Në Panairin e Librit “Tiranë-2018”, tek stenda Klubi i Poezisë në katin e dytë,  gjeni  vëllimin poetik “Dita ime- Një cigare” të autorit Vaid Hyzotit / MOTIVE XIXËLLUESE TE VAID HYZOTI – Parathënie nga Petraq Risto

Në Panairin e Librit “Tiranë-2018”, tek stenda Klubi i Poezisë në katin e dytë,  gjeni  vëllimin poetik  “Dita ime- Një cigare” të autorit Vaid Hyzotit. 

MOTIVE XIXËLLUESE TE VAID HYZOTI

Dita e poetit Vaid Hyzoti i ngjan një cigareje që ndizet nga hallet, thithet e shijohet në rrjedhën biologjike të kohës, shuhet dalëngadalë me fjollat e tymit, si mendime të lodhura, dhe kthehet natyrshëm … në hi.
Ky vëllim poetik i ngjan një taketukeje gjigante ku janë mbledhur bishtat e shuar dhe hiri i ngrohtë i mijëra cigareve të pira.
Një libër ku mbizotëron tema e zhgënjimit, kënga e klithmës së emigrantit të lodhur nga andrrallat e panumërta të jetës, një libër-rënkim, një libër-protestë.
Poeti e përballë realitetin e hidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa doreza pambuku a mëndafshi dhe, shpesh, me dorezat e një boksieri, i cili edhe pse përballë një kundërshtari të pamundshëm, guxon të hyjë në ring, të marrë goditje të egra, por edhe të japë goditje të fuqishme.
Ka shumë plagë goditjeje ky libër dhe, mbi të gjitha, ndjen atmosferën e vdekjes. Këtu dua të ndalem pak.
Vaidi është një emigrant “i vjetër” në SHBA, herë me punë dhe herë pa punë, një kryefamiljar që bashkë me gruan dhe dy fëmijët, ende të vegjël, guxoi dhe kaloi Atlantikun në një aventurë të guximshme, me ëndrra të shumta dhe shpresa të mëdha, por… nuk arriti atje ku kërkonte…
Që kur ka ardhur këtu, gati dy dekada më parë, ai nuk është kthyer asnjëherë në vendlindje.
Babai dhe nëna e tij ndërruan jetë dhe ai nuk u është gjendë pranë. Tani ka mall për varret e prindërve, për vendlindjen, për detin, kalanë e Ishmit, të dashurit e zemrës, miqtë, shokët! Motive trishtuese, por jo të pazakonta për racën njerëzore!
Për një qytetar – poet, fati personal kthehet në klithmë revolte, ai e humb besimin, shpresën dhe dalëngadalë, me kalimin e kohës, kujton edhe Vdekjen.
Ja disa nga vargjet që xixëllojnë dhe ti ke dëshirë tua thithësh gjer në fund nikotinën:

E ç’duhet kafka? S’ka vlerë as sa një guackë!”

Do të rri me ta 
Dhe sikur të marr 
Varr me qera!

Jam pacient i ri nga një vend i largët, 
Dhe më japin të plotësoj një formular spitali: 
“Nëna dhe babai nga ҫfarë sëmundje vuanin…” 
Marr një pikëlot tek syri: 
Shkruaj: nga malli!

Gjysma e shpirtit mundet të gjejë vetëm një biletë pa kthim.

Apo vargje të tilla klithëse:

Vallë, ku u gjendën arkitektët e të ardhmes së këtij vendi, 
Që hedhin themelet e maternitetit në…varrezë?

Institucioni i Vdekjes te poezitë e Vaid Hyzotit nuk imponohet nga Ligji i Madh i Natyrës, sepse poeti e përdor Vdekjen si sfidë, i kundërvihet asaj me humorin e tij të zi, ndonjëherë me vetëfshikullimin, me talljen dhe, mbi të gjitha, me Dashurinë.
Grotesku dhe humori i Vaidit janë gati proverbiale.
Me tymin e cigares – varg ai vizaton në ajër dhe ti si lexues gati i shikon personazhet, veçanërisht femrat e bukura, të pikturuara me kaq finesë nga një bohem rebel që shpesh hiqet më aventurier dhe ka dëshirë të shprehet me zë:

Por kam frikë, 
Kam frikë në më mbërthen përsëri dashuria, 
Para saj bëhem besimtar dhe lutem: O Zot, 
Dashurisë m’i vë një postbllok të fortë!

