirësoi frymëmarrjen. U qetësua dhe priti përgjigjen.

-Madhëri! Ju siguroj, se ne i jemi permbajtur dhe i qëndrojmë traktatit dhe vasalitetit, pa na shkuar ndër mend ato që Ju na bëtë përsipër. Ju e dini se para pak muajsh, edhe me perkrahjen Tuaj, ne bëmë dhe fituam një luftë me serbët, synimi i të cilëve është pushtimi i Durrësit dhe dalja në det.Principata ime e vogël për financimin e kësaj lufte, shtrydhi tërë burimet financiare, njerëzore dhe ekonomike .Përgatitja e kësaj lufte, është arsyeja, që ne nuk i kemi qendruar atyre detyrimeve, që Madhëria  Juaj përmëndët.Fortifikimet në Rodon dhe Mel, bëhen për ta mbrojtur Durrësin dhe anijet e lehta e të vogla të flotiljes sonë, janë për të ruajtur bregdetin. Ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe vasalitetit, përndryshe nuk do të ishim këtu.

Mbreti bëri sikur mbeti i kënaqur nga spjegimi, apo ngaqë nuk i interesonte ta shtynte më tej atë bisedë, ndërroi temë.

Admirali dhe ministri i oborrit, sollën thashetheme nga oborret evropiane, grindjet midis princave gjermanë, ngjarjet në fushat e luftës të Perandorisë së Shënjtë Romake, sëmundjes së papritur të kushërirës, infantes  dona Klara Elisabeta Marias të Andaluzisë  dhe rrëfyen disa anekdota për ta bërë mbretin që të qeshte, por ai vetëm sa vuri buzën në gaz dhe vijoi të ishte i ngrysur.Dukej se mbretin diçka e mundonte dhe e brente së brendshmi. Gjetkë i shkonte mendja.

Pasi u hëngër ëmbëlsira dhe po bëheshin gati që të ngriheshin, mbreti  u dha dorën t’ia puthnin, u uroi natën e mirë dhe i këshilloi dy të rinjtë që të nesërmen të shëtisnin, të vizitonin bukuritë e  Napolit,  tregun, të blenin librat e reja të Bokaçios dhe Petrarkës. Të mos linin pa parë  kishën – katedrale të Santa Kiarës me arkitekturë gotike dhe afreske të mrekullueshme të Xhotos dhe manastirin e Santa Maria dela Kroçe, ku do të gjenin prehje shpirtërore.

-Dëfrehuni, si të mundni e sa të mundni, “Si në ditën e fundit të jetës”- shtoi me vete ai.- Nesër mbrëma për nderin tuaj do të ketë një darkë me ballo.

Uruan edhe një herë natën e mirë dhe u ndanë.

Në mesnatë, gjë e pazakonshme për atë stinë, ja behu stuhija.Qielli u ndez flakë.Rrufetë gjarpërushe çanin errësirën. Era vërshëllente si gjarpër, përplaste pas mureve, dyerve e dritareve litarët e shiut. Gjëmimi i bubullimave trandte

xhamat e dritareve, ujërat e shiut brambullinin nëpër qyngjet, që zbrisnin nga çatia. Shkulmi i freskët i erës dhe shiut u turr në ballkon dhe apartament nga dyert e hapura. Andrea u ngrit dhe mbylli dyert e ballkonit dhe dritaret. Shtrëngata, siç erdhi befas, ashtu edhe shkoi. Era rreshti, shiu ende rigonte butë, ndërsa ajri larë , i pastër e i freskët mbushi hapësirën e dhomës. Kur ra qetësia, nga hatullat e pallatit, u dëgjuan ulurimat e kukuvajkave, të kobshme ndjellakeqe, ndërsa errësirën e çau angullima e thekshme e nje qeni, që nuk po pushonte. Helenës iu ngjeth trupi.

