Poezi nga Ndue Ukaj

Poezi nga Ndue Ukaj
 
 
Itaka sëmbon
 
“Unë jam e huaj në vendin tim”, shkruante Edith Södergran.
S’di si do të jetë ndjerë ajo atë ditë kur frynte erë dhe binte borë.
Ajo sigurisht fliste për Itakën apo për mungesën e përhershme.
Një dhimbje që përbirohet dhe si shigjeta sëmbon.
Në të vërtetë ajo mund të fliste për mungesën e Itakës,
Për mungesën e ngjashme si atëherë kur Odiseu i afrohej limanit
Dhe s’dinte kush ishte në pallatin e ti;
Kush e shoqëronte Penelopën e ç’ndodhte me qenin e tij.
 
Fryn dhe bie borë.
E një grua ec ngadalë, ka frikë se do të rrëzohet.
Qartësia mungon gjithkund.
Në kohën kur sytë ngashënjehen nga portat e mbyllura.
Nga Itaka-
Dhe një grua që pret e rrethuar me imagjinatë e vetmi.
 
Ne gjithmonë synojmë të arrijmë te caku nëpër dallgët që rriten.
Ah! Ç’është caku?
Një shpikje e askujt apo e fuqive të mbinatyrshme-
Cakun që kurrë s’e arrijmë.
 
Edith shihte një pemë ma të madhe se gjitha pemët e tjera.
Askund s’ishte gjarpri, as Eva e bukur.
E mira dhe e keqja ishin përzi si leshi në pubisin e saj.
 
Mjegull dhe bie borë.
Matanë kujtesës ajo ka frikë nga nata.
Muzikë s’ka askund. Është një mori zogjsh që cicërojnë.
Refrenet joshëse për të cilat përpëlitemi si nëpër ëndrra dimërore.
 
Fryn dhe bie borë. E gjethet e pemëve fëshfërijnë,
Si fustani i Penelopës kur u hodh në përqafim të Odiseut.
Kjo është muzikë për ata që duan qartësinë,
Dhe shmangen nga mjegulla, rregulli.
 
Unë kthej fytyrën kah rruga e re. Aty ku s’kam kaluar asnjëherë.
Dhe them: s’jam i huaji në vendin tim.
Pastaj e hapa përsëri librin dhe gjeta atë që Edith vërtet shkroi:
“Unë digjem për një vend që nuk është.”
 
 
 
Arka e përmbysjes
 
Shpeshherë të kam pâ mes engjëjsh e demonësh,
E rrethuar nga një aureolë e rreme e quajtur lavdi.
E kërkoje arkën e shpëtimit
Një jastëk për kokën tënde
E për dëshirat tua të ngjyrosura në liri.
 
Fatin tënd e mbanin në dorë perënditë e detit,
Derisa një ditë aureola jote u përmbys.
Atëherë ti qave si ky qiell i pikëlluar,
E ktheve kokën prapa,
Ata sy të ambël që shikonin kah pafundësia.
Dhe matanë dhimbjes kërkove një shtrëngim dore
Trëndafilin e kuq
Sa rruzullimi i syve të tu.
 
Atë ditë ndjenjash të përgjumura
E kërkove kthimin te rrëfimet e vjetra
Nëpërmjet heshtjes së zymtë
Në udhëkryqe fatesh ujite lulet e këqija.
 
Çfarë të bëj unë në një natë si kjo,
Pa hanë dhe pa qëllim,
Kur lë peng udhëtimin e gjatë nëpër rrugët e egërsuara;
Ku mungon hapësira
Fjala
Mallëngjimi.
Dhe një vistër lajmesh
Për mungesën
Dikush e quan vetmi
Dikush e quan liri.
 
Atëherë matanë teje pashë një rrëmujë njerëzish
Si mësynin kah portat e mbyllura.
Dhe u kapa pas teje;
Pas teje aty ku thërrmijat e kujtesës bëheshin simfoni
Në ndërgjegjen e vrarë.
Një tingull që zgjatë sa një jetë.
 
 
 
Ura
 
Ma mirë do të ishte sikur kjo hapësirë pa formë
Të mos kishte urë.
Ti do t’i mbaje dhimbjet e tua
E unë të miat.
 
Sot,
Ti je e heshtur si kjo natë pa ndriçim.
 
Të kujtohet kur më rrëfeve historinë e braktisjes,
Atë kallëzim për jetë e mote.
 
Po! Ma mirë kjo hapësirë
Të kishte një trëndafil me gjemba
Prej ku do të dëgjohej kënga e hutave
Sesa këtë urë që bashkon dhimbje.
 
Nata është e bukur dhe për dëshirën time shikoj yjet.
Ata duken si një pikturë reshë të dendura.
E përqafoj shumësinë e tyre
Si këtë boshësi që më ha.
 
Ti prapë më josh kah qetësia e puplave.
Sot e përgjithmonë,
Unë mbeta i përgjumur me shikimin në atë horizonti.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s