Apo vargjet:

Kur prek një grua, ti kupton
Se ka qiej të afërt që s’i njeh akoma…

Ishte dikur …vjedhëse psherëtimash,
Mbeti psherëtimë kujtimesh.

Kam patur një vajzë, cigare qe për mua
Më digjej buzëve. Kthehej në zjarr…

Thith cigare me nikotinën e dhembjes, por shpesh edhe me kënaqësitë e një dite të gëzuar në familje, nga sukseset e vajzës apo djalit, nga një ditëpune e rastësishme, apo nga takimet mbresëlënëse me miq të vjetër e të rinj. Shpesh thith cigare shoqëruar me verë të kuqe, apo thjeshtë me kafe ekspres te bar ‘Aroma’, ‘Europian’ apo ‘Rogner’, në lagjen e madhe Kuins, në Nju Jork, ku ka një komunitet të madh shqiptarësh.
Dashuria në këtë vëllim e luan mirë rolin e balancës dhe lexuesi e ndjen gjer në ind sinqeritetin e poetit, nostalgjinë për vitet e ikura, “fajin e bukurisë”, shkëlqimin e ëndrrës.

Vetëm një re e bardhë më shfaqet e më fshihet,
I jap fytyrën tënde.
E pi me sy…
Dhe ti vjen më ulesh ashtu butë- butë,
Mbase si lot,
Mbase si shi…

Dashuria si kuptim i Jetës në njëfarë mënyre bëhet dhe kult i mbijetesës dhe vetë Vdekja si institucion madhor mbledh supet dhe tërhiqet: dhe ajo e kupton se kodet i Mbijetesës janë një shtytje e madhe për artistin, nxitje dhe frymëzim.
Shumë poezi dhe vargje nga ky vëllim Vaid Hyzoti, i ka publikuar në gazeta apo rrjetet sociale dhe ka drithëruar botën e lexuesit të gjërë. Jam i bindur se dhe nesër lexuesi nga cigaret e vargjeve do të ndjejë aromën e nikotinës së dhembjes, do të thithë pakëz nga tymi dhe hidhësia e tyre, mbase dhe do të lotojë. Por, sidoqoftë, këtij libri nuk do ti vë pullën “Ndalohet duhani! Duhani dëmton shëndetin!”.
Në letërsi ndodh e kundërta: Jeta dhe Vdekja janë ushqyeset kryesore të krijimtarisë.
Para disa kohësh te “Globus R.” i botova Vaidit vëllimin “Kafe me Djallin”, por kam mendimin se vëllimi i ri “Dita ime – një cigare” është më i plotë, më i pjekur, më i thellë. Vaid Hyzoti ka krijuar personalitetin e tij poetik, ku spikat origjinaliteti dhe gjuha e vaçantë metaforike, narracioni shprehës plot limfë jete.
Në këto vitet e fundit, ngaqë kam shkuar e kam ardhur më shumë në dheun e lindjes, gjithnjë jam kujtuar që t’i sjellë mikut tim të vjetër edhe ndonjë stekë me cigare. Dhe ato rrinë shumë mirë në valixhe në një rradhë me librat e mi, por edhe të Vaidit. Dhe doganierët nuk thonë gjë: e kuptojnë se ato cigare janë thjeshtë vargje që do të thithen nga një krijues, do të jenë motive që do të xixëllojnë shpirt dhe do të nxjerrin tymin e nikotinën e dhembjes, s’ka gjë pse dhe ne rrotull do të thithim diçka nga kjo nikotinë.

 

Nga: Petraq Risto

New Jersey, SHBA, 13 korrik, 2017

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s