-Andrea! Ulërimat e kukuvajkave dhe angullimat e atij qeni, janë shenja dhe paralajmërime  që ndjellin vdekje!

-Bjer e fli. I ka trembur shtrëngata.

Ndaj të gdhirë, në vëngjillë të ditës së re, Helena brofi ndenjur në shtrat.Trupi i ishte mbuluar me djersë dhe gulçonte e s’nginjej me frymë. Dridhej e tëra. Edhe pse zgjuar, nga tronditja ende nuk kuptonte ku ishte dhe çfarë po i ndodhte. Ishte një gjendje e dyzuar midis vetëdijes dhe pavetëdijes, ku llahtari dhe frikërat e kishin kapluar, i ngjallnin lemeri e tmerr.

U zgjua dhe Andrea.

Helena e rroku dhe u tulat, si një zogth i trembur në gjoksin e tij të gjerë. Ai ndjente sesi i rrihte me vertik zemra e trembur.

-E dashur! Ç’pate, ndonjë ëndërr e keqe?

-Ah Andrea, llahtar,tmerr! Ëndrra më çoi në banjë. Perdet që qarkonin vaskën ishin të kuqe, një e kuqe e thellë, mbi to binte drita e llambadheve dhe prej tyre rridhte gjaku vishtulloz pikë-pikë, kurse vaska, në vend të ujit ishte mbushur me gjak.Dola e llahtarisur në koridorin e pallatit. Aty u fanepsën si fantazma dy persona veshur me të zeza e mbuluar me kapuçonë. U dukeshin vetëm sytë si thëngjij të ndezur. Në duar mbanin shpata të harkuara që u flakëronin. Desha të merrja vrapin , po këmbët ishin rënduar plumb dhe s’lëvizja dot nga vendi. Nga larg vinte një zë urdhërues: ” Vrajeni, vrajeni !” Kur ata më kapën nga flokët dhe ngritën shpatat, u zgjova. Ç’të jetë kjo?

-Një ëndërr e aq.Qetësohu dhe fli. Ti e di që unë s’u besoj ëndrra

-Kam një parandjenjë të keqe e të frikshme.  Nesër të ikim. Ky oborr është si fole gjarpërinjsh. Asgjëje s’i besoj.Tim eti, jo e jo. E pe Sançën, që s’i qeshi  buza e s’na tha një fjalë? Çfarë di ajo që e mundon dhe dëshpëron?

-Jo, Helenë! Nuk do t’ua mbathim nga frika e një ëndrre.

Kishte akoma natë dhe ata ranë në gjumë.

Gjithçka ishte përgatitur për mbrëmjen e pritjes në pallatin mbretëror. Porosia ishte që të mos lihej asgjë mangut. Pa harruar edhe fishekzaret. Kasnecët me ftesat për oborrtarët, fisnikërinë dhe personalitetet e jetës së qytetit, u shpërndanë gjithandej.U shtuan shandanë dhe llambadha,  që të ndriçohej e bëhej ditë. Ulëset dhe karriket për të ftuarit u vendosën mbështetur mureve. Pak më tej, tryeza të larta e të rrumbullakta, të mbushura me gjithë të mirat dhe verëra të zgjedhura e gota të kristalta. Tryeza mbretërore, froni me baldakin të kurorëzuar, ishte vendosur në krye përballë derës së hyrjes.Në anën perndimore, poshtë dritareve, mbi një pod të ngritur, kishte zënë vend orkestra dhe gaztorët, që do të zbavitnin mbretin dhe këtë shoqëri gazmore. Hapësira e mesit ishte lënë e lirë për vallëzim.

Të ftuarit kishin ardhur dhe salla gumzhinte nga bisedat. Priteshin çifti arbëror dhe ai mbretëror.

Shefi i ceremonive dhe festimeve, i hoqi udhën Andreas dhe Helenës, që ishin paksa të vonuar. Maxhordomi lajmëroi mbërritjen e tyre. Salla e mbushur plot, kthyen kryet dhe u shtangën nga ajo pamje që u shfaq tek dera. Burrave u mbetën sytë te Helena dhe grave te Andrea. Helena  veshur, nisur e stolisur si një zonjë aristokrate krutane,ngjante si një lule plot ngjyra kuqezi, kurse Andrea me veshjen e burrave malësorë të arbërit: tirqe të bardha , puthitur pas kofshëve, me gajtanë e qëndisma të zeza, ngjeshur në mes me brez të kuq, xhoke të zezë, jelek kadife ngjyrë vjollcë dhe mbi krye plisin e bardhë . Ishte si një lastar i harlusur. Ngjante si të kishin dalë nga një galeri arti. Bukuri të tillë femërore dhe të tillë hijeshi burrërore, në atë oborr, s’kishin  parë ndonjëherë. Burrat ia patën zili Andreas, për shortin e zgjedhur, ndërsa gratë i dhanë të drejtë Helenës për zgjedhjen që kishte bërë. E kush ishte ajo femër që nuk do të donte ta kishte të vetin atë burrë?

Ulëset e Kont Andreas dhe princeshës Helena ishin pranë fronit të mbretit dhe mbretëreshës, që ende nuk  e kishin nderuar festën e mirëseardhjes me praninë e tyre. Pritej të vinin nga çasti në çast.

Helena rroku me një shikim gjindjen. Kishte në atë sallë princër, kontër, markezë e baronë, me paruke të pudrosura dhe veshje të ndritura, tejet elegant, me vështrim fodull, mospërfillës. Koka që ëndërronin të kurorëzoheshin, të tjerë që u serviloseshin gjer në pështirosje, bukuroshe me nam, koketa e kurtizane, gjuetare të shtreteve të burrave të pasur e të pushtetshëm, gjithëfarë  bukurish të perënduara, që mundoheshin të dukeshin magjepsëse dhe të tjera në lulëzim. Në sallën e ndriçar si ditë, dukej se kishte ardhur stina e pranverës njerëzore e në livadhin e saj, kishin buisur e çelur shumëllojshmëria e bukurisë femërore dhe e madhështisë burrërore.Por nuk mungonin as barërat helmuese dhe ato me gjemba. Vijnë rrotull, përshëndeten,  bëjnë sikur gëzohen e  duhen, por të gjithë urrehen, buzëqeshin për të  maskuar ngërdheshjen, fjalosin me ëmbëlsi, por nën gjuhë  kanë helmin, duken të gëzuara, por i bren nakari dhe zilia. Nën veshjet e pasura dhe vezullimin e stolive, fshihet varfëria e shpirtit. Gratë me dekoltetë e hapura, supet dhe shpatullat e zbuluara me reflekse qelibari, me aromën e parfumeve molisëse, rrëfejnë hiret femërore dhe lakmojnë burrat e shoqeve dhe burrat gratë e shokëve. Një buzëqeshje, një shikim gjithë lakmi, një shtrëngim dore apo një goditje e lehtë si padashje me brryl, janë grishje dhe premtim për  një romancë të pritshme, për të mbushur kotësinë dhe limontinë e jetës së velur nga të mirat. Helena frymoi thellë. Atje në principatën e saj, midis maleve, kishte shpëtuar nga këto vese e sëmundje të kësaj shoqërie sundimtarësh të sëmurë nga lakmia. Nuk kërkonte shumë nga jeta. I mjaftonte dashuria  që e kishte emrin Andrea. Edhe pas dhjetë vjetësh duheshin  si ditën e parë që u panë. Ajo i shtrëngoi krahun për ta ndjerë që e kishte pranë dhe se ai ishte vetëm i saj.

Buçitën trompetat , që drodhën ajrin. Kryeshambellani, trokiti fort tri herë me skeptër mbi pllakat e mermerta dhe  me zë të fortë kumtoi lajmin:

-Madhëria e Tij! breti Robert! Shkëlqesia e Saj mbretëresha Sançia e Aragonës, dukesha e Kalbrisë Xhovana d’Anzhu                                                                              Gjindja u ngritën më këmbë dhe në heshtje, me përkulje të thellë, nderuan hyrjen e mbretit. Qëndruan ashtu, derisa Madhëria e Tij me një lëvizje të dorës, bëri shenjë që të uleshin.

Mbreti, me fytyrë të ngurtë e të ftohtë, ku s’lëvizte asnjë muskul, si i detyruar të bënte një detyrim, u tha Andreas dhe Helenës:

-Besoj se jeni zbavitur, në qytetin tonë, që i ka me shumicë bukuritë, që admirohen nga sikush që vjen për herë të parë.

– Madhëri! Vepruam siç na porositët. Ishte një ditë plot mbresa.

Mbreti i bëri një shenjë kryeshambellanit dhe  festa filloi.

U dëgjuan tingujt fluror të flautit, cicërima   e violinës, drithmat e dajreve, tringëllimat e cimbaleve, të qeshurat e mandolinave, ritmi i tamburëve, psherëtimat e kontrabasit, që të shkrira në harmoninë e një melodie të vetme, ftonin në vallzim. Ishte një kadril me ritmin e lehtë të një marshi kavaleresk, gëzimin e fitores, harenë dhe dëshirën për ta jetuar çastin . Mjeshtri i valleve doli në krye. Çiftet u rreshtuan më dysh, veç damat e veç kavalierët dhe me hapa të lehtë dhe elegante, të zënë përdore, bënë përpara. “Këmbeni damat!” Dhe damat u këmbyen, pastaj ”Kavalierët u përkulen damave!” dhe kavalierët tërë sqimë  u pekulën dhe përshëndetën damat. Pas lëvizjeve të hijshme,”Damat përshëndesin kavalierët!” dhe damat duke mbajtur me një dorë fustanet, u përulën para kavalerëve të buzëqeshur ”Damat dhe kavalierët në një rresht!” U formua një kolonë, vallzuesit hodhën duart në supin e atij- asaj,  që kishin para dhe duke u tundur prapa- para dhe majtas- djathtas, i ranë rrotull sallës së vallzimit. Muzika heshti. Vallëzuesit nuk u kthyen në vende, por grupe-grupe u mblodhën rreth tryezave për të shijuar gatesat: byreçka,ëmbëlsira, salçiçe e proshutë, qofte të vogla pikante,ullinj të kripur, toptha mocarele, arra e bajame të qëruara, ndërsa shërbenjësit me livre të shkëlqyera, me tabaka të ngritura në lartësinë e kokës shpërndanin gotat me verë të bardhë e të kuqe.

Te tryeza e Andreas dhe Helenës, njëri pas tjetrit shkuan  kushërinj, të afërt e të largët të princeshës Helena dhe pjestarë të fisnikërisë krahinore dhe u paraqitën nderimet e tyre dhe i ftuan që të dëfrejnë. Ata u ngritën dhe u përzienë me luzmën e festuesve. Në tryezën ku u ndalën për të ngjëruar e shijuar gatesat, u afrua kurtizania e famshme Luiza D’Alberobelo, e nisur dhe stolisur, një bukuri femrore e lakmueshme nga burrat, me një barrë naze e sy dëshirues. Në fytyrë i lodronte buzëqeshja çapkëne. Pa ia hequr vështrimin joshës Andreas, i tha Helenës:

-Princeshë, ma huan për një natë kontin? Të nesërmen do ta kthej ashtu siç do të ma japësh- dhe,  dhe ja dha të qeshurit.

-Mund t’ia bësh kërkesën kontit. I takon atij të zgjedhë dhe të vendosë!

-Bëj shaka. Por është aq i ëmbël e tërheqës, sa çdo femër do ta dëshironte. Më kujton fjalët e asj këngës: ”Je kaq’ i mirë, sa në dritare rri shpesh, dhe të më vish të pres”- tha dhe më pas psherëtiu e shtoi: -Të duash, por cilin? Kjo është dilema e jetës.Ti e zgjidhe: dashuri me shikim të parë, si në romancat kalorsiake. Ke qënë me fat për zgjedhjen tënde.

U afrua konti dhe kontesha Ursini. Konti, kavalier i thekur, me ca fjalë të zgjedhura i lavdëroi Helenës bukurinë dhe hijeshinë dhe i tha Andreas:

-Kont, nën ç’yll ke lindur që gëzove miradinë dhe hiret e Venusit dhe të Kupidit?

Rreth Andreas, u avitën si fluturat ndaj dritës bukuroshet e reja , ndërsa ndaj Helenës ,si bletët rreth lules, të rinj sqimatarë, që flisnin secili për hesap të vet aq sa  të dy nuk po merrnin vesh përse flitej. Andrea u ndje në zor nga gjith ajo vëmendje vardisje dhe fjalët e zgjedhura, të thëna me dy kuptime. Nga ky siklet i nxori muzika. Ishte melodia e tarantelës së njohur napolitane. Ritmi i tamburinos dhe i dajreve, piskama e mandolinave dhe flautit, kumbimi i kitarave, e ndezën atmosferën dhe bënin që gjithkush të lëvizte vetiu e si i paduruar për të hyrë në valle.

Në rrethin e vallzuesve hynë edhe Andrea me Helenën. Andrea nuk e kishte kërcyer ndonjëherë atë valle, kurse Helena e kishte në gjak.

– Do të më pëlqente ta sodisja si shikues, nga jashtë e jo si kërcimtar, këtë valle që duhet të jetë kaq gazmore.Druaj se me ngathtësinë time, s’do të bëj figurë të mirë.

-Mos u druaj – i tha ajo,- Gjithë e gjithë tri hapa janë, me ritëm të vrullshëm. Sa për rrotullimet, formimin e rrathëve dhe rreshtave në grup, bëj si të tjerët! Ke për t’ia dalë, forca!

Dhe ai ia doli. Duke u bërë një ime grupin e vallzuesve, u përfshi nga ritmi i shpejtë , gazmor e marramendës që i ngjalli ngazëllim dhe ia hoqi atë drojtjen që ndiente si i huaj në këtë mjedis kaq të ndryshëm nga ai i mbrëmjeve arbërore. Në Arbëri  vallet e trimave ishin burrërore dhe të grave me shumë fisnikëri e hijeshi. Kur mbaroi vallja, ishte i djersitur dhe me frymëmarrje të shpeshtë. Etjen e shoi me një kupë verë të bardhë dhe u kthye tek vendi i tij.

Dukesha e Kalabrisë Xhovana d’Anzhu, i tha Helenës se ishte e porositur nga gjyshi-mbret t’i thoshte se ai  ishte tërhequr në apartamentet e tij, se e kishte kapur nje dhimbje koke e padurueshme dhe se i vinte keq për largimin e parakohshëm. Salla e mbrëmjes, pa hijen e rëndë dhe vështrimin prej skifteri të mbretit, u ndje më e çlirët dhe e lehtësuar.Të nxitur nga pijet, dëshira për dëfrim, muzika dhe bukuria e femrave, që ishin aq tërheqëse ,filloi zdërhallja, të qeshurat, bisedat kokë më kokë,nojmat, vështrimet ndjellëse, ca marrëveshje të heshtura dhe premtuese, që kuptimin e tyre e dinin veç ata. Përjashta shkrepën fishekzaret, që e bënë qiellin e Napolit të dukej sikur po binin yjet shumëngjyrësh nga qielli. Le ta dinte kushdo: mbreti festonte pajtimin me të bijën dhe dhëndrin arbëror.

Më pas u erdhi radha këngëtarëve, që rrëfyen talentin e tyre me romancat dhe madrigalet sentimentale, dhe pas tyre gaztorëve me anekdota dhe monologë qesh e ngjesh. Mbrëmjes i erdhi fundi. Të pranishmit nisën të largohen në çifte apo vetëm ashtu siç kishin ardhur, pa harruar t’u linin shëndetin dhe uronin natën e mirë kontit Andrea dhe princeshës Helena. Edhe ata dolën e shkuan në apartamentin e tyre. Sa për t’u freskuar qëndruan në ballkon. Nga deti vinte puhiza e freskët, e  njelmët me aromën e leshterikëve. Andrea i hodhi së shoqes dorën mbi sup. Soditën qjellin e kthiellët ngjyrë plumbi stolisur me mirjadat e yjeve. Ishte bukur t’i sodisje dhe të kërkoje atje yllin tënd. Thuhej se pas vdekjes shpirti ngjitej në një yll! Qetësinë e natës, herë pas here e prishnin ulurimat e kukuvajkave ndjellakeqe nën hatullat e pallatit dhe  angullima e thekshme e atij qeni që s’dihej nga vinte.

Ca nga lodhja e ditës, ca nga pija, i zuri gjumi, ashtu të përqafuar me njeri-tjetrin.

Kapiteni Ferrante, i rojeve të pallatit, doli nga kabineti i mbretit i tronditur,iu desh kohë të qetësohej e të kthiellonte gjykimin, por ai ishte ushtar dhe  detyra ia kërkonte të bindej , të zbatonte urdhërin dhe jo ta gjykonte  atë. Në ndërkohë duhej përgatitur, heshtazi , pa zhurmë, në fshehtësi. Askush nuk duhet ta dinte. Zgjodhi katër nga rrogtarët zviceranë, të fuqishëm, pamjevrazhdë, të ashpër, nga ata që s’u qeshte buza kurrë e i porositi të ishin gati për një mision ndaj të gdhirë. Në manastirin e  afërt, dërgoi e mori thuajse forcërisht një frat, pa i thënë përse e pa i spjeguar asgjë.Fratin që dridhej dhe here pas here bënte kryqin, ua la nën kqyrje rojeve të fjetinës. U kujdes që në oborrin e jashtëm të pallatit, gjithçka të ishte gati. Koha rridhte ngadalë. Nata e makthshme, e mugët zvarrisej si ëndërr e keqe drejt perëndimit, për t’i lënë vend vagullimit të lindjes. Kënduan gjelat e mbram, që lajmëronin ditën që po vinte. Kapiteni Ferrante, bestyt, e dinte që kjo ishte koha kur fantazmat , shpirtërat e munduar dhe lugetërit, që kishin dalë nga skutat, varrezat dhe katakombet,të frikur nga drita e muzgut, ktheheshin në banesat e tyre. Kjo ishte koha as natë, as ditë, kur punët e zeza që pillte nata e llahtarisur e mbarsur me ligësi, i përcilleshin ditës që po lindëte. U priu ushtarëve nëpër korridoret  e pallatit.  Qetësia e kobshme, e shurdhër,  prishej vetëm nga hapat e tyre të rënda. Prapa i pasonin prokurori i mbretit dhe frati domenikan i tronditur, që tashmë e dinte se ku shkonte dhe përse shkonte.

Trokitja në derë ishte e fortë. Andrea i përgjumur e dëgjoi turbull, si një jehonë që vinte nga larg, por kur trokitja u përsërit, ai u ngrit shesh në krevat dhe pyeti:

-Kush troket?

-Prokurori i mbretit. Hapeni kont, ndryshe do të detyrohemi ta hapim forcërisht!

Andrea shkoi dhe e hapi derën. S’u besoi syve. Pamja që iu shfaq ishte tronditëse: prokurori i mbretit, kapiteni i rojeve, katër ushtarë trupmëdhenj të armatosur dhe një prift me rraso të zezë, ngjeshur në brez me litar. Pa pritur dhe pa pyetur hynë në corridor. Njëri nga rojet siguroi derën, dhe pastaj hynë në dhomën e gjumit.Helena u zgjua, pa kuptuar se ç’po bëhej. Kur pa të huajt, vetiu mbuloi me çarçaf gjoksin  e zbuluar.

-Zotëri, çfarë po bëhet? Me ç’të drejtë mësyni apartamentin tonë? Çfarë kërkoni prej nesh?!

Prokurori i mbretit, pa iu dridhur qerpiku, me një qëndrim të ngrirë e solemn, me zë të plotë dhe fjalë të theksuara shkoqur,si të deklamonte një mësim të mësuar permendësh, tha:

– Kont Andrea Topia, princesha Helena d’Anzhu! Jemi këtu me urdhërin e madhërisë së tij mbretit Robert, për të zbatuar vullnetin e tij, dënimin tuaj me vdekje, të dhënë para dhjetë vjetësh, për fyerje të personit të tij august, kur ju princeshë, refuzuat martesen me princin Filip de Kurtenay, që ishte zgjedhje e atit tuaj dhe morët arratinë dhe u lidhët me martesë të paligjshme me Andrea Topinë! Jeni të lutur të visheni dhe të na lejoni pa kundërshtime të bëjmë detyrën tonë!

Po ndodhte ajo që e kishin parandjerë, por që s’e kishin besuar. U veshën. Rojet u përdrodhën krahët dhe ua lidhën prapashpine .

-Në vendin tim, kësaj i thonë prerje në besë e mikut dhe i pabesi që prêt mikun ,hyn në gjak . Kjo pabesi, kur mikpritësi është një mbret, s’ka si bëhet më zi dhe mjerim, për atë popull që mbretërohet prej tij!

U afrua prifti.Bëri kryqin për të dy.

-Bijtë  e mi! Tok me mua, faluni e lutuni për shpirtin tuaj!

Dhe nisi të mërmeriste lutjen e të vdekurve.

Helena bëri një hap  para dhe u ngjit në ije të Andreas.

-At, -tha ajo-Mos prit të falemi e lutemi!  Aii që po na i merr jetët tona nuk është krijuesi që na i dha , por një baba, që krenaria  e sqima, e bën mizor e gjakatar. Lutja ime është:

“U rrënoftë e u bëftë gur mbi gur mbretëria e tij!

Pallatet e tij u pushtofshin nga fantazmat!

Në gërmadhat e tyre të ulërijnë kukuvajkat!

U shofshin dhe u shkretofshin trashëgimtarët e këtij froni të ngritur mbi    gjak e urrejtje!

Zot, dëgjoje lutjen time!”-

Tha këto dhe u kthye nga Andrea:

– I dashur! I tillë ishte fati ynë. Bashkë në jetë, në dashuri edhe në vdekje. Një e të pandarë. Të vdesësh bashkë me dashurinë, nga Zoti, në përfundim të jetës, kur nisesh drejt pafundësisë, është si të kesh rilindur shumë herë, përgjatë vijimësisë, ku i ke zgjatur fillin jetës me trashëgimin që lë pas. Ne po ikim parakohe, jo me vullnetin e krijuesit, por nga një mbrapështi mizore. Vdesim por e dimë që fëmijët tanë do të jetojnë dhe do të hakmerren!

Nga dritaret dukej se po zbardhte dita. Prokurori tha se duhet të nguteshin.

-Dëshirat tuaja të fundit?

-Të na varrosin si të krishterë, pranë e pranë, që shpirtrat tanë të ngjiten tok në amshim-Kjo ishte dëshira e Andreas.

-Në gurvarret tona të shkruhet: Konti i Arbërit Andrea Tanush Topia, kontesha e Arbrit Helena Topia, jetuan dhe vdiqën të dashuruar!-

Ishte dëshira e Helenës.

-Bëni detyrën!- Urdhëroi prokurori kapitenin e rojeve.

Ata i vunë përpara të dënuarit  për në oborrin e prasëm të pallatit.

Aty, prapa kërcunjve të kokëprerjes, mbi të cilët ishin dy sëpata me presë të gjatë e të mprehtë, i prisnin dy xhelatët veshur me të zeza e të maskuar. Kishin të zbuluar vetëm sytë. E zezë veshja, më e zezë vepra! Prapa tyre ishin dy qivure mbi katafalkë.

Prifti u bëri të dënuarve vajimin e shenjtë dhe me  zë të drithëruar nisi lutjet për të vdekurit: “Jepua, o Zot, robve të tu Andrea dhe Helena, pushimin e pasosur në mbretërinë e qiellit! E u ndrittë drita e pambaruar! Pushofshin në paqe. Ashtu u bëftë. Amin!

Kur deshën t’u lidhin sytë, Andrea i refuzoi: “Duam ta shohim vdekjen në sy” u tha ai.

 *    *    *

Ndaj të gdhirë, nga porta lindore e pallatit, në fshehtësi e me heshtje të plotë,  me një karrocë me kuaj të zinj, dolën dy qivure,  që i shpinin për t’i varrosur në një varrezë murgjish të harruar, të manastirit Santa Maria dela Kroçe. Në varre pa emër, vetëm me nga një kryq druri. ku askush të mos vinte një lule, apo të ndizte një qiri për ndriçimin e shpirtit të tyre.

Kohë më vonë, dy xhelatët, thane se: ”Kemi prerë shumë koka, por koka më të bukura se ato të Helenës  dhe Andreas nga Arbëria, që edhe të prera dukej se lëshonin dritë, nuk kemi për të parë kurrë.”        

EPILOG  

Lajmi kobmadh fluturoi me erën dhe mbriti në Arbëri. Krujën, malet dhe fushat i mbuloi zija. Tingëlluan përzishëm këmbanat e të gjitha kishave dhe u mbajtën mesha për prehjen e shpirtrave të tyre. Andrea dhe Helena, që ishin stolia e principatës, bujaria, drejtësia , siguria dhe mençuria, nuk jetonin më dhe trupat e tyre nuk gjenin prehje, larg në dhe të huaj. Karli dhe Gjergji kishin mbetur bonjakë, pa ngrohtësinë dhe dashurinë e mëmës dhe të atit.

Mbretëria e Napolit kishte rënë në gjak me Arbërinë.

Dom Dominiku, kur mësoi zezonën e të nipit,u kthye nga Dizhoni drejt e në Krujë.Vendosi në krye të trashëgimit atëror Karlin dhe vetë mori përsipër detyrën e kujdestarit dhe të këshilltarit.

Karl Topia, princ i Arbrit,”Kont i Madh i Shqipërisë” përtëriu principatën  e trashëgimit atëror, dhe zgjeroi e fuqizoi, duke pushtuar dhe zotëruar edhe Durrësin. Ai ishte krenar për pjesën e gjakut mbretëror nga e ëma dhe i shtoi stemës së Topiajve, Luanit me shpatë, edhe një zambak të Anzhuinëve.Bijës së tij, I vuri emrin Helena.

Pas vdekjes së tij, trashëgiminë e mori i vëllai Gjergji, që vdiq shpejt dhe pas tij e bija e Karlit, Helena, që u vendos në Krujë, e pas saj Niketë Topia. Me të Principata e Topiajve u mbajt deri në pushtimin e Krujës nga turqit më 1415 dhe më pas u përtëri nën Gjergj Kastriot Skënderbeun, që e quante veten edhe pasardhes të Topiajve dhe Tanush Topinë e Ri, e kishte general të ushtrisë dhe tok me kont Uranin, mbrojtës të krujës nga rrethimet e turqve.

     Fund.

     Tiranë, shkurt- shtator 2018.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s